Përfaqësues të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës vizitojnë xhaminë në Wil të Zvicrës

 


Gjatë qëndrimit në Wil të Zvicrës, sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, Ahmed ef. Hoxha, dhe koordinatori i Shoqatës Humanitare „Bereqeti", dega në Gjakovë, Abdurrahman ef. Bejtullahu, zhvilluan një takim me xhematin e xhamisë në këtë qytet.
Me këtë rast, Ahmed ef. Hoxha mbajti një ligjëratë të shkurtër (ders), gjatë së cilës ndau me të pranishmit këshilla dhe porosi të çmuara profetike.
Ndërkaq, Abdurrahman ef. Bejtullahu i njoftoi të pranishmit me gjendjen e rëndë të xhamisë së lagjes „Dardania" në Gjakovë, e cila së fundmi është përballur me një zjarr aksidental, që ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka shkatërruar pothuajse tërësisht hapësirat e brendshme të saj.
Ai u bëri thirrje besimtarëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë që të kontribuojnë për sanimin dhe rinovimin e kësaj xhamie, në mënyrë që ajo të rikthehet sa më parë në funksion dhe t'u shërbejë sërish besimtarëve. Synimi është që punimet të përfundojnë para muajit të bekuar të Ramazanit.
Vizita u karakterizua nga mikpritja dhe bashkëbisedimi i ngrohtë, ndërsa përcolli një mesazh të rëndësishëm shpirtëror dhe solidariteti: bashkimin e besimtarëve rreth vlerave të fesë dhe mbështetjen e njëri-tjetrit në momente të vështira.
Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuojnë në këtë nismë humanitare dhe e mundësoftë rindërtimin sa më të shpejtë të xhamisë „Dardania", në mënyrë që ajo të vazhdojë të jetë në shërbim të besimtarëve.