Komuniteti mysliman në qytetin Chatham, në provincën Ontario të Kanadasë, ka organizuar aktivitetin e katërt vjetor të dyerve të hapura, duke u dhënë banorëve vendas mundësinë të njihen më nga afër me besimin islam, kulturën dhe traditat myslimane. Përmes këtij aktiviteti, organizatorët synuan të përcillnin mesazhin se myslimanët janë pjesë e pandashme e komunitetit lokal dhe dëshirojnë të ndajnë jetën e tyre me fqinjët.
Qendra Islamike e Chatham-it (Chatham Islamic Centre - CIC) hapi dyert për vizitorët, duke organizuar veprimtari të ndryshme njohëse dhe kulturore. Pjesëmarrësit patën mundësi të njiheshin me kaligrafinë arabe, të shkruanin emrat e tyre në këtë alfabet, si dhe gratë e vajzat të provonin hixhabin, mbulesën tradicionale myslimane.
Në program u përfshi edhe një prezantim mbi besimin islam, ku u trajtuan parimet kryesore të tij dhe ngjashmëritë me krishterimin.
Nënkryetari i Qendrës Islamike, Ahmed Al-Amvy, tha për gazetën The Chatham Daily News se qëllimi i aktivitetit ishte t'u përcillte banorëve mesazhin se myslimanët janë fqinjët e tyre dhe pjesë aktive e jetës së qytetit.
"Ne jemi banorë të Chatham-it dhe na pëlqen të ndajmë me të tjerët kulturën dhe besimin tonë. Jemi pjesë e këtij komuniteti, një komunitet i gjallë, dhe jemi krenarë që jemi pjesë e tij", u shpreh Al-Amvy.
Ai shtoi se komuniteti mysliman e konsideron Chatham-in shtëpinë e tij dhe dëshiron të jetë i integruar në jetën e përditshme të qytetit.
Al-Amvy kujtoi se kur mbërriti në Chatham, në vitin 2008, në këtë zonë jetonin rreth 50 familje myslimane. Që atëherë, komuniteti është zgjeruar ndjeshëm dhe sot numëron afërsisht 350 familje. Sipas tij, në mesin e tyre ka shumë mjekë, profesionistë dhe njerëz të angazhuar në biznes.
Aktiviteti u mirëprit edhe nga banorët vendas. Michelle Schryer, njëra prej vizitoreve, tha se pjesëmarrja i dha mundësinë të mësonte më shumë për Islamin dhe komunitetin mysliman.
Ajo vlerësoi veçanërisht ngjashmëritë mes njerëzve, duke theksuar se ato janë shumë më të mëdha sesa dallimet. Prezantimin mbi besimin islam e përshkroi si një përvojë pozitive dhe frymëzuese.
Edhe Poul Christensen, i cili ka njohje të afërta me komunitetin mysliman përmes angazhimit vullnetar në kuzhinën humanitare Interfaith Caring Kitchen, e vlerësoi aktivitetin. Kjo kuzhinë lokale drejtohet nga banorë të besimeve të krishtera dhe myslimane.
Christensen tha se takime të tilla u japin njerëzve mundësinë të njihen përtej frikës dhe paragjykimeve, duke kapërcyer ndarjen mes "ne" dhe "atyre". Sipas tij, qëllimi është që banorët të shohin veten si pjesë të një komuniteti të vetëm.
Ndërkaq, Kenneth Bell vuri në dukje ngjashmëritë që kishte vërejtur mes disa parimeve të Islamit dhe krishterimit, duke theksuar se në fund të fundit të gjithë dëshirojnë të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.
Qendra Islamike e Chatham-it u themelua në vitin 2016, ndërsa ambientet e saj aktuale u hapën në vitin 2021, në ndërtesën e ish-kishës presbiteriane St. James, në rrugën McNaughton Avenue West.
Sipas Al-Amvy-t, në qendër janë të përfaqësuar myslimanë nga 32 vende të ndryshme, përfshirë Indinë, Pakistanin, Jemenin, Filipinet, Indonezinë, Gjermaninë dhe Irlandën.
"Islami nuk është kombësi, por besim", theksoi ai, duke nënvizuar larminë kulturore të njerëzve që përbëjnë komunitetin mysliman në Chatham.