KBI në Malishevë shënon Festën e Flamurit me program kushtuar atdheut dhe besimit

 


Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e festave të nëntorit, Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në Malishevë ka organizuar një tubim me temën "Atdheu dhe Besimi - dy vlera, një përgjegjësi". Tubimi u mbajt në sallën e Kuvendit të Komunës së Malishevës.
Në fokus të këtij organizimi ishin rëndësia e atdhedashurisë, ruajtja e identitetit fetar dhe kombëtar, si dhe përgjegjësia individuale dhe kolektive ndaj atdheut.
Tubimi nisi me leximin e ajeteve nga Kurani Famëlartë, nga Alban ef. Hoxha. Më pas, me fjalë përshëndetëse iu drejtuan të pranishmëve kryetari i KBI-së në Malishevë, Sead ef. Paqarizi, dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fatmir Ademaj.
Ligjëratën kryesore, kushtuar atdhedashurisë nga perspektiva islame, e mbajti kryetari i Kuvendit të BIRK-ut, dr. Ajni ef. Sinani, i cili foli për përgjegjësinë morale, fetare dhe qytetare ndaj atdheut.
Ndërkaq, drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese pranë BIRK-ut, mr. Ramadan Shkodra, trajtoi historikun dhe rëndësinë e Festës së Flamurit, duke vënë theksin në kontributin historik të hoxhallarëve shqiptarë në rrugëtimin e kombit drejt lirisë dhe pavarësisë.
Tubimin e moderoi kryeimami i KBI-së në Malishevë, Flurim ef. Krasniqi.
Përmes këtij organizimi u përcoll mesazhi se besimi dhe atdhedashuria janë dy vlera që plotësojnë njëra-tjetrën dhe kultivojnë frymën e sakrificës, solidaritetit, unitetit dhe përgjegjësisë qytetare.



 


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

“Origjina e numrave” – arti, matematika dhe shpirtërorja në një ekspozitë