Hafiz Halil Haxhiavdyli (1872- 1948)

Hafiz Halili lindi në mëhallën e Hadumit, mëhalla më e vjetër, kryesorja e Gjakovës, në vitin 1872.

Është djali i Sylejman Agës, nga familja e njohur e Haxhiavdylve, një familje fetare, me gjendje të mirë materiale, kanë punuar disa brezni si terezi.
Meqë familja e Haxhiavdylve kishte shtëpinë përballë Medresesë, Medreseja e Madhe e Gjakovës, qysh kur ishte fëmi shkonte çdo ditë në xhami, në xhaminë e medresesë. Aty, në xhami, zuri shoqëri me nxënësit e medresesë, jo vetëm me nxënësit e Gjakovës, por me nxënësit nga të gjitha trevat e Kosovës.
Në veçanti shoqërohej me nxënësit që mësonin hifzin, mësimin përmendësh të Kur’anit, kështu brenda dy vjetësh, djali i Sylejman Agës, siç e quanin, Halilin, e mësoi Kur’anin përmendësh dhe mori titullin e nderuar hafiz, kur ishte në moshën 12-13 vjeçare.
Pas kryerjes së hifzit, Hafiz Halili vazhdoi studimet në Medresën e Madhe të Gjakovës. Gjatë studimeve, meqë ishte tashmë hafiz, kishte zë shumë të bukur, shpesh myderrizi i kohës, myderrizi, Hafiz Ismail efendi Yvejsi, e lejonte me dalë imam gjatë namazit të sabahut, akshamit dhe të jacisë!
Hafiz Halili tregohet se ka qenë burrë i pashëm, i urtë, i sjellshëm, punëtor, trashëgoi zanatin e paraardhësve rrobaqepës (terzi) dhe kur ishte i lirë punonte atë zanat me hakikat.
Në tre-katër shekujt e fundit, zejtaria ishte dega më e zhvilluar ekonomike e qytetit të Gjakovës. Zejtarët gjakovarë ishin të organizuara në esnafe. Esnafet me të rëndësishme ishin esnafi i terzive dhe esnafi i tabakëve.
Dy esnafet e përmendura kanë luajtur rol të rëndësishëm jo vetëm në jetën ekonomike, por edhe në jetën politike, kulturore, shoqërore, atdhetare e fetare të Gjakovës. Për vite të tëra, Hafiz Halili ishte i ftuar i posaçëm si imam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit në lokalet e Esnafeve në Taphone. Ndrroi jetë në vitin 1948.



Mexhid YVEJSI, Gjakovë


Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani