Fanatizmi është një entuziazëm që djeg, jo një e vërtetë që ndriçon


“Në Islam, besimi i saktë është frut i vullnetit të lirë”, shkruan dijetari dhe mendimtari i shquar islami shekullit të kaluar, Shejkh Muhamed El-Gazali, në një ndër kryeveprat e tij rreth fanatizmit dhe tolerancës, në mes të Krishterimit dhe Islamit.

Natyrshëm, në një botë të rënduar nga luftrat dhe mashtrimet, spastrimet etnike e dallimet raciste, shpesh me ngjyresë fetare, të gjithë jemi të ftuar të pyesim me qetësi në brendësi të vetes: A është ky thelbi i fesë sime? A është kjo feja, që Zoti ka zbritur për njerëzimin, si mëshirë e balsam shërues për lëngatat e shumta shoqërore? A janë vrasjet, dhunimet dhe shkeljet e të drejtave të besimtarëve (të ndryshëm nga ne), feja, në të cilën ne besojmë dhe me të cilën shpresojmë të afrohemi tek Zoti?
Këto pyetje, e të tjera të ngjashme me to, duhet t’ia drejtojë vetes çdo mysliman, çdo i krishterë, çdokush që beson në një fé, që ka një Libër Hyjnor e një të Dërguar nga Zoti i gjithësisë!
Në fund të vitit të kaluar, teksa bëja llogaritë e vitit kalendarik 2013, prej të cilit po ndaheshim, vit që u mbyll me shkatërrimin e xhamive në Angola (veprim fanatik e ekstremist fetar, për të cilin askush nuk e ngriti zërin dhe askush nuk u distancua publikisht), publikova shkrimin me titull: “Viti 2013- vit i dekadencës shpirtërore të njeriut bashkëkohor…”.
Akoma sot, pasi kanë kaluar rreth tetë muaj nga ai shkrim, unë vazhdoj të besoj se bota e sotme, njësoj si ajo e vitit që lamë pas, vazhdon të rrugëtojë në momentet më të errëta të historisë së saj.
Citoj nga shkrimi në fjalë: Njeriu i vitit 2013 dështoi në rrugën e vërtetimit se është i denjë të dëshmojë vëllazërinë e shenjtë humane, atë për të cilën Zoti i njeriut, nëpërmjet Librave të Shenjtë, e ka ftuar atë ta dojë e ta respektojë vëllanë e tij human, të dojë për tjetrin atë që do për vete, të mos punojë pas krahëve, të mos vrasë, të mos bëjë tregti me imoralitetin etj.
Me veprën e tij, njeriu bashkëkohor i vitit 2013 vërtetoi dekadencën dhe rrugëtimin në labirinthet e errëta të injorancës dhe fanatizmit ekstremist e vrastar, pa mëshirë e dhembshuri, pa ndjenja njerëzore…
Dhe kjo dekadencë, sa vjen e shtohet, fatkeqësisht!? Tashmë, ajo ka marrë një pamje edhe më të frikshme, edhe më të kobshme, që na bën të gjithëve të reflektojmë e të mbajmë pozicionin tonë në raport me atë që shohim e dëgjojmë dhe qëndrimin që duhet mbajtur në raport me të ardhmen, për të cilën aspirojmë!
Ky vit, u dëshmua si viti i pashpirtësisë së atyre, që shkelën dhe grisën shenjtërinë e Muajit të Shenjtë Ramazan, duke vrarë, bombarduar e shkatërruar jetë të pafajshme, fëmijë me fytyra të dritshme, pasuri e shtëpi të myslimanëve të izoluar në Gaza të Palestinës së pushtuar!
U dëshmua si vit i ndëshkimeve kolektive të krishterëve të pafajshëm në Musil dhe jezidive të pafajshëm në malet e Sinxharit, vetëm e vetëm, se ndryshojnë në mendim e fé nga ca të armatosur nga kushedi se ku e kush, për të mbjellë injorancë e dhunë në tokë!
U lëndova shumë, kur pashë se harfi kur’anor “Nún”, i shtrenjti “Nún”, për të cilin Zoti betohet në Librin e Tij, u vendos si shenjë racizmi e intolerance, mbi shtëpitë e të krishterëve të pafajshëm në Musilin e Irakut të sotëm!?
A ka logjikë fetare e islame një veprim i tillë? A mund ta pranoj unë si mysliman këtë spastrim etnik e fetar, gjoja në emër të Islamit?! Cilit Islam?! A mund ta pranoj unë si mysliman i thjeshtë, por edhe si islamolog e prijës fetar, një veprim të tillë në emër të fesë sime? Jo, KURRË! Kjo nuk është feja ime! Ky nuk është Islami i Kur’anit dhe i Hz. Muhammedit! Kjo është injoranca vrastare, që shënon me “Nún” edhe shtëpinë time, edhe mua, edhe familjen time, edhe çdo mysliman besimtar në lirinë e besimit dhe respektimin e tjetrit, edhe besimin tim, edhe fenë time!
Po lexoja me vëmendje një ndër studimet e shumta të dijetarit botëror, Shejkh Ahmed Keftaro, rreth dialogut ndërfetar dhe respektimit të jomyslimanëve në Islam. Shkruante: “Kur’ani Famëlartë, në tërësinë e tij është dialog i lirë dhe i respektuar, në mes Hz. Muhammedit (a.s) dhe të dërguarve para tij dhe popujve kundërshtarë të tyre në fé. Ai ishte një dialog i lirë, i moralshëm, logjik… Pastaj, në kohën, kur dërgesës profetike të Muhammedit (a.s) iu shtua edhe pushteti dhe forca e organizimit, zbriti ajeti kur’anor: “Nuk ka dhunë në fé”…
Tradita profetike e Hz. Muhammedit (a.s) në marrëdhëniet me jomyslimanët, nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një praktikë e pastër e lirisë së feve dhe një thirrje drejt dialogut të ndërtuar mbi bazat e respektit të ndërsjellët, mbi themele logjike dhe argumente të qarta, në kërkim të së vërtetës.
Ndërkohë historia islame është e mbushur me shembuj të pastër sesi kalifët dhe dijetarët islamë zhvillonin takime dhe bashkëbisedime intelektuale, ku dialogu i lirë (me aq sa kuptohet nga kjo fjalë) ishte etiketë qytetëruese, sidomos në kalifatin emevit dhe atë abasit, të nxitur nga vlerat e Kur’anit dhe Traditës profetike në këtë drejtim…”
Ndërkohë, në librin e tij: “Rruga e së vërtetës”, Kryemyftiu sirian, Shejkh Ahmed Keftaro, të cilit i përket edhe citimi i pak më lart, ndër të tjera thekson se: Kur kristianët e Nexhranit e vizituan Hz. Muhammedin (a.s.), ai me respekt e dëshirë i lejoi ato të bënin lutjet në xhaminë e tij.
Kur perandoria e Islamit shtrihej nga Kina deri në Francë, një tempull romak në Damask u përkiste njësoj, edhe myslimanëve edhe kristianëve, të cilët hynin dhe dilnin nga një derë dhe i thoshin lutjet e tyre në tolerancë dhe të lirë. Për shkak të përqafimit të Islamit nga një numër i madh kristianësh në Siri, gjysma myslimane nuk kishte më vend të mjaftueshëm për t’u falur, kështu që Kalifi El-Velid u kërkoi kristianëve të hiqnin dorë nga gjysma e tyre e tempullit, në favor të myslimanëve, në shkëmbim të një çmimi dhjetë herë më shumë, për të cilin ata me dëshirë ranë dakord.
Kalifi, i cili qeveriste gjysmën e botës së lashtë në atë kohë mund ta kishte marrë tempullin me forcë, por meqenëse Islami është feja e lirisë, drejtësisë dhe adhurimit për të gjithë fetë e reveluara ai mund të bënte vetëm atë që bëri.
Pikëpamja e Islamit ndaj hebrenjve dhe ndjekësve të të gjithë feve të reveluara mund të nxirret si rrjedhim i këtij hadithi profetik: “Kushdo që trazon (ngacmon) një jomysliman do të jetë kundërshtari im në Ditën e Gjykimit dhe unë do të fitoj” – (Ibn Maxheh).
Po të thellohemi më tej në historinë islame, atë të lavdisë së kalifateve të drejta, do të gjejmë se: “Një atmosferë e mrekullueshme nga atmosferat e lirisë së të menduarit është edhe kuvendi i organizuar nga kalifi abasit El-Me’mun, për Imamin Ali ibn Musa Er-Rida, ku ishin ftuar dijetarë të krishterë, mexhusë e të tjerë nga fetë dhe besimet e përhapura asokohe. Dialogu i ndërsjellët në atë kuvend, konsiderohet si një dëshmi historike e asaj çfarë përfaqëson Islami në horizontin e gjerë dhe zemërgjerësinë në fushën e thirrjes dhe besimit”.
Por, ka edhe shumë argumente e dëshmi kur’anor e profetike, të përkthyera në histori të jetuar, përtej tubimeve dhe kuvendeve të dialogut dhe respektimit ndërfetar, në të shkuarën e ndërtuar mbi burimet dhe themelet e kulturës kur’anore dhe traditave profetike.
Është shumë interesant rasti i Shejkhul-Islamit Ibn Tejmije, në mbrojtje të krishterëve sirianë, në ditët e pushtimeve tatare. Ja sesi dëshmohet ky moment, që përbën histori më vete, në raportet e mbrojtjes së të krishterëve dhe jomyslimanëve në përgjithësi, në shoqëritë islame: “Prej shembujve dhe dëshmive historike, që tregojnë angazhimin e myslimanëve për mbrojtjen e “njerëzve të besës” (jo myslimanëve në shtetin islam), është edhe qëndrimi i Shejkuhl-Islamit Ibn Tejmije (v. 1328 e.r.), kur tatarët pushtuan Damaskun. Asokohe, mbreti tatar vendosi të lirojë nga burgu vetëm myslimanët. Por, dijetari i shquar Ibn Tejmije e refuzoi me të madhe këtë vendim dhe kërkoi lirimin e krejt të burgosurve, myslimanë e të krishterë, duke sqaruar se: “Ne nuk pranojmë vetëm se lirimin e plotë të krejt të burgosurve, myslimanë dhe jomyslimanë, sepse ata janë në besën tonë. Nuk do të lëmë asnjë të burgosur, as prej njerëzve të besës, as prej njerëzve të fesë tonë”. Madje, Ibn Tejmije ua obligoi myslimanëve vijimësinë e luftës deri në lirimin e plotë të krejt të burgosurve, gjë që e detyroi mbretin tatar t’i lironte krejt të burgosurit”.
Ky është Islami (shembujt argumentues që përbëjnë fé, janë të shumtë dhe të panumërt, nuk mund të bitisen në këtë material modest), feja ime, thirrja ime, besimi im, në të cilin mbështetem dhe përpiqem si mysliman, por edhe si qytetar shqiptar dhe si banor i kësaj toke, të ndërtoj urat e komunikimit dhe dialogut me cilindo, që ka zgjedhur në lirinë e vullnetit të tij të jetë ndryshe nga unë në besim e fé!
Dua ta mbyll, me një mesazh, që i drejtohet sojit tim, prijësve fetarë, të cilësdo feje qofshin, nga një njeri i urtë e i ditur, thellësisht kuptues i vërtetësive të fesë dhe thirrës drejt tyre; Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004).
Në kujtimet e tij, Kryemyftiu i Sirisë, dëshmon: “E kam vizituar Vatikanin tre herë, ku jam takuar me Papa Gjon Palin II. Herën e parë, kur më kërkoi të mbaja një referat në Vatikan me temë: “E ardhmja e Islamit dhe Krishterimit në kohët moderne”. Herën e dytë, kur mbajta një referat në Universitetin e Milanos, me temë: “Toleranca fetare në Islam”.
Herën e tretë, në një takim të posaçëm me Papën, që zgjati 60 minuta, i thashë Papa Gjon Palit II: “A e di se kush është shkaku kryesor i përhapjes së ateizmit në botë? Ma ktheu: Kush? I thashë: Ti! (Kur Papa dëgjoi këtë përgjigje, e pashë se u sikletos dhe u bezdis prej saj.) Pastaj vijova: Edhe unë! Më pyeti: Si ka mundësi kjo? Ia ktheva: Sepse ne, njerëzit e fesë, e kemi paraqitur fenë në mënyrë jologjike, as në vërtetësinë e saj, as në formën më të bukur e të pranuar… Historia na tregon sesi u përçanë drejtimet fetare në krishterim, po ashtu edhe në Islam. Ndërsa ne, nuk e kemi guximin ta kthejmë fenë në origjinën e saj”.
Sepse, siç thotë edhe Shejkh Muhammed El-Gazali: “Fanatizmi është një entuziazëm që djeg, jo një e vërtetë që ndriçon” dhe fanatizmi injorant, i ndërtuar mbi perversite në emër të fesë, nuk është feja ime!
Zot, ki mëshirë për myslimanët e pafajshëm në Gaza, për të krishterët e pafajshëm në Musil, për jeziditët e pafajshëm në Sinxhar, për myslimanët në Turkistanin e largët, për myslimanët e Afrikës, për myslimanët e Burmas, për të gjitha krijesat e Tua të pafajshme në mbarë botën, që vriten e ndëshkohen, që shkelen e dhunohen, nga injoranca dhe fanatizmi afetar, shpesh i veshur edhe me rrobat e fesë, cilësdo fé!



Imam Muhamed Sytari është Myfti i Zonës Shkodër


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme