Mrekullia profetike në analfabetizmin e Pejgamberit a.s.

Mësuesi më i famshëm që ka njohur ndonjëherë historia njerëzore

Këmbëngulësia e shumë orientalistëve nga disa shtete evropiane është edhe thënia e tyre se Pejgamberi a.s., “ka ditur të shkruajë dhe të lexojë", e këtë e thonë me qëllim të mohimit të shpalljes së Kuranit nga Allahu xh.sh., dhe si rezultat i kësaj të mete, se ai është shkruar nga Pejgamberi a.s.
Kjo gënjeshtër synon rrënimin e njërës prej bazave apo fundamenteve më të rëndësishme të fesë Islame, e bile synon rrënimin e bazës kryesore mbi të cilën është ngritur feja Islame, ajo bazë është shpallja hyjnore, siç thotë edhe Prof. Dr, Muhamed Salih El-Bundak në librin e tij "Fi Suhbetin Nebij” f.142.
Analfabetizmi i Pejgamberit a.s., është njëra nga mrekullitë e jashtëzakonshme të Pejgamberit a.s., dhe njëri nga argumentet e fuqishme të fuqisë së Zotit, sepse këtij Pejgamberi, i cili nuk dinte të shkruajë dhe të lexojë, Allahu xh.sh., iu drejtua me këto fjalë: ”...të mësoi çka nuk dije. Dhuntia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe” (Nisa:113), dhe kështu ai u bë mësuesi më i famshëm që ka njohur ndonjëherë historia njerëzore, për një periudhë kohore që nuk i tejkalon njëzetë e tre vjet. Dhe nuk ka kaluar në botën tjetër përderisa shokët e tij nuk i kanë kuptuar në tërësi dhe në mënyrë të mirëfilltë mësimet fetare të zbritura nga Allahu xh.sh., kur edhe ka zbritur ajeti kuranor, ku thotë Allahu xh.sh.: "Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide: 3), për një periudhë të shkurtër para vdekjes së Pejgamberit a.s., (për më shumë rreth kësaj teme shih shkrimin e autorit me titull: "Vitet e studimit-mësimit gjatë periudhës profetike” të botuar në revistën Dituria Islame, nr. 295).

Demantimi i pretendimeve të disa orientalistëve

Në Kuranin famëlartë dhe hadithet e Pejgamberit a.s., ekzistojnë shumë argumente që demantojnë pretendimet e disa orientalistëve dhe atyre që pasojnë metodën e tyre prej bijve të myslimanëve të impresionuar nga metodologjia e tyre, Allahu xh.sh., në Kuran thotë: "Atë (mëshirën) do ta caktojë për ata të cilët i ruhen (mëkateve), e japin zeqatin, dhe për ata që argumentet tona i besojnë. Që pranojnë të Dërguarin (Muhamedin), Pejgamberin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtyte të tij), te ata në Tevrat dhe Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe ua ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që u zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit." (A'raf, 157-158).
Allahu xh.sh., gjithashtu thotë: "Thuaj (Muhamed): O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju, Allahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i Tokës, s'ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson Allahun dhe shpalljen e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën!" (A'raf, 159).
Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: "Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t'au lexojë ajetet e Tij, t'i pastroj ata, t'ua mësojë librln dhe Sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme." (El-Xhumua, 2).
Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: "Ti (Muhamed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që e shkruaje atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit?!” (Ankebut, 48).
Pejgamberi a.s., u rrit në mesin e atyre që konsideronin analfabet më shumë sesa ata vetë Pejgamberi a.s., në një hadith ka thënë: "Me të vërtetë ne jemi një popull i cili nuk di të shkruajë e as të llogarisë” (Transmeton Imam Buhariu dhe Muslimi).
Ky hadith tregon gjendjen e arabëve para ardhjes së shpalljes, ndërsa pas shpalljes filloi një faqe e re e shkencës dhe kulturës në historinë e Ymetit të Pejgamberit a.s.
Prandaj, në mesin e një populli analfabet, që nuk ka ndonjë bagazh të njohurive rreth popujve përreth tyre, përveç ndonjë poezie që e transmetojnë apo gjenealogjie që e memorizojnë, apo retorike të natyrshme që kanë trashëguar, numri i të cilëve nuk i kalon gishtërinjtë e duarve, në këtë mes u rrit Pejgamberi a.s., i cili konsiderohet analfabet edhe më shumë se sa ata, sepse nuk transmetohet të ketë thënë ndonjëherë ndonjë poezi apo fjalim në publik, apo të ketë shfaqur interesim në memorizimin e gjenealogjisë. Për këtë arsye memoria e tij mbeti e pastër nga gjërat e kota dhe mitet, duke pritur ajetet ndriçuese të Kuranit, atëherë kur do t'i shpallet pejgamberia.
Prandaj, analfabetizmi, siç thotë profesor Muhamed Hasen Abdulaziz në librin “Fi Suhbetin Nebij” f.142: "është virtyt me të cilin Allahu xh.sh., e ka veçuar Pejgamberin e Tij dhe të zgjedhurin e Tij, Muhamedin a.s, në mënyrë që të jetë argumenti më i fuqishëm i ftesës së tij, dhe argument i mrekullisë së tij të përhershme nëpër kohë”.
Pra, analfabetizmi i Pejgamberit a.s., është çështje që nuk toleron dyshim, dhe nuk ka nevojë për hulumtim të mëtutjeshëm.
Në Fund vlen të theksohet se kjo teme është ligjëratë që e kam mbajtur më datë 24.04.2015 në margjinat e (mrekullisë shkencore në Kuran dhe Sunnet), që është mbajtur në Tiranë, nën organizimin e Organizatës Botërore për mrekullitë shkencore në Kuran dhe Sunet, me seli në Xhide dhe Instituti? Shqiptar për Mendim dhe Qytetërim Islam, mes datave 20-24 prill, dhe e cila ka hasur në një interesim të jashtëzakonshëm të akademikëve, hulumtuesve dhe studentëve që ishin në këtë tubim.



Mahmud Abdulkadir Arnauti
Përktheu dhe përshtati nga gjuhu arabe, Vedat Shaba


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë