Xhamia e re e Golemit- Kurora që rrezaton me bukurinë e saj mbi Golem

Nëse kalon nga Golemi i Kavajës apo vendos të qëndrosh për disa ditë në këtë vend turistik, patjetër që do të të bjerë në sy diçka e re dhe e veçantë, xhamia e re e Golemit, e cila, me dy minaret e saj të lartësuara, të jep përshtypjen e një kurore rrëzëllitëse vendosur mbi Golem. Ajo është nga ato objekte kulti që në vendin tonë “syri s’i ka parë e veshi për to s’ka dëgjuar”, pasi bukuria e saj të lë pa fjalë, arkitektura e saj të habit, ornamentet e brendshme, abazhurët dhe gjithçka tjetër të magnetizojnë e të tërheqin pa mbarim. Pa dyshim që kjo mund të konsiderohet dhurata më e çmuar për banorët e Golemit dhe të Kavajës, por edhe për këdo që viziton këtë zonë. Imami i kësaj xhamie, Gëzim Shahu, rrëfen në një intervistë për gazetarin Qani Sulku, se si lindi ideja për ndërtimin e kësaj xhamie madhështore, si dhe për ecurinë e punimeve e deri tek inaugurimi i saj pak ditë para fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Gjithçka nisi në vitin 2014, pasi xhamia e vjetër në po të njëjtin vend ishte e pamjaftueshme për frekuentuesit e saj, të cilët të premteve faleshin edhe jashtë saj. Imam Gëzimi e nis rrëfimin e tij duke thënë: “Kur e shembëm xhaminë e vjetër për të ndërtuar një të re, nuk i kishim siguruar fondet për ndërtimin e saj, madje as nuk na shkonte ndërmend që do të ndërtohej një xhami kaq e madhe dhe kaq e bukur”. Në kujtesën e imamit nga transmetimet brez pas brezi, rezulton se Golemi ka qenë ndër zonat më të fundit ku është kryer shembja e xhamive gjatë kohës së komunizmit. Ai ndan me ne një ngjarje interesante të asaj kohe. Në një ditë Bajrami, kur njerëzit ishin bërë gati për faljen e namazit, sekretari i parë i partisë urdhëron mbylljen e xhamisë dhe dërgon të plotfuqishmit e zonës për të arrestuar imamin e xhamisë, Ferik Ajazi, i cili ka shërbyer si myfti edhe në Korçë. Besimtarët e shumtë në numër e ngritën në krah imamin. Duke e mbajtur mbi supet e tyre e nxorën jashtë xhamisë, ndërsa të tjerët më pas e ndihmuan që të mos binte në duart e të dërguarve të sekretarit të parë të partisë.
Në ndërtimin e xhamisë së re kanë kontribuar shumë besimtarë, por njëri prej tyre ka mbetur i paharruar në kujtesën e imamit. “Një ditë, – tregon imami, – kur po hidhnim themelet e xhamisë, shohim një besimtar, të cilit të gjithë ne ia dinim gjendjen e vështirë ekonomike. Në duar mbante disa fije hekuri të paprera dhe kur u afrua na tha: Dua edhe unë të kontribuoj me diçka për xhaminë”.
Edhe pse dihet që xhamitë zbukurohen me praninë e njerëzve, nuk mund të anashkalohet rehatia dhe qetësia shpirtërore që të ofrojnë ornamentet dhe shkrimet në ambientet e brendshme të çdo xhamie, ndërsa në rastin konkret shkrimet dhe zbukurimin e brendshëm të saj e kanë realizuar disa studentë të talentuar shqiptarë. Kur hyn në xhami përballë qëndron mihrabi, në të djathtë të tij minberi dhe në të majtë kursija, që të tria prej mermeri të punuara për një periudhë mbi 6-mujore dhe të sjella nga Turqia. Tapeti është një veçori tjetër dalluese e kësaj xhamie. Përveç bukurisë së papërshkrueshme, ai ofron një dizajn të rrumbullakët në formë çentroje rrethore me lule e silueta atraktive në mesin e xhamisë, që ngjan gjithashtu si një sofër, e cila fton çdokënd duke i thënë: “Hajde bujrum”. Diçka e pahasur në xhamitë e tjera të vendit është edhe abazhuri qendror, i cili, krahas llambushkave karakteristike, përmban edhe pllaka të vogla me mbishkrimin “Bismilahi Rrahmani Rrahim”- Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirmit, Mëshiruesit, si dhe abazhurë të tjerë më të vegjël që ndriçojnë çdo cep të kësaj faltoreje. Edhe pse një ndërtim modern dhe bashkëkohor ajo ka ruajtur edhe traditën e hershme të xhamive shqiptare, ku në fund të saj është edhe një kënd paksa i ngritur enkas për myezinin e xhamisë nga ku thërritet ezani dhe koordinohet me imamin përgjatë faljes së namazeve të ndryshme.
Xhamia përbëhet nga tre kate faljeje dhe mund të presë mbi 1000 besimtarë e besimtare në të njëjtën kohë, ndërsa kati i nëndheshëm ofron ambiente për zhvillimin e mësim-besimit për fëmijët dhe besimtarët e zonës, si dhe zyra e salla për administratorët e xhamisë dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
Sajmir Mali, inxhinieri që mori përsipër ndërtimin e kësaj xhamie, nuk ngurron të pohojë se në fillim e nisën me frikë, pasi nuk kishin realizuar deri atëherë ndërtesa të këtij lloji dhe me këtë arkitekturë. Pasi vizitoi xhami në disa vende, duke huazuar më të mirën prej secilës, mori guximin dhe, me lejen e të Madhit Zot, realizoi një vepër që kënaq syrin dhe zemrën e besimtarit.
Dita më e bukur për këtë xhami ishte ajo e inaugurimit të saj, ku i gjithë territori gumëzhinte nga banorët e zonës dhe mysafirë të shumtë, që kishin ardhur të vizitonin këtë shtëpi të Allahut dhe këtë vatër adhurimi. Krerët dhe përfaqësuesit më të lartë të bashkësive fetare islame të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë; përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor, përfaqësues shoqatash e institucionesh, myftinj, hoxhallarë e besimtarë nga e gjithë shqiptaria, etj., i kishin dhënë rëndësinë e duhur kësaj xhamie në ditën që ajo hapte portat dhe mirëpriste këdo që kishte dëshirë të vendoste ballin në sexhde në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar.
Xhamia e re e Golemit ishte gati në vigjilje të muajit të bekuar të Ramazanit 2016, për të ofruar atmosferën e nevojshme dhe kushtet më optimale për frekuentuesit e saj, përgjatë këtij muaji dhe në çdo kohë tjetër. Tashmë Golemi, Kavaja por edhe e gjithë Shqipëria mund të krenohet me këtë vepër arti, e cila qëndron ballëlart në pjesën më të ngritur të Golemit, duke u shndërruar në një pikë identifikuese dhe simbolikë për zonën. Zoti i shpërbleftë me të mira në jetën e kësaj bote dhe me Xhenet në Botën e Përtejme të gjithë kontribuuesit, e sidomos donatorin kryesor nga Kuvajti, ndërsa të gjithë banorëve të Golemit u drejtohemi me urimin: “E gëzofshi shtëpinë e re”.



Qani Sulku


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë