Zgjedhja e bashkëshortes dhe martesa
Martesa konsiderohet ndër vendimet më serioze të jetës së njeriut, prandaj nuk guxojmë t'i hyjmë realizimit të këtij akti të rëndësishëm jetësor pa plan të menduar mirë. Ç'është e vërteta, prindërit e nga njëherë edhe shokët e sinqertë duhet t'u ndihmojnë të rinjve, para së gjithash djalit për ta gjetur bashkëshorten e vlefshme, të ndershme dhe të edukuar mirë sepse njeriu i ri dhe i papërvojë shpesh mashtrohet në pasuri: farefis ose në bukuri të vajzës, duke mos u interesuar për edukimin e mirë të saj, dhe kjo shpesh sjell pasoja të rënda, por atëherë nuk bënë dobi pendimi.
Muhammedi a.s. i porosit djemtë që me rastin e zgjedhjes së bashkëshortes, të vendosin për atë vajzë e cila është e edukuar mirë fetarisht, nga se ajo është garanca më e madhe për jetë të lumtur bashkëshortore. Ai thotë: "Femra kërkohet për martesë për katër arsye: të pasurisë së saj, të farefisit të saj, të bukurisë së saj dhe të edukatës fetare të saj. Zgjedh e atë që është fetare, do të jesh i lumtur".
Prandaj, lumturia bashkëshortore nuk varet nga pasuria e gruas që e sjell me rastin e martesës, por varet nga vlerat e saja shpirtërore. Lidhur me këtë Muhammedi a.s. thotë: "Mjafton për çdo njërin prej jush, në qoftë se ka bashkëshorte të mirë dhe të ndershme, e cila i ndihmon në të gjitha punët, qofshin ato të kësaj bote ose të botës tjetër".
Një numër i madh, përsëri, mashtrohen vetëm në bukuri duke mos pyetur për virtytet shpirtërore dhe sjelljet e bashkëshortes së ardhshme. Prandaj vetëm bukuria e saj nuk sjell lumturi bashkëshortore.
Fonteni thotë: "Gruaja e bukur është xhenet për sy, ndërsa xhehenem për shpirt". Një filozof mysliman thotë bukur: "Martesa për shkak të bukurisë është luks, për shkak të farefisit të njohur, është robëri, ndërsa për shkak të nderit të saj është kënaqësi". Prandaj, me rastin e zgjedhjes së bashkëshortes duhet shikuar edhe edukatën edhe sjelljet e prindërve të saj, sidomos të. nënës, sepse ajo është faktori kryesor për edukimin e fëmijëve, e posaçërisht te vajzave të saja. Nëse nëna është grua e mirë, e ndershme, e mençur dhe shtëpiake, atëherë me siguri është kujdesur edhe për edukimin e mirë edhe të vajzës së saj.
Përveç tjerash, me rastin e zgjedhjes së bashkëshortes, duhet pasur parasysh që ajo të jetë e shëndoshë, e zhvilluar fizikisht dhe e aftë për të lindur fëmijë, sepse pa shëndet të mirë dhe fëmijë nuk ka as disponim në jetën bashkëshortore. Shoku i ngushtë i Muhammedit a.s. Enes bin Maliku thotë: “Na ka urdhëruar i Dërguari i Zotit që të martohemi, kurse e ka ndaluar mosmartesën, duke thënë: "Martohuni me ato gra që janë të dashura (simpatike) dhe që lindin fëmijë, se unë krenohem me ju ndaj popujve tjerë në Ditën e Gjykimit".
Tregohet se një ditë erdhi një shok te Pejgamberi dhe i tha: "O i dërguar i Zotit, e kam takuar një grua të bukur, të pasur dhe prej familjes së famshme, por nuk po lindte fëmijë, a të martohem me të?" Muhammedi a.s. i tha: "jo, por martohu me atë grua, që i ka sjelljet e mira dhe që lind fëmijë". Lidhur me rëndësinë e fëmijëve në jetën e njeriut, Zoti i Madhërueshëm në Kur'an thotë: "Pasuria dhe fëmijët janë stolitë e jetës së kësaj bote..." Prandaj martesa pa fëmijë është sikur pema, që nuk jep fruta.
Shkrimtari i njohur Gete thotë: "Nuk ka gjë më të bukur se sa ta shohësh gruan me fëmijë në dorë dhe asgjë nuk është më e denjë për respekt sesa nëna në mesin e shumë fëmijëve". Si çdo punë që duhet të kryhet në kohën e vet ashtu duhet të bëhet me kohë edhe martesa, e jo të vonohet deri sa të moçmohet djali ose vajza, sepse nga martesa e tillë edhe nëse u lindin fëmijë, ata do të jenë barrë e rëndë për pleqëri.
Gjithsesi edhe vajza duhet pasur kujdes se me kë po martohet. Më parë duhet t'i vlerësojë sjelljet e bashkëshortit të ardhshëm të saj, ngase kur fejohet, nëse nuk bëhet zgjedhja e mirë, bëhet vonë për pendim. Vallë, a mund të ketë grua të mençur që do të kishte guxim të martohet për burrë pijanec, bixhozgji, ose tërësisht të panjerëzishëm dhe të pa edukuar, ngase duhet në fillim ta dijë se me një burrë të tillë nuk do të ketë lumturi në jetën bashkëshortore. Vajza me rastin e fejesës duhet të zgjedh për burrë atë që është fetar, i sjellshëm i edukuar dhe bujar, e jo të lakmojë në atë që vetëm pse është i bukur, i pasur, ose në pozitë të lartë. Gjithashtu duhet pasur kujdes që vajza e re të mos martohet për burrë të moshuar sado që të jetë i pasur, as mashkulli i ri me femër të moshuar sa do që të jetë e bukur. Kjo aspak nuk është e sigurt se do të jenë të lumtur në martesë dhe se kurdo qoftë ata do të pendohen.
Prindërit, para së gjithash nëna, duhet pasur kujdes se me kë po shoqërohen-njoftohen fëmijët e tyre dhe kë donë ta zgjedh për shokë jete. Në qoftë se e shohin që zgjidhja nuk është e mirë, me kohë duhet të angazhohen që me këshilla të mira ta bindin fëmijën e tyre që të heq dorë nga "fati" i tillë. Fëmijët edhe nëse janë të rritur, nuk kanë përvojë, andaj nuk e dinë se çka do të thotë jeta bashkëshortore dhe çka e bënë atë të lumtur ose fatkeqe. Ata entuziazmohen me krenarinë dhe me idealizmin rinor, e kjo, shpeshherë në martesë është sikur "bryma para Diellit". Fëmijët e mençur duhet t'i dëgjojnë këshillat e prindërve të tyre se: edhe në qoftë se fjalët u duken të idhta, frytet i kanë të ëmbla.
Nga kjo, që u theksua kuptohet qartë se me rastin e zgjedhjes së bashkëshortes duhet t'i kemi "dy palë sy" për ta parë mirë se me kë po martohemi. Pastaj pendimi është i padobishëm, nëse e kemi sjell në shtëpi, ndonjë grua rrugaçe ose që nuk donë t' i respektojë rregullat e jetës bashkëshortore.
T.Middeton thotë: "Në zgjedhjen e gruas dhe në planin e luftës, një gabim i vogël do të thotë disfatë e papërmirësueshme.”
Të kërkuarit e vajzës dhe fejesa janë traditë te të gjithë popujt, vetëm se në mënyra të ndryshme. Kjo ka qenë traditë edhe te Arabët para shpalljes së Islamit, të cilën e ka vërtetuar edhe e drejta e Sheriatit. Fejesën, juristët e Sheriatit e konsiderojnë vetëm një marrëveshje, e cila ka për qëllim që bashkëshortëve të ardhshëm, t'u bëjë të mundshme njoftimin dhe t' i parapërgatit ata për martesë. Njëkohësisht, ata preferojnë njoftimin e ndërsjellë të bashkëshortëve të ardhshëm, me rastin e kërkesës dhe fejesës, por vetëm brenda kufijve të rregullave të Sheriatit.
Njoftimi personal i bashkëshortëve të ardhshëm para se të martohen, bazohet në hadithet e Muhammedit a.s. Përkatësisht, Mugire ibni Shu'be një ditë i tha Muhammedit a.s. se është fejuar me një vajzë, me ç'rast ai e pyeti: "a e ke parë?". Kur i tha Mugira jo, Muhammedi a.s. i tha: "Shihe ti atë, se kjo është më e sigurt për të vazhduar martesa ndërmjet jush".
Me një rast tjetër Muhammdi a.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush dëshiron ta fejojë një femër, nëse ka mundësi, që t'ia shohë atë që e tërheq për t'u martuar me të (fytyrën etj) le ta bëjë".
Arshikia ose çuarja e dashurisë (para martesës), e cila është bërë traditë ndër ne, sipas kuptimit të moralit Islam, është e huaj dhe nuk mund të përputhet me rregullat e Sheriatit. Fejesa mund të bëhet me marrëveshje të ndërsjellë nga vet të interesuarit për fejesë ose përmes përfaqësuesve të tyre me pëlqimin e tyre. Është traditë që i fejuari t'i japë të fejuarës ndonjë dhuratë, si shenjë garancioni për përmbushjen e marrëveshjes, si p.sh. ndërrimi i unazës etj. Sipas të drejtës së Sheriatit, fejesa konsiderohet si gjë e preferuar, e jo si obligim, prandaj martesa mund të bëhet edhe pa fejesë paraprake.
Ligji i Sheriatit fejesës i garanton një lloj mbrojtje ngase personit të tretë ia ndalon që ta lypë ose ta fejojë të fejuarën e huaj, deri sa të mos prishet ajo fejesë. Ky ndalim bazohet në deklaratat e Muhammedit a.s., ku thotë: "Mos u fejoni me të fejuarën e huaj". "Askush prej jush mos t'i konkurrojë në të lypurit e vëllait të vet dhe mos ta lyp atë (femër) deri sa të mos heq dorë ai që është duke lypur ose mos t'i japë leje".
Te ne deri vonë vajza e fejuar është llogaritur gati sikur të ishte e martuar, ngase të shënuarit me unazë, ka qenë shenjë që askush tjetër të mos i paraqitet si i interesuar. Fejesa mund të anulohet me marrëveshje të të fejuarve, ose me heqje dorë nga fejesa të njërit prej dy të fejuarve. Edhe pse mund të anulohet fejesa, ajo konsiderohet si mëkat, kur ajo bëhet pa ndonjë arsye. Mëkati do të ishte shumë më i madh nëse këtë e bënë i fejuari, sepse me këtë rast vajza do të jetë e turpëruar dhe e nënçmuar, duke dyshuar njerëzit se kjo është për shkak të ndonjë të mete.
- vijon -
Hfz. Sinanudin Sokoloviq
Përktheu dhe përshtati nga “Glasanik” i vitit 1972/73 Sarajevë
Hajrullah Hoxha