Çfarë duhet thënë në ruku?

Hyrje

Është e njohur çështja se çfarë duhet thënë në ruku, andaj për këtë arsye dijetarët e shkollës hanefite, por edhe të tjerët, kur flasin për këtë në librat e tyre të fikhut, thonë se duhet thënë në ruku fjalët: "Subhane rabbijel adhim", e minimumi i këtyre fjalëve është tri herë, së paku.
Shejbani është i mendimit se nëse madhërimi në ruku bëhet vetëm një herë, është e qortueshme, për shkak se hadithi e ka bërë tri herë për të qenë ai madhërim i plotë, përndryshe mbetet i mangët, e në qoftë se është më tepër se tri herë, atëherë kjo është edhe më mirë. Shafiu mendon se edhe një madhërim i vetëm është i mjaftueshëm. Maliku, sipas një versioni, mendon se lënia e madhërimit në ruku e prish namazin.(1)

Në ruku shprehet madhërim, jo lexim Kurani.

Rukuja dhe sexhdeja janë vende ku kërkohet madhërimi, andaj në këto dy vende duhet shprehur madhërimet që kërkohen, por jo të lexohet Kurani në ruku e as në sexhde, duke u bazuar në hadithet në vijim: Më ka treguar Ebu Tahiri dhe Harmaleh nga Ibën Vehbi, ky nga Junusi, ky nga Ibën Shihabi, ky nga Ibrahim ibën Abdullah ibën Hunejn, ky nga babai i tij, e ky e kishte dëgjuar Ali ibën ebi Talibin duke thënë: "Më ndaloi i Dërguari i Allahut që të lexoj (Kuran) përderisa jam në ruku apo sexhde."(2)
Një sqarim më detajues është në hadithin vijues që transmetohet nga Ibën Abasi: Na ka treguar Museddedi nga Sufjani, ky nga Sulejman ibën Suhejmi, ky nga Ibrahim ibën Abdullah ibën Ma'bedi, ky nga babai i tij, e ky transmeton nga Ibën Abasi se i Dërguari i Allahut e hoqi perden dhe njerëzit ishin të radhitur safe-safe pas Ebu Bekrit (që ishte imam) dhe tha: "O njerëz! Nuk ka mbetur diç nga përgëzimet e profetësisë përveç ëndrrave të bukura që i sheh myslimani, apo ato që i shfaqen atij, e unë jam ndaluar të lexoj (Kuran) gjersa jam në ruku (i përulur) dhe në sexhde. Në ruku, madhërojeni Zotin, e në sexhde bëni përpjekje të vazhdueshme në lutje, ngase përgjigjja ndaj jush është realitet."(3)
Po në qoftë se namazfalësi lexon Kuran në ruku e sexhde, atëherë sipas pjesës dërmuese të juristëve, namazi nuk prishet, por veprimi i tij konsiderohet si veprim i papëlqyer "mekruh", mirëpo namazi nuk prishet. Kështu mendon edhe imami i madh Ebu Hanife, i cili është i mendimit se pa marrë parasysh a bëhet leximi i Kuranit në ruku me qëllim apo pa qëllim, namazi nuk prishet, por një veprim i tillë nuk rekomandohet, madje qortohet.(4)

Sa herë duhet shpreh madhërimin në ruku?

Shejbani në lidhje me madhërimin që duhet bërë në ruku, thotë: "namazfalësi në rukun e tij thotë: "Subhane rabbijel adhim", e në sexhde: "Subhane rabbije-l a'la", së paku tri herë, në secilin rekat të namazit.”(5)
Pra, ajo që kërkohet në ruku është thënia "Subhane rabbijel adhim" ku duhet të thuhet së paku tri herë, e nëse bëhet më tepër, atëherë sigurisht se është më e vlefshme. (6) Nëse namazi është me imam, atëherë juristët tërheqin vërejtjen që ajo lutje të mos bëhet më shumë herë se aq, apo eventualisht të mos bëhet ndonjë lutje më e gjatë në vend të saj. E tëra kjo që njerëzit të mos irritohen nga namazi i stërzgjatur.(7)
Dijetari i mirënjohur Halevani dhe shejhul islam Havahir Zadeh janë të mendimit se kur namazfalësi falet i vetëm, atëherë është më me vlerë që madhërimi të bëhet më shumë se tri herë, si pesë apo shtatë herë.(8) Madje edhe nëse bëhet më shumë se aq është i preferuar dhe i pëlqyer “mustehab", si nëntë herë apo eventualisht edhe më tepër, nëse falja është individuale, e jo me imam.(9) Me rëndësi është që madhërimi të jetë tek.
Sufjan Thevriu thoshte se imami duhet ta thotë madhërimin në ruku pesë herë, në mënyrë që namaz-falësit pas tij të jenë në gjendje ta thonë atë së paku tri herë.”(10) E rëndësishme është që madhërimi, si në ruku, ashtu edhe në sexhde, të jetë tek, e jo çift!
Lënia e madhërimit apo mosplotësimi i tri madhërimeve në ruku konsiderohet veprim i papëlqyer “mekruh tenzihen".(11) E nëse falet me imam, atëherë ai vazhdon ta madhërojë Allahun, derisa imami ta drejtojë kokën e tij nga rukuja, gjegjësisht të ngrihet nga rukuja, ndërsa është e qortueshme që imami të qëndrojë gjatë në ruku e të bëhet shkaktar për largimin e tyre.(12)

A i lejohet imamit të presë dikë në ruku?

Gjatë kohës kur imami shkon në ruku dhe papritmas dëgjohet se dikush hyri në xhami, apo eventualisht dëgjohen të mbathurat e tij, a duhet të presë imami në ruku derisa të vjen personi në fjalë, apo imami duhet të ngrihet nga rukuja e të mos e presë atë? Në bazë të transmetimeve brenda për brenda shkollës hanefite, imami nuk duhet ta presë atë derisa të vijë, por duhet të ngrihet nga rukuja, ngase për një person nuk mund t'i vonosh shumë të tjerë. Për këtë arsye Ebu Jusufi thotë se i kam pyetur Ebu Hanifen dhe Ibën ebi Lejlan për këtë gjë dhe që të dytë nuk e kanë pëlqyer një veprim të tillë të imamit (që pret dikë në ruku). Madje, Ebu Hanife e shihte një veprim të tillë si një çështje e madhe apo një veprim i rrezikshëm nga imami. Gjithashtu edhe Hishami përcjell një transmetim të Muhamedit se edhe ai nuk e pëlqente një veprim të tillë. Përderisa Ebu Muti' el Belhij nuk sheh asgjë të keqe nëse imami pret në ruku dikë që është duke ardhur, e Shabiu thoshte se imami duhet të presë sa një apo dy madhërime (derisa të thotë një apo dy herë "subhane rabbije-l adhim").(13)
E disa tjerë kanë thënë se lejohet të pritet, por imami nuk duhet të shtojë në numër madhërimet në ruku, por vetëm t'i zgjasë ato.(14) Madje, sipas kësaj, nëse shtohet madhërimi një apo dy herë, nuk konsiderohet veprim i papëlqyer, mirëpo nëse shtohet më tepër se aq dhe rukuja zgjatet, atëherë një veprim i tillë konsiderohet si veprim i papëlqyer.(15)
Kuduriu në enciklopedinë e tij të fikhut krahasimtar "Et Texhrid" në lidhje me këtë çështje sjell këtë titull: "Kur imami ndien se dikush është brenda (xhamisë), nuk e pret atë", e më pas thotë se ky qëndrim është i prijësit të shkollës hanefite dhe imamëve tjerë, me fjalë tjera tregon se ky është qëndrim i medhhebit hanefij, ngase pastaj i kundërvihet shkollës shafite në lidhje me këtë çështje, pasi që Shafiu kishte paraparë që vetëm në ruku imami të presë dikë që është duke ardhur.(16) Veprimi i pritjes së dikujt nga imami gjersa ky i fundit është në ruku, sipas shkollës hanefite konsiderohet veprim i papëlqyer "mekruh" madje Haskefiu në "Ed Durru-l muhtar" veprimin e imamit që pret dikë në ruku e konsideron si ndalesë të urryer "mekruh tahrimen”,(17) ndërsa Ibën Abidini në "Reddu-l muhtar", koment dhe shpjegim i librit të përmendur të Haskefiut, përveç që mbron këtë, përmend edhe libra të shkollës hanefite që përmendin mendimin e Ebu Hanifes dhe nxënësve të tij në lidhje me këtë çështje. Ndonëse Ibën Abidini përfundimisht mendon se pritja e shkurtër sa një apo dy madhërime nuk hyn në rrethin e veprimit të papëlqyer, mirëpo nëse bëhet pritja më gjatë, atëherë konsiderohet veprim i papëlqyer.(18)
Arsyeja se përse një veprim i tillë trajtohet si veprim i papëlqyer është fakti se rukuja konsiderohet vend-afrimi tek Allahu i Madhërishëm dhe pritja e ndokujt në atë vend konsiderohet si nënshtrim për të, gjë që nuk përkon me realitetin e vet rukusë. Duke shtuar edhe divergjencën mes fillimit të rukusë dhe fundit të saj, ngase fillimi i rukusë është adhurim i pastër ndaj Allahut Fuqiplotë, kurse fundi i saj është pritje absolute për atë që është duke ardhur, gjegjësisht për të vonuarin e namazit.(19) Shto kësaj edhe faktin se rukuja në namazet kolektive nuk preferohet të zgjatet, andaj, zgjatja e saj për shkak të arritjes së një personi nënkupton vonimin e dhjetëra apo qindrave të tjerë. Prandaj, nuk është e rastësishme se përse Ebu Hanife e shihte veprimin e imamit që pret dikë për t'iu bashkëngjitur në ruku, si një veprim të rrezikshëm.
Për këtë arsye, në shkollën hanefite preferohet të zgjatet leximi i Kuranit në rekatin e parë më tepër se në rekatin e dytë, me qëllim që të vonuarit ta arrijnë rekatin, ngase dikë mund ta zë gjumi e dikush tjetër mund të jetë i pakujdesshëm, e vetëm atëherë kur e dëgjon ezanin e kupton kohën e namazit.
Përfundimisht mund të themi se pritja e shkurtër në ruku është e lejuar derisa të arrijë ai që ka hyrë në xhami, por ajo nuk duhet të jetë e gjatë, jo më gjatë se një apo eventualisht dy madhërime shtesë, por pritja e tillë, ndonëse e lejuar nuk shihet e preferuar, madje ajo shihet si një veprim i qortuar, sepse pritja, siç e kanë elaboruar poliglotët e shkollës hanefite, kalon nga madhërimi ndaj Allahut në pritjen e individit dhe ajo pritje të mos bëhet barrë e rëndë për të tjerët që falen pas imamit. Po ashtu veprimi i pritjes shihet si një veprim i dyshuar, ngase e humb efektin e sinqeritetit ndaj Allahut të Madhërishëm, andaj lënia e atij veprimi është më e preferuar, për t'i ikur dyshimit."
Na ka treguar Ebu Musa el Ensariu nga Abdullah ibën Idrisi, ky nga Shu'beh, ky nga Burejd ibën ebi Merjem, ky nga Ebi l Havra es Sa' dij, i cili thot: "I thash Hasenit, të birit të Aliut: "A ke mbajt në mend diç nga fjalët e të Dërguarit të Allahut?" Ai më tha: "Mbajta në mend nga i Dërguari i Allahut: "Lëre atë që është e dyshimtë për atë që nuk është e dyshimtë!"(21)


______________________
(1) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v.II, f.SS-S7. Ebu Muti' el-Belhij është i mendimit se ai që nuk i plotëson tri madhërime në ruku apo edhe në sexhde, namazi i tij është i pavlefshëm. Konstatimi i tij vjen si rrjedhojë e asaj se ai e konsideron madhërimin si ruknpjesë përbërëse të namazit, ngase sipas tij çdo veprim në namaz që kërkohet madhërimi apo rikujtimi (dhikri) është rukn. Ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.l, f.412. Megjithatë, madhërimi në ruku nuk është rukn-pjesë përbërëse e namazit, ngase tekstet nuk e konfirmojnë një gjë të tillë, madje është hadithi i njohur për keqfalësin e namazit ku përmend ruknet kryesore të namazit, por nuk përmend madhërimin që duhet bërë në ruku, e sikur të ishte rukn, atëherë sigurisht se do ta përmendte atë. Prandaj, ky mendim nuk merret në konsideratë nga juristët hanefi, për shkak se e mendojnë një mendim të tillë si izolues dhe jo të pranuar, ngase lënia e madhërimit në ruku e sexhde nuk e ka fuqinë e zhvlerësimit të namazit.
(2) Muslimi në Sahih, nr.209 (480).
(3) Ebu Davudi në Sunen, nr.876; Ibën Huzejme në Sahih, nr.548; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr. 1400. Shuajb Arnauti dhe Albani në vlerësimet e tyre thonë se hadithi është autentik (sahih). Ibën et-Tini për kuptimin e hadithit thotë: "Shpallja do të ndërpritet me vdekjen time, e nuk do të mbetet njohuri për përgëzimet e ndryshme, pos ëndrrave të bukura, e këto ëndrra të qarta e të sinqerta ia shfaq Allahu besimtarit si mëshirë ndaj tij në mënyrë që ai të jetë i përgatitur për ato që do të ndodhin, para se ato të ndodhin." Ebu Davudi, Sunen, v.II, f.lS6.
(4) Bedrudin el-Ajni, Nuhabu-l Efkar fi Tenkihi Mebani-l Ahbar, v.V, f.589. Mendim të njëjtë kanë edhe shkollat tjera juridike.
(5) Muhamed ibën el-Hasen esh-Shejbani, Kitabu-l Asi (i njohur si el-Mebsut), v.I, f.S.
(6) Samerkandi, Tuhfetu-l Fukaha, I, f.134i Serhasij, el-Mebsut, v.I, f.23i Merginani, EI-Hidajeh-Sherh Bidajetu-l Mubtedi', v.I, f.83i Zejlei, Nasbu-rr Rrajeh Liehadithi-l Hidajeh, v.I, f.S01.
(7) Samerkandi, Tuhfetu-l Fukaha, I, f.134.
(8) Ibën Humami në "Fet'hu-l Kadir" thotë se preferohet nëse falet vetëm ta shpreh madhërimin në ruku nga tri, pesë, shtatë e deri në nëntë herë.
(9) Thën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.494.
(10) Ebu-l Mealij, EI-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.I, f.412. Të këtij mendimi janë edhe Abdullah ibën Mubareku, Is'haku, Thrahim Nehaiu dhe shumë e shumë të tjerë. Thën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.49S.
(11) Haskefi, ed-Durru-l Muhtar, v.I, f.68i Ibën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.494.
(12) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v.II, f.S7.
(13) Ebu-l Mealij, EI-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.I, f.412.
(14) Zejlei, Tebjinu-l Hakaik sherh Kenzu-d Dekaik ve Hashijetu-sh Shilbij, v.I, f.11S.
(15) Ibën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.49S.
(16) Për më tepër shih: Ebu-l Husejn el-Kuduri, et-Texhrid (el- mevsuatu-l fikhijetu-l mukarenetu), v.II, f.837.
(17) Haskefi, ed-Durru-l Muhtar, v.I, f.68.
(18) Thën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.494-49S.
(19) Ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.I, f.412-413i Zejleiu, Tebjinu-l Hakaik, v.I, f.l.LS: Bedrudin el-Ajni, El-Binajetu fi Sherhi-l Hidajeh, v.II, f.226i Ibën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.494.
(20) Ibën Abidin, Redul Muhtar, v.I, f.495.
(21) Tirmidhiu në Sunen, nr. 2518 dhe thotë se hadithi është autentik. Po kështu mendon edhe Albani.



Mr. Ejup Haziri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Program fetar dedikuar ardhjes së Muhamedit a.s. si mëshirë për botën