Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, gjatë diskutimit për ndërtimin e xhamisë në lagjen Dardania ka thënë se çështja e lokacionit për ndërtimin e xhamisë tashmë është e përfunduar.
“Po ndërtojmë xhaminë më të madhe në vend. Askush nuk po e konteston ndërtimin e xhamisë, xhamia do të ndërtohet, kjo është çështje e përfunduar, kam ftuar BIK-n që të prezantojnë projektin para asamblistëve. Mendoj që ka lokacione më të mira, mirëpo kjo çështje tashmë është e përfunduar. Ka mbetur vetëm të shohim projektin e propozuar nga BIK-u”, ka thënë Ahmeti.
Arkitekti i Bashkësisë Islame të Kosovës, Esat Ramadani, para asamblistëve të Komunës së Prishtinës prezantoi projektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë.
Ai tha se xhamia do të ketë bibliotekë e sallë konferencash. Pjesën e dyqaneve përreth xhamisë e ka quajtur pjesë të vakëfit. Xhamia do të ketë katër kate parkingje nëntokësore, me gjithsej 350 vendparkingje që do të mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët tjerë, jo vetëm nga ata që shkojnë të falen në xhami.
“Mjetet nga këto do të përdoren për shpenzimet e xhamisë. Janë 15 mijë metra katrorë që duhen ngrohur e ndriçuar. Janë 200 rubineta uji dhe të gjitha kanë shpenzime”, ka thënë ai.
Xhamia do të financohet nga Bashkësia Islame Turke, dhe kostoja e saj pritet të kap shifrën prej 35 milionë eurosh.
Ndërsa Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, në fjalën e tij para asamblistëve të Komunës së Prishtinës tha se debati për Xhaminë Qendrore ka filluar tash 17 vjet.
“Në Ballkan, prej të gjitha kryeqyteteve, vetëm Prishtinës i mungon një xhami qendrore. Është momenti i fundit që ajo të ndërtohet. Çështja e xhamisë qendrore nuk është temë politike dhe nuk i përket asnjë partie. Ajo është për besimtarët. Thuhet se debati është bërë në kohën kur s'ka qeveri, s'është e vërtetë, ky vend ka qeveri e ka komuna, ashtu si i kemi. Çfarë jemi ashtu i kemi. Nuk kemi dashur ta shfrytëzojmë ndonjë vakum institucional”, ka thënë Rexhepi.