Allahu është furnizues i vetëm

Në kodrat e Libanit jetonte një asket, larg njerëzve, i vetmuar. Jetën e kalonte në shpellë. Ditën agjëronte e natën falej. Për çdo ditë, me urdhrin e Allahut, para akshamit i vinte një bukë. Gjysmën e hante për iftar e gjysmën tjetër në syfyr.

Një ditë buka nuk i erdhi në kohën e caktuar dhe ai u brengos pak dhe pasi kaloi akshami dhe jacia atë e kapi uria. Posa agoi, doli nga shpella dhe shkoi te një fshat, duke kërkuar diçka për ta shuar urinë. Një plak i dha dy bukë elbi.
Posa u largua, iu vërsul një qen dhe asketi u detyrua t'i jepte një bukë të cilën ai e hëngri menjëherë. Pastaj qeni iu vërsul përsëri, kështu që ai u detyrua t'ia jepte edhe bukën tjetër.
- Subhanallah! Asnjëherë nuk kam parë qen më të paturp se ky! – tha asketi.
Me urdhrin e Allahut qeni foli:
- Nuk jam unë i paturp dhe i pafytyrë! Dije që unë jam rritur në shtëpinë e këtij fshatari që t'i dha dy bukë. Gjithmonë kam qenë besnik ndaj tij. Ia kam ruajtur shtëpinë dhe bagëtinë. Gjithmonë kam qenë i kënaqur me të kur më jepte një kockë ose pak bukë, e ndonjëherë edhe nuk më ka dhënë asgjë. Ka pasur ditë kur ai edhe për vete nuk ka pasur çka të hante, e lëre më për mua. Por, pa marrë parasysh asnjëherë nuk e kam lëshuar shtëpinë e tij. Nëse më ka dhënë, kam qenë falënderues ndaj tij, e nëse nuk më ka dhënë, unë kam duruar! Ndërsa ti një natë mbete pa bukë dhe nuk munde të duroje, por u largove nga dora e Furnizuesit të të gjitha krijesave dhe shkove e trokite në derën e një fshatari për të të ushqyer ai. A thua cili prej nesh duhet të turpërohet?"



Përktheu dhe përshtati
Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Akademia solemne për "Diturinë Islame", vlerësime për misionin e saj