Sadriu: Interesimi për kryerjen e haxhit është dhjetëfishuar, prin mosha e mesme

Sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu, në një intervistë për ekonomiaonline thotë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë udhëtim.

“Edhe këtë vit sikurse vitet e tjera BIK bën organizimin e haxhit për kryerjen e kushtit të islamit për besimtarët e besimit islam. I kemi marrë të gjitha masat përgatitore dhe kemi bë qysh me kohë e kemi bë shpalljen e haxhit, kemi njoftuar të gjithë besimtarët e besimit islam në Kosovë nëpërmjet këshillave të BIK-ut të cilët ata e kanë përcjell nëpërmes bashkësive dhe imamëve deri te xhemati dhe rreth regjistrimi deri në momentin e caktuar dhe është përmbyllur e gjithë kjo rrjedhë”, thotë ai.
Ai po ashtu ka njoftuar se grupi i parë i hanxhinjve do të nisen nga Prishtina më 31 korrik, për të vazhduar pastaj me datë 1, 2 dhe 3 gusht kur do të niset edhe ekipi i fundit i haxhinjve drejt vendeve të shenjta.
Ndërsa thotë se interesimi i kosovarëve për ta kryer këtë kusht të islamit, ndër vite është shumëfishuar.
“Numri i haxhinjve sillet 1080 haxhi, kështu që pritet nisja nga dita e nesërme ku do të fillohet transporti apo shkuarje për në vendet e shenjta. Po nëse kthehemi në retrospektivë gjithherë ka qenë në rritje më kujtohet kur kemi pas 160-170 haxhi nga Kosova kurse sot po e shohim që rritja është dhjetëfishuar, sidomos pas përfundimit të luftës kemi rritje, por ne e kemi paraparë aranzhmanet me këtë numër do të thotë qe tri vite është ky numër. Ndoshta po mos ta kishim mbyll, po për shkak të kërkesave dhe obligimeve që kërkohen nga autoritetet saudite ne jemi të detyruar ta mbyllim ma herët”, thotë ai.
Edhe mosha mesatare e besimtarëve që kryejnë haxhin, ndër vite është duke rënë. Sekretari i BIK-ut thotë se tashmë mosha mesatare sillet rreth 40 vjet.
Ndërsa këtë vit do të ketë për në vendet e shenjta do të udhëton një 15 vjeçare nga Mitrovica dhe një 90 vjeçar nga Peja.
“Se duhet të shkohet në haxh në një moshë shumë të shtyrë ajo nuk qëndron, nuk qëndron në aspektin fetar sepse në momentin që një besimtar e arrijnë atë nivelin ka pasuri edhe atëherë ai obligohet me shkua nuk shikohet mosha. Tash është krijuar një vetëdije dhe mund të them se në krahasim me vitet e kaluara tash kemi një numër të madh të haxhinjve që janë të moshës prej 30 deri në 40-45, por edhe këtë vit karakterizohet me moshën të ndryshme çka do të thotë se kemi haxhi të moshës 90 vjeçare, e kemi një haxhi që është nga Peja, nga rrethi i Pejës, por kemi edhe një haxhike nga Mitrovica që është 15 vjeçare, çka do të thotë se kemi mosha të ndryshme të haxhinjve që shkojnë.
Çmimi i haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro. Por Sadriu thotë se krahas rritjes së përmirësimit të kushteve dhe standardeve, ndër vite është rritur edhe çmimi.
Megjithatë, thotë se janë më të lirë krahasuar me vendet e rajonit, si Maqedoninë dhe Bosnjën e Hercegovinën.
“4150 euro. E shoh që është diskutuar dhe trajtuar kjo çështje, nga ana mediale por kanë ndryshuar standardet dhe çmimet edhe atje. Neve gjithherë na imponohet në bazë të standardeve që janë krijuar atje dhe ne aranzhmanin ta caktojmë në bazë të atyre rrethanave. Më kujtohet në të kaluarën që çmimi ka qenë shumë më i ulët por standardi i akomodimit atje ka qenë krejt tjetër. Deri sa para 20 vjetëve në një dhomë janë sistemuar 15-20 haxhi, tash është numri i kufizuar, mbi 14 shtretër, dhoma nuk mund të ketë dhe hotelet janë të kategorisë 3-4 yje dhe akomodimi është krejt tjetër. Tash në Saudi i kemi edhe aplikimin e TVSH-së, kemi aplikimin e tatimeve të ndryshme, d.m.th kanë ndryshuar edhe çmimet dhe kjo është shkak pse kanë ndryshuar çmimet e aranzhmanit. Nuk jemi më të shtrenjtë në rajon, e kemi Maqedoninë që ka 4400 euro, kemi Bosnjën që e ka 4200 e diçka euro”, thotë ai.
Sekretari i BIK-ut thotë se në këtë çmim janë të përfshira përveç fluturimit, edhe transporti, kujdesi mjekësor, ushqimi, por edhe therja e kurbanit.
Haxhi është kushti i pestë i islamit dhe është obligim për çdo mysliman që ka kushte të mira materiale që njëherë gjatë jetës së tij ta viziton Qabenë, vendin e shenjt për besimtarët islam.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi