Rijadu Salihin pjesa e tretë

RIJADU SALIHIN - III
Nga Imam Neveviu

600. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Si­kur njerëzit ta dinin vlerën e ezanit dhe të safit të parë, ata nuk do të kishin mbetur pa hedhë short (se kush do ta thirrë ezanin dhe kush do të ulet në safin e parë)". (Mut­tefekun alejhi)
601. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: " Safi më i dobishëm ke meshkujt është safi i parë, ndërsa më i dëmshëm te ta është i fundit. Ndërsa safi më i dobishëm ke femrat është safi i fundit, kurse më i dëmshëm është safi i parë". (Muslimi)
602. Ebu Seid El-Hudriu r.a. tre­gon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. kishte vërejtur se disa as-habë rrinin mbrapa prandaj iu tha atyre: "Ka­loni përpara dhe plotësojeni safin e parë, ndërsa safin pas jush le ta plotësojnë ata që vijnë pas jush. Përderisa disa njerëz vonohen edhe All-llahu do t'i lërë ata prapa". (Muslimi)
603. Enesi r.a. thotë: "Ne u ngritëm që të falim namazin, ndërsa Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u kthye me fytyrë kah ne dhe tha: "Drejtoni safet dhe ngjeshni me njëri-tjetrin, sepse vër­tet unë ju shoh pas shpi­ne". (Rivajeti i Buhariut me fjalët e tij, ndërsa i Mus­limit në këtë kuptim. Në një rivajet të Buhariut thuhet: "Kra­hu i çdonjërit ishte i ngji­tur me krahun e tjetrit në saf, gjithashtu edhe këmbët".)
604. Nu'man ibni Beshiri r.anhuma thotë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Safet tuaja ose do t'i drejtoni, ose All-llahu do t'ua ndryshojë fytyrat juve". (Muttefekun alejhi)
Në një rivajet të Muslimit thuhet: "Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i drejtonte safet tona, ashtu si­kur drejtoheshin shigjetat, dhe kur e vërejti se ne e kemi kuptuar këtë, një ditë doli dhe kur kishte marrë qëndrimin të thotë "All-llahu ekber" vërejti një beduin, të cilit i kishte dalë kraharori jashtë safit, atëherë tha: "O robër të Zotit, ose do t'i drejtoni safet, ose All-llahu do t'i ndryshojë fytyrat tuaja, ose do të vëjë përçarje në mes jush".
605. Enesi r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Ngjeshni safet tuaja, afrojeni safin njërin pranë tjetrit, qafat bëni paralel. Për Atë që shpirti im është në du­art e Tij, unë e shoh djallin se si hyn nëpër zbrazëtirat e safeve, ashtu sikurse futet delja e zezë". (Hadithi është i vërtetë, e trans­me­ton Ebu Davudi sipas kushteve të Muslimit)
606. Enesi r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Plotësojeni safin e parë, pastaj atë që vijon. Nëse duhet të ketë zbrazëti, të jetë në safin e fundit". (Ebu Davudi me isnad hasen)
607. Abdull-llah ibni Mugaffel r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Në mes dy ezaneve (në mes ezanit dhe ikametit) falet një namaz! Në mes dy ezaneve falet një namaz". Kur këtë e tha për të tretën herë, atëherë shtoi: "Për atë që dëshi­ron". (Muttefekun alejhi)
608. Aisheja r.anha thotë se: "Pej­gam­be­ri s.a.v.s. nuk i ka lënë katër rekate para namazit të drekës dhe dy rekate para namazit të sabahut". (Buhariu)
609. Aisheja r.anha thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Dy rekatet e namazit të sabahut janë më të dobishme se kjo botë dhe çdo gjë që ka në të". (Muslimi)
610. Ebu Abdull-llah Bilal ibnu Rebbah, muezini i Pej­gam­be­rit s.a.v.s., tregon se ka shkuar te i Dërguari i All-llahut për të thirrë ezanin e namazit të sabahut, por Aisheja e angazhoi atë (Bilalin) me një punë tjetër, kështu që u gdhi shumë. Bilali u ngrit dhe e thirri ezanin e namazit të sabahut e pastaj edhe ezanin e dytë. Pej­gam­be­ri s.a.v.s. nuk doli, ndërsa kur doli u fal me njerëz. Bilali e in­formoi të Dërguarin e All-llahut se Aisheja r.a. e kishte vonuar, duke i kërkuar që t'ia kryejë një punë, derisa agoi shumë, dhe ky ishte shkaku që e kishte vonuar. Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i tha: "Unë isha duke i falur dy rekatet e sabahut". Bilali i tha: "O i Dër­guari i All-llahut, ti je zgjuar vonë ?" Ai iu përgjigj: "Sikur të zgjohesha edhe më vonë se sa jam zgjuar do t'i kisha falur ato dyja duke i bërë mirë dhe bukur ". (Ebu Da­vudi)
611. Ibnu Umeri r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i falte natën nga dy rekate, ndërsa me një rekat të vitrit e mbaronte nafilen e natës. I falte nga dy rekate sunnet para farzit të sabahut, sikur ezanin ta kishte në vesh (për farzin e sabahut). (Muttefekun alejhi)
612. Aisheja r.anha thotë: "Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. i falte në dhomën time para farzit të drekës nga katër rekate, pastaj dilte dhe falte me xhemat farzin, pastaj prapë hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate (sunnet). Kur e falte farzin e akshamit me xhemat, hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate (sunnet). Kur e falte namazin e jacisë, hynte në dhomën time dhe i falte dy rekate (sunnet)". (Muslimi)
613. Ummi Habibe r.anha thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: " Kush i fal katër rekate para namazit të drekës dhe katër rekate pas, All-llahu do ta ruajë atë prej zjarrit". (Ebu Da­vudi dhe Tirmidhiu dhe thonë hadith hasen sahih)
614. Aisheja r.anha tregon se i Dërguari i All-llahut, nëse nuk i falte katër rekate para farzit të drekës (për ndonjë arsye), ato i falte pas farzit. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
615. Enesi r.a. thotë: "I kam vërejtur as-habët e vjetër dhe me autoritet të Pej­gam­be­rit s.a.v.s. se me të madhe nguteshin për të falë nafile namazin para akshamit". (Buhariu)
616. Enesi r.a. thotë: "Ne i fal­nim në kohën e Pej­gam­be­rit s.a.v.s. nga dy rekate pas perëndi­mit të diellit dhe para farzit të ak­shamit". Të pranishmit në këtë bi­sedë pyetën: "A i falte Pej­gam­be­ri s.a.v.s. nga dy rekate para farzit të akshamit?" Enesi u përgjigj: "Ai neve na ka parë duke u falë, dhe nuk na ka urdhëruar e as nuk na ka ndaluar". (Muslimi)
617. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush e fal namazin e xhumasë (farzin), le t'i falë pas tij katër rekate". (Muslimi)
618. Zejd ibnu Thabit r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "O njerëz, faluni në shtëpitë tuaja. Vërtet namazi më i vlefshëm është kur njeriu falet në shtëpinë e vet, përveç namazeve të obliguara (farz)". (Muttefekun alejhi)
619. Xhabiri r.a. thotë se Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndokush prej jush e kryen namazin e vet (farzin) në xhami, të llogaritë edhe për shtëpinë e vet një pjesë të namazit, sepse vërtet All-llahu do të bëjë mirë në shtëpinë e tij prej namazit të tij". (Muslimi)
620. Aliu r.a. thotë: "Vitri nuk është i domosdoshëm sikurse namazet e ob­liguara (farzet), por I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. e bëri sunnet. Ai ka thënë: "Vërtet All-llahu është tek (vitr) dhe Ai e do tekun, prandaj faleni namazin e vitrit, o ju të zotët e Kur'anit!" (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
621. Ibnu Umer r.anhuma tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Bëne namazin e fundit tuajin natën vitr (tek)!" (Muttefekun alejhi)
622. Ebu Seid El-Hudriu r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Faleni namazin e vitrit para agimit të sabahut tuaj!" (Muslimi)
623. Ebu Dherri r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Për çdo mëngjes, për çdo nyje tuajën jepet sadaka (lëmoshë). Çdo tesbih është sadaka, çdo tahmid është sadaka, çdo tehlil është sadaka, çdo tekbir është sadaka, urdhri për punë të mirë është sadaka, ndalimi i së keqes është sadaka. Për këto do t'u mjaftojnë dy rekate, të cilat falen në namazin e paradites - duhasë". (Muslimi)
624. Ummi Hani Fahita Binti Ebu Talib r.anha thotë: "Unë shkova te i Dërguari i All-llahut në vitin e çlirimit të Mekkes, dhe e kam gjetur duke u pastruar (gusul). Pasi është pastruar i ka falur tetë rekate. Kjo ishte në kohën e para­dites - duhasë". (Muttefekun ale­jhi)
625. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i ka thënë Bila­lit r.a.: "O Bilal, më trego cila punë më së shumti të jep shpresë e të cilën e ke bërë në Islam? Vërtet unë e kam dëgjuar zhurmën e na­llaneve tua para meje në Xhen­net". Bilali u përgjigj: "Punën të cilën e kam bërë dhe prej së cilës shpresoj fitimin më të madh është ajo që asnjëherë ditën apo natën kur jam pastruar (kam marrë ab­dest) e që me atë abdest nuk kam falur atë që më është urdhëruar ta fal". (Mutte­fekun alejhi)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Kur të kryhet namazi i xhumasë, atëherë shpërnda­huni nëpër tokë dhe kërkoni mirësinë e All-llahut dhe përmendeni All-llahun shpesh, ndoshta do të shpë­toni". (el-Xhuma:10)
626. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Pesë namazet, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan e shlyejnë çdo gjë në mes tyre, nëse shmangen gabimet e mëdha". (Muslimi)
627. Ibnu Umeri r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kur ndokujt prej jush i vjen dita e xhumasë, le të lahet". (Muttefekun alejhi)
628. Ebu Seid El-Hudriu r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Gusli (larja e përgjithshme e trupit) në ditën e xhumasë, është obligim për çdo musliman të rri­tur". (Muttefekun alejhi)
629. Semure r.a. thotë se i Dër­guari i All-llahut ka thënë: "Kush merr abdest ditën e xhumasë, është e mjaftueshme dhe e bukur, ndërsa ai që pastrohet në tërësi është edhe më mirë". (Ebu Da­vudi dhe Tirmidhiu)
630. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka mbajtur fjalim (hutbe) një ditë të xhuma dhe në të ka thënë: "Në këtë ditë gjendet një moment (orë), nëse ai përputhet me një rob musliman duke falur, e që ai kërkon diçka prej All-llahut, me të vërtetë ai do ta arrijë atë". Pej­gam­be­ri s.a.v.s. dha shenjë me dorën e vet se janë të paktë ata të cilët e shfrytëzojnë këtë". (Muttefekun alejhi)
631. Ebu Burde ibni Ebu Musa El-Esh'ariu r.a. thotë se Abdull-llah ibni Umeri r.anhuma ka thënë: "A e ke dëgjuar babanë tënd duke treguar se ç'ka thënë i Dërguari i All-llahut për vlerën e momentit të caktuar të ditës së xhumasë?" Ai u përgjigj: "Unë i thashë: "Po, e kam dëgjuar duke thënë: "E kam dëgju­ar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Ai moment i vlefshëm është në mes uljes së imamit dhe mbarimit të namazit". (Muslimi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe një pjesë të natës kaloje i zgjuar duke u falur! Kjo është vetëm për ty. Ndoshta Zoti yt do të rin­gja­llë në një vend të lavdëruar". (el-Isra:79)
All-llahu xh.sh. thotë:
"Ata ngrihen nga shtrati dhe bëjnë ibadet natën". (es-Sexhde:16)
All-llahu xh.sh. prapë thotë:
"Vetëm pak natën kanë fjetur". (edh-Dharrijat:17)
632. Salim ibni Abdull-llah ibni Umer ibni Hattab r.anhuma nga babai i vet Abdull-llahu trans­me­ton se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "I mrekullueshëm është Ab­dull-llahu, vetëm sikur të falej edhe natën!" Salimi r.a. thotë: "Pas kësaj, Abdull-llah ibni Umeri r.a. nuk flente natën, vetëm pak". (Muttefekun alejhi)
633. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Agjërimi më i vlefshëm pas Ramazanit është agjërimi i muajit të All-llahut, Muharrem, ndërsa namazi më i vlefshëm pas farzeve është namazi i natës". (Muslimi)
634. Ibni Umeri r.anhuma thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Namazi i natës është nga dy rekate, ndërsa nëse i frikohesh sabahut, atëherë fale vitrin me një rekat". (Muttefekun alejhi)
635. Ibnu Umeri r.anhuma thotë: "Pej­gam­be­ri i falte natën gjithnjë nga dy rekate, ndërsa vitrin e falte vetëm një rekat". (Muttefekun alejhi)
636. Aisheja r.anha thotë: "Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. nuk falte - në Ramazan apo jashtë tij - më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, e mos pyet për buku­rinë dhe gjatësinë e tyre! Pastaj prap i falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre! Pastaj i falte tre rekate. Unë i thashë: "O i Dërguari i All-llahut, a flen ti para se ta falësh namazin e vitrit?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: "Oj Aishe, sytë e mi flenë, por nuk flen zemra ime!" (Mutte­fekun alejhi)
637. Ibnu Mes'udi r.a. thotë: "Jam falur me Pej­gam­be­rin s.a.v.s. një natë dhe ai qëndroi aq gjatë saqë mendova diçka keq". Të pranishmit e pyetën: "Çka ke men­duar?" Ibnu Mes'udi tha: "Men­dova të ulem dhe të shkoj". (Mut­tefekun alejhi)
638. Abdull-llah ibni Amr ibnul As r.anhuma tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Namazi më i dashur te All-llahu është namazi i Davudit a.s., agjërimi më i dashur te All-llahu është agjërimi i Da­vudit a.s. Ai flente gjysëm nate, një të tretën e kalonte në namaz, pastaj prapë flente një të gjashtën. Ai një ditë agjëronte, e një ditë hante". (Muttefekun alejhi)
639. Aisheja r.anha thotë: "Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. kur çohej të falej gjatë natës, e fillonte namazin me dy rekate të shkurta". (Muslimi)
640. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Nëse ndonjëri prej jush çohet gjatë natës, dhe nëse në mënyrë të pakuptueshme dhe pa vetëdije i shkon Kur'ani nëpër gjuhë, dhe nuk di se çka flet, atëherë le të shkojë të shtrihet në shtrat". (Muslimi)
641. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Kush i kalon netët e Ramazanit duke bërë ibadet, duke qenë i bin­dur në besimin islam dhe duke pasur qëllim të sinqertë, do t'i falen të gjitha gabimet e tij të mëparshme". (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Vërtet ne e shpallëm atë (Kur'anin) natën e Kadrit". (el-Kadr:1)
All-llahu xh.sh. prapë thotë:
"Ne atë e zbritëm në një natë të bekuar". (ed-Duhan:3)
642. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Kush falet natën e Kadrit, duke qenë i bindur në besimin islam dhe ka qëllim të sinqertë, do t'i falen gabimet e tij të mëparshme". (Muttefekun alejhi)
643. Aisheja r.anha thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit bënte i'tikaf në xhami (mbyllej në të) dhe thoshte: "Lypeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit". (Muttefekun alejhi)
644. Aisheja r.anha thotë: "Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. bënte ibadet (nuk flente) gjatë muajit të Ramazanit, atë që nuk e bënte ditëve të tjera dhe muajve të tjerë. Ndërsa në dhjetë ditët e fundit bënte ibadet më shumë se ditëve të tjera". (Muslimi)
645. Aisheja r.anha tregon se ka thënë: "O i Dërguari i All-llahut, çka mendon sikur unë të dija për një natë se ajo është nata e Kadrit, çka duhet të them unë atë natë?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i tha: "Thuaj: "O Zoti im, Ti je falës, e don faljen, më fal mua!" (Tirmi­dhiu thotë: hadith hasen)
646. Hudhejfe r.a. thotë: "Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. kur çohej prej gjumi e pastronte gojën e vet me misvak (furçë natyrore prej një lloj druri)". (Muttefekun ale­jhi)
647. Aisheja r.anha thotë: "Ne i përgatitnim të Dërguarit të All-lla­hut misvakun e tij dhe ujin e pastër, edhe atëherë kur All-llahu e zgjonte natën, ai e përdorte misva­kun, merrte abdest dhe falej". (Muslimi)
648. Enesi r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Me të madhe u porosis ta përdorni mis­vakun". (Buhariu)
649. Aisheja r.anha thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Mis­vaku është mjet për pastrimin e gojës dhe kënaqësi për Krijuesin". (Ne­saiu dhe Ibnu Huzejme)
650. Ibnu Umeri r.anhuma tre­gon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Mustaqet shkurtoni, kurse mjekrën lëshone!" (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Faleni namazin dhe jepeni zekatin!" (el-Bekare:43)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
"Por u qe urdhëruar ta adhurojnë vetëm All-llahun, që si besimtarë të sinqertë t'u rrëfejnë fenë, edhe të kryejnë të falurit, edhe të japin zeka­tin, e ajo është fe stabile". (el-Bejjine:5)
All-llahu xh.sh. gjithashtu thotë:
"Merre zekatin nga pasu­ria e tyre që t'i pastrosh me të". (et-Tewbe:103)
651. Nga Ibni Umeri r. anhuma trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Islami është ngritur mbi pesë (shtylla): dëshminë se nuk ka hyjni tjetër përveç All-lla­hut dhe se Muhammedi është i dërguar i All-llahut, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën Ka'bes dhe agjërimin e Ramaz­anit". (Muttefekun alejhi)
652. Talha bin Ubejdullah thotë: "Erdhi një njeri prej Nexhdit te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. që kishte flokë të dendur. Ne dëgjonim zërin e tij, mirëpo nuk kuptonim se ç'thoshte, derisa iu afrua të Dërguarit të All-llahut dhe pyeti për Islamin. Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. i tha: "Islami është pesë kohë të namazit ditën dhe natën". Njeriu pyeti: "A jam i ob­liguar me diçka tjetër përveç këtyre?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: "Jo, vetëm nëse ti do në mënyrë vullnetare". Pej­gam­be­ri s.a.v.s. pastaj tha: "Agjërimi i Ramazanit". Njeriu pyeti: "A kam obligim tjetër përveç agjërimit?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: "Jo, përveç nafile".
Transmetuesi përmend: Pastaj Pej­gam­be­ri s.a.v.s. përmendi dhënien e zekatit. Njeriu pyeti: "A kam obligim tjetër përveç zekatit?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: "Jo, vetëm nëse dëshiron vullnetar­isht". Njeriu u kthye prapa duke thënë: "Betohem në Zotin, se as nuk do të shtoj e as nuk do të mungoj diçka prej këtyre". I Dër­guari i All-llahut tha: "Do të shpëtojë nëse e thotë të vërtetën". (Muttefekun alejhi)
653. Ibnu Abbasi r.anhuma tre­gon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. e ka dërguar Muadhin r.a. në Jemen dhe i ka thënë: "Thirri të dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i Dërguari i All-llahut, e nëse ata binden në këtë, atëherë informoi se All-llahu i ka obliguar me pesë kohët e namazit për çdo ditë dhe natë, nëse binden edhe në këtë, atëherë informoi se All-llahu i ka obliguar me zekat, që do ta marrish prej të pasurve të tyre e do t'ua shpërndash të var­fërve të tyre". (Muttefekun alejhi)
654. Ibnu Umeri r.anhuma thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Mua më është urdhëruar që t'i luftoj njerëzit (pabe­simtarë), derisa të dëshmojnë se nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dër­guari i Tij, dhe derisa të falin namazin dhe të japin zekatin. E kur e bëjnë këtë, atëherë e kanë të mbrojtur prej meje gjakun dhe pasurinë e tyre, pos nëse i kanë hyrë në hak Islamit, llogaria e tyre është te All-llahu". (Muttefekun alejhi)
655. Ebu Hurejre r.a. thotë: "Pasi i Dërguari i All-llahut është shpërngulur në ahiret (ka vdekur), Ebu Bekri u zgjodh për zëvendës të tij. Disa prej arabëve u kthyen në kufër (mosbesim). Atëherë Umeri r.a. tha: "Si do t'i luftosh njerëzit, kur Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Më është urdhëruar që t'i luftoj njerëzit derisa të mos thonë: 'La ilahe il-lall-llah'. Kush e thotë këtë është e lirë pasuria dhe shpirti i tij prej meje, përveç me hak, dhe llogaria me të është në kompe­tencën e All-llahut". Ebu Bekri atëherë tha: "Betohem në All-lla­hun se unë me të vërtetë do ta luftoj çdokend që e ndan namazin dhe zekatin. Zekati është obligim i pasurisë. Betohem në All-llahun se nëse ata nuk e japin zekatin edhe të kërpeshit (frenit) të deveve, të cilin ia jepnin Pej­gam­be­rit s.a.v.s., do t'i luftoj për mosdhënien e tij". Umeri r.a. tha: "Betohem në All-llahun, dhe atëherë nuk kam parë asgjë tjetër, vetëm se All-llahu e kishte hapur kraharorin e Ebu Bek­rit për luftë dhe u binda se me të është e vërteta". (Muttefekun ale­jhi)
656. Ebu Ejjubi r.a. tregon se një njeri i ka thënë Pej­gam­be­rit s.a.v.s.: "Më trego për një vepër e cila më çon në Xhennet?" Atëherë Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: "Ta adhu­rosh All-llahun (T'i bësh ibadet), dhe të mos i bësh shok, të falësh namazin, të japësh zekatin dhe ta ndihmosh farefisin". (Mut­tefekun alejhi)
657. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "As­një pronar i arit dhe i argjendit (të hollave), që nuk i përmbush ob­ligimet e veta, nuk do të mbetet në Ditën e gjykimit pa u farkuar me pllaka të zjarrta, që do të nxehen në zjarrin e Xhehennemit, dhe me të do të fërgohen anët e tij, balli, kraharori dhe shpina, dhe çdo herë që pllakat ftohen do të nxehen përsëri. Kjo do të jetë në ditën që do të zgjasë pesëdhjetë mijë vjet, në të cilën do të zbatohet gjykimi në mes njerëzve, robërve, dhe kur do t'i tregohet çdokujt rruga për në Xhennet ose në Xhehennem". Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i All-llahut, çka do të bëhet me de­vetë, pasurinë e njeriut?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: "Edhe asnjë pro­nar i deves, që nuk i kryen obligi­met e veta, e prej tyre mjeljen e saj ditën kur ajo shkon të pijë ujë. Çdo pronar që nuk i kryen obligimet e veta ndaj deves, në Ditën e Gjyki­mit do të shtrihet në një vend të rrafshtë dhe të gjerë, aq sa dy de­vetë e tij do të mund ta shkelnin me thundrat e tyre dhe ta kafshojnë me dhëmbët, kurdo që njëra prej tyre të kalojë mbi të, tjetra kthehet te ai, dhe ky mundim do të zgjasë një ditë, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet, derisa të kry­het gjykimi në mes robërve, dhe kur do t'i tregohet çdokujt rruga për në Xhennet apo Xhehennem". Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i All-llahut, çka do të bëhet me lopët dhe delet?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: "Çdo pronar i lopëve ose deleve, i cili nuk i kryen ob­ligimet e veta ndaj tyre, në Ditën e Gjykimit do të jetë i shtrirë në një vend të rrafshtë, kah lopët dhe de­let e veta, dhe ato me brirët e tyre do ta therin dhe me thundrat e tyre do ta shkelin, e në mesin e tyre nuk do të ketë me brinjë të kthyer prapa, apo pa brirë e as me brirë të thyer. Kurdo që të kalojnë nëpër të parat, menjëherë pas tyre vijnë dhe kalojnë të tjerat. Dhe kjo do të jetë në një ditë, e cila do të zgjasë pesëdhjetë mijë vjet, derisa t'u shqiptohen gjykimet robërve dhe derisa të mos u tregohet rruga për në Xhennet apo Xhehennem". Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i All-llahut, si do të veprohet me kuajt?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: "Kaloria ndahet në tri lloje: Për dikë do të jetë barrë, për dikë mbulesë dhe për dikë shpëtim. Sa i përket atij për të cilin është barrë, është ai që i mban kuajt për shkak të namit, kryelartësisë apo garave kundër muslimanëve, për të tillin kali është barrë...Sa i përket atij, për të cilin është mbulesë, është ai që mban kuaj në rrugën e All-llahut, dhe nuk i harron ob­ligimet ndaj All-llahut dhe kujdeset për ta. Për njeriun e këtillë, kali është mburojë nga zjarri i Xhehen­nemit...Sa i përket atij, për të cilin është shpëtim, është ai që mban kuajt për hir të All-llahut dhe të muslimanëve, i cili i kullot në li­vadhe dhe kopshtije, gjithë atë që kalorët dhe kuajt e tyre e hanë në kullosa dhe ara, do të shkruhet aq numër i të mirave. Gjithashtu për çdo shërbim të tyre, të madh dhe të vogël, do të shkruhen të mira. Çdo kalim i distancës dhe hipja mbi një e më shumë lartësira do t'i shkru­hen të mira, në numrin e gjurmëve dhe hedhurinave të tij. Çdo kthim i kalit nga ana e pronarit në lumenj dhe burime, në të cilat i jep ujë, i shkruhen të mira aq sa herë kali do të pijë ujë". Të pranishmit i thanë: "O i Dërguari i All-llahut, e si do të jetë me gomarët?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: "Mua nuk më është shpallë asgjë e posaçme për gomarët, përveç ajetit të përgjith­shëm e universal: "Ai që punon mirë, sa grima - e sheh atë. Por, edhe kush punon keq sa grima - do ta shohë". (ez-Zilzal:7-8) (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që ishin para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm. Në ditë të caktuara me numër, por ai nga ju i cili është i sëmurë ose në udhë­tim - atëherë tjera ditë me të njëjtin numër. Ndërsa ata që nuk mund ta mbajnë - kom­pensimi është të ushqejë një varfënjak. Dhe kush jep më tepër, vullnetarisht, ajo është mirë për të. Por, të agjëroni është më mirë, ta dini". (el-Bekare:183-184)
658. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kush i ndihmon dy shokë në rrugën e All-llahut, do të thirret nga të gjitha dyert e Xhennetit: 'O rob i All-llahut eja këtu, këtu është mirë'. Kush është prej atyre që bëjnë namaz, do të thirret nga dera e namazit, e kush është luftëtar i xhihadit do të thirret nga dera e xhihadit. Kush është prej atyre që agjërojnë, do të thirret nga dera Rejjan (Xhennet i posa­çëm në të cilin hyjnë ata që agjë­rojnë). Kush është prej atyre që japin sadaka (lëmoshë), do të thi­rret nga dera e sadakasë". Atëherë, Ebu Bekri r.a. tha: "Pashë babën dhe nënën time, o i Dërguari i All-llahut! Për atë që thirret prej atyre dyerve, nuk do të ketë më mundime, e a do të ketë ndo­kush që do të thirret nga të gjitha ato dyer?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: "Po, dhe shpresoj që edhe ti do të jesh prej tyre!" (Muttefekun ale­jhi)
659. Sehl ibni Sa'd r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet në Xhennet është një derë, e cila quhet Rejjan, nëpër të cilën do të hyjnë Ditën e Gjykimit vetëm ata që agjërojnë, nëpër atë derë të tjerët nuk do të hyjnë. Do të thirret në atë derë ku janë agjëruesit. Do të çohen agjëruesit dhe nuk do të mundet tjetërkush të hyjë nga kjo derë, e pasi të hyjnë agjëruesit dera do të mbyllet e nuk do të mundet të hyjë askush tjetër". (Muttefekun alejhi)
660. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Kush e agjëron muajin e Ramaz­anit, duke qenë i bindur në besimin islam dhe duke i kryer obligimet islame, do t'i falen gabimet e tij të mëparshme". (Muttefekun alejhi)
661. Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kur të vijë muaji i Ramaz­anit, hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Xhehennemit dhe shejtanët lidhen me zinxhir". (Muttefekun alejhi)
662. Ebu Hurejre r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Agjëroni me të pamurit e hënës dhe bëni bajram me të pamurit e hënës. E nëse është vranësirë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë të Shabanit!" (Muttefekun alejhi)
Ky është teksti i Buhariut, ndërsa në rivajetin e Muslimit shtohet: "Nëse është vranët, atëherë agjëroni tridhjetë ditë!"
663. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë: "I Dërguari i All-llahut ishte njeriu më bujar, në mënyrë të veçantë kur i vinte Xhibrili a.s. Xhibrili a.s. i vinte Pej­gam­be­rit s.a.v.s. në Ramazan, çdo natë dhe me të studionte Kur'anin. Vërtet kur Pej­gam­be­ri s.a.v.s. takohej me Xhibrilin, ishte më bujar në veprat e mira se sa era që sjell shiun". (Muttefekun alejhi)
664. Aisheja r.anha thotë: "Kur vinin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i Dërguari i All-llahut bënte ibadet natën dhe e çonte fa­miljen e vet që të bëjnë ibadet, ndërsa dyshekun e vet me gjithë mbulojë e palonte". (Muttefekun alejhi)
665. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Në asnjë mënyrë, asnjëri prej jush të mos e pret Ramazanin duke qenë agjërueshëm, një apo dy ditë, për­veç nëse ai agjërues është person që e mban agjërimin e vet të rregullt. Në atë rast atë agjërim të rregullt mund ta agjërojë". (Mut­tefekun alejhi)
666. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Kur të mbetet edhe gjysma e muajit Sha'ban, atëherë mos agjëroni nafile!" (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih)
667. Enesi r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Çohuni në syfyr sepse vërtet në syfyr ka begati". (Muttefekun alejhi)
668. Zejd ibnu Thabiti r.a. thotë: "Ne çoheshim në syfyr së bashku me të Dërguarin e All-llahut, e pastaj ngriheshim të falnim namazin". Njëri prej të pranish­mëve pyeti: "Sa ishte intervali në mes syfyrit dhe sabahut?" Zejdi u përgjigj: "Sa pesëdhjetë ajete!" (Muttefekun alejhi)
669. Ibnu Umeri r.anhuma tre­gon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. i kishte dy muezinë: Bilalin dhe Ibni Ummi Mektumin. Për këtë Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. kishte thënë: "Vërtet Bilali e thirr ezanin gjatë natës, hani dhe pini derisa ta thë­rrasë ezanin Ibnu Ummi Mek­tu­mi".
Transmetuesi thotë: "Intervali në mes tyre ishte sa njëri zbriste e tjetri hipte në vendin ku thirrej ezani". (Muttefekun alejhi)
670. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "All-llahu i Madhëruar ka thënë: "Robtë e mi më të dashur janë ata që nguten në iftar (d.m.th. nuk e shtyejnë iftarin por bëjnë iftar në kohë)". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
671. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush harron dhe han ose pin, mos ta ndërprejë por ta vazhdojë agjërimin, sepse atë All-llahu e ushqeu dhe i dha të pijë". (Muttefekun alejhi)
672. Lekit ibni Sabire r.a. thotë: "Unë i kam thënë: 'O i Dërguari i All-llahut, më thuaj diçka për ab­destin!' Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: "Merr abdest sipas rregullit, fërkoi gishtat në mes mirë, laje hundën deri në thellësi, përveç atëherë kur je agjërue­shëm!" (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë: hadith hasen sahih)
673. Aisheja r.anha thotë: "Të Dërguarin e All-llahut e zinte agimi, e ai ishte xhunub (i obli­guar të lahej), pastaj lahej dhe agjëronte". (Muttefekun alejhi)
674. Aisheja dhe Ummi Selema r.anhuma kanë thënë: "E zinte agimi të Dërguarin e All-llahut xhunub, pa parë ëndërr, pastaj agjëronte". (Muttefekun alejhi)
675. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Agjërimi më i vlefshëm pas Ramaza­nit, është në muajin e All-llahut, Muharrem, kurse namazi më i vlef­shëm pas farzeve është namazi i natës". (Muslimi)
676. Muxhibete El-Bahilijete, nga babai i saj ose mixha trans­me­ton se ai (njëri prej tyre) kishte shkuar te Pej­gam­be­ri s.a.v.s., mirëpo kishte munguar një kohë dhe kishte shkuar pas një viti. Gjatë kësaj kohe gjendja e tij kishte ndryshuar dukshëm, dhe ai tha: "O i Dërguari i All-llahut, a më njeh?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ia ktheu: "Kush je ti?" Ky iu përgjigj: "Unë jam Bahiliu, që isha te ti vitin e kaluar". Pej­gam­be­ri s.a.v.s. atëherë i tha: "Ç'të ka ndryshuar, ishe i bukur?" Ky atëherë i tha: "Prej momentit që jam ndarë prej teje, asgjë nuk kam ngrënë ditën, por vetëm natën". I Dërguari i All-llahut i tha: "Ti e ke munduar vetveten!" Pastaj e këshilloi: "Agjëroje muajin e sa­brit (durimit) dhe nga një ditë për çdo muaj!" Njeriu i tha: "Më shto mua sepse unë kam fuqi për agjë­rim!" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ia ktheu: "Agjëro dy ditë!" Bahiliu i tha: "Më shto edhe më shumë!" Pe­j­gam­be­ri s.a.v.s. i tha: "Agjëro tri ditë!" Ai prapë i tha: "Shto!" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. atëherë i tha: "Agjëro prej muajve të mëdhenj: Muharrem, Rexheb, Dhul Ka'de dhe Dhul-hixh-xhe. Pastaj pusho, pastaj agjëro, pastaj pusho, pastaj agjëro dhe pastaj pusho së agjëru­ari!" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. me tre gishtat e vet dha shenjë nga tri ditë".
Muaji i sabrit është muaji i Ramazanit. (Ebu Davudi)
677. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Nuk ka ditë, në të cilën veprat e mira janë më të dashura te All-llahu se sa këto ditë. Ato janë: dhjetë ditët e muajit Dhul-hixh-xhe". Të pranishmit pyetën: "O i Dërguari i All-llahut, e as xhihadi në rrugë të All-llahut?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. u përgjigj: "As xhihadi në rrugë të All-llahut, përveç nëse njeriu del vetë dhe me pasurinë e vet, dhe nuk kthehet me asgjë". (Buhariu)
678. Ebu Katade thotë: "E pyetën as-habët të Dërguarin e All-llahut për agjërimin ditën e Are­fatit, e ai tha: "Agjërimi i Arefes i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që ka ngelur". (Muslimi)
679. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka agjëruar ditën e Ashurasë dhe ka urdhëruar agjërimin e kësaj dite. (Muttefekun alejhi)
680. Ebu Katade r.a. thotë se as-habët e kanë pyetur të Dërguarin e All-llahut për agjërimin e ditës së Ashurasë, e ai ka thënë: "Agjërimi i ditës së Ashurasë i shlyen mëkatet e vitit të kaluar". (Mus­limi)
681. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Nëse mbetem gjallë deri në vitin e ardhshëm, me siguri do ta agjëroj ditën e nëntë të muajit Muharrem". (Muslimi)
682. Ebu Ejjubi r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kush e agjëron Ramazanin, e pastaj e përcjell edhe me gjashtë ditë të muajit Shevval, do të jetë sikur të kishte agjëruar tërë jetën". (Muslimi)
683. Ebu Hurejre r.a. thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Veprat prezentohen ditën e hënë dhe ditën e enjte, andaj dëshiroj që të prezentohet vepra ime duke qenë unë agjërueshëm". (Tirmidhiu thotë: hadith hasen)
Muslimi e përmend këtë por pa fjalën agjërim.
684. Aisheja r.anha thotë: "I Dërguari i All-llahut kujdesej të agjërojë ditën e hënë dhe ditën e enjte". (Muslimi)
685. Ebu Hurejre r.a. thotë: "Miku im s.a.v.s. më ka porositur për tri gjëra: "Agjërimin e tri ditëve për çdo muaj, faljen e dy rekateve të namazit të duhasë dhe faljen e namazit të vitrit para se të shkoj të flejë". (Muttefekun alejhi)
686. Ebu Derdai r.a. thotë: "I dashuri im s.a.v.s. më ka porositur për tri gjëra, të cilat nuk do t'i lë asnjëherë derisa të jem gjallë: Agjërimin e tri ditëve për çdo muaj, faljen e namazit të paradrekës (Salatu-d-Duha), dhe të mos shkoj të fle pa e falur namazin e vitrit". (Muslimi)
687. Ebu Dherri r.a. thotë se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Kur të agjërosh tri ditë për çdo muaj, atëherë agjëro të trem­bëdhjetën, të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën ditë". (Tirmi­dhiu)
688. Ibnu Abbasi r.anhuma thotë: "I Dërguari i All-llahut agjë­ronte e nuk hante gjatë ditëve të bardha, kur qëndronte në shtëpi, e as gjatë udhëtimit". (Nesaiu)
689. Enesi r.a. tregon se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka shkuar te Sa'd ibnu Ubadete dhe ky i ka sjellë bukë dhe vaj, prej së cilës ka ngrënë i Dërguari i All-llahut, e pastaj ka thënë: "Kanë bërë iftar te ju agjë­ruesit, kanë ngrënë te ju të de­votshmit dhe mirëbërësit dhe janë falur për ju melaqet". (Ebu Da­vudi)
690. Ibnu Umeri r.anhuma thotë: "I Dërguari i All-llahut bënte i'tikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan". (Muttefekun alejhi)
691. Aisheja r.anha thotë se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. bënte i'tikaf në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan, derisa ndërroi jetë, pastaj bënin i'tikaf gratë e tij pas vdekjes së tij s.a.v.s.. (Muttefekun alejhi)
All-llahu i Madhëruar thotë:
"Vizita Ka'bes, për hir të All-llahut, për atë që ka mundësi ta marrë këtë udhë ëshë obligim, e kush nuk be­son, ani, All-llahu me siguri nuk është i varur prej askujt". (Ali Imran, 97)
692. Nga Ibni Umeri r. anhuma trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Islami është ngritur mbi pesë (shtylla): dëshminë se nuk ka hyjni tjetër përveç All-lla­hut dhe se Muhammedi është i dërguar i All-llahut, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën Ka'bes dhe agjërimin e Ramaz­anit". (Muttefekun alejhi)
693. Nga Ebu Hurejre trans­me­tohet se ka thënë: I Dërguari i All-llahut na ka mbajtur një hutbe, me ç'rast ka thënë: "O njerëz!, vërtet All-llahu ua ka bërë obligim juve haxhxhin, prandaj kryjeni". Një njeri ka thënë: "A për çdo vit, o i Dërguari i All-llahut?" I Dërguari i All-llahut heshti, kurse ai njeri tri herë e përsëriti pyetjen. Atëherë i Dërguari i All-llahut tha: "Sikur të thosha "po", atëherë sigurisht do të ishte obligim i domosdoshëm për çdo vit, por ju këtë nuk do të mundni". Pastaj ka thënë: "Më lini me atë që u kam lënë juve, sepse para jush shumë kanë pësuar për shkak të pyetjeve të shumta dhe për shkak të kundërvënies pej­gam­berëve të tyre. Kur t'ju urdhëroj diç, atëherë atë kryene, nëse keni mundësi, por kur t'ju ndaloj diç, atëherë atë lëreni!" (Muslimi)
694. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut ka thënë: "Mëkatet e vogla të bëra ndërmjet dy umreve janë të falura. Kurse për haxhxhin e pranuar, nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhennetit". (Muttefekun alejhi)
695. Nga Aisheja r. anha trans­me­tohet se ka thënë: "I kam thënë: "O i Dërguari i All-llahut, xhihadin e konsiderojmë si vepër më të mirë, andaj a nuk do të bëjmë xhi­had?" (Muhammedi s.a.v.s.) ka thënë: "Vërtet për ju xhihadi më i vlefshëm është haxhxhi i pranuar". (Buhariu)
696. Nga Aisheja r. anha trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Nuk ka ditë në të cilën All-llahu liron robër më shumë nga zjarri, se në ditën e Arefatit". (Muslimi)
697. Nga Ibni Abbasi r. anhuma trans­me­tohet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "Një umre në Ramazan është e barabartë me një haxhxh apo me një haxhxh me mua". (Muttefekun alejhi)
698. Nga Ibni Abbasi r. anhuma trans­me­tohet se një grua tha: "O i Dërguari i All-llahut, vërtet ob­ligimi i All-llahut ndaj robërve të tij me haxhxh e ka arritur babain tim plak me pleqëri të thellë, sa nuk mund të qëndrojë në mjetin e tij transportues, prandaj a mund ta kryej unë haxhxhin për të?" (Muhammedi s.a.v.s.) ka thënë: "Po!" (Muttefekun alejhi)
699. Nga Lekit b. Amiri r.a. trans­me­tohet se ai ka ardhur te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. dhe ka thënë: Vërtet babai im është plak i shtyer në moshë, nuk mund ta kryejë haxhxhin, umren e as të udhëtojë. (Pej­gam­be­ri s.a.v.s.) ka thënë: "Kryeje për të haxhxhin dhe um­ren". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen sahih)
700. Nga Saib b. Jezidi r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "Mua më kanë dërguar në haxhxh me të dër­guarin e All-llahut s.a.v.s. në haxhxhin lamtumirës, kur unë kam pasur shtatë vjet". (Buhariu)
701. Nga Enese r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "I Dërguari i All-lla­hut s.a.v.s. e ka kryer haxhxhin në samarin e kafshës ngarkuese me rroba e ushqim". (Buhariu)
All-llahu xh.sh. ka thënë:
"Numri i muajve të All-llahut është dymbëdhjetë, në Librin e All-llahut, prej ditës që krijoi qiejt dhe tokën, e nga këta, katër janë të she­njtë. Ajo është fe e qën­drueshme. Në këto mos bëni mëkate dhe luftoni kundër idhujtarëve, pa përjashtim, siç luftojnë ata të gjithë kundër jush, dhe ta dini se All-llahu është në anën e atyre, të cilët i frikohen All-llahut". (et-Tewbe. 36)
"Ju caktohet lufta (ju ngarkohet si detyrë) edhe pse e urreni atë. Ju ndoshta urreni ndonjë gjë, por ajo është e mirë për ju, ndoshta dëshi­roni diçka që është e keqe për ju. All-llahu e di, por ju nuk e dini". (el-Bekare, 216)
"Dilni në luftë, qofshi të dobët a të fortë, dhe luftoni për hir të All-llahut me mish e me shpirt. Nëse e dini, kjo është më mirë". (et-Tewbe, 41)
"All-llahu ka blerë nga be­simtarët shpritrat dhe pasuritë e tyre me Xhennet - ata do të luftojnë për hir të All-llahut dhe do të vrasin e do të vriten. Ai këtë ua ka premtuar me siguri në Tevrat dhe Inxhil edhe në Kur'an - pra, kush i plotëson premtimet e veta më mirë se All-llahu? Pandaj gëzojuni pazarllëkut që e keni bërë me Të, Ai është shumë i madh". (et-Tewbe, 111)
"Besimtarët të cilët nuk luftojnë - përveç atyre që janë të paaftë për luftë - nuk janë të barabartë me ata që luftojnë në rrugë të All-lla­hut me pasigurinë dhe jetën e vet. Ata që luftojnë, te All-llahu janë në shkallë më të lartë. All-llahu të gjithëve u ka premtuar mirësi. All-llahu do t'u japë luftëtarëve, jo atyre që nuk luftojnë, shpërblim të madh. Shpër­blime të larta prej Tij dhe falje e mëshirë. - All-llahu është shumë i mëshirshëm dhe fal". (en-Nisa, 95 dhe 96)
"O besimtarë! A doni t'ju udhëzoj në një tregti që do t'ju shpëtojë nga vuajtja e dhembshme". (es-Saff, 10)
Ajetet kur'anore për këtë temë janë të shumta dhe të njohura. Sa u përket haditheve për vlerën e xhi­hadit, ato janë më shumë se ato që do t'i përmendim, sikur që vijojnë:
702. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se ka thënë: Është pyetur i Dërguari i All-llahut, cila vepër është më e vlefshme? Ka thënë: "Besimi në All-llahun dhe në të Dërguarin e Tij". I është thënë: "Pastaj cila është?" Ka thënë. "Xhihadi në rrugën e All-llahut". I është thënë: "Pastaj cila është?" Ka thënë: "Haxhxhi i pranuar". (Muttefekun alejhi)
703. Nga Ebu Dherri r.a. trans­me­tohet se ka thënë: I kam thënë: "O i Dërguari i All-llahut, cila vepër është më e vlefshme?" Tha: "Besimi në All-llahun dhe xhihadi në rrugën e All-llahut". (Mutte­fekun alejhi)
704. Nga Enesi r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Një ecje e mëngjesit apo një ecje e mbrëmjes në rrugën e All-llahut është më e mirë se bota dhe çdo gjë në të". (Muttefekun alejhi)
705. Nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. trans­me­tohet se ka thënë: Erdhi një njeri te i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe tha: "Cilët njerëz janë më të vlefshëm?" Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: "(Njeriu më i vlefshëm është) besimtari që lufton me shpirtin e pasurinë e tij në rrugën e All-llahut". (Ai njeriu atëherë) ka thënë: "Pastaj kush?" Ka thënë: "Pastaj besimtari që në njërën prej luginave kodrinore e adhuron All-llahun, duke i braktisur njerëzit për shkak të sherrit të tij (që mund ta kaplojë prej tyre)". (Muttefekun alejhi)
706. Nga Sehl b. sa'di r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Qëndrimi njëditor në rrugën e All-llahut është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të. Një vend i juaj në Xhennet është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të. Qëndrimi njëmbrëmësh apo njëditor i robit në rrugën e All-llahut të Madhëruar është më i vlefshëm se bota dhe çdo gjë në të". (Muttefekun alejhi)
707. Nga Selmani r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Qëndrimi njëditor apo njënatësh në fushëbetejë është më i mirë se agjërimi mujor dhe falja në të. Nëse luftëtari vdes në fushëbetejë, do të shpërblehet për veprat të cilat do t'i bënte gjatë luftës, dhe do të shpërblehet për punën e tij rreth furnizimit dhe do të sigurohet nga sprovat e varrit". (Muslimi)
708. Nga Uthmani r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë: "Qëndrimi njëditor në rrugën e All-llahut është më i mirë se një mijë ditë tjera shtëpiake". (Tirmidhiu thotë se ky është hadith hasen sahih)
709. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Çdo i plagosur që është plagosur në rrugën e All-llahut do të vijë Ditën e Gjykimit duke i rrjedhë plaga e tij gjak: gjaku i plagës do të jetë në ngjyrë të gja­kut kurse aroma e tij do të jetë aroma e miskut". (Muttefekun alejhi)
710. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "Kaloi një shok i të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. nëpër një grykë (mali) ku ishte një burim i vogël uji të ëm­bël, që i pëlqeu, dhe tha: "Sikur të izolohesha nga njerëzit dhe të ven­dosesha në këtë grykë, por këtë kurrë nuk do ta bëj derisa nuk më lejon i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., prej të cilit do të kërkoj leje". Ia tha këtë të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. e ai i tha: "Mos e bëj atë, sepse qëndrimi i njërit nga ju në rrugën e All-llahut është më i vlefshëm nga namazi i tij në shtëpinë e tij shtatëdhjetë vjet. A nuk dëshironi ju që All-llahu t'ju falë dhe t'ju futë në Xhennet. Luftoni në rrugën e All-llahut, sepse kush lufton në rrugën e All-llahut aq sa është koha ndërmjet dy mjeljeve të deves, për të është i sigurt Xhenneti". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen)
711. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "I është thënë: "O i Dërguari i All-llahut, ç'është e barabartë me xhihadin në rrugën e All-llahut?" (Pej­gam­be­ri s.a.v.s.) ka thënë. "Ju këtë nuk mund ta bëni". Të pranishmit edhe dy apo tri herë janë drejtuar me këtë pyetje, kurse Pej­gam­be­ri s.a.v.s. çdo herë u përgjigjej duke thënë. "Ju këtë nuk mund ta bëni!" E pastaj ka thënë: "Shembuli i muxhahidit në rrugën e All-llahut është sikur shembulli i agjëruesit dhe falësit i cili në tërësi u nënshtrohet ajeteve të All-llahut, nuk pushon të falet, as të agjërojë derisa nuk kthehet muxhahidi nga rruga e All-llahut". (Muttefekun alejhi. Ky citat është sipas Mus­limit)
Kurse sipas transmetimit të Buhariut: "Një njeri tha: "O i Dërguari i All-llahut, më udhëzo mua në një vepër të barabartë me xhihadin". (Pej­gam­be­ri s.a.v.s.) ka thënë: "Unë nuk mund ta gjejë!" Pastaj ka thënë: "A mundesh ti, kur të shkojë muxhahidi (në luftë), të hyshë në mesxhidin tënd, dhe të falesh pa ndër­prerje dhe të agjërosh pa ndërprerje?" Pastaj ka thënë: "E kush mundet kështu?"
712. Nga Ebu Abs Abdurrahman b. Xhebri r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Nuk ka të ngjarë që këmbët e një robi të pluhurosen në rrugë ta All-llahut e pastaj ta prek zjarri!" (Buhariu)
713. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Asnjë njeri nuk do të hedhet në zjarr, i cili ka qarë nga frika prej All-llahut vetëm po të kthehet qumështi (që e ka pirë) në sisën e vet, as që do të bashkohet te një rob pluhuri i marrë në rrugë të All-llahut me tymin e Xhehennemit". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen sa­hih)
714. Nga Ibni Abbasi r.anhuma trans­me­tohet se ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: "Dy sy nuk do t'i përshkojë zjarri: Syri që qau nga frika prej All-llahut dhe syri që vëzhgoi në rrugë të All-llahut". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen)
715. Nga Zejd b. Halid r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Kush e përgatit me përgatitje një luftëtar në rrugën e All-llahut, edhe ai është luftëtar, kurse kush kujdeset dhe e furnizon me të mira familjen e luftëtarit gjatë mungesës së tij, po ashtu është luftëtar". (Mutte­fekun alejhi)
716. Nga Ebu Umame r.a. trans­me­tohet se ka thënë: "I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: "Sadaka më e mirë është hija e çadrës në rrugën e All-llahut, ose dhënia e deves në shërbim në rrugën e All-llahut ose të një ati (a pele fisnike) në rrugë të All-llahut". (Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen sahih)
717. Nga Enesi r.a. trans­me­tohet se një djalosh prej fisit Esleme ka thënë: "O i Dërguari i All-llahut, unë vërtet dua të luftoj në rrugën e All-llahut, por nuk kam me çka të përgatitem për luftë". (Pej­gam­be­ri s.a.v.s.) i ka thënë: "Shko te filani, sepse ai është përgatitur për luftë, por është sëmurë". Djaloshi erdhi te luftëtari i sëmurë dhe i tha: "Të ka bërë selam i Dërguari i All-lla­hut dhe ka thënë të më japish për­gatitjen tënde luftarake. Njeriu tha: "Oj filane (shërbëtores vër. përk.), jepja krejt çka kam përgatitur dhe mos mbaj asgjë. Pasha All-llahun, mos lë asgjë prej tyre, që edhe ti të kesh bereqet në përgatitje". (Mus­limi)
718. Nga Ebu Se'id el-Hudrij r.a. trans­me­tohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i ka dërguar me­sazh Beni Lahjanit: "Çdo dy veta le të dërgojnë një, kurse shpër­blimi u ndahet të dyve". (Muslimi)
Në një transmetim tjetër të tij hadithi është: "Le të dalë në radhët luftarake nga çdo dy veta njëri". E pastaj i tha njërit që pat mbetur në shtëpi: "Kushdo nga ju që kujdeset për familjen dhe pasurinë e atij q&


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?