Një plak, i shtyrë në moshë, gjendej i shtrirë në shtratin e vdekjes. Rreth tij ishin mbledhur anëtarët e familjes, të afërmit dhe miqtë.

Momentet e fundit të jetës … qimet e bardha ia kishin mbuluar kokën, shenjat e pleqërisë vëreheshin dukshëm, por në fytyrë ishte i përmbajtur.
Të gjithë rreth tij shikonin me kujdes dhe vëmendje. Plaku filloi të flasë:
-O bijtë e mi! Kur i mbusha të njëzetat, kisha ambicie, aspirata dhe synime të mëdha. Ato ishin gjithëpërfshirëse, synoja të ndryshoja për së miri tërë dynjanë (botën), të bëja një përmirësim të shkëlqyer. Këto ishin ëndrrat e mia! Kaluan vitet, i bëra njëzet e një, njëzet e dy, njëzet e tre… arrita në të tridhjetat. Kështu e pashë veten se gjatë kësaj periudhe kohore vetëm kisha menduar, por asgjë nuk kisha ndryshuar. Synimi për të ndryshuar botën është një gjë e vështirë, prandaj nga ky moment vendosa të reformoja vendin ku jetoja. Patjetër mendoja që duhet të kontribuoja për vendin tim duke e transformuar në një gjendje më të favorshme. Kështu dëshirat filluan të zbehen dalëngadalë, vit pas viti. Tridhjetë e një, tridhjetë e dy, tridhjetë e tre… dhe i bëra dyzet vite. Vërtet me keqardhje po them se prapë asgjë nuk arrita të bëja, vërejta se ishte e vështirë. Vendosa të përqendrohesha vetëm në qytetin ku jetoja, së paku këtu t’i realizoja ëndrrat e mia. Për çudi, vitet shkonin: dyzet e një, dyzet e dy, dyzet e tre ... dhe i plotësova pesëdhjetë vite, por përsëri nuk arrita të realizoja asgjë dhe të bëj ndonjë ndryshim. Kështu, duke parë veten pa rezultate, vendosa ta jepja kontributin tim në një nivel më të vogël dhe zgjodha lagjen ku banoja, me shpresë se këtu do ta arrija qëllimin. Dhe një ditë i mbusha gjashtëdhjetë vite! Përsëri, shumë me keqardhje duhet të them se nuk arrita ta përmirësoj dhe ta ndryshoj as lagjen time. Vendosa të ndryshoj shtëpinë time, anëtarët e familjes sime. Fillova të veproj në këtë drejtim, shkoi një vit, dy, tre dhe i mbusha shtatëdhjetë vite, e përsëri nuk arrita ta përmirësoj dhe ta ndryshoj as familjen time. Nuk pata sukses dhe dështova në të gjitha rastet. Vallë! Ku është problemi? I mbusha të shtatëdhjetat dhe tani gjendem në shtratin e vdekjes. Tash e mësova arsyen e dështimit në të gjitha këto përpjekje. Ishte e nevojshme dhe parësore që unë të filloj së pari nga vetja, ta përmirësoj veten. Po qe se nuk ndryshon veten, assesi nuk ke mundësi të ndikosh tek të tjerët. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” Po të më japë Allahu jetë edhe dhjetë vite, që nga ky çast do të filloja ta përmirësoja veten dhe jam më se i bindur se kur do ta arrija këtë, do të kisha mundësi të ndikoj dhe ta përmirësoj familjen time, lagjen ku banoj, qytetin dhe vendin tim.
Kur Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, filloi komunikimin e mesazhit islam, filloi nga vetja dhe më pas e zgjeroi shtrirjen e udhëzimit.


Artikulli i kaluar
Nxënësit dhe tullumbacet
Artikulli radhës
Tregim për lapsin dhe gomën