Kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij, vizitoi sot Këshillin e Bashkësisë Islame të Gjakovës.
Gjatë takimit me anëtarët e Këshillit, Myftiu Tërnava diskutoi rreth punës dhe angazhimit të këtij Këshilli gjatë kohës së pandemisë, por në përgjithësi gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
Myftiu Tërnava nuk la pa përmendur angazhimin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, dega në Gjakovë e cila ishte mjaft aktive gjatë muajit të Ramazanit, por edhe gjatë periudhës së pandemisë. Falënderim të veçantë iu dha koordinatorit të degës së Bereqetit në Gjakovë, Abdurrahman Bejtullahut i cili përveç ndihmave me pako ushqimore arriti që falë donatorëve t’ia siguroj banesën një familje në nevojë.
“Dëshiroj të falënderoj Këshillin e Bashkësisë Islame të Gjakovës, e në veçanti aktivistët e Shoqatës Bereqeti dega në Gjakovë bashkë me koordinatorin Abdurrahman Bejtullahun, që kanë qenë në krye të detyrës, dhe përkundër punës së madhe që kanë bërë përmes aksionit Sofra e Ramazanit, kanë arritur që të sigurojnë një banesë për një familje në nevojë”, tha Myftiu Tërnava.
Gjatë takimit u diskutuan edhe një sërë problemesh dhe sfidash që ballafaqohet këshilli, si dhe për mundësitë që të tejkalohen sa më lehtë, në të mirë të gjithë besimtarëve të këtij vendi.