Nën hijen e pandemisë, haxhilerët arrijnë në Mina

Haxhilerët e ardhshëm mbërritën në Mina nën hijen e masave emergjente të marra për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency.

Haxhilerët mbërritën në Mina duke respektuar rregullin e distancës sociale të përcaktuar në masat e marra për të luftuar virusin, raportoi agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA.

Haxhilerët do ta kalojnë natën në Mina, ndërsa nesër në mëngjes do të nisen për në Arafat.

Muhamed al-Abdulali, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se të gjithë haxhilerët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai konfirmoi se asnjë rast me koronavirus nuk është raportuar në mesin e haxhilerëve.

Ndryshe, autoritetet në Arabinë Saudite kanë karantinuar haxhilerët për pesë ditë në hotelet e tyre në Meke para kryerjes së Haxhit, si pjesë e masave kundër COVID-19.

Për shkak të pandemisë, Arabia Saudite ka vendosur që Haxhi këtë vit të kryhet vetëm nga personat që jetojnë në Arabinë Saudite, duke mos pranuar haxhilerë nga jashtë.

Në vitet e mëparshme, haxhi kryhej nga 2,5 milionë njerëz nga vende të ndryshme të botës, ndërsa këtë vit ky numër është i kufizuar në 10.000.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë