Brunilda Basha
Të qenit kreativ që në vegjëli ndihmon individin të ballafaqojë më lehtë situatat dhe të ketë larmishmëri zgjidhjesh së problemeve që mund të hasë në jetë. Të nxisësh krijimtarinë tek individi s’do të thotë domosdoshmërisht të ndjekësh profesonin e artistit,e as të bëhesh artist i famshëm. Krijimtaria zhvillon nivelin kuptimor, shoqëror dhe emocional. “Nëpërmjet eksplorimit të artit shumë probleme mund të kenë një numër të madh zgjidhjesh”- thotë Mary Ann F.Kohl. Njëkohësisht pedagogë të Universitetit të Michiganit arritën në të njëjtën përfundim pas një studimi mbi lidhjen e studimit të artit nga fëmitë në moshë të vogël dhe suksesit që do kenë në jëtë më vonë. Sipas analizës së tyre, fëmijët të cilët janë të ekspozuar ndaj një shumëllojshmërie të gjerë të artit dhe veprave artizanale janë më të prirë për të krijuar shpikje të veçanta në të ardhmen, janë më të prirur të kenë ide origjinale dhe të veçanta për krijimin e kompanive apo brandeve të ndryshme dhe të jenë më kritik në çdo fushë. Kjo pasi ata janë në gjendje të mendojnë “Out of the Box”-(jashtë margjinave).
Disa nga arsyet pse artet janë të rëndësishme në zhvillimin e fëmijëve janë:
Arti promovon kreativitetin. Nëse fëmijës i kërkohet të interpretojë një pjesës sipas mënyrës së tij, të shprehë botën nëpërmjet penelit nxit praktikimin e përdorimit të trurit në mënyrë kreative dhe kjo aftësi do e shoqërojë tërë jetën.
Arti stimulon vetbesimin . Lejimi i fëmijës të explorojë me idetë e tij, të shprehë ndjenjat siç i ndjen pa e kritikuar, të varësh në mur një pikturë të tij e ndihmon atë të ndërtojë besim tek aftësitë që posedon dhe të mos ketë ndrojë ti shfaqë dhe në të ardhmen.
Arti aftëson fëmijët në zgjidhjen e problemeve. Arti në vetvete krijon mundësi interpretimi, vendimesh, zgjedhjesh. Fëmitë ndihen më rehat kur ajo çfarë zgjedhin është fleksibël dhe ka disa opsione.
Ndihmon në kuptimin e vetes dhe botës së tyre. Fëmijët janë thithës të çdo gjëje që i rrethon. Ata mësojnë nga eksperiencat, nga çfarë shohin e dëgjojnë. Lëvizjet, figurat, ngjyrat dhe imagjinata e fëmijëve i ndihmon të shprehin vetveten në mënyra shumëdimensionale të cilat mund të jenë më të rehatshme për to sesa fjalët.
Ndihmon fëmitë të kenë ndërveprim dhe bashkëpunim me njëri tjetrin. Disa lloje artesh kanë në thelb bashkëpunimin, psh: teatri, apo vallja, apo dhe punimet artistike në grup. Kjo i ndihmon fëmijët të jenë më shoqërues dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.
I ndihmon të jenë të përqendruar dhe të dedikuar ndaj diçkaje.Shumë studime tregojnë se kjo aftësi e fokusimit i ndihmon të jenë të përqëndruar dhe në sfera të tjera të jetës.
I ndihmon të ndërtojnë aftësinë e shkrimit. Fëmijët fillojnë të shkruajnë si fillim nëpërmjet zhgarravinave, por me kalimin e kohës ata janë të gjendje të kontrollojnë më mirë lapsin, ngjyrat, lëvizjen e dorës, deri në mësimin e shkrim këndimit.
Mënyra si të ndërtojmë një ambjent të rehatshëm për fëmijët që të mund të shpalosin idetë e tyre.
Mos kini frikë ta lini vendin rrëmujë. Mund të vendosni për një zonë të shtëpisë ku fëmija do jëtë i lirë ta përdorë si të dëshirojë dhe të mos ketë frikë të eksperimentojë.
Mundësojini të kenë mjete arti apo kinkalerie rreth e rrotull si lapsa, ngjyra, plastelinë, letra me ngjyra.
Ekspozojini punimet e fëmisë, komplimentojeni për çdo vizatim të tij/saj dhe mos e kritikoni duke e mësuar si të krijojë një punim perfekt. Lëreni të lirë dhe bëjeni të kuptojë se ajo ç’ka arritën ata është mjaftueshëm.
Dilni shëtitje nëpër vende ku manifestohet arti si muzeum, qëndra kulturore, teatër, nëpër rrugë e parqe.
Mundësojini libra të cilat lidhen me artin, libra me figura, me numra, më ngjitëse apo libra ngjyrosje.
Bashkëpuno me të gjatë proçesit të krijimit të artit. Pyete pse ka zgjedhur atë ngjyrë, atë formë apo vizatim, çfarë dëshiron të shprehë, etj.
Së fundmi, arti është i domosdoshëm në çdo aspekt të zhvillimit të njeriut. Ai ndihmon në zhvillimin mendor, në zgjidhjen e problemeve, dhe shpesh mund të përdoret si metode efikase për të mësuar lëndët e tjera si matematika dhe shkenca. Shpesh arti ndihmon dhe në kontrollin e ndjenjave të fëmijëve, i ndihmon ata të kuptojnë më mirë botën emocionale që i rrethon. Nga ana tjetër, arti është burim i së bukurës i cili mbart vlera estetike të cilat na bëjnë të kuptojmë dhe shijojmë më shumë mjedisin krijues rreth nesh.
Autorja është Arkitekte dhe studion doktoraturë në Stamboll, Turqi. Është e specializuar në Restaurimin dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitekturore.