Fëmijët dhe bota e librave

Lidhja me librat në ditët e sotme është një nga të paktat gjëra të mira, që mund të ketë njeriu në jetën e tij. Duam apo nuk duam ne, me apo pa dëshirën tonë, shumë syresh janë larguar paqshëm nga të kredhurit mes rreshtave të librave. Është një ngjarje e cila, edhe pse duhej shmangur, vazhdon të rëndohet gjithmonë e më tepër. E megjithatë, për fat të mirë kemi ende njerëz që lidhjen me librin nuk e braktisin as në këto kohë, kur të lexuarit mund të konsiderohet deri edhe marrëzi.
Kjo pjesë meriton të vlerësohet për kurajon që tregon përkundrejt, magjisë së teknologjisë, duke mos lejuar vjedhjen e kohës nga kjo e fundit.
Në mos herët vonë, secili do të mbërrijë në një moment të jetës, ku i duhet të ketë mbi supe jo thjesht përgjegjësinë mbi vetveten, por edhe përgjegjësi të tjera që lidhen me formimin e familjes. Këto përgjegjësi janë të pashmangshme dhe si të tilla duhen përmbushur e realizuar me seriozitet.
Ardhja në jetë e pasardhësve nuk është thjesht pjesë e kënaqësive që njeriu merr nga jeta. Ardhja e pasardhësve është një sfidë e madhe dhe një përgjegjësi, e cila nuk mund të reduktohet vetëm me plotësimin e nevojave bazë jetësore nga pikëpamja biologjike. Edukimi i tyre është dhe mbetet përgjegjësia kryesore e një familje.
Nëse do të ndaleshim në ditët që jetojmë për të soditur sesi edukohet sot një fëmijë, natyrisht që nuk do të kishim një panoramë shpresëdhënëse, nuk do të kishim një panoramë të asaj që do të donim të ishte realisht në realizimin e kësaj përgjegjësie të madhe. Por, pavarësisht se kjo përgjegjësi realizohet jo me seriozitetin e duhur, koha rrjedh dhe në qoftë se pasardhësit nuk do të jenë edukuar që nga vogëlia me frymën e së vërtetës, rreziku i deformimit të tyre nga vorbullat e zhvillimeve shoqërore do të jetë mëse i pranishëm.
Por a mund të jemi gjithmonë të sigurt se, nëse u ofrojmë një model që frymon sipas parimeve të së vërtetës, do të jenë të sigurt nga mosprekja nga vorbullat e zhvillimeve shoqërore?
Në këtë jetë nuk mund të jesh asnjëherë i sigurt në mënyrë përfundimtare mbi përfundimin e çështjeve, dhe rrjedhimisht nuk mund të jesh i sigurt, edhe për faktin që përtej edukimit që mund t’u japësh pasardhësve, ata do të jenë të sigurt nga mosprekja e vorbullave shoqërore. Detyra jonë themelore është që nën frymën e së vërtetës, t’u dëftojmë horizontin ku duhet të mbërrijnë si dhe shenjat që i dërgojnë tek ky horizont, sepse ne nuk mund të jemi mbizotërues të fatit tonë.
Dhe për ta realizuar këtë përgjegjësi, ata që janë prindër si dhe ata që do të jenë prindër, duhet të bëjnë të mundur, sipas mundësive dhe rrethanave ku ndodhen, që pasardhësit e tyre të kenë një kontakt të hershëm me librin, pavarësisht se janë në moshë të vogël e nuk mund të lexojnë. Kjo nuk do të thotë që të mjaftohemi me faktin që fëmija thjesht të prekë apo të mbajë në dorë ndonjë libër. Kjo do të thotë që vetë prindi duhet të gjejë kohë për t’i lexuar fëmijës libra, sepse fëmijët janë dëgjues shumë të mirë, si dhe kuptues të mirë, pavarësisht së të rriturit e shohin me dyshim, për të mos thënë të pamundur, aftësinë dëgjuese dhe kuptuese të fëmijëve.
Nëse do të ankoheshim se nuk kemi kohë t’u lexojmë fëmijëve para gjumit disa faqe libër, atëherë si e gjejmë kohën për të parë një film, ndeshje sporti, telenovelë, madje së bashku me fëmijët? Koha nuk mungon, as librat e mirë nuk mungojnë. Ajo çfarë na mungon është moskuptimi i duhur i përgjegjësisë së të paturit pasardhës.
Nuk mund të tolerojmë që të sillemi më fëmijët si shumë syresh që thonë se le të bëhet siç bëhen të gjithë. Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi kësaj mendësie, pasi dihet fare mirë se në anën e kujt gjërave ka qënë historikisht shoqëria njerëzore. A mund të pranojmë të shkrihemi e të përnjështohemi me masën, me turmën?
Për të mos u përfshirë nga ky rrezik, nevojitet punë e vazhdueshme me fëmijën qysh kur është ende i vogël, pikërisht duke i lexuar çdo natë disa faqe libër. Argëtimi, shoqëria nuk mund të jenë më të rëndësishëm se fëmija yt. Natyrisht që jo çdo libër do të ishte i përshtatshëm për t’ia lexuar. Librat që janë bazikë, tërheqës për veshin dhe botën e fëmijës, libra që përcjellin mësime morale, libra që rrëfejnë për heronj që marrin vendime të rëndësishme në çaste të caktuara të jetës, do të ishin disa nga dritaret prej nga ku ne duam që drita e diellit të hyjë në zemrën e fëmijës.
Natyrisht që këtu nuk duhet harruar as libri i librave, madje ai është më i rëndësishmi mbi të njohurit e frymës së mënyrës të të jetuarit. Të mos ankohet asnjë prind për mungesë kohe, për t’u angazhaur me fëmijën e tij në këtë sferë, pasiqë ky është një investim, frytet e të cilit do të vilen shumë kohë më pas dhe askujt nuk do t’i vinte mirë që të vilte fryte të hidhura.
Po kështu prindi duhet të kujdeset që të rrënjosë tek fëmija dashurinë për librin edhe nëpërmjet krijimit të një biblioteke, qoftë edhe të vogël, në mjediset shtëpiake, edhe nëpërmjet mirëmbajtjes së librave që mund të ketë një familje.
Leximi i vazhdueshëm për fëmijën, krijimi i bibliotekës dhe farkëtimi i lidhjes së përhershme me librin, çdo ditë nga pak, janë detyra dhe përgjegjësi themelore për çdokënd që është apo do të jetë prind. Ky do të jetë një nga shërbimet e mëdha që do të kryejmë për pasardhësit, duke mos harruar që vazhdimisht të kërkojmë t’u dhurohet ajo çfarë është më e mirë dhe më e lartë, si dhe ajo çfarë është më e mirë për mënyrën e tyre të të jetuarit.



Nuredin Nazarko
Revista Etika 99