Ka disa ditë që kam pranuar ftesën për të bërë një përshkrim lidhur me ndiesinë dhe përjetimet e mia për vënien e mbulesës. U ndieva shumë mirë dhe jashtzakonisht e nderuar, natyrisht.
Nuk e di, ndoshta diku përmes shkrimeve të mia, i paskam dhënë shpresë se mund të bëjë një përshkrim të bukur.
Nga përshkrimi i bukur, po mendoj është fjala për të lënë mbresa, për t'i emocionuar lexuesit tek bëj bartjen e porosisë së çiltër të vetë mbulesës, për t'i “mahnitur” ata që e morën guximin të njihen nga afër me këtë ndiesi dhe tani gjenden duke lexuar në vazhdim.
Realisht, ka kohë që kam dashur të bëj një përmbledhje emocionesh e ta mbaj për veten time, një përmbledhje emocionesh ku do t'i vizatoja ato me shkronja, mirëpo ishte e pamundur të ulem e të transmetoj te duart e mia, atë që e ndieu zemra aq gjatë, aq fort dhe aq bindshëm. Prandaj, edhe kësaj here që vendosa të shkruaj, ju paralajmëroj edhe juve të mos prisni se do të lexoni ndonjë përshkrim magjik të asaj që mund vetëm të ndiehet dhe mbyllet po aty, në zemër. Mbyllet po aty, për t'u ndierë pastaj vetëm nga tjetra që e përjeton vet.
Të kthehesh me kujtime aty nga ku ka filluar çdo gjë, jo vetëm që të bën të jesh mirënjohëse për rezultatin, por të dhuron ndiesi që kurrë syri nuk i ka parë dhe as veshi nuk i ka dëgjuar.
Si gati një shumicë e vajzave në vendin tonë, edhe unë u rrita në një familje myslimane me emër, por e mangët në praktikën islame. Përgjatë rritjes sime, herë pas here e kujtoja se si fëmijë ndonjëherë e vendosja një shami në kokë për ta falenderuar dhe për t'i bërë lutje Zotit që të më dhuroj të mira nga begatitë e Tij. Ato kujtime të ëmbla kishin zënë vend të rëndësishëm në zemrën time, dhe po i ruaja me dashuri që një ditë t'i zbuloja e t'i shijoja si atëherë.
Gjatë luftës, babai im ishte zënë rob nga policia serbe, me ç’rast unë dhe gjithë familja po e vuanim shumë mungesën e tij duke mos ditur se a ishte gjallë. Fatmirësisht ai gjallë ishte, por i torturuar në burgjet serbe deri në alivanosje. Pas përfundimit të luftës, gjersa babai ishte akoma në burg në Serbi, duke qenë se edhe kishim nevojë materiale, shtëpinë tonë për disa javë e goditën me qira, disa misionarë të krishterë amerikanë. Lutjet e sinqerta grupore që ata bënin për lirimin e babait tim dhe në praninë tonë, ishin jashtzakonisht nxitëse për ta ndierë besimin në Zot, në shpirt. Shpesh bisedonim dhe bënim krahasime mes dy religjioneve. Unë, tani turpërohem të them, por s'kisha shumë njohuri të detajuara rreth Islamit. E dija veç aq sa për të thënë jam myslimane. Megjithatë, kujtimet e mia të fëmijërisë ishin aq të forta, aq të qëndrueshme, saqë nuk lanë asnjë mundësi për ta shkëmbyer ndonjë besim tjetër me Njëshmërinë e Tij. Në shpirt ndieva nevojën për ta njohur Zotin tim dhe për ta ngjallur e forcuar akoma më shumë ëmbëlsinë e besimit.
Në kërkim e sipër, përgjatë disa viteve, duke e ushqyer çdo qelizë të shpirtit tim me mirësitë që sjellte besimi, arrita në një shkallë kur isha e gatshme edhe ta kurorëzoj atë me mbulesën e dukshme. Mirëpo, duke qenë se do të bëheshte një ndryshim mjaft i madh, shkova me hapa të ngadaltë, por të sigurt. Nuk desha që vendimi im të gjejë një hapësirë për të ngecur, nuk doja që vendimi im të mos përputhet dikund e të mos balancohet me të brendshmën time. Ishte një vendim jo shumë i lehtë, por për ta realizuar erdhi aq urtë, aq butë, aq këndshëm dhe u lëshua në shpirtin tim, si një copë fjolle që bie mbi një lule të qëndrueshme ndaj acarit dhe e shkrinë atë duke e përvetësuar tërësisht.
Kisha disa vite që po njoftohesha me mirësitë dhe begatitë e Islamit, duke pritur edhe momentin e duhur për ta kurorëzuar besimin e shpirtit.
Ishte ditë tetori, si kjo e sotit, data 10, ditë e premte, kur pas një sprove me të cilën na sfidoi Allahu, vendosa që besimin tim, përveç me gojë, me zemër, ta dëshmoja edhe me dukje.
Mbulesa ngjyrë e kaltër që kisha mbi supe, lehtas mori pozicionimin mbi kokën time dhe supet që prisnin me padurim ta përqafonin dhe ndjenin nga afër butësinë e mbulesës.
Ishte ndiesia më e këndshme, më e natyrshme, më e dashur që ia bëra vetes dhuratë, për ta gëzuar çdo qelizë të shpirtit tim.
Sot, bëhen 12 vite që kur ne të dyja bashkëjetojmë duke e forcuar dhe inkurajuar njëra-tjetrën për të vazhduar tutje fuqishëm.
Sot bëhen 12 vite, që kur mbulesa ime përveç tjerash më shoqëron në momente të krenarisë, në momente të lodhjes, të pushimit, të argëtimit, të kënaqësisë, të freskisë e ngrohtësisë. U bënë 12 vite që kur ne të dyja ecim pa nda dhe vallëzojmë duke mos ia lëshuar “dorën” njëra-tjetres.
Fitesa Asllani Ibrahimi
World Hijab Day Kosovo