Dimensioni kohor nga aspekti kuranor e shkencor

All-llahu i Madhërishëm, Krijuesi ynë, i përsosur në Lartmadhërinë e Tij, i pafund dhe i pakohë në ekzistencën e Tij, betohet në kohën:

“Pasha kohën!
Nuk ka dyshim se njeriu është
në një humbje të sigurt.
Me përjashtim të atyre që besuan,
që bënë vepra të mira, që porositën,
njëri-tjetrin t’i përmbahen të
vërtetës dhe që këshilluan njëri-
tjetrin të jenë të durueshëm” (El Asr, 1-3)

Vërtetë duhet kohë e madhe të mendosh për këtë term Kur’anor, rëndësinë e saj në relacionet kozmike, rëndësinë e saj në relacionet e kësaj bote si dhe në ekzistencën njerëzore të përditshme.
Shkencëtarët e shekullit njëzet, kohën e kanë karakterizuar si dimension të katërt dhe në shqyrtimet shkencore e kanë treguar si parametër i cili hynë gati në të gjitha analizat si dhe një faktor kyç i cili lidhë të gjitha ndryshimet në gjendjet dhe fenomenet e ndryshme.
Koha është një madhësi e pa prekshme, e matur me ndryshimet e pozitës së materies në hapësirë. Për t’u orientuar në hapësirën materiale, në krahasim me relacionet tokësore, njeriu e konstruktoi busullën.
Për t’u gjetur dhe orientuar në hapësirën kohore konstruktoi orën me të cilën u mundua ta masë kohën, duke bërë matje dhe analiza të ndryshimeve të cilat, padyshim, janë si shkas i rrjedhës kohore.
Koha, me dëshirën e All-llahut, njeriut i është lënë në dispozicion sikurse edhe të gjitha të mirat tjera të natyrës materiale.
Por, vetëm me aktivitetet intelektuale dhe mundin mendor, deri te kufijtë e caktuar, kemi mundësi të vejmë kontakt të përafërt me kohën dhe cilësitë e fshehta të saj.
Njeriu në naivitetin e tij, diturinë e pamjaftueshme ose me përvojën jetësore jo të plotë, të kushtëzuar me jetën e shkurtër njerëzore, ka bërë ndarjen e pa kuptueshme të kohës. Kështu p.sh. ka caktuar: kohë të dobishme, kohë të pavlerë, të lumtur, të mirë, kohë të keqe, fatkeqe etj. Ekzistencën e tij e ka ndarë në: të kaluar, të tashme dhe të ardhshme. Kështu, duke e ndarë tërësinë e kësaj madhësie të vlefshme dhe të pamatur, i ka shikuar vetëm pjesët e kësaj tërësie duke iu shmangur vështrimit të tërësisë së këtij dimensioni të fshehtë të zgjatjes.
Njeriu pa vetëdije, u mundua që të vërtetën ta “konsumoj” në kafshata të vogla, sepse, pa dyshim, ndjeu se mund të “ngufatet” nëse të vërtetën për kohën mund ta futë në tërësi në vete.
All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik thekson që njeriut i është dhënë mundësia që disa të vërteta dhe fshehtësi mund t’i njohë deri te kufijtë e caktuar, aq sa All-llahu i Madhërishëm ia lejon.
Shpesh herë shtrohet pyetja: Ç’është njeriu, si vepër e All-llahut në oqeanin kohor të pafund?
Ne jemi pjesë e fundit në vargun e përgjithshëm të jetës. Gjenet tona nuk janë ndalur të jetojnë nga Ademi a.s deri sot, duke u përcjell me procesin e lindjes prej gjeneratës ne gjeneratë. Kështu ne, në rrjedhën absolute të qëndrueshmërisë, jemi pjesa më e vjetër e jetës, më të vjetër se gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, se prindërit tanë, edhe pse pohohet e kundërta.
Kështu vijmë deri te njohja që tërë jetën në kohën tonë kemi pasur gjykim tërësisht të gabuar.
Pra, njeriu nuk është asgjë tjetër veçse një akumulator i kohës i cili ka përjetuar të gjitha gjeneratat e kaluara – akumulator i jetës.
Në gjenet e njeriut janë regjistruar të gjitha ndryshimet e zhvillimit, gjendjeve dhe ndodhive. Pra, gjenet janë e kaluara e shifruar – pjesë e kohës.
Andaj, në forma të ndryshme mund të tregohet dhe argumentohet se ç’do gjë që ekziston dhe ç’do gjë që është bërë me dëshirën e All-llahut dhe përcaktimin e Tij, fshehë në vete kohën – këtë dimension të paparë dhe mister, masë të pandalshme dhe të pazhdukshme.
Koha e ka karakteristikën e saj. Ajo i takon kategorisë së mikro dhe makro kozmosit. Kështu mikrokozmosit i takon një interval i vogël i pakufishëm (nanosekondë, e milionta pjesë e sekondës), ashtu sikurse makrokozmosit i takon koha e matur me miliardë vjet drite (viti i dritës është termë i cili më së shpeshti përcaktohet me largësinë në hapësirën e kozmosit, por në vete fshehë parametrin kohor), kështu madhësia e hapësirës kohore shtrihet nga pakufishmëria e vogël deri te pakufishmëria e madhe. Andaj madhësia e hapësirës kohore, gjegjësisht dimensionet kohore janë në korrelacion të përafërt me madhësinë e pjesës materiale të botës.
Pra, mund të pohojmë se koha si madhësi e padukshme paraqet pjesë të botës së padukshme, e cili është e kompunuar në mijëra forma në botën e dukshme materiale.
Besimtarët islam, me përcaktimin e tyre fetarë janë të obliguar të besojnë në botën e padukshme. Kjo është bota e kohës (unikat) në të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen. Për ne është e padukshme pjesa e cila i takon të kaluarës dhe të ardhmes, ndërsa procesin e vijimit të sotmes mund ta përcjellim.
Mirëpo, All-llahu i Madhërishëm u ka dhuruar individëve mundësinë e parashikimit të ardhmërisë, e kjo është fuqia e depërtimit të vetëdijes njerëzore në ardhmëri-afër dhe larg.
Në këta njerëz, të zgjedhur dhe të përzgjedhur nga Zoti, bëjnë pjesë të dërguarit e All-llahut.
Pejgamberi i fundit, Muhammedi a.s u transmeton njerëzve pjesë të kaluarës të llojit njerëzor si dhe vizionin e ardhmërisë.
Duhet theksuar se koha si kategori e padukshme e ekzistencës të botës nuk është vetëm pjesë e padukshme. Këtu bëjnë pjesë edhe qeniet shpirtërore të padukshme – melekët, xhinët, shejtanët. Kështu All-llahu i Madhërueshëm në Kur’anin fisnik e ka përcaktuar jetën e Iblisit, e cila do të zgjatë deri në ditën e Kiametit. Kjo është koha e kufizimit të së keqes.
Të kthehemi tani jetës së përditshme njerëzore. Njeriu vjen në këtë botë pa dëshirën e tij, pra me dëshirën e All-llahut e me ndërmjetësimin e prindërve të tij, të cilët në të njëjtën mënyrë kanë ardhur në këtë botë. Me lindje fillon jeta e njeriut – në këtë botë, dhe vazhdimësia e tij në hapësirë dhe kohë. Kjo vazhdimësi është e përcaktuar me kohën e jetës, rrugën e Tokës rreth Diellit (një sjellje e tokës rreth diellit, një vit i jetës)!
Kjo lëvizje e Tokës rreth Diellit zhvillohet me shpejtësi të caktuar, afro 29 km/sec.
Ç’është shpejtësia? Të gjithë e dimë se shpejtësia është rruga e kaluar në njësi kohore, ose e shprehur matematikisht
V=s/t [m/s]
Nëse merret t=0 (anon kah zeroja), shpejtësia në të njëjtën rrugë “s” rritet deri në pakufi. Kjo është e mundur teoritikisht. Mirëpo ekziston pohimi që bota materiale nuk mund ta tejkaloj shpejtësinë e dritës.
Sipas pohimeve shkencore, gjatë shpejtësisë së dritës në botën materiale ndërprehen të gjitha ndryshimet, gjegjësisht koha në rrjedhën e saj ndalet, pushon të rrjedhë dhe bëhet e përhershme.
Duke medituar për versetin e Kur’anit fisnik:

“Kur Ai dëshiron ndonjë send,
urdhri i Tij është vetëm t’i thotë:
“Bëhu!” Ai menjëherë bëhet” (Jasin, 82)

Pra, pa marrë parasysh në largësitë tejet të mëdha kudo në kozmos, dëshira e All-llahut të Madhërishëm, menjëherë në moment realizohet.
Është e njohur nga astronomia që yjet, planetet, dhe galaktikat lëvizin me shpejtësi në hapësirën kozmike e cila është pa kufi.
Atë që njeriu mund ta shoh me sy dhe me teleskop është e dhjeta pjesë e kozmosit, ndërsa 90% e materies paraqet “masën e zezë” e cila thithë dritën dhe për shqisat tona është e padukshme.
Kjo masë ka një forcë graviditeti kolosale dhe sipas gjitha gjasave, paraqet një gjenerator të lëvizjes – shpejtësisë. Për t’u arritur shpejtësia, duhet ndryshimi i shpejtësisë, përsëri me njësim kohor, dhe ja kështu arrijmë deri te shprehja për “shpejtësi”.

v = s
a = s (m/s2 )
t = t2

Definicioni i njohur i fizikës thotë: Shpejtësia është ndryshimi i shpejtësisë në njësinë kohore, ose ndryshimi i rrugës në njësinë kohore në katror.
Por, edhe për këtë ndryshim, i cili është kusht hipotetik për t’u arritur përhershmëria nevojitet koha.
Në fizikën atomike koha është faktor kyç për t’u arritur reaksioni vargor i ndarjes së atomit në kushte të caktuara. Nëse koha është mjaftë e shkurtër (shpejtësia e ndarjes së atomeve mjaft e madhe), reaksioni zinxhiror do të filloj. Nëse ky reaksion është i pa kontrolluar vie deri te eksplodimi (principi i veprimit të bombës atomike), nëse ky reaksion është i kontrolluar në kohë ( rasti i veprimit të reaktorit atomik, atëherë energjinë e cila lirohet mund ta kontrollojmë dhe ta përdorim për qëllime të dobishme, për nevojat dhe dobitë njerëzore.
Siç shihet nga shembujt e përmendur, koha është rregullator i të gjitha gjendjeve, ndryshimeve dhe ndodhive.
Ai i cili nuk din të adaptohet me kufizimet kohore dhe nuk vepron në pajtim me mundësitë kohore, është i gjykuar në shkatërrim.
Vozitësi i cili ngutet duke dëshiruar që kohën e humbur ta arrij me rritjen e shpejtësisë së makinës ballafaqohet me rrezikun që të përjetoj fatkeqësi automobilistike. Vozitësi i cili nuk e kalon pjesën e kohës së tij për pushim, përsëri rrezikon nga fatkeqësia automobilistike sepse psiqikisht nuk është i aftë për vozitje korrekte.
Në jetën e përditshme në komunikim me njerëz njeriu duhet mbizotëruar me mundimet dhe reaksionet e tij, dhe për këtë kërkohet kohë, të ndalet, të mendoj për sjelljet e tij dhe të mënjanoj konfliktin.
Njeriu i sëmurë, sipas këshillës së mjekut, duhet marrë ilaçet në interval kohor të caktuar, në të cilin ilaçi do të veproj më me sukses. Nëse koha shkurtohet, koncentrimi i ilaçit rritet mbi kufirin e lejuar, kështu që veprimi i tij do të shkaktoj efekte të dëmshme, ose nëse merret me vonesë, koncentrimi mund t’i bie nën nivelin e veprimit të suksesshëm. Këtu koha është faktor i shërimit të suksesshëm. Të gjitha proceset biokimike dhe hormonet janë të lidhura me interval kohor.
Në procesin e prodhimit, projektimit të procesit teknologjik, mundohet të realizohet prodhimi në interval kohor sa më të shkurtër, me ç’rast matet produktiviteti i punës e me këtë suksesi i punës së kryer. Në Perëndim ekziston thënia: “ koha është para”.
Me fjalë tjera, koha e shfrytëzuar në punë të dobishme, mësim, shkencë, është e barabartë me kohën e shfrytëzuar në ibadet (adhurim).
Koha të cilën njeriu e kalon me namaz dhe në format tjera të ibadetit paraqet lidhjen më të fuqishme me Krijuesin dhe është frenues natyral i reaksioneve jetësore vargore tona, të cilat na dalin nga kontrolli, pa tjetër shkaktojnë “eksplodim” (stres, nervozë, çrregullime të ndryshme psikosomatike, anginë pektorale, infarkt etj.) si dhe vdekjen e parakohshme.
Kjo është ngjashëm me “Qernobilin” individual njerëzor. Në katastrofën e njohur të Qernobilit reaksioni zinxhiror ka dal nga kontrolli kohorë dhe e dimë se çfarë ndodhi. Edhe ne të gjithë jemi “Qernobil të vegjël njerëzor” potencial.
Për këtë vetëdija jonë për kohën le të jetë e përcaktuar me obligimet ndaj All-llahut të Madhërishëm, e cila me ibadetin tonë duhet për një moment të ndalet në trekëndëshin kohor: e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja, në mënyrë që të na mundësoj që të adaptohemi me shpejtësinë e jetës tonë me nevojat reale dhe mundësitë e jetës personale dhe jetës rreth nesh.
Është e pa mundur të përmendim të gjithë shembujt nga jeta të cilët udhëzojnë në rëndësinë e përmbajtjes me një verset të vetëm të kaptinës El-Asr.
Në secilën hapësirë kohore në të cilën kalon njeriu duke jetuar në Tokë si mëkëmbës i Zotit, do të bartë argumente të reja mbi të vërtetën e përmendur të kaptinës së theksuar, me interpretim në kohën e caktuar.
Në themel, koha me të cilën disponon njeriu është jeta e tij. Jetë e vërtetë është vetëm ajo që njeriu e kalon duke punuar në emër të All-llahut, dhe në adhurim, ndërsa jeta e atij të cilën e kalon në indiferencë, dëshira epshore, duke fjetur dhe duke bërë vepra të këqija nuk mendohet si jetë e vërtetë, dhe për atë vdekja është më e mirë se jeta. Muhammedi s.a.v.s ka thënë: “Janë dy begati që nuk shfrytëzohen nga shumica e njerëzve: shëndeti dhe koha e lirë”.
Omer ibn Hattabi ka thënë: “Vërtet, urrej që t’ju shoh të pa angazhuar që nuk punoni për dynja ose për Ahiret”.
I mençur është ai i cili ka njohur vlerën e kohës dhe madhështinë e saj dhe e ka shfrytëzua në studimin e diturisë së dobishme, në bërjen e veprave të mira për të cilat do ta shpërblej All-llahu i Madhërishëm ose fitimin e begative të kësaj bote të cilat do t’i ndihmojnë në bindje ndaj All-llahut. Abdulla ibn mes’udi ka thënë: “Nuk jam penduar më shumë se për ditën e cila më ka kaluar dhe më është shkurtuar jeta ime, ndërsa nuk janë rritur veprat e mija”. Hasan el-Basriu ka thënë: “O njeri, vërtet ditët janë jeta jote, andaj kur kalon një ditë ka kaluar një pjesë e jote”.
Gjithashtu ka thënë: “I mbaj mend sahabët të cilët më tepër e kanë ruajtur kohën e tyre, sesa që ju i ruani dërhemët dhe paratë”. Gjeneratat e para dhe të gjithë ata që i pasuan më së tepërmi janë munduar në shfrytëzimin e kohës në vepra të mira.
Imam Sulejm ibn Ejjub Er-Rrazi e llogariste vetën edhe gjatë frymëmarrjes dhe nuk lejonte asnjëherë që koha ti kaloj së koti.
Imam Ebul-Vefa Alijj ibn Akil El-Hanbeli, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Unë nuk lejoj që të më kaloj asnjë moment në kotësi. Kur nuk përsëris diturinë, ose debatoj, ose nuk lexoj, filloj të meditoj, dhe më tepër mundohem të arrij dituri në moshën 80 vjeçare sesa kur kam pasur 20vjeç.
Imam Ebul-Vefa ka shkruar libra të shumtë nga shumë lami shkencore. Vepra e tij më e madhe “Kitabul-funun”, e cila njëherit është edhe vepra më e madhe në botë e shkruar në 800 vëllime!
Pak para vdekjes Ebu Xha’fer ibn Xherir Et-Taberiut, dikush ia përmendi një hadith të cilën ai nuk e dinte, dhe urdhëroi t’ia sjellin lapsin dhe letrën që ta shënoj, ndërsa dikush i tha: “Edhe në këtë gjendje!” ai u përgjigj: “Njeriu është i obliguar të kërkoj dituri deri në vdekje”. Hatib El-Bagdadi, ka lexuar duke ecur.
Dituria është enë e dashur, dhuratë e çmuar, nder i lartë, rrugë e rëndë dhe nuk e lëshon asnjëherë atë që e posedon. Bekij ibn Muhal-led gjatë jetës ka pasur dy udhëtime në Sham, Hixhaz dhe Bagdad me qëllim që të kërkoj dituri: udhëtimi ka zgjatë 14vjet, ndërsa i dyti 12. Tërë udhëtimin e ka bërë në këmbë prej Spanjës.
All-llahu na bëftë prej atyre që dinë ta çmojnë vlerën e kohës e mos ta humbim atë kot, për çdo moment ta kalojmë në shërbim të familjes, të fesë e të atdheut, duke menduar vazhdimisht në mesazhin hyjnor:

“Betohem në kohën!
Nuk ka dyshim se njeriu është
në një humbje të sigurt.
Me përjashtim të atyre që besuan,
që bënë vepra të mira, që porositën,
njëri-tjetrin t’i përmbahen të
vërtetës dhe që këshilluan njëri-
tjetrin të jenë të durueshëm” (El Asr, 1-3)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Fillon kampanja "Sofra e Ramazanit 2021"