Ashtu siç është theksuar nga studiues të shumtë të ekonomisë islame, parimet e financave islame nuk janë një zbulim a risi e shekullit njëzet, po janë nxjerrë nga Kur'ani i shenjtë dhe Hadithi i Pejgamberit a.s..
Struktura e financave islame bazohet në këto burime dhe në interpretimin e tyre nga Pejgamberi a.s. e nga pasuesit e tij, duke iu përgjigjur nevojave të kohës dhe duke zhvilluar këtë lëmë, që të jetë konkurrente me kërkesat e kohës ashtu siç po ndodh edhe tash në kohën tonë. Që nga fillimi i viteve '60 të shekullit të kaluar, është shfaqur një nga ndodhitë më kryesore në lidhje me implementimin me sukses të kornizës ligjore islame në fushën e bankimit dhe financave islame. Shfaqja e bankave islame në kohën kur dolën në skenë është, e lidhur ngushtë me fitimin e pavarësisë së vendeve myslimane nga kolonizatorët e tyre dhe me forcimin e këtyre shteteve e me dëshirën e myslimanëve për të jetuar çdo aspekt të jetës së tyre në përputhshmëri me normat islame. kur të diskutohet për lejueshmërinë në transaksionet komerciale dhe kontratat rreth tyre, rregull e Sheriatit rreth tyre është se ato janë të lejuara përderisa të mos ketë argument të qartë që vërteton të kundërtën. Juristët myslimanë janë të mendimit se argumenti që anulon supozimin e lejueshmërisë, duhet të jetë shumë i qartë dhe vendimtar në kuptim dhe transmetim.(1)
Parimet bazë në implementimin e bankimit islam
Për t'i kuptuar edhe më mirë parimet e bankimit në Islam, është shumë e rëndësishme dhe vendimtare të kuptohet dallimi në mes të asaj që konsiderohet Riba (kamatë) dhe të asaj Bej (shitje), ashtu siç është theksuar në mënyrë eksplicite në Kur'anin e madhërishëm.
Kjo nuk është e tëra - vetëm se eliminimi i kamatës është një pjesë e parimeve të biznesit në islam, aty duhet të shtohen edhe parimet e drejtësisë shoqërore duke formuar ligje, praktika, procedura dhe mekanizma që ndihmojnë në implementimin dhe mirëmbajtjen e drejtësisë barazisë dhe korrektësisë.(2) Bankat islame duhet të udhëheqin transaksione për të mirën e të dyja palëve, të bankës e klientëve dhe t'i përmbahen konceptit të drejtësisë. Me aplikimin e këtij koncepti, bankat islame duhet të kenë kujdes, kur u ngarkojnë pagesa klientëve, për caktimin e përqindjes që duhet ndarë në mes të partnerëve, dhe të çmimit për shërbimet që ofrojnë. Në përgjithësi ka pasur keqkuptime rreth financave islame nga studiues të ndryshëm, duke iu referuar çështjes kryesore rreth qartësimit se çfarë konsiderohet kamatë dhe çfarë jo. Por, një gjë është shumë e qartë - të gjithë studiuesit pajtohen se, sipas normave islame, kamata është e ndaluar. Ka dijetarë që mendojnë se kamata me të cilën ngarkojnë klientin bankat e sotme, nuk është e ndaluar, sepse kamata që është përmendur në Kur'an, nuk është e njëjtë me atë që kërkojnë bankat moderne.(3) Arsyetimi i tyre është se kamata që ekzistonte në kohën kur pati jetuar Pejgamberi a.s., ishte shumë e lartë, arrinte të dyfishohej dhe të shkonte edhe më lart, dhe kjo kishte sjellë shfrytëzimin e padrejtë të të varfërve nga të pasurit. Islami ka ndaluar këtë kategori të kamatës, bile e ka ndaluar në formë shumë të prerë. Këto mendime janë shumë të rralla dhe zakonisht bëhen nga ata që nuk i njohin shumë mirë çështjet e ekonomisë dhe të Sheriatit; shumica e dijetarëve të kësaj fushe janë të mendimit se edhe kamata që kërkojnë bankat konvencionale, është e ndaluar.(4)
Ndihma e të varfërve dhe rregullimi i kushteve të tyre shoqërore e ekonomike zë një vend të lartë në islam, por limitimi i urtësisë së ndalesës së kamatës vetëm në këtë qëllim, është gabim dhe i padrejtë.
Gjatë kohës së Pejgamberit a.s. shoqëria ishte e organizuar mirë, për nevojat e të varfërve dhe të atyre të pafat, kujdeseshin të pasurit nga shteti i asaj kohe. Prandaj, huazimet bëheshin nga tregtarë të pasur, prodhuesit dhe biznesmenët të cilët qeverisnin kompani të mëdha aksionare, dhe ata që bënin tregti në distanca të largëta e me përmasa të mëdha. Ata përdornin mjetet dhe kapitalin e të tjerëve, duke i bërë ata aksionarë ashtu siç parashihet nga normat e Sheriatit dhe teknikat e financimit. Myslimanët patën krijuar mendësinë që të fitonin nga kursimet e tyre dhe të siguronin financime për bizneset e tyre, pa futur në përdorim kamatën, duke aplikuar teknikat e financimit të lejuara sipas Sheriatit.(5)
Zëvendësimi i kamatës me tregti
Diskutimi rreth kamatës dhe tregtisë, se çfarë konsiderohet kamatë dhe çfarë tregti, ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë. Dijetarët e hershëm, të cilët janë marrë me shkrime rreth fushës së ekonomisë islame, kanë shpjeguar se në transaksionet me kamatë objekti i shitjes është koha, dhe çmimi i saj është - kamata. Dallimet në mendime janë shumë të dukshme kur bëhet fjalë për produkte financiare. Për shembull, Mevdudi, dallimin në mes tregtisë dhe kamatës, e shpjegon me një shembull shumë të thjeshtë në kontekstin e shpërndarjes së barabartë dhe menaxhmentit efikas të rrezikut. Në transaksionet me kamatë, rreziku transferohet tek kredimarrësi, në mënyrën që i tërë kapitali i kredituar bart kamatë dhe bëhet pa rrezik. Kjo situatë, në aspektin shoqëror, është e padrejtë dhe ekonomikisht jo efikase. Në anën tjetër, biznesi që është në përputhshmëri me normat islame të financave dhe bëhet me ndarje rreziku për pasigurinë natyrore, është i drejtë dhe efikas për shkak të ndarjes së fitimit dhe rrezikut nga të dy palët. Efikasiteti i kësaj forme të financimit shihet edhe në stabilitetin financiar - për shkak të sigurisë në këtë treg, çmimi mbi produktin e shitur nuk mund të ndryshohet, sepse pronësia e asetit të shitur kalon te blerësi dhe shitësi humb çdo të drejtë për të vendosur një çmim tjetër mbi atë të parin, kurse në kreditë kamatore, për çdo vonesë ka edhe ndryshim çmimi, sepse ajo që është shitur, është koha.
Një dijetar tjetër, në mes kamatës dhe tregtisë, e shpjegon dallimin në këtë mënyrë: Një person i cili shet rroba që e kanë vlerën 10 dollarë, e i shet për 20 dollar, ai e bën këtë duke besuar se rrobat janë ekuivalente me atë shumë. Kur pajtohen për çmimin të dy palët, atëherë vlera e tyre bëhet e barabartë, me rezultatin se të dy palët përfitojnë nga transaksioni. Mirëpo, nëse një person kërkon që t'i paguhen 20 dollarë për 10 dollarë që i ka dhënë hua, shtesa prej 10 dollarësh nuk përfaqëson asnjë përfitim real. Kjo nuk lejohet për personin që arsyetohet se ai fitoi ndryshimin (e shumës) në këmbim të kohës, sepse 'koha' nuk është komoditet që ka vlerë ndërrimi dhe as ndonjë gjë që mund të caktohet si një pasuri e këmbyeshme.(6) Nga shpjegimet e bëra nga dijetarët myslimanë, del e qartë se në transaksionet që bazohen në kamatë, objekti i shitjes është koha e çmimi i paguar për të është kamatë dhe, si e tillë, kamata është e ndaluar në Islam. Ekzistojnë opinione se bankat islame, në të vërtetë, ndërmarrin transaksione të bazuara mbi kamatë, por ato i quajnë me emërtime të ndryshme, siç janë: komisione a profite, vetëm për t'i ikur termit kamatë. Në të vërtetë, është një dallim i madh në mes parimeve të financimit, të përdorura nga bankat islame, dhe atyre të përdorura nga bankat konvencionale, si në teori ashtu dhe në praktikë. Ky dallim bëhet edhe më i qartë gjatë implementimit dhe pasojave që dalin në treg gjatë përdorimit.
Përfundim
Financimi sipas parimeve të bankimit islam do të kishte ndikim të madh në zhvillimin ekonomik, sepse në këtë sistem paraja nuk konsiderohet produkt në vete, por kapital potencial, që ka vlerë vetëm kur u bashkohet aktiviteteve ekonomike. Kjo bëhet në formë partneriteti, me bartje rreziku dhe ndarje fitimi në mes bankës dhe klientit. Kështu, njëra palë siguron tjetrën dhe, në të njëjtën kohë, përfitojnë më shumë persona. Nëse fitimi i bankës varet nga suksesi i projektit të financuar, kjo siguron që klienti të studiohet mirë, para se t'i lejohet kredia a financimi. Vitet e fundit disa vende evropiane kanë përbrendësuar këtë sistem për shkaqe ekonomike dhe jo fetare, ngase është treguar i suksesshëm dhe stabil.
_____________________________________________
(1)Muhammad Hashim Kamali, Islamic Commercial Laë: An-Analysis of Futures and Options, (Kuala Lumpur: Ilmiah Publishers, 2002) f.66-67.
(2) Sudin Haron, "The Philosophy of Islamic Banking" Brenda: Anthology of Islamic Banking (editor) Asma Siddiqi
(3) Rasul Shams, A Critical Assessment of Islamic Economics, (Hamburg: Institute of International Economics, 2004) f. 5-6.
(4) M. Umar Chapra, "Why Islam has Prohibited Interest? Rationale behind the Prohibition of Interest", Revieë of Islamic Economics, No. 9 2000. f. 7.
(5) Muhammad Nejatullah Siddiqi, "Islamic Banks: Concepts, Precepts and Prospects", Review of Islamic Economics, No. 9, 2000. f. 22-23.
(6) Monzer Kahf and Tariqullah Khan, Parimles of Islamic Financing: A Survey, (Jeddah: Islamic Research and Training Institute - IDB, 1992) f. 19-20.
Dituria Islame 260