"...udhëtojnë nëpër tokë dhe det duke kërkuar të mirat e Allahut." (El Muzemmil, 20)
Mudaraba është një kontratë e definuar si ndarje e humbjes dhe e fitimit PLS 'Profit and Loss Sharing', e cila përdoret nga individë, kompani dhe banka islame për investime në partneritet. Është një kontratë shumë e rekomanduar për financime, por është e ditur se implementimi i saj kërkon konsolidim të përpjekjeve dhe besueshmëri në partneritet, që të arrihet suksesi i dëshiruar. Termi 'Mudaraba' rrjedh nga fjala "Ed-darb fil erd", e përdorur në Kur'an, që do të thotë "bëj një udhëtim". Quhet kështu, sepse të shumtën e rasteve punëtorit i kërkohet të bëjë udhëtime si pjesë e punës së tij, për të realizuar qëllimin dhe plotësimin e projektit biznesor.
Është e qartë se fjala daraba është përdorur për të treguar udhëtimin prej një vendi në një tjetër, ose për të bërë një udhëtim për qëllime tregtie duke kërkuar të mirat e Allahut.
Fjala tjetër që përdoret për të njëjtin qëllim si 'Mudaraba', është "El-Kirad" apo "El Mukaradah". Fjala kard dhe mukaradah burojnë nga fjala karada, që do të thotë ndaj a shkëpus. Quhet kështu për arsye se në praktikë, për të formuar këtë kontratë, ai që siguron kapitalin një pjesë të kapitalit të tij e ndan për t'u përdorur nga mudaribi (ndërmarrësi) në projektin biznesor, me qëllim të gjenerimit të fitimit për t'u ndarë në mes tyre. Të dy këta terma janë përdorur për të njëjtin qëllim, e dallimet në përdorim vareshin nga vendi dhe rajoni. Mudaraba është përdorur nga populli i Irakut, kurse Mukaradah është përdor nga populli i Hixhazit.
Përshkrimi i 'Mudarabas' sipas medhhebeve (shkollave juridike)
Për nga përshkrimi se çka përmban në vete kjo kontratë, dijetarë të ndryshëm që u përkasin të katër medhhebeve (shkollave juridike), kanë dhënë definimet e tyre që nuk kanë dallime përmbajtësore.(1)
- Malikinjtë: Mudaraba është një agjenci për tregti që jep para të gatshme për një pjesë të fitimit.
- Shafiinjtë: Mudaraba është një marrëveshje në të cilën një pronari i jep kapitalin një punëtori, i cili tregton më të dhe, në fund ndajnë fitimin.
- Hanbelinjtë: Mudaraba është një kontratë në të cilën një person e jep kapitalin e tij te një ndërmarrës në mënyrë që të ndahet fitimi sipas marrëveshjes së tyre paraprake.
- Hanefijët: Mudaraba është një partneritet me pjesëmarrje në profit, në të cilën kapitali është i siguruar nga njëra pale, kurse puna a ekspertiza nga pala tjetër, për ta ndarë fitimin sipas marrëveshjes paraprake.
Edhe pse përshkrimi i mudarabas nga katër shkollat juridike ka pak ndryshime, të gjitha çojnë tek e njëjta çështje. Mendimi a përshkrimi nga Hanefinjtë është marrë si definicioni më gjithëpërfshirës krahasuar me mendimet e tjera dhe përdoret për përshkrimin e kësaj kontrate në shumicën e vendeve, ku praktikohet bankimi islam.
Legjitimiteti i Mudarabas
Legjitimiteti i Mudarabas mbështetet në Kur'an, Synet dhe në konsensusin e dijetarëve.
Edhe pse nuk ka ndonjë ajet kuranor, i cili flet drejtpërdrejt për lejimin e mudarabas, ekzistojnë ajete që në mënyrë indirekte tregojnë për lejimin e mudarabas. Për shembull, 'Të tjerët udhëtojnë në tokë duke kërkuar mirësitë e Zotit...'. Disa komentatorë të Kur'anit e interpretojnë këtë ajet në kuptimin,'ata të cilët udhëtojnë për qëllim tregtie duke synuar fitime të lejuara, përfshirë edhe ata që punojnë me kapital të të tjerëve, duke ndarë fitimin e krijuar', që përshtatet me konceptin praktik të mudarabas.
Mbështetja e kësaj kontrate nga Syneti mund të ndahet në dy kategori. E para, ekziston evidencë që Pejgamberi a. s. ka punuar në konceptin e kësaj kontrate para dhe pas ardhjes së Shpalljes. Dhe kategoria e dytë janë thëniet e Pejgamberit a.s. në lidhje me këtë kontratë, po ashtu edhe pëlqimet e tij rreth praktikimit të kësaj forme të biznesit. Shokët e Pejgamberit a.s. e kanë përdorur këtë formë të kontraktimit ndërmjet tyre për financim të projekteve tregtare dhe Pejgamberi a.s. e ka miratuar këtë formë kontraktimi.
Konsensusi i juristëve myslimanë është se 'Mudaraba' është e lejuar dhe nuk ka ndonjë kundërshtim rreth legjitimitetit të saj. Kjo kontratë është njëra ndër kontratat më të rekomanduara nga dijetarët për t'u përdorur nga bankat islame për investime kapitale në partneritet dhe financime të projekteve të ndryshme, por përdorimi i saj mbetet i kufizuar për arsye të ndryshme, që do të përmenden në vijim.(2)
'Mudaraba' dhe kontratat e ngjashme 'Mudaraba'qëndron si një kontratë dhe formë financimi në vete, por ekzistojnë edhe kontrata të tjera, të cilat kanë disa karakteristika të njëjta apo të ngjashme. Është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet tyre.
'Mudaraba' në krahasim me 'Musharakah'
Që të dyja kontratat janë të kategorizuara në grupin e kontratave që synojnë partneritet duke u pajtuar për bartje rreziku dhe ndarje fitimi ndërmjet partnerëve në investimet ose financimet e tyre, por ekzistojnë disa dallime në mes tyre.
Mudaraba ndryshe quhet edhe partneritet pasiv, sepse aktiv është vetëm ndërmarrësi i projektit, kurse pala që ka siguruar kapitalin, është pasive. Qëllimi i kësaj kontrate është mundësimi i takimit ndërmjet kapitalit dhe ekspertizës. Njëra palë ka kapital, po nuk ka aftësi për ndërmarrësi të projektit, kurse pala tjetër ka aftësi po nuk ka kapital dhe, me anë të kësaj kontrate, këta persona bashkohen për një projekt ekonomik.
Musharakah quhet partneritet aktiv, sepse të gjitha palët e involuara në projekt e kanë të drejtën që të jenë aktive. Mund të jenë dy a më shumë partnerë, të cilët kanë kontribuuar me para të gatshme ose me pajisje pune dhe mund të janë aktiv në menaxhimin e projektit. Qëllimi i kësaj kontrate është bashkimi i forcave dhe kapitalit për financimin e ndonjë projekti kolosal. Ekzistojnë shumë elemente të përbashkëta ndërmjet Mudarabas dhe Musharakas, por ka edhe dallime, për të cilat do të diskutohet pasi të flitet edhe për Musharakan në veçanti.
'Mudaraba' në krahasim me pagesën mujore
Në kontraktim me mëditje, njëra palë a person është e obliguar ta bëjë punën për dikë tjetër dhe, në fund, një shumë e përcaktuar i jepet punëtorit. Mund të duket e ngjashme në aspektin së njëra palë punon me kapitalin e tjetrit, mirëpo ka një dallim në mënyrën e punës dhe pagesës. Në Mudaraba personi që është ndërmarrës i projektit dhe personi që financon, janë partnerë dhe ndarja e fitimit në mes partnerëve bëhet vetëm në fund të projektit, e kjo varet nëse projekti ka përfunduar me fitim dhe atëherë ndahet fitimi. Kurse në raste të angazhimit të personit me pagesë mujore, ajo nuk varet nga partneriteti që obligon mbarimin e projektit për ta ndarë fitimin në mes tyre.
'Mudaraba' në krasahasim me huadhënien
Edhe pse 'Mudaraba' dhe huaja kanë veçori të përbashkëta në aspektin e dhënies së kapitalit personit që udhëheq projektin, megjithëkëtë, natyra e dhënies së kapitalit dallon. në mudaraba, ai që siguron kapitalin është i emëruar si partner, dhe kjo i jep të drejtë atij të ndaj fitimin me ndërmarrësin e projektit duke bartur edhe rrezikun e humbjes, nëse projekti përfundon me humbje. Në rastet kur kapitali është dhënë në formë huazimi, huadhënësi nuk ka të drejtë të marrë asnjë pjesë të fitimit, mirëpo edhe kapitali i tij duhet të jetë i sigurt pa marrë parasysh përfundimin e projektit të financuar nga huamarrësi.
Elementet dhe kushtet e 'Mudarabas'
Elementet e 'Mudarabas', sipas shumicës së juristëve myslimanë, janë(3):
1. Palët e kontratës - (Rabul mal & Mudarib);
2. Përmbajtja e kontratës -(Kapitali, puna dhe profiti) dhe
3. Forma (oferta dhe pranimi)
Kushtet e'Mudarabas'
Përveçqë mudaraba duhet t'i plotësojë kushtet në aspektin ligjor, ka edhe kushte të tjera për të filluar implementimi i mudarabas. Në mudarabah kapitali i financimit duhet të jetë patjetër në para të gatshme për fillimin e projektit që mund të jetë në fusha të ndryshme: investime kapitale, tregti, bujqësi, etj., dhe, në fund të projektit, llogaritet përsëri në para të gatshme dhe përqindja e caktuar ndahet në fillim të kontratës. Por ka raste kur edhe një pasuri e patundshme apo e tundshme (vlerë jomonetare) mund të konsiderohet si kapital për mudaraba.
AOIFI ka pranuar mendimin se edhe kapitali jomonetar mund të konsiderohet si kapital financues, nëse merret çmimi i tregut për vlerësimin e pasurisë. Vetë pasuria duhet të jetë pjesë e projektit. Një shembull: Nëse një person A ka 15 vetura për t'i shitur, ai i ofrohet personit B dhe i ofron një kontratë që, nëse arrin t'i shesë ato vetura, margjina e fitimit ndahet 50:50. Në këtë rast kapitali i projektit është kapital jomonetar.
Ky standard është më i përgjithshëm dhe nuk i përkrah disa mendime që nuk lejojnë kapital tjetër përveç parasë si kapital investues.
Llojet e 'Mudaraba'
Mudaraba jo e limituar
Mudaraba, në të cilën kapitali i dorëzohet udhëheqësit të projektit pa caktuar se në çfarë biznesi, vendi, metode, kohe dhe mënyre të investohet.
Investitori nuk ka të drejtë të ndërhyjë në menaxhim të projektit, por ka të drejtë të informohet për mbarëvajtjen e projektit dhe, nëse dyshon se nuk punohet sipas projektpropozimit të bërë në fillim nga ndërmarrësi, atëherë ai ka të drejtë të kërkojë verifikimin e gjërave dhe, nëse vërtetohet devijimi i projektit nga marrëveshja e bërë në fillim, atëherë mund të kërkojë ndërprerjen e punës dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara.
'Mudaribi' (ndërmarrësi i projektit) ka të drejtë të praktikojë çdo gjë për realizimin e projektit të dakorduar në mes tyre si dy partnerë përveç hyrjes borxh për zotërinë pa lejen e tij.
Kjo lloj kontrate zakonisht bëhet në mes të bankës dhe klientëve të cilët hapin llogaritë e tyre në banka islame. Sipas kësaj marrëveshjeje, klienti është investitori, kurse banka është ndërmarrës e projektit dhe klienti e autorizon bankën që të punojë në projekte që i vlerëson rentabël e pa i kushtëzuar se ku të investohet.(4)
Mudaraba e limituar
Sipas standardeve të AAOIFI-t - "kontratë në të cilën furnizuesi i kapitalit i limiton veprimet e udhëheqësit të projektit në një vend të caktuar apo të ndonjë lloji të veçantë investimesh, por nuk mund t'i ndërhyjë në mënyrën e udhëheqjes dhe operacionet e projektit. Në këtë kategori koha dhe shuma e mjeteve për investime duhet të caktohen në fillim dhe ndërprerja e parakohshme nuk lejohet. Në këtë kategori bëhet marrëveshje në mes bankës dhe klientit, banka si investitor e klienti si ndërmarrës i projektit, ku dihen shuma e investimit dhe koha e implementimit të projektit. Por mund të bëhet edhe në anën tjetër, klienti si financues (depozitor) për një projekt të caktuar, ku dihet shuma dhe koha për investim. Kjo llogari në bankat islame quhet 'Llogari specifike për investime'.
Të drejtat dhe përgjegjësitë e Mudaribit (ndërmarrësit)
- Ndërmarrësi i projektit është person i besuar tek 'Rabul-mal' (investitori) dhe është përgjegjës për të ndërmarrë projektin në mënyrën më të mirë.
-Sipas AAOIFI-t(Accounting Auditing Of Islamic Finance Issue) :
- Investimi në të gjitha fushat që janë të lejuara, profitabël dhe të realizueshme.
- Kryerja e punëve nga ai personalisht ose caktimi i dikujt, nëse është e nevojshme.
- Zgjedhja e vendit për investime që janë me rrezikshmëri më të vogël.
- Ruajtja e fondeve apo depozitimi i tyre, nëse e kërkon nevoja për shkak të sigurisë.
Çështjet në implementim
- Kontrata hyn në fuqi menjëherë pas marrëveshjes dhe nënshkrimit të saj nga të dyja palët
• Kjo kontratë është jodetyruese, mund të ndërpritet në mënyrë të njëanshme nga secila palë përderisa të mos ketë filluar implementimi i saj.
• Nëse puna ka filluar, atëherë kjo kontratë bëhet detyruese për të dyja palët dhe asnjëra nuk mund të tërhiqet para kohës së dakorduar në fillim.
• Gjithashtu koha e implementimit duhet të specifikohet dhe nuk mund të ndërpritet.
_________________________________________
(1) INCEIF, Shariah Rules in Financial Transactions (Kuala Lumpur: INCEIF, 2009), f. 275 (2) Ibid. (3) Islamic Shari'ah Research Academy for Islamic Finance, Islamic Financial System: Principles and Operations, (Kuala Lumpur: Pearson Custom Publishing, 2012), f. 250.(4) Ibid, 251. (5) Muhammad Imran Ashraf Usmani, Meezan Bank's Guide to Islamic Banking, (Karachi: Darul-Ishaat, 2002),f.98.
Dituria Islame 264