Bej el-Istisna’a Shitje sipas konceptit Istisna’a

 


Sipas shumicës së dijetarëve, istisna' është pjesë e kontratës selem, prandaj pagesa mund të bëhet në kohën e kontraktimit, por nuk është e kushtëzuar që pagesa të bëhet patjetër e plotë në momentin e nënshkrimit të kontratës, sikurse në formën e financimit sipas kontratës selem. Kjo bëhet në këtë koncept për shkak se veçori kryesore e kësaj kontrate është angazhimi i punëtorit a i kompanisë prodhuese, duke transformuar lëndën e parë në një produkt final ose duke i shtuar vlerë ekonomike atij në ndonjë formë tjetër.


Përshkrimi i Istisna'a-s


Në aspektin gjuhësor Istisna'a rrjedh nga fja la arabe istisna'a, që do të thotë të kërkohet nga dikush të prodhoj një prodhim specifik. Teknikisht, bej el-istisna'a shpjegohet si një marrëveshje kontraktuale me një prodhues/ndërtues për të prodhuar/ndërtuar produkte sipas përshkrimit të detajuar, për një çmim të caktuar. Për prodhimin e produktit të porositur, prodhuesi siguron edhe lëndën e parë përveç ekspertizës. Nëse lënda e parë nuk sigurohet nga prodhuesi po nga porositësi, atëherë kjo kontratë konsiderohet kontrate lizingu(1) ose pagese ditore a mujore për angazhim dhe jo për shitje. Istisna'a është një përjashtim nga rregulla e përgjithshme e shitjes, ku malli që synohet të shitet, duhet të ekzistojë dhe të jetë në pronësinë e shitësit. Për sa i përket ekzistimit të produktit që është për shitje në kohën e kontraktimit, ekzistojnë tri lloje të shitjes:
1. Që të dyja, produkti dhe pagesa të ekzistojnë në kohën e shitjes. Kjo është një shitje e rëndomtë.
2. Produkti që është për t'u shitur është i pranishëm, kurse pagesa do të bëhet më vonë, në një kohë të caktuar, që njihet si pagesë e shtyrë ose pagesë me këste.
3. Pagesa është e pranishme kurse produkti do të furnizohet më vonë, në një kohë të caktuar sipas marrëveshjes, që është e njohur si kontrata selem.(2)
Sipas shumicës së dijetarëve, istisna'a është pjesë e kontratës selem, prandaj pagesa mund të bëhet në kohën e kontraktimit, por nuk është e kushtëzuar që pagesa të bëhet patjetër e plotë në momentin e nënshkrimit të kontratës, sikurse në formën e financimit sipas kontratës selem. Kjo bëhet në këtë koncept për shkak se veçori kryesore e kësaj kontrate është angazhimi i punëtorit a i kompanisë prodhuese, duke transformuar lëndën e parë në një produkt final ose duke i shtuar vlerë ekonomike atij në ndonjë formë tjetër. Veçoritë e tjera të kësaj kontrate do të diskutohen në vazhdim.


Ligjshmëria e Istisna'a-s


Sipas juristëve, ligjshmëria e kontratës së istisna'a-s bazohet në burime të ndryshme ligjore, në Sunet (traditën e Pejgamberit a.s.), Ixhma (konsensusin e dijetarëve myslimanë), dhe Kijas (argumentim me analogji/krahasim). Transmetohet nga Abdullah Ibn Omeri se Pejgamberi a.s. kishte porositur prodhimin e një unaze për vete. Ky transmetim i jep legjitimitet kontraktimit sipas istisna'a-s në jurisprudencën islame. Sipas juristëve hanefinj, kontrata e bazuar në konceptin e istisna'a-s është legjitime bazuar në pratikën e popullit në të gjitha periudhat kohore, pa pasur ndonjë kundërshtim, që do të thotë se përmbush kriteret e konsensusit ligjor.


Rregullat dhe kushtet bazë të një kontrate Istisna'a


1. Lënda/Objekti që është për t'u prodhuar duhet të përcaktohet në mënyrë shumë precize - sipas llojit, materialit, cilësisë/kualitetit dhe sasisë/kuantitetit. Kjo për arsye se lënda për t'u prodhuar objekti që është për shitje, është një produkt joekzistues në kohën e kontraktimit, dhe përbën përjashtim nga rregullat e një shitjeje normale. Kjo shitje është gjithmonë e shoqëruar me një rrezik të mbarimit dhe dorëzimit të produktit të kontraktuar, i cili mund të lehtësohet përmes mekanizmit të përshkrimit sa më të mirë dhe të saktë të produktit të kontraktuar për prodhim.
2. Lënda e kontratës në Istisna'a duhet të jetë një gjë që njerëzit janë të mësuar për të kontraktuar në këtë mënyrë, p.sh: ndërtimi i shtëpive dhe makinerive të rënda. Koha e dorëzimit të produktit të kontraktuar duhet të specifikohet shumë qartë, për të mënjanuar paqartësitë që çojnë në konflikte ndërmjet palëve në kontratë.
a. Lënda e parë duhet të sigurohet nga prodhuesi. Nëse lënda e parë sigurohet nga blerësi, atëherë kontrata konsiderohet si koncept i lizingut dhe jo istisna'a - duke ndryshuar edhe obligimet dalluese nga njëra-tjetra.
b. Vendi dhe koha e dorëzimit duhet të caktohet dhe të jetë pjesë e kontratës, nëse produkti i kontraktuar ka shpenzime të ngarkesës dhe transportit.


Elementet e ndaluara në Istisna'a


Ekzistojnë disa elemente të ndaluara në modelin e financimit sipas Istisna'a-s, që mund të përmblidhen si në vijim(3)
i. Ekzistimi i gharar (paqartësisë) në të vërtetë, është i ndaluar në çdo kontratë, por në rastin e Istisna'-s kjo ndalesë është edhe më e rreptë, sepse lënda e kontratës (produkti i kontraktuar/i shitur) nuk ekziston në kohën e kontraktimit dhe duhet të prodhohet në të ardhmen. Obligimi i prodhuesit bazohet krejtësisht në përshkrim të produktit. Gjithashtu, përmbushja apo mospërmbushja e obligimeve bazohet në përshkrimin e lëndës së kontratës dhe pajtueshmërinë e palëve në kohën e përmbylljes së kontratës. Prandaj, mangësia e informatave rreth specifikave dhe përshkrimit shumë të detajuar të produktit për t'u prodhuar do ta bënte kontratën të pavlefshme.
ii. Është e ndaluar që lënda e kontratës (produkti i shitur) të ekzistojë në kohën e kontraktimit apo edhe (produkti) i identifikuar si një emërtim i një lloji të padetajuar. Lënda e kontratës duhet të identifikohet me specifika se si do të prodhohet në të ardhmen, pastaj transaksioni përmban shitjen e atij produkti që shitësi nuk e ka në pronësi në kohën e përmbylljes së kontratës.
iii. Çmimi, pas përmbylljes së kontratës, nuk mund të rritet a të zvogëlohet - me justifikimin se çmimi i lëndës së parë është liruar ose shtrenjtuar. Kjo bëhet për të eliminuar elementin e paqartësisë në kontratë.
iv. Lënda e parë për prodhimin e produktit për t'u prodhuar nuk mund të furnizohet nga blerësi, sepse, përndryshe, sikur u përmend edhe më herët, koncepti i kontratës do të konsiderohej si lizing.
v. Nuk lejohet që prodhuesi të deklarojë në kontratë se ai nuk bart përgjegjësi për defektet e mundshme në produktin e kontraktuar. Arsyeja e kësaj ndalese është se Istisna'a është shitje e produkteve të specifikuara mirë, që do të sigurohen në të ardhmen, prandaj mospërfshirja e obligimeve të shitësit për defektet e produktit nuk është e lejuar.
vi. Kontrata e Istisna'a-s nuk mund të bazohet në konceptin e shitjes sipas murabaha, duke formuar çmim in sipas modelit 'kosto plus fitimi'. Sepse, në murabaha produkti i financuar duhet të ekzistojë e të jetë në pronësi të shitësit, dhe kostoja e tij është e ditur para se të për- mbyllet kontrata. Kurse Istisna'a përmbyllet para se produkti të ekzistojë dhe të jetë në pronësi të shitësit. Pra ndaj, kostoja e tij nuk mund të dihet saktësisht ashtu siç kërkohet në murabaha.
vii. Në Istisna'a paralele, institucioni financiar nuk mund të jetë thjesht vetëm një ndërmjetësues financiar ndërmjet blerësit dhe prodhuesit. Për t'ju shmangur elementit të kamatës, institucioni financiar duhet të bëjë dy kontrata të pavarura nga njëra-tjetra (ashtu si shpjegohet më poshtë).


Llojet e kontratave të Istisna'as


Kontratat e Istisna'as janë të ndara në dy lloje: Lloji i parë quhet 'Istisna'a klasike' dhe përfshin dy palë në kontratë, dhe i dyti quhet 'Istisna'a paralele' dhe përfshin tri palë në kontratë.(4)


Istisna'a klasike


Kontrata e modelit të Istisna'a-s klasike është diskutuar në detaje nga juristët e mëhershëm në literaturën e jurisprudencës islame. Ky lloj kontraktimi përfshin vetëm dy palët kontraktuese, blerësin dhe prodhuesin, që është edhe shitës i produktit të kontraktuar për prodhim. Kjo funksionon në këtë mënyrë:
1. Klienti porosit prodhuesin të prodhojë/ndërtojë për të një produkt të përshkruar mirë, për një çmim për të cilin janë pajtuar të dy palët, i cili do të paguhet në një kohë të caktuar.
2. Klienti paguan çmimin për të cilin janë dakorduar si pas skemës së pagesave me para të gatshme ose me këste, sipas skemës së pagesave.
3. Prodhuesi e dorëzon produktin e kontraktuar në kohën e caktuar.


Istisna'a paralele


Istisna'a paralele përbëhet nga dy palë kontrata të ndara; në të parën bëhet kontrata ndërmjet bankës si shitës dhe klientit si blerës, kurse kontrata e dytë, lidhet paralelisht ndërmjet bankës dhe prodhuesit të produktit në fjalë. Kjo kontratë funksionon në këtë mënyrë(5)
1. Klienti kërkon nga banka të ndërtojë/prodhojë një produkt/ndërtim të caktuar për një çmim të paracaktuar, që përmban koston dhe marzhën e fitimit, një çmim që do të paguhet në të ardhmen, sipas skemës së pagesave. Të dy palët nënshkruajnë kontratën e shitjes të bazuar në konceptin e Istisna'-s ISA (Istisna' sale agrement), në të cilën figurojnë klienti si blerës dhe banka si prodhues/shitës.
2. Banka e delegon klientin për të zgjedhur kontraktuesin me autorizim të bankës për ndërtimin e produktit, sipas përshkrimit të kontratës dhe çmimit të dakorduar, i cili do të paguhet sipas marrëveshjes.
3. Të dy palët (banka dhe kontraktuesi) nënshkruajnë kontratën e blerjes sipas kontratës Istisna'a IPA (Istisna'a purchase agreement), në të cilën banka është blerës, e kontraktuesi është prodhues.
4. Në kohën e mbarimit të ndërtimit a prodhimit të produktit, kontraktuesi si prodhues do t'ia dorëzojë bankës produktin e prodhuar sipas marrëveshjes, kurse banka do t'ia dorëzojë produktin e prodhuar klientit të vet, sipas marrëveshjes së nënshkruar në hapin e parë, po dorëzimin e produktit klientit të bankës mund t'ia bëjë edhe kontraktuesi, natyrisht me autorizim të bankës.


Aplikimi i kësaj kontrate në financat bashkëkohore


Në financat islame bashkëkohore kontrata e Istisna'a-s aplikohet për produkte të ndryshme industriale, që mund të ndërtohen a prodhohen dhe mund të mbikëqyren sipas specifikimeve të dakorduara në fillim të marrëveshjes. Për shembull, një kontratë Istisna'a mund të përdoret në ndërtime të banesave, në industritë e teknologjive të avancuare, në pajisje siç janë: avionët, automobilat, pajisje të ndryshme të fabrikave etj..


Dokumentimi i Istisna'a-s


Dokumentimi i kontraktimit në mënyrë të shkruar dhe të qartë është një element thelbësor në transaksionet financiare islame. Për t'u siguruar se do të plotësohen të gjitha kushtet e një kontrate, dhe se zbatimit praktik i tyre do të jetë në nivel të pranuar, kontrata duhet të përmbajë nene dhe përshkrime të qarta për të dyja palët në kontratë, duke treguar obligimet e dyanshme dhe të domosdoshme në situata të ndryshme6, siç janë:
1. Përcaktimi i lëndës së kontratës (produktit për t'u prodhuar). Për të eliminuar të gjitha paqartësitë rreth produktit që është kontraktuat sipas Istisna'a-s, ai duhet të përshkruhet mirë sipas: natyrës, llojit, kualitetit e kuantitetit. Dështimi i përcaktimit të specifikave të rëndësishme të produktit mund ta bëjë kontratën të pavlerë.
2. Dërgesa/dorëzimi i lëndës së kontratës Është e rëndësishme për të dy palët në kontratë që ta specifikojnë kohën e dorëzimit të produktit që ka për t'u prodhuar; kjo mund të mos bëhet në një datë specifike, por të caktohet një minimum i afatit të dorëzimit, që pas asaj date të mund të lindnin obligime të tjera nga kontrata e parë.
3. Opsionet në rast të mospërmbushjes së kontratës Palët kontraktuese në kontratë mund të specifikojnë se, nëse produkti nuk është sipas përshkrimeve të bëra në kontratë, atëherë blerësi ka këto opsione:
a. Ta refuzojë pranimin e produktit,
b. Ta pranojë pa kërkuar dëmshpërblim, ose
c. Ta pranojë atë me një ulje nga çmimi i dakorduar në fillim.
4. Çmimi i lëndës së kontratës. Çmimi duhet të caktohet dhe të bëhet i ditur për të dy palët. Përveç kësaj, në kontratë caktohet edhe mënyra e pagesës: pagesë e parakohshme, mujore, e shtyrë etj.. Kjo kontratë ka fleksibilitet për mënyrën e pagesës.
5. Garantimi i përmbushjes së kontratës. Palët kontraktuese mund të kërkojnë garantim për të siguruar mirëvajtjen e përmbushjes së kontratës, duke kërkuar hipoteka ose garantues nga pala tjetër.
6. Kompensimi në rast të mospërmbushjes së kontratës. Neni për kompensim mund të jetë pjesë e kontratës; palët duhet të sigurojnë që produkti i porositur vjen në kohën e paracaktuar. Nëse prodhuesi e vonon dorëzimin e produktit pas datës së caktuar, ai do të jetë i obliguar për kompensim të dëmit të shkaktuar të blerësi për shkak të vonesës.
7. Shkëputja/ndërprerja e kontratës. Ashtu si është diskutuar më herët, kjo kontratë është obli guese dhe nuk mund të shkëputet njëanshëm. Megjithatë, ka raste kur marrëveshja duhet të ndërpritet:
a. Përmbushja normale e obligimeve nga të dy palët;
b. Pajtimi i ndërsjellë për ndërprerje të kontratës. Me qëllim të plotësimit sa më të efektshëm të doku mentacionit, palët mund të specifikojnë kur dhe si mund të konsiderohet e ndërprerë.(7)
Në përfundim, mund të thuhet se ky koncept i financimit shfrytëzohet mjaft nga bankat islame bashkëkohore. Ekzistojnë shumë rregulla dhe specifika që duhet të përmenden për kompletim të kontraktimit të të dy apo të tri palëve paralelisht.
Kjo është vetëm një pasqyrë e shkurtër rreth konceptit, por jo edhe rreth aplikimit.


___________________________________________
1) ISRA (International Shari'ah Research Academy for Islamic Finance), Islamic Financial System: Principles and Op erations, (Kuala Lumpur: Pearson Custom Publishing, 2012), faqe 208.
2) Kontrata selem është një kontratë për të ardhmen, në të cilën pagesa e plotë bëhet në fillim, kurse produkti i blerë dorëzohet në të ardhmen.
3) INCEIF, Shariah Rules in Financial Transactions (Kuala Lumpur: INCEIF, 2009), f. 243 247.
4) Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets, (Kuala Lumpur: Dinamas, 2005). f.93.
5) Joni Tamkin.


 



Dituria Islame 293


Artikulli i kaluar
Mënyra si bëhet sexhdeja (II)
Nuk ka artikull pas ketij.