Cila është dita më e lumtur dhe më rëndësishme në jetë tënde?

A thua mos është ndoshta dita e martesës? Apo dita e maturës? Apo dita kur ke diplomuar? Apo dita kur je punësuar?

Njeriu i cili e heq një pengesë në rrugë e cila i ka penguar njerëzit, nuk ka ditur që kjo do të jetë dita më e rëndësishme dhe më e lumtur në jetën e tij, ngase Allahu e ka falënderuar për këtë vepër të mirë dhe ia ka falur mëkatet.

Femra prostitutë nuk ka pritur që atë ditë që ia ka shuar etjen qenit të etur nga vapa, do të jetë dita më e rëndësishme dhe më e lumtur në jetën e saj, sepse Allahu e fali për këtë vepër të mirë.

Dita më e lumtur në jetën e Jusufit, a.s., ka qenë momenti kur u ballafaqua fytyrë me fytyrë me gruan e sundimtarit, e cila u përpoq që ta sillte në mëkat duke i thënë: “Eja!”, dhe ai i tha: “Allahu më ruajtë!” Dhe Allahu e shpërbleu me shpërblimin më të bukur dhe e bëri të afërt me Atë duke vërtetuar sinqeritetin dhe devotshmërinë e tij në ajetin: “…Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robtë tanë të zgjedhur.“ (Jusuf, 24)

Dita më e rëndësishme dhe më e lumtur në jetën e sahabëve, r.a., që morën pjesë në luftën e Bedrit, ishte dita kur Allahu u tha: “Bëni çfarë të doni, jeni të falur.”

Dita më e lumtur për sahabiun e ndershëm, Talha, r.a., ishte dita e luftës së Uhudit, kur me trupin e tij e mbrojti të Dërguarin e Allahut, a.s., duke marrë plagë të shumta, dhe i Dërgari i Allahut, s.a.v.s., i tha: “Talha, ty të është garantuar Xheneti.” Ndërsa Ebu Bekri, r.a., ka thënë: “Dita e luftës së Uhudit ka qenë dita e Talhasë.”

Cila është dita jonë e jetës?

A e kemi kuptuar apo ende nuk e dimë?

Ndoshta ajo është dita kur kemi lotuar në fshehtësi nga devotshmëria.

Apo dita kur kemi sjellur gëzim në zemrën e vëllait besimtar.

Apo dita kur për hir të Allahut iu kemi kundërvyer thirrjes së epshit.

Apo dita kur ia kemi lëmuar kokën jetimit.

Apo dita kur ia kemi puthur dorën nënës.

Apo dita kur e kemi takuar vëllain besimtar me buzëqeshje në fytyrë.

Apo dita kur kemi dëshmuar drejtë dhe i kemi thënë të vërtetën në fytyrë zullumqarit.

Apo dita kur i kemi ndihmuar në emër të Allahut njerëzit e pafuqishëm.

Apo dita kur vëllait besimtar ia kemi mbuluar turpin.

Ne ende nuk e dimë, andaj mos ta humbasim shpresën dhe të mos e nënvlerësojmë asnjë vepër të mirë, qoftë edhe nëse në sytë tanë duket e vogël dhe e pavlerë.



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Fjalimi i drejtorit të Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora me rastin e përurimit të këtij Instituti