Në një tubim ku Hoxha i nderuar Jakup Hasipi (r.a.) bënte komentimin e Kur’anit filloi poashtu të komentojë Suren El Bekare dhe te ky ajet filloi të përshkruajë mirësitë e All-llahut azze we xhel që ju dha në atë kohë Musait a.s. dhe popullit të tij.
Gjatë përshkrimit tha se Mana - rrëshira është dhunti e Zotit dhe se është diçka shumë e shijshme dhe nuk mundet të përshkruhet me fjalë. Këtë e kishin si ushqim Musai a.s. dhe populli i tij për 40 vite me radhë. Atyre ju vinte për çdo ditë e freskët si dhe thëllëzat të cilat gjinden vetëm në Kodrën e Sinait (sipas disa transmetimeve sot e kësaj dite ekziston një numër i vogël i këtyre thëllëzave ).
Për mos e zgjatur më tepër se sa duhet do të kalojë te tema për të cilën momentalisht dëshiroj të përqendrohem e ajo është çka është, ku gjendet dhe çfarë veprimesh ka Manna – shkurtëza si quhet nëpër disa vende. Filloj shkrimin duke e lutur All-llahun E Madhërishëm të më ndihmojë që kjo vepër të jetë vetëm për hir të Tij, dhe nëse kam qëlluar diçka atëherë është vetëm dhunti e Tij e nëse kam gabuar është prej meje dhe e lus Falësin që të më falë gabimet.
Gjatë leximit të Kur’anit Kerim kam lexuar fjalët e të Lartëmadhëruarit mbi Musain a.s. dhe rastit se ku përmenden manat, në ajetet vijuese:
- Përkth. Hasan Nahi
2:57. Pastaj bëmë që retë t’ju bënin hije dhe ju zbritëm manën dhe thëllëza, duke thënë: “Hani nga ushqimet e mira, që ju kemi dhënë!” (Ata nuk ishin mirënjohës dhe kështu) nuk na bënë keq Neve, por i bënë keq vetes.
7:160. Ne i ndamë hebrenjtë në dymbëdhjetë fise, secili komb më vete. Kur populli i tij i kërkoi ujë, Ne i kumtuam Musait: “Bjeri me shkopin tënd shkëmbit!” dhe prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime. Çdo fis e dinte burimin e vet. Dhe Ne u bëmë hije me retë dhe u zbritëm manën dhe thëllëza, duke iu thënë: “Hani ushqimet e mira që jua kemi dhënë!” Ata nuk na dëmtuan Neve, por i bënë dëm vetvetes.
20:80. O bijtë e Izraelit, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, bëmë besëlidhje me ju në anën e djathtë të Turit dhe ju zbritëm manë dhe thëllëza.
Pra siç lexohet më lartë në Kur’anin Fisnik tregohet shumë bukur se çfarë të mirash ju dha All-llahu azze we xhel bijve të Israilit ( ashtu quhej Jakubi a.s.- Israil).
Mana ishte ushqimi të cilën e dërgonte I Madhëruari për çdo ditë në tokë për miliona njerëz që ishin duke u larguar prej Egjiptit përgjatë Kodrës së Sinasë së bashku me Musain a.s. nga torturat e Faraonit dhe jeta e dhunshme nën sundimin e tij.
Musai a.s. u largua nga Egjipti dhe ishte duke kaluar nëpër Kodrën e Sinasë me popullin e tij. Ata ishin miliona në numër dhe ushqimi i tyre nuk u mjaftonte në asnjë mënyrë për të mbijetuar atëherë iu drejtuan Musait se çka duhet bërë sie dhe ai duhej t’i lutet Zotit të tij . Në atë lutje të Musait a.s. All-llahu azze we xhel i premtoi për ushqim dhe ju dërgon në vendin ku ishin duke pushuar në shkretëtirë thëllëza të cilat ishin tubuar rreth e qark ku qëndronin këta në pushim. Musai a.s u tha se ata tash do të munden të hanë dhe të mos brengosen se do të vdesin për ushqim, pasi se All-llahu do t’i ushqejë për çdo ditë me ushqim që deri sot as që kishin shijuar.
Ashtu edhe ndodhi ata në mbrëmje hëngrën nga thëllëzat e prura apostafat për ta nga lloji më i mirë i thëllëzave që ekzistojnë. Sipas disa të dhënave sot e kësaj dite ka lloje të thëllëzave të cilat fluturojnë gjatë pranverës dhe verës përgjatë Evropës kurse para se të vdesin kthehen prapë në Kodrën e Sinasë dhe ati japin jetën. Sidoqoftë ato thëllëza ishin shumë të shijshme dhe me bollëk për të gjithë.
Të nesërmen me të gdhirë ata u befasuan se kishin nëpër tokë – shkretinë, rrëshira të dërguar prej All-llahut azze we xhel, nga kjo edhe në disa vende quhet rrëshira – Ushqimi prej qiellit. Ajo përshkruhej sikur diçka shumë e shijshme, e ëmbël, e lezetshme në shije dhe e pjekur, më e ëmbël se mjalti ose sikur më e mira ëmbëlsirë me mjaltë. Ajo ju binte popullit të Musait a.s. natën sikur vesa në mëngjes prej qiellit në tokën shkretëtinore dhe njerëzit në mëngjes e mblidhnin prej tokës.
- Nga kjo edhe rrjedh fjala Manna – Man- hu që donë të thotë prej hebraishtes e përkthyer „ Çka është kjo ?“
- Ose sipas disa thënieve tjera Man - d.m.th „ Çka është „?
- Por më e sigurte është thënia tjetër për këtë emër MANAN që d.m.th. të ndahet, dhunti, dhunti e cila ndahet.
- Në disa transmetime Mana quhet edhe si “shiu i artë i qiellit”
- Buka ose ushqimi prej qiellit
Pasi se njerëzit u çuditën kur u zgjuan në mëngjes dhe gjetën këtë dhunti të Zotit të shpërndarë nëpër tokën shkretëtinore. Ajo përshkruhet sikur diçka e vogël dhe e rrumbullakët, njëjtë sikur bryma- vesa e mëngjesit në tokë dhe sikur farat e koriandrit, ngjyrë kafeje të çelët dhe në shije sikur ëmbëlsirë me mjaltë. Ishte e mundur të përdoret në mënyra të ndryshme: për zierje, për shtypje dhe për ngrënie pa përgatitje ashtu siç donin vetë.
Manna ishte e ardhur në mënyrë speciale për popullin e Musait a.s. në shkretëtirë prej All-llahut azze we xhel dhunti prej Tij por edhe sprovë për popullin e Musait a.s.
Kështu përshkruhet në disa vende:
Manna arrinte në tokë me anë të vesës dhe mbetej aty nëpër vendet e caktuara më pas mblidhej dhe përdorej për ushqim. Mirëpo ajo Manna që në atë kohë ka zbritur prej qiellit ka dallim të madhe në mes manas që gjendet në Evropë më së tepërmi gjendet në Kalabri dhe Sicili. Kjo mana derdhet në muajin qershor dhe korrik nga disa lisa të vogël sikur që janë; këtu po përmendi disa por vetëm me emrat latin: Fraxinus Ornus, Hedysarum Alhagi, Tamarix mannifera. Edhe te këto vjen deri te disa pika të cilat natën janë në gjendje të lagtë, kurse në mëngjes forcohen. Pamja e tyre shihet në këtë foton më poshtë.
Sot e kësaj dite, në gjysmën e Kodrës Sinai nëpër lugina ku janë më të lagështa dhe ku ka ujë në masa më të mëdha gjendet edhe mëtej Mana për të cilën mendohen që zbriti edhe atëherë në kohën e Musait a.s. por në sasi shumë të vogla nëpër disa trupa të vogël të pemëve “Mana Tamariske” (Tamarix mannifera), ose El-tarfah ashtu e quajnë arabët.
Me këtë lloj ushqimi u ushqyen 40 vjet për çdo paradite, kurse në mbrëmje kishin thëllëzat për ngrënie. Por një ishte shumë e qartë e për atë edhe ishin të informuar nga Musai a.s. se ata ishin të lejuar të ushqeheshin për tërë ditën dhe të ngopen sa të duan por nuk guxojnë që të mbledhin për më vonë ose të lënë diçka anësh.
Por, pasi se ky popull ishte edhe jo shumë besimtar siç duhej, ata edhe filluan të frikohen se çfarë do të bënin nëse nuk do të kenë më për ushqim edhe pse ishte një premtim prej All-llahut azze we xhel, kurse All-llahu siç e dimë nuk e thyen premtimin asnjëherë. Pra shumica e tyre filluan tinëzisht të merrnin rezerva dhe i lenin anash për të nesërmen. Por nuk ka asgjë që mundet ti ikë All-llahut, Vigjiluesit i Cili sheh dhe vëzhgon çdo gjë. Mu kjo ishte pika e dobët e tyre, por befasia ishte shumë e madhe pasi se ata kur ngriheshin në mëngjes i gjithë ushqimi që kishin lënë anash ishte i prishur dhe i shndërruar në krimba, por ata nuk bindeshin në këtë premtim të All-llahut se do të kenë mjaft dhe përherë, derisa ata vetë e kaluan kufirin.
Sure Ta’ha
81. Hani nga ushqimet e shijshme e të lejuara me të cilat ju kemi furnizuar dhe mos e kapërceni kufirin, përndryshe do t’ju zërë zemërimi Im. Ai, të cilin e zë zemërimi Im, është i humbur!
Sa i përket asaj që ka thënë i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., se kërpudhat janë nga ‘manna, duhet thënë se përdorimi i fjalës ‘mana ka dy shpjegime të mundshme: kjo mund të tregojë ushqimin, të cilin All-llahu i Gjithëfuqishëm e ka siguruar për fëmijët e Izraelit në shkretëtirë, mirëpo këtu fjala ‘manna në arabisht nuk përdoret si emër për të treguar ëmbëlsirat e zakonshme të njohura si manna´(arab. mann), por, në vend të kësaj, si folje kalimtare që do të thotë dhurim. Në këtë kuptim nuk ka kurrfarë dyshimi që dhuratat (dhuntitë, begatitë) materiale dhe shpirtërore dhe ndihma e All-llahut të gjithëfuqishëm që u është dhuruar fëmijëve të Izraelit kanë qenë të shumta.
Ai i krijoi dhe e furnizoi popullin me to pa i mbjell, pa mund dhe pa punë, pra pa pasur nevojë për të lëruar ose ujitur. Këto janë dobitë dhe begatitë e All-llahut të Madhërishëm. Sa i përket dhuratës në formë ushqimi të All-llahut për fëmijët e Izraelit, ai i furnizoi ata edhe me kërpudhat tuberose për këtë qëllim, si ushqim më të përkryer, dhe i bëri ato në vend të bukës së tyre, ndërsa shkurtëzat kanë qenë mishi i tyre që e kanë kërkuar, dhe lëngu bimor (arab. tall; turunxhubin; nasg) u ka dhënë energjinë e duhur. Lëngun bimor që e kanë pirë ka qenë i përgatitur, i lejuar dhe i ëmbël, të cilin e nxirrnin nga drurët e shkretëtirës dhe ai përbënte një ushqim vital për jetën, shëndetin dhe ekzistencën e tyre. Prandaj, vetëm me këto begati dhe dhurata të All-llahut, në mes të shumë të tjerave, ata kishin mundësi të kënaqnin dëshirën e tyre për mish dhe të mbijetonin kalimin nëpër shkretëtirë. Tërë këtë e arritën me lejen e All-llahut.
Ky ishte ushqimi i premtuar dhe i dërguar prej All-llahut azze we xhel për çdo ditë 40 vite me radhë, për miliona njerëz. Ushqeheshin pa asnjë lloj mundimi me një ushqim që pra nuk mundet as të paramendohet për nga shija dhe mirësia. Por pasi se populli i Musait a.s. ishte pa besim të sinqertë u ndalua kjo mirësi e All-llahut azze we xhel pasi se ata e përbuzën. Sa i përket rrëshirës së ëmbël natyrore (arab. turunxhubin), ajo është forma tjetër e mannas. Kjo është e bardhë, pluhur dhe ushqim i mirë, i cili kishte zbritur nga qielli, që ishte shpëtim mrekullibërës nga uria.
Ajo që dihet sot, është se Mana, pra që ka qenë atëherë dhe nga ajo që gjendet sot: ajo ka efekt purgativ, antipiretik, analgesik kundër anemisë dhe arteriosklerozës dhe edhe shumë sëmundje tjera. Por pasi se nuk gjendet lehtë dhe edhe nëse gjendet është në masa shumë të vogla nga ajo që i nevojitet trupit, as nuk jam ndal aq shumë në këtë kërkim të mëtutjeshëm.
All-llahu alem.
Literatura e përdorur:
- Kur’ani përkthim nga Hasan Nahi
- Enciklopedia e bimëve shëruese
- Heilpflanzen ( bimët shëruese ) M. Pahlow
- Mjekësia e të Dërguarit Muhammed – Ibn Kajjim el- Xhevzi- përkthim nga Prim.Dr. Med. Sci. Ali Iljazi
- Faqe të ndryshme të internetit
- Tekste nga Bibla dhe Teurati i sotshëm
Përgatiti: Suzana Hasani