Argumentet dhe metodat mendore të Ibrahimit a.s.

Besimi në Allahun xh. sh. duhet të jetë me bindje dhe shpirt të thellë, në mënyrë që të mos mbetet asnjë dyshim. Ai besim duhet të manifestohet me tërë qenien, kështu që besimtari të arrijë dritën e vërtetë të besimit, larg çdo forme të shirkut.

Mendja është faktori kryesor për të arritur besimin e vërtetë dhe të shëndoshë. Islami ka nxitur gjithmonë pasuesit e tij për përdorimin e argumenteve logjike, duke tërhequr vërejtjen për pasimin e verbër. Ai madje iu kundërpërgjigj shumë ashpër pabesimtarëve për këmbënguljen e tyre për të qëndruar në besimin e baballarëve të tyre. Kur'ani pasqyron mirë gjendjen e tyre, kur thotë: "Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë".
Kështu, Kur'ani famëlartë hedh poshtë pretendimet e tyre, duke sjellë argumente logjike: "Sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do të pasonin)?"
Kjo metodë shpirtërore ngre lart rolin e mendjes, të cilën e gjejmë të shtruar në Kur'anin e madhëruar: "Në krijimin e qiejve e të Tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt".
"A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të kenë zemra me të cilat do të kuptojnë?" (El-Haxhxh,46).
"Thuaj: udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi". (El-Ankebut, 20)
Ibrahimi a.s. pati fatin që të vinte në përdorim mendjemprehtësinë tij si askush më parë. Nëpërmjet saj arriti të sjellë argumente për të nxjerrë përfundime pozitive e të prera të bazuara në besimin e tij. "Por, mizorët mohojnë argumentet e Allahut." (El-En'am, 33)
A ka argument më të fortë se fjalët e Ibrahimit a.s. që ia tha atij që veten e kishte shpallur zot. Ja si e përshkruan këtë Kur'ani: "Kur Ibrahimi tha: Zoti im është ai që jep jetë dhe vdekje". Megjithëkëtë, ai mizor vazhdoi me këmbëngulje të mbronte hyjninë e tij: "Ai tha: edhe unë jap jetë dhe vdekje".
Argumentet mendore që përdori Ibrahimi a.s. për të mposhtur atë mizor, në Kur'an janë të pafundme: "Ibrahimi tha: ”Zoti im e sjell Diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi?" Atëherë ai që nuk besoi, mbeti i hutuar.”
Nëse lexojmë më me kujdes ajetet kuranore, do të vërejmë se Allahu xh.sh., nëpërmjet Kur'anit të madhëruar, na fton të kthehemi nga qiejt e Toka, kurse ajetet që bëjnë fjalë për metodën e Ibrahimit a.s. gjatë misionit të tij, tregojnë lidhshmërinë në mes tyre. Ajo lidhshmëri në mes të Islamit dhe babait të pejgamberëve, Ibrahimit a.s., tregohet qartë në ajetin kuranor të sures El-Haxhxh: "Në fenë e babait tuaj, Ibrahimit".
Apo në ajetin 67 të sure s Ali-Imran: "Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte nga idhujtarët".
Një metodë e tillë induktive është e domosdoshme në misionin e pejgamberit dhe është specifike, sepse atë e ka zgjedhur Allahu xh. sh. dhe e ka dalluar me dhunti të shumta, ashtu siç vërehet tek shembulli i Ibrahimit a.s., kurse tek njerëzit e tjerë, rëndom kjo mënyrë mund të jetë e pjesërishme.
Që ta studiojmë metodën mendore të Ibrahimit a.s. të përdorur gjatë misionit të tij, na shtyjnë fjalët e Allahut xh. sh. drejtuar Muhammedit a.s.: "Pastaj ty të shpallëm: Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit, sepse ai nuk ka qenë nga idhujtarët (as jehudi as i krishterë)".
Nëse studiojmë metodën e Ibrahmit a.s. të përdorur në misionin e tij, do të vërejmë se atë e karakterizojnë:

Butësia

Këtu vërejmë mënyrën e butë e të dashur të dialogut të tij me të atin, kur i thotë: "O babai im", duke i thënë se pasimi i atij që i është dhënë dituri, është më meritor për t'u pasuar sesa i baballarëve që kanë jetuar në një injorancë të thellë. Këtë e thekson Kur'ani në suren Merjem, ajeti 42, ku thuhet: "Kur babait të vet i tha: O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, as nuk ke asgjë prej tij?"
Me ketë Ibrahimi a.s. sikur dëshironte t'i thoshte se ç'dobi kishte nga ai adhurim i kotë, duke shpalosur para t'et adhurimin e vërtetë dhe se adhurimi që kishte zgjedhur, ishte shtrembërim nga adhurimi i vërtetë në Allahun xh. sh. Në fund Ibrahimi a.s. arrin kulmin e butësisë dhe të mirësjelljes ndaj babait, duke i tërhequr vërejtjen për ndëshkimin e dhembshëm: "O babai im, unë kam frikë se ty do të të godasë ndonjë dënim prej të Gjithëmëshirmit dhe do të jesh shok i djallit".
Kur Ibrahimi a.s. e kuptoi se këshillat e tij drejtuar t'et nuk bënin dobi, dhe se butësia e mirësjellja nuk dhanë ndonjë rezultat, ai nuk ngurroi që misionin e tij të vërtetë ta vazhdonte pa treguar ndonjë respekt a mirësjellje të thellë ndaj t'et, sepse këtë nuk e lejonte besimi i tij: "Kujto (o i dërguar) kur Ibrahimi i tha babait të vet, Azerit: “Vallë, statujat (idhujt) i adhuroni për zot? Unë po të shoh ty dhe popullin tënd në një humbje të sigurt".

Dialogu

Dialogu a diskutimi me qëllim të kërkimit të së vërtetës, pa paragjykime dhe pa emocione, sjell rezultate pozitive. Në dialogun e Ibrahimit a.s. me tiranin Nemrud dhe babanë e vet, vërejmë se si Ibrahimi debatonte me fjalë të thjeshta dhe të përshtatura me natyrën e dialogut, larg çdo polemizimi të dëmshëm, duke kaluar prej argumentit të fortë tek më i forti.
Meqenëse mënyra teorike e përdorur nga Ibrahimi a.s. nuk solli rezultate, ai kaloi në praktikë, sepse praktika sjell fuqi, e fuqia është bazë e suksesit.

Paraqitja e misionit tek të afërmit

Që thirrja (islame) të ketë sukses, duhet të fillohet nga të afërmit. Shembuj të tillë gjejmë në Kur'anin e madhëruar: "Dhe tërhiqja vërejtjen farefisit tënd më të afërt".

Qëndrueshmëria

Thirrësi për në rrugën e Allahut xh.sh. duhet të jetë i përgatitur për të përballuar çdo pengesë nga populli i tij, për të mbrojtur fenë e Allahut, ashtu siç veproi Ibrahimi a.s., kur tha: "Pasha Allahun, posa të largoheni ju, statujave kam për t'ua bërë atë që duhet". Këtë edhe e bëri duke i thyer ato (statujat).

5) Ndërtimi i Qabesë

Misioni në rrugën e Allahut xh. sh. duhet të ketë domosdoshmërisht lidhshmëri të plotë në mes veprës dhe fjalës, sepse besimi është fjalë që e vërteton vepra. Për këtë arsye një nga iniciativat e Ibrahimit a.s. qe edhe çuarja në vend e urdhrave të Allahut për ndërtimin e Qabesë: "Kujto kur ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabesë)". (El-Haxhxh,26)
Ibrahimi, me të birin Ismailin, shpejtuan për të çuar në vend këtë urdhër të Allahut xh.sh., sikurse thuhet në suren El-Bekare, 127: "Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabesë), luteshin: "Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon e di!"

6) Nga Ibrahimi a.s .kërkohet flijimi i të birit, Ismailit

Është e vërtetë se ndërtimi i Qabesë në një vend të shkretë pa asnjë banor, për ta çuar në vend urdhrin e Allahut, kërkon mjaft durim, porse sprova më e madhe është kërkesa që, për hir të Allahut, të flijojë birin e vetëm të tij, Ismailin. Mirëpo, shtrohet pyetja: Nëse Ibrahimi a.s. kishte vendosur ta çonte në vend urdhrin e Allahut, a thua si ishte përgjigja e birit të tij, Ismailit? Njeriu, në të vërtetë, këso rastesh gjendet në një pozitë tmerrësisht të vështirë, por besimi i plotë dhe i sinqertë në Allahun xh.sh., edukimi i fëmijës në baza të shëndosha fetare, solli një përgjigje të padëgjuar më parë: "Ai i tha: O babai im, vepro ashtu si urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve". (Es-Saffat, 102)
Nga metoda e Ibrahimit a.s. mund të nxirren shumë mësime, nga të cilat mund të përfitojë çdo thirrës në rrugën e Allahut xh.sh.; ndonëse gjatë jetës së tij do të përballet me pengesa e vështirësi, në fund Allahu xh.sh. do ta shpëtojë ashtu sikurse e shpëtoi Ibrahimin a.s.

7) Afrimi tek Allahu xh.sh

Ibrahimi a.s. gjithmonë e luste Allahun xh.sh. me fjalët: "Zoti im, më dhuro mua urtësi dhe më bashko me të mirët! (Esh-Shuara, 83)
Apo: "O Zoti im! Më bëj mua nga ata që falin namazin, e edhe pasardhësit e mi, dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë! Zoti ynë! Më fal gabimet mua edhe prindërve të mi, fali të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria".
Nëse dikush shtron pyetjen: Si është e mundur të lihet bashkëshortja dhe fëmija i tij i vetëm në një shkretëtirë të rrezikshme, ashtu siç veproi Ibrahimi a.s. me familjen e tij, kur dihej se ai shquhej për një mendjemprehtësi të rrallë?
Përgjigjja mund të jetë: "Ajo mendje që ishte e bindur se zjarri mund të bëhet i qetë dhe i ftohtë, nuk ka pse të frikësohet për gruan dhe fëmijën e tij".
Përveç kësaj, ai (Ibrahimi a.s.) e luti Allahun xh.sh që të bënte që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ta dhe t'i furnizojë me fruta. Kjo, për të qenë argument dhe për të dëshmuar për sinqeritetin e Ibrahimit a.s. në Zotin e tij.



Përktheu nga arabishtja:
Feim Gashi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë