Besimtari i varfër dhe tregtari


Një besimtar i sinqertë por i varfër, me përkushtim ishte duke përmendur emrin e Zotit. Një tregtar, duke parë bindjen dhe sinqeritetin e tij, i prekur thellë, iu afrua të varfrit duke ia lënë një qese me flori dhe i tha: "Jam i sigurt që këto të holla do t'i shfrytëzosh për Allahun e Madhërishëm. Të lutem merri".
"Vetëm një moment, - i tha besimtari i varfër. - A je ti njeri i pasur? Dhe a ke para në shtëpi?"
"Oh, po! Kam më shumë se njëmijë florinj!” - tha me krenari tregtari.
"A dëshiron t’i kesh edhe një mijë?" - e pyeti i varfri.
"Natyrisht! Unë punoj çdo ditë, prej mëngjesit në mbrëmje, për të fituar edhe më shumë".
"Por, a dëshiron të kesh më shumë se 2000 florinj?" e pyeti i varfri.
"Po, si jo! Çdo ditë e lus Allahun që të më japë shumë e shumë të holla".
Kur dëgjoi këtë, i varfri ia ktheu qesen e florinjve tregtarit dhe i tha: "Më vjen keq, nuk mund t'i marr florinjtë e tu. Nuk është në rregull që i pasuri t'i marrë të hollat nga i varfri".
"Çfarë thua?! - bërtiti i mllefosur tregtari. -Ti i pasur, e unë i varfër?!"
"Unë jam i pasur, sepse jam i kënaqur me atë që më ka dhënë Allahu. Ti je i varfër, edhe pse ke të holla, sepse nuk je i kënaqur dhe kërkon nga Allahu që ta rrisë pasurinë tënde".



Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Akademia solemne për "Diturinë Islame", vlerësime për misionin e saj