Tregohet se një burrë për herë të parë në jetën e tij kishte blerë një gomar dhe nga gëzimi i madh e vendosi atë mbi çatinë e shtëpisë së tij. Nga aty filloi t’ia tregonte shtëpitë e të afërmve të tij të ngushtë, që të njoftohet me rrugët dhe rrugicat për të mos humbur rrugën gjatë kthimit të tij në shtëpi.
Me të perënduar dielli, burri mori gomarin që ta zbriste nga çatia e shtëpisë dhe ta çonte në hambar, por gomarit i pëlqente qëndrimi mbi çati dhe dëshironte të qëndronte mbi të. Burri e luti shumë herë që të zbriste nga çatia, por gomari nuk pranoi, pastaj u përpoq ta zbriste me forcë, por pa sukses.
Kur gomari pa që burri nuk do të dorëzohej derisa ta zbriste nga çatia, ai filloi të godiste me shkelma. E gjithë shtëpia po dridhej dhe çatia prej druri e shtëpisë së vjetër nuk i rezistoi dot shkelmave të gomarit.
Duke parë rrezikun, burri me shpejtësi zbriti për të larguar gruan dhe fëmijët nga shtëpia, dhe për pak minuta çatia e shtëpisë u shemb dhe gomari i shkretë gjeti vdekjen.
Burri iu afrua gomarit të ngordhur, i cili ishte mbuluar me gjak, dhe i tha: “Pasha Zotin, nuk është faji yt, por i imi. Sepse unë isha ai që të vendosa lartë mbi çati."
Lexues i nderuar. Është vështirë ta detyrosh gomarin të largohet nga vendi që nuk i takon pasi t’i është mundësuar të vie në atë vend. Në të tilla raste nuk duhet fajësuar gomarin, por njerëzit që e kanë sjell aty. Sepse kur gomari hipë mbi çati, ai kurrsesi nuk do të zbresë para se të shembet shtëpia.