Vlera e ditës së xhuma


Dispozita e ditës së xhuma është farz (obligim personal) për çdo besimtar të mençur dhe në moshë të rritur, me përjashtim të robit, gruas, fëmijës, të sëmurit dhe udhëtarit.

Vlerën e ditës së xhuma e nxjerr në pah thënia profetike që transmeton Eus bin Eusi r.a., se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Kush pastrohet ditën e xhuma dhe rregullohet sa më mirë që është e mundshme. dhe shpejton sa më herët që është e mundshme, e shkon në këmbë e jo duke kalëruar, pastaj i afrohet imamit, e përcjell hutben me vëmendje pa kurrfarë lëvizje të palejueshme (me gjymtyrë ose me gojë), do të ketë shpërblim sikur të jetë falur tërë vitin.” (Ahmedi dhe Ebu Davudi)
Gjithashtu nga vlera e ditës së xhuma është se Allahu i Madhëruar robit të vet ia fal mëkatet që i ka bërë ndërmjet dy xhumave, nëse janë mëkate të vogla, ndërsa, nëse janë mëkate të mëdha, atëherë kërkohet pendim për faljen e tyre. Ketë e sqaron thënia profetike e transmetuar nga Selman el-Farisiu r.a., se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Kush pastrohet ditën e xhuma sa më mirë, i lyen flokët me vaj ose parfumoset, pastaj shkon dhe nuk i ndan dy vetë (në saff) (nuk i shtyn njerëzit që t’i hapë rrugë vetes), pastaj fal atë që i është përcaktuar, pastaj hesht derisa imami e mbaron hutben, i falet ajo që e ka bërë ndërmjet kësaj dhe xhumasë së kaluar.” (Buhariu)
Nga hadithet e lartpërmendura mund të përfundohet se shpërblimi i namazit të xhumasë është shumë i madh; kush e fal atë, ka këto shpërblime:
1. -Për çdo hap që bën deri në xhami, besimtari ka shpërblim sikur të jetë falur dhe të ketë agjëruar tërë vitin.
2. -Ai që shkon më herët në xhami për namazin e xhumasë, ka shpërblim sikur të kishte therur kurban, madhësia e të cilit varet nga shkuarja sa më herët në xhami.
3. -Mëkatet ndërmjet dy xhumave falen.
4. -Melaiket ua shënojnë falësve shpërblimet për shkak të kryerjes së namazit të xhumasë.
Kështu pra, njeriu në radhë të parë duhet të dijë qëllimin e jetës së tij, të dijë se nga vjen dhe nga shkon, ta njohë Krijuesin e tij, dhe a thua ka ndonjë obligim ndaj Krijuesit të tij...
Me një fjalë, ta dijë pse është krijuar...
Qëllimi i jetës së njeriut se për çfarë është krijuar, është adhurimi i Zotit Një dhe të Vetëm. Ai edhe thotë në Kuran: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër përveç që të më adhurojnë.” (Kuran, 51:56)
Adhurimi bëhet në mënyra dhe në forma të ndryshme. Adhurim ndaj Allahut është edhe zbatimi i urdhrave të Allahut, e urdhër i Allahut është edhe namazi i xhumasë. Për këtë Allahu në Kuran na urdhëron e thotë:
“O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, falni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini. E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë (kthehuni në punën e mëparshme) dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim”. (Kuran, 62:9-10).
Pra, ky është urdhër i prerë dhe duhet zbatuar pa hamendje, prandaj nuk ka hapësirë për arsyetim. Pra, namazi i xhumasë është obligim për myslimanin, i cili duhet të dëgjojë ligjëratën dhe të falë namazin (farzin i cili përbëhet prej dy rekateve), dhe kthehu në punën tënde ku ishe më parë.
Këtu duhet të kesh parasysh një rregull, e cila është: Shitblerja në kohën e namazit të xhumasë është haram (e ndaluar rreptësisht) dhe paraja e fituar në kohën kur falet namazi i xhumasë, nuk sjell kurrnjë dobi, po vetëm dëm.
Si tregtar që je, ky ajet domosdoshmërisht e drejton thirrjen kah ti dhe kërkon nga ti që, në kohën e namazit të xhumasë, të lësh plotësisht shitblerjen. Por, mos mendo se shitblerja është e ndaluar para dhe pas namazit të xhumasë. Ekzistojnë njerëz që thonë se unë diten e xhuma nuk punoj fare, por kjo ide bie në kundërshtim me ajetin kuranor, sepse Allahu aty thotë: “E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë (kthehuni në punën e mëparshme).”
Ekziston një lloj tjetër i njerëzve, pronar të kompanive, të cilët, edhe pse e falin namazin e xhumasë, punëtorët e tyre i pengojnë për ta falur atë dhe u thonë: Kur ta dëgjoni ezanin e xhumasë, uluni dhe mos punoni derisa ta përfundojë myezini. Këtë e bëjnë kinse në shenjë respekti ndaj Allahut dhe ditës së xhuma. Ore njeri i mirë, po qe se dëshiron të shprehësh respekt ndaj Allahut dhe ditës së xhuma (që ti për vete po e respekton dhe po e fiton shpërblimin e ditës së xhuma), atëherë mos i pengo as ata punëtorë që punojnë në kompaninë tënde, që të shkojnë dhe t'i shprehin respekt Allahut dhe ditës së xhuma. Kështu pra, kuptoje njëherë e përgjithmonë se, paraja e cila fitohet në kohën e namazit të xhumasë, nuk sjell kurrfarë dobie, por është e dëmshme për ty dhe për familjen tënde.
Allahu, lidhur me ata njerëz që e respektojnë dhe e falënderojnë Atë, thotë: "Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s'ka dyshim. dënimi Im është i vështirë!” (Ibrahim, 7).
Falënderimi i takon Allahut



Mr.sc. Avdyl Rrahmani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dedikime për Muhamedin a.s. në muajin e Mevludit - lindjes së tij.