Një mbret i ri mblodhi të gjithë rininë dhe iu tha se të vjetrit (pleqtë) janë të padobishëm dhe janë barrë për vendin. Ata janë të dobët dhe të pafuqishëm për të bërë ndonjë punë produktive. Të gjithë pjesëtarët, dikush nga frika e dikush nga budallallëku ranë dakord me mbretin.
Shumë shpejt, mbreti dha urdhër që t’u merret jeta të gjithë njerëzve që ishin mbi 60 vjeç pasi ata e kishin bërë jetën e tyre tashmë. Kështu, të gjithë njerëzit e vjetër të atij vendi u vranë. Një djalë i ri, kishte shumë respekt dhe e donte shumë babanë e tij të moshuar, kështu kur erdhën ushtarët e mbretit ai e fshehu të atin në hambar dhe i shpëtoi jetën.
Pas disa vitesh, një thatësirë kaploi vendin. Njerëzit vuanin nga sëmundjet dhe nga mungesa e ushqimit. Uria ishte bërë aq e madhe saqë u përdorën për bukë edhe rezervat e grurit që ishin ruajtur për farë (për të mbjellë vitin tjetër). Thatësira kaloi, sezoni i mbjelljes erdhi, por tashmë nuk kishte mbetur asnjë kokërr gruri për të mbjellë.
Të gjithë ishin të shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodheshin, por askush nuk kishte asnjë ide se si ta përmirësonin këtë situatë. Djaloshi i cili kishte fshehur babanë e tij, sa herë që kishte ndonjë shqetësim shkonte dhe merrte këshilla nga babai i tij i moshuar. Kështu, edhe këtë herë, ai shkoi tek ai dhe i rrëfeu për situatën e vështirë në të cilën ndodhej vendi i tyre.
Plaku i vjetër u mendua për pak dhe tha, “Mos u shqetëso… E mban mend rrugën e vjetër e cila vinte nga filan fshat dhe kalonte përballë shtëpisë sonë dhe përfundonte në fshatin fistek?” “Po”, ia ktheu djali kureshtar për atë që do ti thoshte babai i tij.
“Merri qetë (kau në shumës), lidhi në plug dhe plugoje të gjithë atë rrugë. Mos plugo arat që janë përdorur gjithmonë për mbjelljen e grurit por puno vetëm rrugën e vjetër dhe më pas prashite.” “Vetëm kaq? Po ne nuk kemi farë për të mbjellë, si do të mbijë grurë?”, e pyeti djaloshi përsëri i habitur. “Bëj kështu si të them dhe ki kujdes mos të të shohë dikush kur më viziton mua. Hajde vetëm pasi të ketë mbirë gruri”, ia ktheu plaku.
Dhe djaloshi si gjithmonë, ndoqi këshillën e babait të tij, plugoi rrugën e vjetër dhe e prashiti. Pasi filluan shirat, filiza gruri filluan të mbijnë dhe të dalin në sipërfaqe në të gjithë rrugën e pluguar. Djaloshi u habit shumë kur pa grurin të mbijë pa mbjelle asnjë kokërr fare. Të gjithë e vunë re grurin që kishte mbirë dhe fjala u hap në të gjithë vendin. Midis këtyre e mori vesh dhe mbreti. Nga kureshtja, ai thirri djaloshin në pallatin e tij mbretëror dhe e pyeti për sekretin që kishte përdorur.
Në fillim djaloshi hezitoi ti tregojë, por më pas, i ndodhur në situatë shumë të vështirë dhe s’kishte se çfarë shpjegimi ti jepte mbretit, i tregoi se kjo ishte këshilla që i dha babai i tij që ishte ende gjallë. Mbreti thirri plakun dhe donte të njihej me këtë sekret. Plaku erdhi dhe i tregoi, “Madhëria Juaj, nga eksperienca ime, unë di që para shumë e shumë vitesh, dikur në atë rrugë kalonim të gjithë me të korrat tona dhe sillnim prodhimin nga arat e fshatit filan e dërgonim në depon e emergjencës të fshatit fistek.
Me siguri gjatë rrugës aty kishin rënë kokrra gruri nga karrocat tona. Por duke qenë se toka ishte e fortë dhe përdorej për rrugë, farat ishin ende nën tokë dhe nuk kishin mundësi të mbinin në sipërfaqe. Kështu që, mjaftonte vetëm ta punonit atë rrugë dhe tu jepej mundësia farave të mbinin.”
Pasi dëgjoi të gjithë këtë, mbreti vuri re gabimin e tij dhe kuptoi se sa rëndësi ka eksperienca e një personi të moshuar dhe që këshillat e tyre do të ndihmojnë të rinjtë për të tejkaluar çdo situatë të vështirë në të cilën ata mund të ndodhen. Pas këtij incidenti, u dha urdhër që të moshuarit e atij vendi të trajtohen me respekt dhe me dashuri. Ata duhen të trajtoheshin si thesar i atij vendi.
Mësimi:
Të vjetrit janë një Magazinë e madhe plot me dije. Zgjuarsia, dija, dhe eksperienca e tyre na ndihmon që të tejkalojmë krizat dhe vështirësitë që përballemi në këtë jetë. Duhet ti respektojmë dhe ti duam ata. Jepu atyre ndjesinë që ne mezi presim për këshillën dhe drejtimin e tyre në jetë. Bëji të ndihen të dëshiruar, të respektuar, të dashur dhe të përkujdesur. Duhet ti mbajmë mirë të moshuarit dhe të fitojmë bekimin e tyre në jetë.
E huazuar ...