Hajduti dhe njeriu i mençur


Një hajdut dhe grabitës karvanësh, kishte vënë mënjanë shumë pasuri, sigurisht të fituara në rrugë të pandershme. Por, pavarësisht pasurisë së shumtë që kishte, ai nuk ndihej i lumtur.

Mu për këtë, një ditë, mori rrugën dhe vajti tek një njeri i mençur dhe që gëzonte respektin dhe reputacionin e të gjithëve.
Pasi e përshëndeti i tha: ”Kam ardhur të më tregosh si mund të fitoj lumturinë. Unë kam shumë pasuri dhe veç kësaj, kam edhe katërqind hajdutë që më binden dhe mund të më sjellin dyfishin e pasurisë që kam. Megjithatë, vazhdoj të bëj një jetë të mjerë dhe të palumtur!”

Njeriu i mençur e mori dhe së bashku bënë një copë rrugë derisa mbërritën tek bregu i një kodre të lartë. Ai i bëri me shenjë tre gurë të mëdhenj dhe i kërkoi ti mbajë në krahë, teksa do të ngjiteshin kodrës.
Hajduti me nam vajti dhe i ngriti tre gurët, bëri disa hapa dhe thirri: ”Mjeshtër! Janë aq të rëndë saqë mezi po i mbaj, jo më të ngjitem kodrës!”

Njeriu i mençur i kërkoi ta hedhë njërin gur, pastaj i bëri me shenjë ta ndjekë teksa ngjitej kodrës.
Pasi përshkoi një distancë të shkurtër, hajduti thirri: ”Mjeshtër! Po me merret fryma dhe më lanë forcat! Nuk mundem të bëj as dhe një hap më tepër me këto dy gurë kaq të rëndë!”

Njeriu i mençur i kërkoi ta hedhë edhe njërin gur dhe të vazhdojë ngjitjen duke mbajtur tashmë vetëm njërin prej tyre.

Pasi përshkuan dhe një copë rrugë, hajduti u ndal për të tretën herë dhe i tha: ”Mjeshtër! Pasha Zotin nuk mundem më! Më ra bretku dhe jam gati të shembem përtokë!”

Atëherë njeriu i mençur e urdhëroi të hedhë dhe gurin e tretë. Pasi u çlirua edhe nga guri i tretë, hajduti e ndoqi lehtësisht deri në majën e kodrës.

Pasi u ngjitën në majë, njeriu i mençur i tha: ”Devijimi nga rruga e drejtë e rëndon në maksimum ndërgjegjen e njeriut. Ashtu siç nuk i mbaje dot tre gurët e rëndë teksa i ngjiteshe kodrës, ashtu edhe ndërgjegjja e rëndë nuk të lejon ti ngjitesh “kodrës” së lumturisë.”

Në momentin kur vihemi kundër vlerave, ndërgjegjja jonë fillon e rëndohet, niveli i stresit fillon e rritet dhe pasiguria fillon e shtohet. Injorimi i zërit të ndërgjegjes për një kohë të gjatë e mbyt zërin e saj dhe e shndërron në diçka të vdekur, të pajetë. Rëndimi i ndërgjegjes me vepra të liga, rëndon jetën tonë, cenon lumturinë dhe cilësinë e jetës.



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme