Mirësitë e shoqërimit me Kuranin fisnik


Leximi dhe meditimi mbi versetet e Kur'anit fisnik është akt i ibadetit (adhurimit) i cili personin e afron tek All-llahu i Madhërishëm.

Andaj, secili besimtar i sinqertë, i cili shpreson në dashurinë dhe afrimin tek All-llahu i Madhërishëm, duhet ta lexojë Kur'anin fisnik duke medituar dhe kuptuar atë si fjalë e përhershme e Tij. Leximi i këtij libri madhështor ka shumë mirësi edhe në këtë edhe në botën tjetër. Ja, po i numërojmë disa prej mirësive (fadilet) të shoqërimit me Kur'anin fisnik:

1. Leximi i Kur'anit dhe meditimi për të plotëson një obligim islam
Pejgamberi, s.a.v.s., fenë e ka përmbledhur si "këshillë". Transmeton Temim ibn Avs, r.a.
E pyetën: Ndaj kujt: "Ndaj All-llahut, Librit të Tij, Pejgamberit të Tij, udhëheqësve të popullit dhe ndaj njerëzve".
Këshilla (nasihat) që jemi të detyruar ndaj Librit të All-llahut, përmbledh leximin e rregullt, leximin e bukur, mësimin e kuptimit të tij dhe shkakun e shpalljes, dëshminë se ai është fjalë e All-llahut, e jo krijesë e tij, nderimin ndaj tij, ruajtjen e tij, përfilljen e ndalesave që gjinden aty, mësimin e të tjerëve dhe ftesa në të.
Pra, me leximin dhe meditimin për Kur'anin fisnik, besimtari e plotëson obligimin e tij, sepse në Ditën e Gjykimit Kur'ani do të jetë argument për ose kundër nesh.

2 Kur'ani në Ditën e Gjykimit do të jetë argument në dobinë tonë
Këtë përfundim e nxjerrim nga thënia e Pejgamberit, s.a.v.s.: "Kur'ani është argument për ju apo në dëm tuajin". (Hadithin e transmeton Muslimi).
Pra, me këtë argument, në Librin e All-llahut ndodhin njëra prej dy gjërave: ose do të jetë në dobinë tonë, ose në dëmin tonë, në ditën kur më së tepërmi nevojiten veprat e mira.
Andaj, vëlla, ki kujdes për pozitën tënde ndaj Kur'anit! Mendo: a vepron sipas dispozitave të tij?
O All-llah! Të lutemi me Emrat e Tu më të bukur dhe atributet Tua, të bësh që Kur'ani të jetë argument në dobinë tonë! O All-llah! Mos lejo që atë ditë, ai të jetë argument kundër nesh! Na bën që Kur'ani të jetë ndërmjetësues tek Ti, o All-llah!

3. Kur'ani për ne do të ndërmjetësojë në Ditën e Gjykimit
Ebu Ummame transmeton që Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: "Lexoni Kur'anin, sepse ai do të vijë Ditën e Gjykimit dhe do të ndërmjetësojë për ata që janë shoqëruar me të."

4. Gjendja jonë në këtë botë do të përmirësohet
Në sahihun e Muslimit gjendet tregimi i bukur për njeriun të cilit i është premtuar Xhenneti.
Disa njerëz gjatë sundimit të Omerit, r.a., kanë ardhur dhe kanë pyetur: "Kush është sundues i Mekës? Ai u përgjigj: "Ibn Abza."
Ata e pyetën: "Kush është Ibn Abza? Ai u përgjigj "Është njëri prej robërve që ne e kemi liruar". Ata thanë: "Robi i porsaliruar të sundojë me fisin e ndershëm Kurejsh!?
Në këtë Omeri, r.a., u përgjigj: "Është ai i cili e lexon Librin e All-llahut dhe i njeh mirë obligimet e muslimanëve. Por, ju a nuk keni dëgjuar Pejgamberin, s.a.v.s.: "Vërtet All-llahu me Librin e Tij disa njerëz i ngre lartë, e disa i poshtëron".

5. Do të jemi më të mirët e njerëzve
Othmani, r.a., transmeton se ka dëgjuar nga Pejgamberi, s.a.v.s., të ketë thënë: "Më të zgjedhurit e ummetit janë ata që e lexojnë Kur'anin dhe të tjerët i mësojnë." Hadithin e transmeton Buhariu.

6. Për çdo shkronjë të lexuar të Kur'anit pasojnë dhjetë shpërblime
Këtë na tregon hadithi autentik i Tirmidhiut: "Kush e lexon një shkronjë të Kur'anit do të ketë shpërblim. Ky shpërblim do të jetë i dhjetëfishuar. Andaj, Elif, Lam dhe Mim, nuk janë një shkronjë, por Elifi është shkronjë në vete, Lami një shkronjë në vete dhe Mimi është shkronjë në vete."
Andaj, vëllezër, të shumojmë leximin e Kur'anit për ti fituar këto shpërblime.

7. Lexuesit e Kur'anit do të jenë në shoqëri me melekët fisnikë
Aisha, r.a. transmeton nga Pejgamberi, s.a.v.s.: "Vërtet ai i cili lexon Kur'an pa gabime do të jetë në shoqëri me melekët fisnikë dhe të dëgjueshëm. Ndërsa ai i cili lexon Kur'an me vështirësi, duke bërë gabime, do të ketë shpërblim të dyfishtë." Hadithin e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, vëlla i dashur në Islam, mos lejo që shejtani të të mashtrojë me fjalët që të thuash se gjuha arabe nuk është gjuha ime. Andaj mos u hamend, por mëso të lexosh Kur'anin fisnik në origjinal, sepse me të vërtetë gjatë leximit dhe meditimit të Kur'anit je në shoqërinë e mysafirëve të nderuar-me melekët fisnikë.

8. Pozita jonë në Xhennet do të përcaktohet në bazë të ajeteve të memorizuara të Kur'anit
Abdullah ibn Amr ibn El-As ka dëgjuar Pejgamberin, s.a.v.s., duke thënë:
"Do t'i thuhet atij që është shoqëruar me Kur'anin: "Lexo dhe ngritu (nëpër shkallët e Xhennetit) dhe zbukuroje zërin tënd ashtu si ke vepruar në dynja. Vërtet vendi yt në Xhennet do të jetë deri te ajeti i fundit që e ke lexuar." Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe hadithi është sahih.

9. Kur'ani na udhëheq drejt Xhennetit
Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: "Kur'ani është ndërmjetësues i atij që i lejohet dhe që e beson Kur'anin si të vërtetë. Kush e vë Kur'anin para vetes, ai do ta udhëheqë në Xhennet, ndërsa kush e lë pas vetit, ai do ta shpjerë në zjarrin e Xhehennemit." Hadithi është autentik dhe e hasim te Taberaniu, ndërsa e transmeton Abdullah ibn Mes'udi, r.a.
Kështu o vëlla, këto nëntë mirësi arrihen vetëm me adhurim të sinqertë ndaj All-llahut. Nuk mjafton të thuash me gojë: "E dua Kur'anin. Është i mrekullueshëm", por me lidhje të sinqertë, me zemër, për Librin e All-llahut, duke e lexuar dhe medituar për të.
Mos harroni se me leximin e tij arrihet pushim dhe relaksim shpirtëror, në dynja, ndërsa ai do të jetë shoqëruesi ynë në varr dhe ndërmjetësues në ditën më të vështirë-Ditën e Gjykimit.



Shkëputur nga libri "Trajtesa të zgjedhura Islame dhe shkencore"
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë