Një ditë mbreti kërkoi nga ministri t’ia gjente një shërbëtor, punëtor dhe të besueshëm.
Të nesërmen, ministri e solli një djalosh të ri, që sipas tij do të ishte i denjë të punonte për mbretin.
I riu filloi të punonte si shoqërues personal i mbretit
Kaluan disa ditë dhe ministri shkoi te mbreti për ta pyetur se a ishte i kënaqur me shërbëtorin.
“Është i mirë i dëgjueshëm dhe punëtorë, por pamja e tij nuk më pëlqen fare.”
Ministrit iu dukën të çuditshme fjalët e mbretit, por heshti.
Një ditë të nxehtë vere, mbreti i kërkoi shërbëtorit t’i sillte ujë. Aty, i pranishëm ishte edhe ministri. Kur shërbëtori doli për të sjellë ujë, me të shkoi edhe ministri. Kur shërbëtori u kthye, e solli ujin në një enë ari.
Porsa e provoi ujin, mbreti e hodhi menjëherë atë dhe tha: “Ujë i nxehtë… në këtë mot të nxehtë ...”
Ministri e urdhëroi shërbëtorin që t’i sillte ujë mbretit në një enë prej balte.
Mbreti piu ujë dhe u ndje i kënaqur pasi piu prej tij.
Pas kësaj ministri tha: “Madhëria juaj, herën e parë shërbëtori ju solli ujë në një enë prej ari, e cila ishte e bukur, e çmuar dhe e mirë, por i mungonte cilësia për t’i dhënë freski ujit. Ndërsa herën tjetër, shërbëtori ju solli ujë në një enë prej balte, e cila ishte e thjeshtë, por që ka aftësi të ftohet.”
Mbreti e kuptoi se çfarë deshi të thoshte ministri dhe që nga ajo ditë qëndrimi i mbretit ndaj shërbëtorit ndryshoi.
Mësimi
Njeriut duhet t’ia shikojmë virtytet e jo vetëm pamjen e tij, ngase cilësia më e madhe është karakteri i tij.
Ka njerëz të cilët nga jashtë duken bukur, por nga brenda janë të shëmtuar. Ndërsa ka njerëz që nga jashtë nuk janë të bukur, por që brenda tyre pastërtia e ndjenjave të tyre është aq shumë sa personaliteti i tyre bëhet magnetik. Ekziston një ndryshim i madh midis të qenit i bukur dhe të dukesh bukur.
Një njeri bëhet i përsosur nga virtytet, e jo nga pamja e tij. Bukuria e pashlyeshme del nga pastërtia e mendjes, sepse bukuria nuk është thjesht një paraqitje e pamjes së dikujt, por është pasqyra e mendjes, mendimeve dhe veprave të dikujt.