Të dhëna statistikore(1):
- Emri ndërkombëtar në anglisht: Brunei.
- emri zyrtar: Brunei darus-selam.
- Sistemi i qeverisjes: Sulltanat (lloj monarkie).
- Sipërfaqja: 5,770 km².
- Numri i banorëve: 391.450 (nëntor, 2007).
- Dendësia: 60,6 (banorë në 1 km²).
- Feja: Myslimanë 67%, budistë 13%, të krishterë 10 dhe përkatësi vendore fetare 10%.
- Kryeqyteti: Bender Seri Begavan, i cili llogaritet qyteti më i madh në vend.
- Qytetet (Ndarjet administrative) të tjera kryesore: Siria- Pekan, Kuala-Pilati, Pekan-Muara, Toteung.
- Grupet etnike: 67% malaj, kinezë 15%, grup tjetër vendës 6%, të tjerë 12%.
- Gjuhët kryesore: malaje (kryesore), angleze, kineze.
- Njësia monetare: Ringir (Dollar) i Bruneit (1.00 BND = 0.528497 EUR).
- Data e pavarësisë: 1 janar 1984.
- Festë kombëtare: 23 shkurt (1984).
Pozita gjeografike
Brunei është shtet aziatik, i cili shtrihet në pjesën juglindore të kontinentit. Është një shtet i vogël që ndodhet në brigjet veriore të ishullit Borneo dhe konsiderohet shteti më i vogël i ishullit. Brunei me Malejzinë kufizohet në një vijë kufitare prej 381 km, kurse shtrirja në bregdet arrin deri në 161 km..
Shumica e tokës së Bruneit është fushore, kurse zonat e brendshme janë të mbushura me pemë pyjesh. Brunei ka një zonë të posaçme për peshkim.(2) Universiteti më i vjetër dhe më i madh në vend është Universiteti i Bruneit Daru S-selam, i themeluar më 28 tetor 1985.Universiteti Sulltan Sherif Ali është themeluar më 1 janar 2007, i cili konsiderohet si një universitet islamik. Në vend ka edhe institucione të tjera të larta të arsimit.(3)
Brunei ka 2 aeroporte. Vendi posedon disa porte detare dhe rrugë hekurudhore, kjo e fundit është private dhe ka një gjatësi vetëm 13 kilometra.(4)
Bender Seri Begavan: Sipërfaqja e përgjithshme e këtij qyteti është 100, 36 km; dy të tretat e popullsisë në të janë malaj, shumë prej tyre e kanë origjinën nga Hadrami. Në këtë qytet jetojnë edhe kinezë, rreth 15% të popullatës, të cilët konsiderohen pakica më e madhe në vend. Shumica e popullit të Bruneit flasin gjuhën malaje, e cila është gjuhë zyrtare e vendit, por disa flasin edhe dy gjuhë të
tjera, kineze dhe angleze. Pothuajse të gjithë malajtë janë muslimanë, ndërsa shumica e kinezëve janë të krishterë, përveç një përqindjeje të vogël të tyre, që janë budistë. Ky qytet prodhon tekstil, mobilje dhe prodhime të tjera druri; aty funksionojnë edhe artizanate të tjera, prej më të ndyshmeve. Sipas regjistrimit të vitit 2002, popullsia e këtij qyteti (duke përfshirë edhe popullsinë suburbane
të tij) ka arritur në 27,285 banorë, ndërsa dendësia e popullsisë të njejtin vit ka qenë 272 në km2. ky qytet, mund të jetë kryeqyteti më i rëndësishëm i zonave turistike, ndoshta qyteti i vetëm në botë që është në gjendje të absorbojë një numër aq të madh të popullsisë deri në 60.000 njerëz (sa ka arritur kohën e fundit). Dhe pavarësisht nga numri relativisht i madh për rajonin, qeveria, edhe me ndihmën e qytetarëve të saj, ishin në gjendje të mbanin reputacionin si shumë të njohur në botë për sa i përket pastërtisë së rrugëve, rrethuar në të dy anët nga ndërtesa moderne. Nga ndërtesat më të famshme në vend, mund të jetë edhe xhamia “Umer Ali Sejfud-din”, me kubenë e saj masive të artë, e cila bie në bregun e lumit Brunei. Gjithashtu, banorët vendës të kryeqytetit janë krenarë për godinën e pallatit shtetëror, i cili konsiderohet pallati më i madh në botë deri në ditët tona; numri i dhomave arrin deri në 1788, dhe ndodhet jo larg kryeqytetit. Ky pallat lejohet të vizitohet vetëm me ftesë zyrtare.(5)
Historia e Bruneit
Brunei gjatë historisë është përmendur qysh në shkrimet e lashta kineze, andej nga shekulli i shtatë i erës sonë. Në atë kohë Brunei konsiderohej një qendër e rëndësishme tregtare. Sulltani i parë i Bruneit u ul në fron në shekullin i trembëdhjetë të erës sonë. Brunei u bë shumë i fuqishëm nga shekulli i katërmbëdhjetë e deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.. Më vonë u bë një luftë e shkurtër me Spanjën, dhe atë e fitoi Brunei. Në shekujt XV e XVI, Brunei ishte një shtet i fuqishëm, i cili mori kontrollin e pjesës më të madhe të bregdetit verior të Borneos dhe pjesët jugore të Filipinës. Në vitin 1888 Brunei hyri nën protektoratin e Britanisë, kurse, më 1 janar 1984 Brunei fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe, për të caktuar më pastaj datën 23 shkurt të të njëjtit vit, si festë kombëtare, ditën kur në mënyrë zyrtare iu hoq protektorati britanik.(6)
Historia e Përhapjes së islamit në Brunei
Disa të dhëna historike theksojnë se feja islame në Brunei arriti kryesisht nëpërmjet predikuesve myslimanë, që nga shekulli i 8 hixhri (lunar) / i 14 miladi (gregorian). Prania e parë e Islamit në Brunei ka qenë në vitin 1370 m, kur sunduesi i parë i Bruneit, Unxh Alak Betata (Awang Wallach Petthar), së bashku me bashkëveprimtarët e tij, hynë në Fenë Islame, meqë ishte martuar me një grua myslimane nga Singapori. Pastaj, me kalimin e kohës, Sulltanati i Bruneit mori parametrat rrënjësorë të identitetit islam. Ndër faktorët më të rëndësishëm në përhapjen e Fesë Islame në Azinë Juglindore, është edhe arritja e arabëve myslimanë në këto rajone për tregti qysh në kohët e hershme, shumë prej të cilëve u bënë edhe banorë të atyre zonave, e të tjerë u bënë edhe predikues të Islamit, të cilët me vetëdëshirë kishin gjetur zgjidhje të kënaqshme për veten e tyre si thirrës për Njëshmërinë e Zotit xh.sh..
Kjo dëshmon për popullaritetin e madh të përfituar nga Feja Islame. Në Brunei u themelua një principatë islame e hershme, sundimtari i së cilës, unxh alak Betata, në vitin 828 h. kishte shkuar në Malaka, për të vizituar sundimtarin e këtij vendi - sulltanin Muhamed Shah, dhe atje, në praninë e këtij të fundit, përqafoi Fenë Islame. Pastaj, Feja Islame filloi të përhapej me një hov të shpejtë tek populli i Bruneit. Ashtu siç kishin ardhur nga shtete arabe predikues (thirrës) të Islamit, ata qenë mirëpritur nga popullata, që për këtë u inkurajua edhe nga sunduesi i tyre. Pra, kështu u ngrit Principata Islame në Brunei, ndikimi i së cilës u zgjerua, për të përfshirë edhe ishujt Sulu dhe Filipinën. Fakti i historisë së përhapjes së Islamit në Azinë Juglindore është një nga rrëfimet më të mëdha të përhapjes së Islamit në botë. Kjo sepse myslimanët atje, në ato zona të gjera, nuk kishin shkuar me ushtri, për të synuar çlirimin e atyre rajoneve, dhe as që kishte ndodhur ndonjë luftë, që ta kishte përmendur historia. Veçse ata atje kishin shkuar si tregtarë dhe, duke bartur karakterin e Islamit, u interesuan për thirrjen islame për Njëshmërinë e Zotit, me bindje të butë dhe trajtim të mirëfilltë. Kjo ndikoi që islami të depërtonte në zemrat e tyre dhe ata ta donin aq shumë Fenë Islame, saqë nuk shkoi kohë e gjatë, derisa e përqafuan atë me vetëdëshirë, dhe Islamin e konsideruan pjesë përbërëse të jetës së tyre, bile u rreshtuan ndër bijtë më besnikë të tij. Feja Islame në Brunei llogaritet boshti kryesor në jetën e përditshme të popullit, që ka arritur të sigurojë kujdesin e kryerjes së riteve fetare islame. Kështu, aty është realizuar që veshja e grave dhe e vajzave të jetë sipas parimeve islame, si dhe përshëndetja në mes burrave e grave të mos bëhet duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Gjithashtu, sa për kuriozitet, mund të përmendim se, prej zakoneve të popullit të Bruneit është mospërdorimi i gishtit tregues për pikë fokusimi dhe përdorimi i gishtit të madh në vend të tij.(7)
Klima
Në Brunei mbizotëron klima tropikale detare që karakterizohet nga temperatura të larta, lagështi e madhe dhe nga të reshura të shumta, si dhe aty nuk ka stinë të caktuar për reshje atmosferike, por të reshura të veçanta vijnë kryesisht gjatë muajve nëntor – mars..
Terreni është bregdetar fushor, ana perëndimore karakterizohet për kodra të ulëta, kurse ajo lindore për pjesë malore.(8)
Gjendja ekonomike
Burimi më i madh për ekonominë e Bruneit janë nafta dhe gazi natyror, njësoj sikur pyjet konsiderohen prej pasurive më të mëdha të vendit. Pjesa më e madhe e popullatës merret me bujqësi, kryesisht me prodhimin e orizit. Janë të njohura frutat e këtij vendi. Brunei prodhon kauçuk natyror dhe drurë të përpunuar, kurse në vend është e zhvilluar industria e lehtë, kryesisht ajo ushqimore dhe përpunimi i naftës. Po ashtu është e zhvilluar industria e metaleve, gomave, veshjeve dhe lëkurës. Prodhimtaria e Bruneit për eksport përfshin naftën, gazin natyror dhe kauçukun natyror. Brunei është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Azinë Jugore dhe prodhuesi i katërt më i madh i gazit të lëngshëm natyror në botë. Qeveria inkurajon zhvillimin e bujqësisë së vendit, për të reduktuar varësinë nga produktet ushqimore të importuara.
_______________________
1) - Vladimir Zoto Enciklopedi gjeografike e botës, f:,38, 39. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f:. 92, 93. Logos-a, 2009, Shkup. ATLAS islamskoga svijeta / redakcija i autori tekstova Ahmet Alibasiç ...; f:, 54. Sarajevo, 2004. http://ar.wikipedia.org/wiki. http://
www.marefa.org/index.php
2) - Vladimir Zoto., Ibid f, 38..
3) http://ar.wikipedia.org/wiki.http://en.wikipedia.org/wiki/Bandar_Seri_Begawan
4) - Amir B. Ahmeti; ATLAS I BOTËS ISLAME, f,93. Logos-a, 2009, Shkup.
5) – http://ar.wikipedia.org/wiki. http://travel.maktoob.com/vb/travel64297/
6) – http://ar.wikipedia.org/wiki. Vladimir Zoto, Ibid. f:. 39.
7) www.sifraltareekh.com/vb/attachment.php?attachmentid=258&d... Dr.Ismail Ahmed Jagi, Mahmud Shakir; Tarihu-l-Alemi-l-islami El hadithi ve-l-muasiri, f: 312. Darul Merih, Rijad – Mbretëria e Arabisë Saudite. http://kanzalarb.com/vb/t30957.html. http://www.m7abib.com/2006/06/26/ brunei1/
8) - Vladimir Zoto, Ibid f, 38.
Mr. Samir B. Ahmeti