Pengesat martesore (2)


Pengesat martesore nuk duhet të ekzistojnë në momentin e lidhjes së martesës, por nëse nuk janë konstatuar në momentin e lidhjes së martesës, martesa mund të lidhet. Ndërsa, konstatimi i mëvonshëm i tyre shpie në anulimin e martesës.

Pengesat e përkohshme martesore

Në qoftë se personat që dëshirojnë të lidhin martesë, kanë ndonjë pengesë, nga ato që do t’i përmendim më poshtë, ata nuk mund të martohen përderisa të mos evitohet ajo pengesë.
Në të drejtën e Sheriatit, pengesa të përkohshme konsiderohen rastet:
1. Bashkimi i dy motrave në një martesë;
2. Gruaja në idet;
3. Gratë idhujtare;
4. Martesa e myslimanes mejomyslimanin;
5. Martesa e përkohshme(afatizuar);
6. Me më shumë se katër gra;
7. E lëshuara me tre lëshime;
8. Martesa me gruan imorale.

Bashkimi i dy motrave në një martesë

E drejta e Sheriatit ndalon që dy motra të martohen njëkohësisht me një burrë. Mirëpo, në qoftë se gruaja vdes ose shkurorëzohet dhe i kalon afati i pritjes - ideti, atëherë burri e ka të lejuar të marrë motrën e saj.
Argument për këtë është fjala e Zotit të Madhëruar: “… (ju është ndaluar juve të martoheni edhe me) dy motra duke i bashkuar (në një kurorë, në të njëjtën kohë)…”(1)
Ndërsa i Dërguari i Zotit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk lejohet bashkimi (në martesë) i një gruaje dhe hallës së saj, apo i një gruaje dhe tezes së saj.”(2)
Kjo pengesë ka të bëjë edhe me të afërmet e tjera të gruas, si me tezen ose me mbesën e saj prej vëllait ose prej motrës. Ndërkaq, nëse i vdes gruaja ose shkurorëzohet dhe i kalon afati i pritjes - ideti, atëherë i lejohet që të
martohet me tezen e gruas ose me mbesat e saj.(3)

Gruaja në idet(4)

Gruaja me të cilën dëshirojmë të martohemi, duhet të jetë e aftë për martesë në çdo aspekt, pra të mos ketë ndalesa për martesë. Ajo nuk bën të jetë në idet nga martesa e saj e mëparshme, pa marrë parasysh nëse idetin e ka pasur për shkak të vdekjes së burrit ose për shkak të prishjes së martesës së vlefshme a të pa vlefshme. Zoti i Madhëruar thotë: “E gratë e lëshuara janë të obliguara të presin tri të përmuajshme…’’(5)
Gruas së lëshuar i lejohet lidhja e martesës vetëm pasi t’i kalojnë tri të përmuajshme pas shkurorëzimit, asaj i lejohet martesa pas lindjes së fëmijës, e nëse nuk ka të përmuajshme, ideti i saj është tre muaj nga shkurorëzimi. Zoti i Madhëruar thotë: “E ato nga gratë tuaja, të cilave u janë ndërprerë të përmuajshmet nëse nuk e keni ditur, koha e pritjes së tyre është tre muaj e ashtu edhe ato që ende nuk kanë pasur të përmuajshme, ndërkaq për gratë shtatzëna afati i pritjes së tyre është derisa të lindin.”(6)
Zoti i Lartësuar, duke e sqaruar periudhën e pritjes së gruas, burri i së cilës ka vdekur ka thënë: “Gratë janë të detyruara të presin katër muaj e dhjetë ditë pas vdekjes së burrave të tyre…”(7)

Gratë idhujtare

Besimtari mysliman, sipas rregullave të Sheriatit e ka të ndaluar të martohet me një vajzë idhujtarë, qoftë ajo budiste, ateiste etj. Pra i ndalohet martesa me çdo vajzë që i mohon fetë qiellore. Zoti i Lartësuar thotë: “Mos u martoni me idhujtare derisa ato të besojnë (Zotin)…”(8)
Në këtë ajet kuranor, Zoti i Lartësuar i urdhëron të gjithë meshkujt myslimanë që të mos martohen me idhujtare derisa të besojnë Zotin. Ajeti kuranor tregon se myslimanit i ndalohet martesa me idhujtaren, ashtu siç i ndalohet myslimanes të martohet me idhujtarin për shkak të dallimit të madh në fe. Këta thërrasin në parajsë e ata në zjarr, këta besojnë Zotin, profetin e botën tjetër, kurse ato i bëjnë ortak Zotit në adhurim, mohojnë profetin dhe refuzojnë botën tjetër. Meqë në martesë ka qetësi e dashuri, atëherë si të afrohen këto dy palë të kundërta njëra me
tjetrën?!

Martesa e myslimanes me jomyslimanin

Dispozitat e të drejtës së Sheriatit, e ndalojnë rreptësishtë që vajza
myslimane të martohet me një jomysliman, dhe nëse arrihet një martesë e tillë, konsiderohet martesë e kotë. Sipas mendimit të të gjithë juristëve islamë, kjo martesë është e ndaluar dhe këtë e vërtetojnë me ajetin kuranor: “Mos u martoni as me idhujtarë derisa që ata të besojnë( Zotin)…”(9)
Pastaj në ajetin tjetër: “nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë mos i ktheni ato te jobesimtarët…”(10)
Urtësia e ndalimit të kësaj martese është për shkak se ajo mund të shndërrohet prej myslimanes në jomyslimane. Në shumicën e rasteve burri ia imponon gruas fenë e tij.
Ndalesa e martesës së myslimanes me jomyslimanin është prej ndalesave të përkohshme për shkak të besimit të tij, në qoftë se një burrë jomysliman e pranon fenë islame, atij i lejohet martesa me gra myslimane, pra me kalimin e shkakut largohet edhe pengesa në martesë.(11)

Martesa e përkohshme (afatizuar)

– Në të drejtën e Sheriatit, nuk ka martesë legjitime nëse është kufizuar në kohë, qoftë kjo kohë edhe e pacaktuar dhe shumë e gjatë, si kur mashkulli martohet për njëqind vjetët e ardhshme, ose gjersa të mos largohet prej saj. Nëse në marrëveshjen martesore përmendët një kohë e caktuar, kjo marrëveshje është e pavlefshme për këtë kanë rënë dakord të gjithë juristët e të drejtës së Sheriatit.(12)
Kjo është për faktin se me martesat e përkohshme nuk mund të arrihet qëllimi i jetës së përbashkët. Në këtë martesë nuk ekzistojnë të drejtat e kurorës së rregullt, si trashëgimia, pagesa e kurorës, periudha e pritjes, etj.
Nisur nga kjo, gruaja e kurorëzuar me martesë të përkohshme, nuk është as bashkëshorte, as shërbëtore. Sipas juristëve të Sheriatit, martesa e përkohshme është pranuar njëzëri si martesë e ndaluar (kurvëri).

Martesa me më tepër se katër gra

Është e ndaluar që në martesë burri të ketë më shumë se katër gra, megjithëse, parimisht dhe me plotësimin e disa kushteve të vështira, lejohet martesa me më së shumti me katër gra.(13)
Martesa me më shumë se katër gra në një kurorë është e ndaluar. Nëse një burrë i cili dëshiron të martohet me një vajzë, e në anën tjetër ka katër gra në kurorë, atij i ndalohet martesa me të pestën përderisa ta shkurorëzoj njërën, dhe t’i kalojë afati i pritjes (ideti).(14)
Pra nuk lejohet që një burrë të martohet në të njëjtën kohë me më shumë se katër gra, sepse ajo konsiderohet shkelje e dispozitave të përcaktuara nga Zoti i Madhëruar për mbarëvajtjen e jetës bashkëshortore. Zoti i Lartësuar thotë: “…martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua…”(15)
E drejta e Sheriatit, siç mund të kuptohet nga ajeti i lartcekur, ka urdhëruar burrin, i cili ka më shumë gra, të jetë i drejtë ndaj tyre. Kjo drejtësi duhet të shprehet në të gjitha gjërat që njeriu është në gjendje t’i arrijë.

E lëshuara me tri lëshime

Gruaja e lëshuar tri herë nga burri është e ndaluar të martohet me atë burrë derisa nuk martohet me një burrë tjetër. Zoti i Lartësuar thotë: “ E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë (për herë të tretë) pas atij (lëshimi) nuk i lejohet më derisa të martohet ajo për një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë për ata të dy, po qe se mendojnë t’i zbatojnë dispozitat e Zotit, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkë- jetesë)…”(16)
Pra nëse burri është shkurorëzuar me gruan e tij tri herë, ai nuk mund ta rikthejë atë përderisa të plotësohen këto kushte:
- që ajo të jetë martuar me një burrë tjetër;
-që të kenë pasur marrëdhënie intime me të;
-që të shkurorëzohet me (burrin e dytë), dhe t’i kaloj afati i pritjes (ideti).(17)

Martesa me gruan imorale

Nuk lejohet që një burrë të martohet me një grua imorale dhe as një grua e ndershme të martohet me një burrë imoral, derisa ata të pendohen për imoralitetin e tyre. Zoti i Madhëruar ka kushtëzuar që secili prej bashkëshortëve ta ruaj nderin. Ai në Kuran thotë: “… të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare…”(18)
Vetëm me këtë kusht martesa konsiderohet e rregullt. Dhe martesa që s’e përmban këtë kusht, është e pamundur.

Përfundimi

Sipas të drejtës së Sheriatit, martesa karakterizohet me disa kufizime, nga të cilat nuk mund të kryhet martesa në mes kategorive të lidhjeve të caktuara shoqërore. Në kufizimin e martesës bëjnë pjesë pengesat të cilët si të tilla nuk lejojnë të kryhet martesa.
Pengesat martesore janë dy lloje: të përhershme dhe të përkohshme.
Pengesat e përhershme janë gjithsejtë tri lloje: pengesat sipas afërsisë së gjakut (gjinisë), pengesat sipas gjirit dhe pengesat sipas krushqisë (miqësisë). Ndërsa pengesat e përkohshme martesore janë kur personave iu ndalohet për një kohë të caktuar lidhja e martesës për një shkak apo arsye dhe me eliminimin e atij shkaku eliminohen edhe pengesa martesore.
Efekti juridik i pengesave martesore është erga omnes, çka do të thotë se efekti i tyre është ndaj çdo personi te i cili ekzistojnë këto pengesa. Në praktikë ka raste kur me plotësimin e kushteve themelore të lidhet martesa, por nëse ekzistojnë pengesat martesore ato janë shkak për të kërkuar anulimin e martesës. Pengesat martesore nuk duhet të ekzistojnë në momentin e lidhjes së martesës, por nëse nuk janë konstatuar në momentin e lidhjes së martesës, martesa mund të lidhet. Ndërsa, konstatimi i mëvonshëm i tyre shpie në anulimin e martesës.


LITERATURA

1. Kurani – përkthim me komentim në gjuhen shqipe (përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti), Prishtinë, 1988.
2. Fahrudin Ebibi, Irfan Abazi, Taxhedin Bislimi, Jusuf Zimeri “E Drejta Familjare në Islam”, Shkup, 2004.
3. Abdulhamid Mahmud Tuhmazi “Fikhu Hanefi vëll. II E drejta Familjare”, Zurich, 2011.
4. Jusuf El-Kardavi “Hallalli dhe Harami në Islam”, Prishtinë, 2005.
5. Resul Rexhepi “E drejta Martesore Islame”, Prishtinë, 2010.
6. Sejid Sabik “Legjislacioni i Traditës së Profetit A.S”, Tiranë, 2007.


____________
1. En-Nisa, 23
2. Hadithin e transmeton Tirmidhiu, 3/433, nr.1126.
3. Resul Rexhepi, op. cit., fq. 41.
4. Shprehja “idet”, sipas normave islame, do të thotë kohë e kufizuar, e cila pas shkurorëzimit, ndërpret gjurmët e ngelura nga kurorëzimi. E drejta islame femrën, të cilës i ka vdekur burri apo që është shkurorëzuar, e obligon me pritje (idet). Femrës e cila është në afatin e pritjes - idetit, i ndalohet martesa me ndonjë burrë tjetër, kurse pas kalimit të pritjes - idetit i ndalohet martesa edhe me burrin i cili e ka lëshuar, nëse kjo pritje – idet është pas shkurorëzimit të trefishtë të parevokueshëm (Talak bain bejnune kubra). Ndërsa gjatë afatit të pritjes – idetit, pas shkurorëzimit të revokueshëm (Talak rexh’ij), burrit i lejohet ta rikthej gruan pa kurrfarë kushti, ndërsa te shkurorëzimi i dyfishtë i revokueshëm (bain bejnune sugra) e rikthen me kontratë të re.
5. El-Bekare, 228.
6. Et-Talak, 4.
7. El-Bekare, 234.
8. El-Bekare, 221.
9. El-Bekare, 221.
10. Em-Mumtehine, 10.
11. Jusuf el-Kardavi “Hallalli dhe harami në Islam”, Prishtinë, 2005, fq. 250.
12. Abdulhamid Mahmud Tuhmazi, “Fikhu Hanefi vëll. II Edrejta Familjare”, Zurich 2011, fq. 101.
13. Resul Rexhepi, op. cit., fq. 40.
14. Grup autorësh, op. cit., fq. 86.
15. En-Nisa, 3.
16. El-Bekare, 230.
17. Resul Rexhepi, op. cit., fq. 42.
18. El-Maide, 5.



Argjent Xheladini


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?