Artizani shqiptar synon Guinness, fjalën “Allah” e shkruan 225 herë në 1 cm²


Artizani Petrit Koçi ka realizuar një punim të rrallë pasi ka shkruar 225 herë fjalën “Allah” në një sipërfaqe prej 1 cm². Këtë vepër të veçantë ai ia ka dhuruar imamit Ahmed Kalaja.

I ftuar në emisionin “Abc”, Koçi tregoi se si arriti të shkruante fjalën Allah kaq shumë herë në 1 cm².

Ai shpjegoi se iu deshën 4 ditë për të përfunduar këtë punim. “Nuk mund të punosh gjatë sepse kërkon shumë përqendrim.

Kam punuar 3 orë në ditë, e përfundova për 4 ditë.”, tha ai duke shtuar se për këtë punim ishte frymëzuar nga një indian që kishte shkruar fjalën “Të dua” në një kokërr orizi.

Duke përdorur një lupë, ai tregoi se fjalët janë gdhendur në letër alumini me një gjilpërë. Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë për një Guinnes.

“Kam kontaktuar me “Guinness” para 30 vitesh, por kishin shumë procedura dhe në atë kohë nuk e kishim këtë mundësi. U tërhoqa sepse kishte një kosto.“, tha ai.