Tregohet se në një fshat kishte mbizotëruar uria, kështu që plaku i fshatit kishte caktuar një detyrë të jashtëzakonshme për të gjithë banorët e atij fshati, për të përballuar thatësinë dhe urinë...
Ai u tha atyre se do të vendosë një kazan të madh në mes të fshatit dhe se çdo burrë dhe grua duhet të derdhi një gotë qumësht në kazan.
Të gjithë nxituan të ndjekin urdhërin e plakut – u zgjuan fshehtasi në mesnatë dhe derdhën përmbajtjen e gotës që kishin sjellë. Në mëngjes plaku i fshatit e hap kazanin ... dhe çfarë pa ???
Kazani ishte plot me ujë !!!
Ku është qumështi? Dhe pse secili banor ka derdhur ujë në vend të qumështit?
Të gjithë menduan në vete: "Nëse unë derdhi një gotë ujë, kjo nuk do të ndikojë në sasinë e madhe të qumështit që do të derdhin të tjerët."
Dhe kështu të gjithë u mbështetën tek të tjerët, dhe secili prej tyre mendoi në të njëjtën mënyrë - se vetëm ai ka derdhur ujë në vend të qumështit. Rezultat i kësaj ishte që këtë fshat e kishte goditur uria dhe ata nuk gjetën rrugëdalje nga kriza.
* * *
A e di se edhe ti mund të jesh prej atyre që mbush gotën me ujë në kohët më të vështira - kur kërkohet që ta mbushësh atë me qumësht?
Kur nuk e ndihmon vëllanë e varfër, të uritur dhe të veshur keq, duke u justifikuar se këtë do ta bëjnë të tjerët, ti mbush gotën me ujë.
Kur nuk e bën punën tënde me përkushtim me arsyetim se nuk do të vihet re në morinë e punëve që bëjnë të tjerët - ti mbush gotën me ujë.
Kur nuk e pastron qëllimin tënd në punën që bën duke menduar se të tjerët kanë qëllim të pastër, prandaj nuk do të vërehet - ti mbush gotën me ujë.
Kur nuk jep nga pasura jote për nevojtarët e umetit duke menduar se të tjerët do të kujdesen për ta ... Kur nuk e bën lutjen për ndihmë, mëshirë dhe falje për të gjithë muslimanët, ti mbush gotën me ujë!
Mendohu mirë... mos u bë prej atyre që në vend të qumështit mbush gotën me ujë.