Këtë ngjarje e ka treguar kardiologu i njohur Dr. Halid El Xhubejri, në një nga ligjeratat e tij.
Ju këshilloj ta lexoni, sepse do të gjeni mësim në të!
Para disa vitesh kisha operuar një djalë i cili kishte vetëm dy vjet e gjysmë. Ishte ditë e martë, ajo dhe dita tjetër kaluan pa ndonjë komplikim. Por, të enjten, në mëngjes, në ora 11:15, për shkak të shokut që kam përjetuar, e kujtoj si të ishte dje.
Njëra nga infermieret më njoftoi se zemra e djalit ishte ndalur. Me nxitim shkova te ai, dhe për 45 minuta ia fërkova muskulin e zemrës, por e gjitha ishte e kotë. Kur e humbëm shpresën, ishte dëshirë e Allahut që zemra të vazhdoj punën dhe ne e falënderuam për këtë.
Shkova ta njoftoj familjen e fëmijës për rastin. Siç e dini, në situata të tilla nuk është edhe aq thjeshtë të bisedohet me ta. Në spital, takova nënën e fëmijës. I thashë se zemra e fëmijës ka dështuar sepse kishte gjakderdhje nga ezofagu, por shkaku është i panjohur dhe frikësohem nga dëmet e konsiderueshme që mund t’i ketë truri i fëmijës. Dhe çfarë mendoni, si reagoi ajo për këtë? A filloi të qaj? A më fajësoi mua për këtë? Jo, ajo vetëm tha, “Elhamdulilah... Allahu im, të lutëm ma shëro fëmijën tim"
Pas 10 ditësh, fëmija filloi të lëvizë. E falënderuam Allahun dhe ishim të lumtur, sepse funksionimi i trurit u kthye në normale. Por, pas 12 ditësh, zemra u ndal sërish. Përsëri ia fërkova zemrën 45 minuta, por këtë herë nuk reagoi. Shkova te nëna e fëmijës dhe i thash se nuk ka asnjë shpresë për shërim. Ajo tha: "Elhamdulilah. Allahu im, të lutem na ndihmo dhe ma shëro fëmijën tim."
Me ndihmën e Allahut, zemra e fëmijës filloi të rrah përsëri. Pas këtij dështimi, fëmija i shpëtoi gjashtë sulmeve të ngjashme para. Tre muaj kaluan pas gjithë kësaj, por fëmija ende nuk kishte lëvizur. Kur në fund tregoi shenja të jetës, u përball me një problem tjetër, mbi kokën e tij u shfaq një apsces i madh, i mbushur me qelb. Kurrë nuk kisha parë diçka të tillë. E informova nënën e tij për gjendjen e rëndë, por ajo përsëri tha: "Elhamdulilah. Allahu im, të lutem ma shëro fëmijën tim."
Fëmija u transferua në departamentin e kirurgjisë, aty e morën specialistët për sëmundjet e sistemit nervor dhe të trurit. Pas tre javësh, fëmija filloi të shërohet nga operacioni i ri, por ende nuk lëvizte. Problemet nuk u ndalën me kaq. Pas kësaj fëmija u sëmurë nga një helmim i çuditshëm i gjakut, temperatura e tij u rrit në 41,2 ° C. E informova nënën e tij, dhe ajo përsëri, me durim tha "Elhamdulilah. Allahu im të lutëm shëroje fëmijën tim."
Vazhduam të luftojmë për jetën e fëmijës së saj. Pas 6 muajsh fëmija u largua nga kujdesi intensiv. Por, nuk ishte në gjendje të flet, të sheh, e as të lëviz. Në gjoksin e tij kishte një plagë të madhe të hapur nga operacioni. Vetëm ta kishit parë se si kujdesej nëna e tij për te ... Subhanallah. Tërë kohën rrinte afër tij, dhe me një dashuri të jashtëzakonshme kujdesej për te. Ishte e durueshme dhe plot shpresë.
Çfarë mendoni, cilat janë shanset që një fëmijë i cili ka kaluar nëpër të gjitha këto probleme dhe sëmundje të shërohet? Mund ta imagjinoni se si mund të ndihet një nënë, fëmija e së cilës ishte në buzë të varrit? A e dini se çfarë ka ndodhur dy muaj më vonë? Me ndihmën e Allahut, fëmija u shërua plotësisht, dhe kështu gjithë përpjekja dhe durimi i nënës së tij u shpërblye në mënyrën më të mirë.
Por, tregimi nuk përfundon këtu. Më lejoni t'ju tregoj edhe diçka që sytë e mi m’i mbushi me lot. Një vit e gjysmë pasi fëmija u largua nga spitali, prindërit e djalit erdhën për t’më vizituar. Me ta ishte edhe fëmija i tyre, krejtësisht i shëndoshë, sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Ndërsa nëna, në gjirin e saj, mbante fëmijën tjetër, katër muajsh. I përshëndeta ngrohtësisht dhe me shaka e pyeta burrin e saj, nëse fëmija i tyre është fëmija i gjashtë apo i shtatë.
Ai qeshi në këto fjalë, dhe tha: "Ky është fëmija ynë i dytë. Djali ynë që ju e keni operuar ishte fëmija ynë i parë, i cili lindi pas 17 vite martesë, dhe pas këtyre viteve të shumë pritura, ai u sëmurë rëndë, për çka ju vetë jeni dëshmitar. "
Pas këtyre fjalëve fillova të qaj, nuk mund të përmbaja veten. E mora dorën e këtij njeriu dhe pasi u ngritëm e pyeta: "Gruaja juaj, pas 17 viteve të pritura kishte aq shumë durim për të gjitha ato që i kanë ndodhur djalit tuaj?" A e dini se çfarë tha ai? Dëgjoni me kujdes, vëllezër dhe motra të mi të dashur.
Ai më tha: "Ka 19 vjet që jemi bashku në martesë, kurrë deri më sot nuk e ka humbur namazin e natës, përveç me arsye të justifikueshme. Kurrë nuk e kam dëgjuar duke përgojuar, duke bartur fjalët e të tjerëve, dhe kurrë nuk më ka gënjyer. Sa herë që unë shkoj diku apo kthehem në shtëpi, ajo e hap derën dhe bën lutje për mua, me mirësi më pret dhe më përcjell. Në të gjitha veprimet e saj tregon dashurinë, kujdesin dhe dhembshurinë."
Dhe pastaj shtoi: "Doktor, për shkak gjithë vëmendjes që ma dhuron dhe moralit të saj të lartë, mua më vjen turp ta shikoj në sy."
Vëllezër dhe motra!
Ju ndoshta e admironi gruan dhe durimin e saj, por dijeni se ky lloj besimi në Allahun është vërtet i mundshëm dhe se ky lloj mbështetjeje në Allahun (tevekul) është i mundur. Kryerja e vazhdueshme e punëve të mira do ta bëjë besimtarin të qëndrueshëm dhe do ta pajis me durim përballë tundimit. E gjithë kjo është sukses që vjen nga Zoti dhe mëshira e Tij.
I Lartësuari thotë:
“Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: "Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi"! Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë. (El Bekare; 155-157)
I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, thotë
“Dije se fitorja arrihet me durim, rrugëdalja vjen pas sprovës dhe se pas vështirësisë vjen lehtësimi. Le ta dijë kushdo që është goditur nga një vështirësi se ajo është shpagim për mëkatet që ka bërë. Nuk ndodhë ta godet besimtarin ndonjë lodhje, sëmundje, brengë, pikëllim, e keqe, mërzi, madje edhe ferra që i hyn në këmbë, e që Allahu mos t’ia ketë shlyer me të disa prej mëkateve të tij!”