Shpirti i kolektivitetit në adhurimet islame

 


Individualizmi dhe kolektivizmi në frymën islame


Nëse Çiltërimi i shpirtit dhe dëlirësia e tij janë prej synimeve të përgjithshme të Islamit, kjo nuk nënkupton doemos që misioni i kësaj feje madhështore përkufizohet vetëm brenda kësaj kornize të ngushtë të këtij qëllimi. Islami vërtet e dëshiron njeriun shpirtkulluar dhe që ka prirje vetëm nga e mbara, prandaj, për të realizuar këtë qëllim, ai ligjësoi edhe një mori adhurimesh të llojllojshme. Madje edhe shpëtimin e njeriut si krijesa që i dhuroi mendje e logjikë dhe Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik e ndërlidhi me atë se a është ai shpirtçiltër apo s'është; Ai na drejtohet dhe na thotë: "Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten". (Esh-Shems, 7-10). Transmetojnë Ibn Abasi dhe Ebu Hurejre r.a., se e kanë dëgjuar Muhamedin a.s. që, kur i lexonte këto ajete, i drejtohej Zotit me këtë lutje:" O Zot, m'i dhuro shpirtit tim devotshmëri, ma çiltërso atë, sepse vërtet Ti je Ai Që më së miri e çiltërson atë, Ti je Përkujdesësi dhe Mbikëqyrësi i tij- madje këtë e bënte edhe në namaz".(1) Ibn Kethiri, kur komenton këtë ajet, thekson po ashtu se ky ajet ka mundësi të përmbajë dy kuptime, njëri që thekson se ka shpëtuar ai që e ka pastruar shpirtin e vet, dhe tjetri që thekson se ka shpëtuar ai të cilit Zoti ia ka çiltërsuar shpirtin e tij.(2) Madje në disa ajete të tjera vihet në pah se Çiltërimi i shpirtit kurrsesi nuk mund të realizohet pa dëshirën dhe vullnetin e Atij Që e krijoi atë. Allahu në Kur'an thotë: " ….e sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të pastrohej kurrë (prej mëkateve), por Allahu e pastron atë që do Ai. Allahu dëgjon e di", (Nur, 21).


Ekuilibrimi ideal në mes individuales (shpirtërores) dhe kolektives


Të gjitha këto koncepte që u vunë në pah me lart, tregojnë në një mënyrë ose tjetër se Allahu nga njerëzit dëshiron që ata t'i çiltërsojnë shpirtrat e tyre, madje është Vullneti i Atij që shpirtrat e besimtarëve të jenë të tillë. Por, nëse e vështrojmë nxitimthi dhe pa përsiatje të thellë, këtë aspekt, mund të mendojmë se ai ka të bëjë më një individualizëm, dhe me një punë tejet personale për individin. Megjithatë, nëse ndalemi dhe i bëjmë një analizë pak më gjithëpërfshirëse frymës së përgjithshme të parimeve dhe koncepteve islame, do të konstatojmë se ky nuk është diçka tjetër përveçse një dualizëm i shkëlqyer në mes individualizmit dhe kolektivizmit. Është një përzierje dhe plotësim i ndërsjellë që e bënë Islamin të jetë i veçantë dhe shumë specifik, krahasuar me çfarëdo feje dhe ideologjie tjetër. Ç'është interesante, madje edhe ibadetet adhurimet që dikush ka mundësi t'i imagjinojë thjesht çështje individuale, Allahu i Lartësuar na ka porositur që ato të kryhen në kolektivitet-xhemat. Shembull tipik për këtë është namazi, që në thelb është një lidhje e drejtpërdrejtë në mes krijesës dhe Krijuesit, - është një pastrim i shpirtit nga njollat e mëkateve, si të thuash, është një vepër tepër individuale. Megjithatë, ai e ka vlerën dhe shpërblimin shumë më të madh vetëm nëse kryhet në kolektivitet, vetëm nëse ai reflekton shkëndijat e veta në shoqërinë islame mbarë. Namazi nuk ka mundësi të mishërohet me shoqërinë islame në përgjithësi, nëse nuk kryhet në vende publike-xhami, vende ku pjesëmarrja është tejet masive. Prandaj s'është çudi fakti se urdhrat për kryerjen e këtyre obligime fetare, shumica absolute e tyre, kanë ardhur në formën e urdhëresave në shumës, dhe jo në njëjës. Allahu në Kuran na drejtohet duke na thënë: "Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni zeqatin, e çfarëdo të mire që përgatitni për veten tuaj, atë e gjeni tek Allahu. S'ka dyshim se Allahu përcjell çdo veprim tuajin". (El-Bekare, 110). Porositet kryerja e namazit, dhënia e zeqatit, por gjithsesi duke u vënë në pah aspekti i kolektivitetit nëpërmes urdhrave që kanë ardhur në shumës (kryeni faljen-namazin, e jo kryeje faljen, jepeni zeqatin , e jo jepe zeqatin) me të cilat Allahu u drejtohet myslimanëve mbarë si shoqëri e kolektivitet, edhe pse këto obligime, pikësëpari, kanë të bëjnë me secilin në mënyrë individuale. Sot jemi dëshmitarë të një fakti që shumë prej obligimeve fetare nuk kryhen nga myslimanët, jo për shkak të mosvullnetit individual të shumicës prej tyre, por për shkak të pamundësisë që obligimet e tilla të kryhen ndryshe, përveçse në kolektivitet, i cili të jetë i organizuar mirëfilli. Shembuj më konkretë ndoshta janë shumë prej myslimanëve që jetojnë në varfëri të skajshme, e atyre jo vetëm pse s'ka kush t'ua zgjatë dorën e ndihmës, por sepse për hallin e tyre nuk përkujdesen të tjerët në mënyrë kolektive e të organizuar. Sadakaja lëmosha dhe zeqati patjetër që çiltërsojnë shpirtin, esencialisht janë individuale, porse brenda tyre ngërthehet shpirti i Islamit kolektiv, sepse dobia e tyre tejkalon individin, arrin tek shoqëria. Ndërkaq, shumë nga dispozitat e legjislacionit islam, e në veçanti ato të kodit penal, e dimë që janë neutralizuar dhe fare nuk aplikohen për shkak se ato duhet t'i kryejnë myslimanët në mënyrë kolektive dhe të organizuar nën ombrellën e organeve të shtetit, e kurrsesi në formë individuale.


Muhamedi a.s. ishte individ, por ngjalli ndenjën e kolektivitetit


Një kthim prapa në jetëpërshkrimin e të Dërguarit të Allahut a.s., do të na ndihmonte shumë për të kuptuar këtë koncept dualist në mes individualizmit dhe kolektivizmit. Ai vërtet ishte individ, po tërë jetën ia kushtoi së mirës kolektive. E filloi misionin e tij i vetëm (gjithsesi me përkrahje hyjnore), por e kishte fare të qartë se porosia dhe amaneti i tij nuk shkonin në vend, nëse vetëm ai shijon lumturinë e asaj begatie që i kishte dhuruar Allahu. Ai shprehej shumë qartë, në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibn Abasi r.a., i cili thotë se e kishte dëgjuar atë duke thënë:" Nuk po e them nga mburrja , por, unë, vërtet jam i Dërguar tek njerëzit mbarë".(3) Ne e dimë shumë qartë se Muhamedi a.s. dhe shokët e tij, nuk arritën t'i praktikonin shumë nga dispozitat islame , përgjatë kohës sa qëndruan në Mekë, madje shumë prej tyre as që u ishin bërë obligim në atë kohë, për shkak të pamundësisë së zbatimit të tyre në rrethana të tilla. Ndodhi kësisoj, sepse myslimanët në Mekë jetonin të shkapërderdhur-individë të shpërndarë, dhe s'mund të imagjinohej prej tyre një praktikim i tërësishëm i Islamit në aso rrethanash. Situata ndryshoi rrënjësisht pas shpërnguljes në Medinë. Aty lulëzoi Islami si sistem i tërësishëm dhe gjithëpërfshirës; aty u obliguan shumë nga farzet (agjërimi, zeqati, haxhi, lufta për hir të Allahut etj.), të cilat s'patën mundësi t'i zbatonin më herët kur praktikohej një Islam i cili në një mënyrë, ndoshta, mund të quhej edhe individual. Taborri i pabesimtarëve- idhujtarë e të tjerë, ishin në njëfarë mase të organizuar ose të kolektivizuar, së paku kur ishte çështje e aleancave kundër shoqërisë islame, prandaj kjo diktonte nevojën që edhe myslimanët, me një çiltëri shpirtërore individuale, të krijonin një tabor të organizuar e të kolektivizuar nën ombrellën e shtetit islam. Nisur nga ky fakt, Aliu r.a. thoshte :" Turbullira (njolla) e xhematit-grupimit kolektiv, është më e mirë sesa çiltëria e një individi". Individi mund të pretendojë çiltëri të shpirtit, asketizëm e përkushtim ndaj Allahut të Lartmadhërishëm në formë individuale, por , gjithsesi, më me vlerë për të do të ishte angazhimi për të mirën kolektive dhe derdhja e kontributit maksimal në interes të shoqërisë. Madje Umer ibn Hatabi r.a. edhe ekzistimin e islamit në tërësi e ndërlidhte me ekzistimin e shoqërisë dhe kolektivitetit që e praktikon atë. Ai thoshte: "Vërtet s'ka islam pa xhemat-shoqëri kolektive, dhe s'ka xhemat pa udhëheqje, e as nuk ka udhëheqje nëse s'ka nënshtrueshmëri dhe bindje".(4) Prandaj, një konceptim i drejtë i këtij dualizmi në mes individuales dhe kolektives, që është i mishëruar dhe i ngërthyer pothuajse në tërë parimet dhe detyrat fetare islame, - do të na ndihmonte shumë për t'i dhënë kësaj feje imazhin e drejtë dhe objektiv, ashtu siç e dëshiroi Zoti i Lartmadhërishëm.


________________________
(1) Tefsir i Ibn Kethir, Ibn Kethiri.(4\3047),Darus-selam . Rijad. Bot 5, 2001
(2)Ibid.
(3)Musned Ahmed idn Hanbel.(Hadithi nr;2742, kapitulli i ibn Abasit r.a.
(4)Et-tarik ila xhemaatil-muslimiin. Husejn Xhabir. f.17. Darul-Vefa.Egjipt. bot. 6. 2002.



Dituria Islame 247