Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë shtroi iftar për strukturat e ndryshme të shoqërisë



Si gjithmonë, muaji i bekuar i Ramazanit arrin t’i bashkojë njerëzit në një sofër të përbashkët dhe t’i solidarizojë ata mes njëri tjetrit. Të shtunën mbrëma, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë shtroi iftar për strukturat e ndryshme të shoqërisë, ku të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Kryetari i Komunë së Malishevës, Ekrem Kastrati, Kryetari i KBI të Malishevës, Sead Paqarizi, Kryetarët e degëve të partive, Agon Batusha, Agon Dobruna, Hajdar Beqa, Fazli Hoxha, komandanti i stacionit policor, Major Milazim Lumi, përfaqësues të KFOR-it dhe institucioneve vendore, personalitete nga fusha të ndryshme, imamë dhe xhematlinjë nga të gjitha xhamitë, si dhe qytetarë tjerë të komunës së Gjakovës.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta pasi i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrje në këtë iftar madhështor, foli edhe për rëndësinë e muajit të Ramazanit.
“Nuk duhet t'i kushtojmë vëmendjen tonë vetëm gjëra të jashtëzakonshme siç është shpallja e librave hyjnore që kanë ndodhur në muajin e ramazanit por t’ju japim vëmendjen tonë edhe gjërave shumë të zakonshme siç janë haja e pija, intimiteti dhe afërsia me njëri tjetrin. Pa ia dhënë vëmendjen e plotë përditshmërisë sonë nuk mund të jemi të jashtëzakonshëm”, tha ndër tjera kryetari Myrta

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili e falënderoi Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjakovë për harmoninë fetare të cilët në baza ditore përpiqen ta krijojnë një klimë pozitive dhe ta mbajnë atë gjatë gjithë kohës.

Iftari përfundoi me një lutje përmyllëse nga Kryetari i KBI të Malishevës, Sead Paqarizi.





Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme