Mbreti Salman i Arabisë Saudite lëshoi të shtunën një direktivë për të pritur 1,300 pelegrinë nga më shumë se 90 vende për të kryer Haxhin e këtij viti.
Vendimi vjen si pjesë e Programit të Mysafirëve të Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta për Haxhin dhe Umren, i cili mbulon shpenzimet e pelegrinazhit të pjesëmarrësve të përzgjedhur, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve SPA.
Ministri saudit i çështjeve islame dhe mbikëqyrësi i përgjithshëm i programit, Sheikh Abdullatif Al-Asheikh, tha se programi vjetor pasqyron përpjekjet e Mbretërisë për t’u shërbyer muslimanëve dhe për të thelluar marrëdhëniet me kombet tjera islame.
“Programi bujar, i paraqitur çdo vit nga qeverisa saudite, u mundëson mijëra muslimanëve nga e gjithë bota të kryejnë Haxhin nën një sistem të organizuar që ofron shërbime të klasit të lartë”, tha Al-Asheikh në një deklaratë të botuar në SPA.
Ai shtoi se ministria do të koordinohet me ambasadat saudite dhe atashetë fetarë jashtë vendit për të zgjedhur pjesëmarrësit dhe për të lehtësuar procedurat e vizave.
“Ministria do të mbikëqyrë udhëtimin e pelegrinëve që nga nisja nga vendet e tyre deri në përfundimin e ritualeve të Haxhit,” tha ministri.
Ai shtoi se programi u jep mundësinë muslimanëve të cilët nuk ishin përzgjedhur në vitet e mëparshme për të përmbushur ëndrrat e tyre për kryerjen e Haxhit, pasi ministria kërkon të zgjerojë gamën e nacionaliteteve çdo vit.