Allahu, xh.sh., thotë në Kuran: “Ai që e pastroi vetveten vërtet se ka shpëtuar.
Dhe ka dështuar ai që e poshtëroi veten!”.(1) Detyrat e besimtarit në këtë botë janë të shumta, dhe një nga ato detyra të tij është edhe kujdesja për trupin, të cilin do të duhej ta ruante ashtu siç duhet dhe siç është urdhëruar. Në radhë të parë, besimtari duhet të kujdeset për pastërtinë trupore, sepse pastërtia trupore është kushti themelor i shëndetit të njeriut. Për këtë kemi shumë versete të Kuranit dhe thënie të pejgamberit Muhamed, a.s., që flasin për pastërtinë. Allahu, xh.sh., thotë: “… dëshiron të ju pastrojë ju…”,(2) pra, ky ajet tregon përgjithësimin e kërkesës për pastrim dhe kërkesën për eliminimin e ndyrësirës në gjymtyrët e abdesit. Kështu që, edhe abdesi është disi pjesë (element) në pastrimin e trupit të njeriut. Ndërsa, në anën tjetër, edhe pejgamberi ynë, Muhamedi, a.s., thotë se “pastërtia është gjysma e imanit-(besimit).”(3)
Nga këtu kuptojmë se Islami mban një qëndrim shumë të qartë dhe shumë të prerë mbi pastërtinë trupore, ndaj së cilës njeriu duhet të ketë shumë kujdes.
Mirëpo, njeriu e ka edhe natyrën e vet të brendshme, e që është shpirti i tij. E, besimtari e ka për obligim të kujdeset edhe për këtë lloj pastërtie; pastërtinë shpirtërore. Nga këtu duket qartë se një nga veçoritë kryesore të Islamit është pastërtia, nga e cila buron forca trupore, shëndeti dhe gjallëria. Një perëndimor i kthyer në Islam thotë: “Sikur mos të kishte në Islam asgjë tjetër përveç pastërtisë, prapë kjo do të mjaftonte.”. Për këtë arsye, besimtarit i mbetet si detyrë ta ruajë pastërtinë trupore dhe atë shpirtërore, duke e stolisur me virtyte të larta morale, ngase vetëm kështu ai arrin të afrohet te Krijuesi i tij.
Qëndrimi i islamit ndaj pastërtisë
Feja jonë islame i ka kushtuar shumë rëndësi pastërtisë trupore dhe shpirtërore. Besimtari, para së gjithash, mund të prezantohet dhe të dëshmohet si i tillë vetëm nëse vepron dhe sillet në pajtim me rregullat që i përcakton Kurani dhe tradita e Pejgamberit, a.s. Besimtarit nuk guxon të shfaqë përtaci e plogështi gjatë ruajtjes së pastërtisë së tij, por duhet të ndihet krenar për pastërtinë e tij, ngase Allahu i do kështu robërit e Tij të devotshëm. Allahu, xh.sh., në Kuranin fisnik thotë: “..Allahu i do të pastrit.”(4)
Pastërtia cilësohet edhe si obligim fetar për besimtarin, i cili duke qenë vetë i pastër, kërkon pastaj edhe nga shoqëria e tij të jenë të pastër fizikisht dhe shpirtërisht. Në të kundërtën, besimtarit i kërkohet që të largohet nga shoqëria e papastër vetëm atëherë kur shihen punët e tyre të liga. Njeriu duhet ndjekur rrugën e drejtë dhe të vërtetë gjatë jetës në këtë botë, dhe mos ta tregojë veten të dobët, duke lejuar që me fatin e tij të luajë epshi dhe materia, të cilat njeriun mund ta hedhin në një nivel tejet të ulët, e që më së paku përkon me karakterin e tij.(5)
Në një proverb arab thuhet: “Kurrë mos pyet për njeriun se çfarë është, por pyet për shokun e tij, sepse shoku në shokun shikohet.”(6)
Edukimi i vetvetes, si rrugë e pastërtisë shpirtërore
Ilaçi më i mirë kundër papastërtisë trupore dhe shpirtërore është vetë besimi në Allahun, xh.sh., dhe respektimi i urdhrave të Tij. Përpiqu që në këtë besim ta edukosh vetveten, e ta duash Allahun, xh.sh., ngase pastaj gjuha, veshët, sytë, këmbët dhe duart tua do të jenë patjetër të pastra. E, kur Allahu të të dojë ty, ka për të të ndihmuar në rrugën tënde të pastër. Prandaj, prej besimtarit kërkohet që ta ruajë pastërtinë dhe organet e trupit, si nga gjërat e pahijshme, ashtu edhe nga veprat e liga. Muhamedi, a.s., ka thënë: “Myslimani i vërtetë është ai që s’u sjell dëm njerëzve as me gjuhë, dhe as me dorë.”. Nga kjo thënie e Pejgamberit, a.s., kuptojmë se plaga e gjuhës është më e rendë sesa e dorës. Një poet arab thotë: “Plaga e gjuhës shërohet disi, kurse e gjuhës kurrsesi.” Ndërsa, Muhamedi, a.s., ka thënë: “Kush e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë fjalë të mira, ose le të heshtë!”(7)
Si ta ruajmë pastërtinë trupore dhe atë shpirtërore?
Sipas Kuranit dhe haditheve të Pejgamberit, a.s., turpi është një bazë e fuqishme që ndikon në ruajtjen e pastërtisë sonë morale. Turpi e ngre njeriun në shkallen më të lartë të moralit, e ruan dhe e mbron atë, që mos të degradohet në veset e liga e të njollosjes, ngase njeriu që nuk ka marre, nuk ka as besim të plotë. Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Kur nuk ke turp, puno çka të duash.”(8)
Sikurse që duhet të ruhen organet trupore nga gjërat e pahijshme, përmes turpit, ashtu duhet të ruhet edhe ana e brendshme e trupit, pra, nga çdo gjë që është e pahijshme. Turpi mund ta ndihmojë njeriun më së miri në ruajtjen e pastërtisë trupore dhe të asaj shpirtërore. Ai është si një forcë shpirtërore që e pengon njeriun nga çdo punë e keqe dhe e shëmtuar. Meqë turpi e ruan njeriun nga të këqijat, këtë Muhamedi, a.s., e numëroi ndër pjesët e Imanit, duke thënë: “Besimi është gjashtëdhjetë e sa pjesë-degë, e edhe turpi është një nga ato pjesë-degë të besimit.”(9) Në historinë islame tregohet se njëherë, kur Pejgamberi, a.s., ishte duke kaluar rrugës, e kishte dëgjuar një ensar duke e qortuar vëllanë e vet, për shkak se ai ishte i turpshëm. Pejgamberi, a.s., i ishte afrua afër, dhe i kishte thënë: “Lëre, se turpi është pjesë e imanit .”(10) Këto porosi të Pejgamberit, a.s., na e bëjnë të qartë rëndësinë dhe peshën që ka turpi në jetën e besimtarit, po edhe të njeriut në përgjithësi; kush e ka këtë cilësi e ka ruajtur besimin dhe nderin, kurse kujt i mungon kjo cilësi, atij i mungon besimi, nderi edhe punët e mira.
Turpi, sipas mendimit të dijetareve, është tre llojesh: Turpi prej Allahut, xh.sh.;
Trupi prej njerëzve në përgjithësi, dhe; Turpi prej vetvetes.
a) Turpi ndaj Allahut, xh.sh., është ai që na bën të jemi të vullnetshëm në kryerjen e urdhrave të Tij, si në: faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e Ramazanit, kryerjen e Haxhit, dhe kryerjen e të gjithave punëve të mira, atyre që Allahu xh.sh., na ka urdhëruar t’i kryejmë. Dhe, ai është që na pengon ne nga kryerja e atyre punëve që Ai na ka ndaluar. Një ditë prej ditëve Muhamedi, a.s., u tha shokëve te tij: “Turpërohuni para Allahut me turpërim të vërtetë!”(11), e shokët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, si të turpërohemi vërtet para Allahut, xh.sh.?”. Atëherë ai u tha: “Me të vërtetë Allahut, xh.sh., i turpërohen ata që e ruajnë kokën e tyre dhe çka ka në të, dhe që e ruajnë e ruajnë barkun e tyre, që kënaqësinë e kësaj bote e këmbejnë me kënaqësi të tjera, dhe ata që nuk e harrojnë vdekjen.”.
b) Turpi prej njerëzve në përgjithësi na bën që të largohemi nga ajo që është e keqe, e cila si veti e shëmtuar natyrisht se do të ngjallte urrejtje te njerëzimi. Ai person që nuk ka frikë prej Allahut dhe nuk turpërohet prej Tij, së paku mund të pengohet nga veprat e liga, nëse ai turpërohet prej të tjerëve.
c) Turpi prej vetvetes është një mirësi e madhe dhe virtyt me vlerë. Ruajta e vetvetes dhe kujdesi ndaj vetvetes, qoftë nga puna e keqe apo edhe nga një gjë e pahijshme, edhe kur je në vetmi, do të ishte suksesi më i madh për njeriun. Njeriu turpërohet të bëjë veprime të pahijshme edhe në vetmi, ngase ai e ka bindjen se Allahu është duke e parë e duke e vëzhguar kudo qoftë. Për këtë kemi fjalët e Allahut Fuqiplot, kur thotë: “Pa dyshim se Allahu sheh e vëzhgon gjithçka mbi ju.”(12)
O Zoti ynë, na mbulo me mëshirën Tënde, dhe na e stolis shpirtin tonë me pastërti e çiltërsi, se Ti je i Plotfuqishëm e Bujar!
__________________________
1 El Shems, 9-10.
2 El Maide, 6.
3 Transmetues: Buhariu dhe Muslimi, f. 233.
4 El Teube, 108.
5 Naim Tërrnava, Morali Islam, Ahlaku II, Prishtinë, 1996. f. 18.
6 Dr. Muhsin Abdullah, Xhudhurul Et Terihije, Kajro, 1980. f. 57.
7 Transmetues: Imam Buhariu dhe Imam Muslimi.
8 Sahih El Buhari
9 Muttefak Alejhi.
10 Amër Halid, Përmirësimi i zemrave, Shkup, 2006, f. 51.
11 Tirmidhiu, 2458.
12 En Nisa, 1.