Dituria, rruga e dëlirë drejt dinjitetit!

Në vetëdijen e njeriut, faktori kohë fsheh brenda vetes një ndikim interesant, që pavërejtshëm e bën atë të ndërhyjë edhe në planet e tij të përvijuara në kokë qëmoti. Një çast, një ditë apo një muaj që ndërlidhet me ndonjë ngjarje të veçantë, e zgjon kureshtjen e tij dhe e bëjnë atë të ridisenjojë projektet e veta jetësore. S’duket analogji e largët nëse themi që ramazani, duke qenë muaj i bekuar dhe i devocionit, e rikthen vëmendjen tonë kah Zoti, dhe na bënë të përkushtohemi edhe më në rrugën e Tij, po kështu edhe shtatori, ky muaj i rikthimit në shkollë, e ringjallë shpirtin tonë kërkues dhe na shtonë vetëdijen tonë edhe më shumë për dituri, shkencë e shkollim.
Shtatori vije edhe për ta freskuar ndjenjën e vetëbesimit te brezi i ri, e për ta shpëtuar atë nga kthetrat e ndjenjës së pafuqisë, përuljes e inferioritetit. Thënë më ndryshe, na e rritë tejmase vetëdijen tonë, aq sa për të qenë të fuqishëm që të prishin atë pakt të çuditshëm e poshtërues, që shumë nga bijtë e bijat e këtij brezi e kanë lidhur me injorancën e vanitetin.
Si askund tjetër, në ambientet shkollore, që në shumicën e vendeve të botës duket se hapen në këtë muaj, mblidhen e kokëtojnë të bekuar, një grumbull njerëzish me ideale sublime, ku asnjëri prej tyre s'mund të jetë më pak se kërkues i dijes, eventualisht mësues i saj. Këta të fundit, kanë për detyrë që të bëhen jo thjesht "ciceronë" të informatave të përsëritura para nxënësve entuziastë, që hapin sytë e vëzhgojnë me kureshtje çdo gjë, por duhet edhe të shndërrohen në shëmbëlltyra të gjalla që edhe me heshtjen e tyre, disi të thonë po aq sa thonë me gojët e tyre. Për më tepër, s’duhet harruar as mësuesit e as nxënësit që kërkimi dhe dhënia e diturisë është adhurim - ibadet me të cilin ne afrohemi edhe më shumë tek Allahu-Zoti ynë.
Shpërblimin e kësaj vepre fisnike do e shijojmë edhe në këtë botë, e në formë mahnitëse do e përjetojmë në botën tjetër. Sokrati dikur thoshte se ekziston vetëm një e mirë, e ajo është dija dhe ekziston vetëm një e keqe, e ajo është injoranca. E ne, në shkollat tona kemi për mision që këtë të mirë - dijen ta çmojmë, ta kërkojmë e ta shpërndajmë në njërën anë, por dhe në anën tjetër, t'i shpallim luftën e pa kompromis asaj të keqeje të madhe - injorancës. Mu për këtë arsye, shkenca dhe dija nuk duhet të kufizohen në një vend, racë, kulturë ose rajon, në fakt duhet të konsiderohen si e drejtë themelore e njeriut anembanë globit. Dija është vlerë universale, e përbashkët që është bërë për të qenë në shërbim të krijesës njeri.
Ngazëllimi për lexim, dashuria për dije dhe pasioni për të zhbiruar në të panjohurën, që të gjitha së bashku, po sikurse dje, edhe sot vazhdojnë të rrëfejnë për hendekun civilizues që ndan vendet e popujt e zhvilluar nga ata që janë të kënaqur me të qenët konsumues të produkteve të civilizimeve të tjera. Këtë diferencë e vuri në spikamë edhe citati kuranor, në të cilin Zoti i Gjithësisë në një stil stimulues dhe me një version të pyetjes retorike na u drejtua duke na thënë: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?" Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim." (Ez Zumer, 9). I lavdëroi e i çmoi pa doreza ata të zotët e mendjes, e pastaj la të hapur garën fisnike në mes të njerëzve për shkencë, dije e njohuri. Kështu më së miri u jetësua ai postulati i njohur arsimnxitës "të mësuarit gjatë gjithë jetës", duke e shndërruar atë në një fiksim individual për secilin që dëshiron ngritjen shpirtërore e avancimin intelektual.
Për ta mbajtur brezin e së ardhmes të lidhur me arsim e shkencë, na duhen kristalizuar në mendjet dhe shpirtrat e tyre synimet e kësaj rruge fisnike.
Andaj duhet theksuar se "synimet e larta të arsimimit në perspektivën islame janë ofrimi i një harmonie për njeriun që përfshin formimin e karakterit të rrënjosur në përulësi ndaj Zotit, dashuria ndaj krijesave të tjera, qëndrueshmëria e durimi në kohë vuajtjesh, mirësjellja, ndershmëria, guximi për të thënë të vërtetën, dhe qëndrimi i balancuar i emocioneve njerëzore, etj. Kështu, edukimi pa një theks në formimin e edukimin e karakterit, nuk ka praktikisht asnjë vlerë në Islam." (Al Attas, 1954).



Editorial
Dituria Islame 394


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme