Dialogu mes Ebu Hanifes dhe ateistit


Një ditë në Bagdad, Imam Ebu Hanife po dialogonte me një ateist.

Dialogun të cilin e dëgjonte një grup njerëzish, ishte fokusuar mbi ekzistencën e Zotit.

Imam Ebu Hanife i paraqiste argumente, fakte dhe prova rreth ekzistencës së Zotit. Në anën tjetër ateisti i paraqiste argumentet e tij që Zoti nuk ekziston.

Duke parë se ai nuk po bindej dhe koha nuk i premtonte më shumë, Ebu Hanife tha: ”Unë sot ndihem i lodhur dhe me presin punë të tjera, prandaj kërkoj që këtë dialog ta shtyjmë për të nesërmen.” Të dy ranë dakord dhe caktuan kohën e takimit.

Të nesërmen, Imam Ebu Hanife me qëllim u vonua.

Ateisti i tha: ”Ne e lamë që të takoheshim në filan orë, kurse ti u vonove. Kjo do të thotë që unë jam fituesi i këtij dialogu dhe faktet flasin për mua.”

Imam Ebu Hanife i tha: ”Unë jam me ty që faktet flasin për ty, por dëgjoje shkakun se përse u vonova.”

“Cili pra është shkaku i vonesës?” tha ateisti.

”Në fillim kërkoj falje për vonesën, por siç e dini unë banoj në anën tjetër të lumit dhe për të ardhur këtu më duhej një lundër. Por, në atë orë që do të vija unë nuk kishte lundër fare, kështu që u vonova.”
”Mirë, por si e kalove lumin?” pyeti ateisti.

Ebu Hanife u përgjigj: ”Teksa isha duke pritur i mërzitur, me rrjedhën e lumit erdhi një copë dërrasë e gjerë dhe e gjatë dhe u ndal para meje. Pas pak erdhën edhe katër të tjera dhe u ngjitën me të parën, duke formuar një lundër të përshtatshme për të kaluar lumin. Kur e pashë këtë, u ngjita sipër saj dhe valët më shtynë derisa kalova lumin pa problem.”

Ateisti i habitur i tha: “Ti dëshiron prej meje të besoj se dërrasat u ngjitën njëra me tjetrën vetëvetiu duke formuar një lundër. A thua mos më kujton të çmendur?!”

”Me këto që po thua po e pranon vetë ekzistencën e një Zoti Krijues. Nëse ti nuk pranon që një lundër të formohet rastësisht, atëherë si e pranon që e gjithë gjithësia që na rrethon të jetë krijuar rastësisht?!” ia ktheu Ebu Hanifeja.

Atëherë ateisti heshti dhe nuk foli.


Artikulli radhës
Bisedë me të urtin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme