33-Vjet nga rihapja e Xhamisë së Plumbit në qytetin e Shkodrës
E para xhami e hapur pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, ishte simbol i rifillimit të aktivitetit dhe veprimtarisë fetare, fillimisht në fshatrat përreth saj e më pas në të gjithë Shqipërinë.
Ishte pikërisht Hafiz Sabri Koçi ai i cili mbajti fjalimin e rasit për besimtarët myslimanë para 50 000 të pranishmëve.
33 VJET NGA RIHAPJA E AKTIVITETIT FETAR ISLAM
Diktatura komuniste, me tërë egërsinë e vet, hoqi mësimin e besimit nga shkolla, mbylli të gjitha shkollat për përgatitjen e kuadrit fetar, pezulloi shtypin fetar dhe botimet, sekuestroi të gjitha bibliotekat personale me literaturë fetare, ndaloi funksionimin e objekteve fetare, pengoi zhvillimin e riteve fetare, xhamitë i shndërroi në magazina e stalla dhe, sigurisht, shumicën e tyre i shkatërroi dhe i rrafshoi. Hoxhallarët më të shquar i burgosi dhe i pushkatoi, kurse disa prej tyre i internoi, i la pa punë, u bëri presione që të hiqnin petkun fetar e të mohonin pikëpamjet e tyre, shkurt, u përpoq me çdo mjet që të mos linte asgjë nga feja dhe ndjenjat e popullit për të.
Megjithatë ishte e kaluara islame e këtij populli, që zbuti shthurjen totale të shoqërisë sonë prej furtunës komuniste, dhe shumë besimtarë e ruajtën identitetin e tyre, duke kryer edhe një pjesë të riteve fshehurazi. Në mënyrë të kujdesur, pa marrë parasysh pasojat e rënda vetjake e familjare që rridhnin nga zbulimi i tyre, ata mbanin agjërim, faleshin, bënin lutje e bamirësi dhe mbanin gjallë në shpirtin e tyre dashurinë për Zotin, Profetin e Fenë Islame. Ata vazhdimisht ushqenin besimin në mëshirën e ndihmën e Zotit, duke shpresuar ditë më të mira.
Shpallja e Shqipërisë shteti i parë ateist në botë, kulmoi me aksionin e madh për rrënimin e xhamive, duke i sjellë vendit një dëm të dyfishtë edhe për vlerat e pazëvendësueshme kulturore, historike e arkeologjike të tyre. Me rënien e regjimit komunist, besimet fetare filluan të riorganizohen mbi bazat tradicionale, duke pasur si bërthamë ato pak objekte kulti, që ishin shpallur “Monumente Kulture” dhe ato të cilave u ishte ndërruar destinacioni, si dhe ata pak hoxhallarë, që i kishin rezistuar terrorit komunist.
Pas 23 viteve të ndalimit të fesë me ligj, Zoti bëri të mundur që me datë 16 nëntor 1990, të rihapet xhamia e parë në Shqipëri, ajo e Plumbit në Shkodër. Rihapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë, që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve. Ky veprim historik për Shqipërinë, vërtetoi edhe një herë ajetin e Kur’anit Famëlartë: “Thuaj: E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!”[1]
Atë ditë, bijë e bija shqiptare morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë dhe për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Rreziku ishte shumë i madh, por zemrat e besimtarëve nuk mund të rezistonin më ndalimin e praktikimit të fesë. Pjesëmarrësit në këtë ngjarje tregojnë se ajo ka qenë një ditë sa e gëzueshme e mallëngjyese, po aq e guximshme dhe e rrezikshme për të ardhmen e besimtarëve. Një ftesë me foton e Xhamisë së Plumbit qarkullonte në njerëz me këtë tekst:
“Me dt. 16.11.1990 ora 12.00 te Xhamia e Plumbit falet dita e xhumasë. Keni nderin të faleni brenda xhamisë.” Komisioni
Lidhur me këtë ditë të shënuar, ish myftiu i Shkodrës, H. Faik Hoxha, mes të tjerash shkruan: “Pesë vjet më parë, një grup qytetarësh, shumica të rinj si…, morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur xhumanë, për të ripërtërirë fenë, për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar… Duke përkujtuar këtë ngjarje të shënuar historike, na del përpara ai miting i madh popullor me rreth 60.000 pjesëmarrës nga qyteti e fshati, nga të gjitha moshat, të mbledhur me dëshirën dhe vullnetin e tyre të lirë, të cilët shprehën urrejtjen për diktaturën dhe ndjenjat e tyre për fenë. Kjo ngjarje e paharruar jehoi në çdo familje, ajo u bë nxitje për të ndërmarrë vepra të tjera në dobi të gjallërimit të fesë, për të kapërcyer atë periudhë terri ateist 50-vjeçar.”[2]
Në këtë ditë të shënuar, ne kujtojmë me respekt 69-vjeçarin Haxhi Hafiz Sabri Koçi, pishtarin e ringjalljes së Islamit në Shqipëri, i cili do të shprehej: “Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor… sikur linda përsëri. Kur shkova te xhamia, ç’të shihja?! Ishte mbushur zi me njerëz. Vargu i tyre zgjatej deri në kala. Altoparlantët rreth e përreth. S’mund të bëja asnjë hap. Të gjithë filluan të bien në tekbir. Brohoritnin. Masa gjithnjë e më tepër merrte flakë… Kam hipur në një tribunë të ngritur për atë qëllim… Mezi e përmbaja veten dhe s’mundja t’u besoja syve të mi. Thashë: A jam në mend apo s’jam? S’kisha parë në jetën time aq të tubuar… E pashë veten aq të lumtur, saqë nuk kisha gajle edhe sikur të bija kurban. Nuk kishte gëzim më të madh për jetën.”[3] Gjatë një interviste e pyetën Hafiz Sabriun: “A menduat për pasojat që mund të kishit në drejtimin e kësaj ceremonie?” Ai u përgjigj: “Duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet, nuk kisha se çfarë të humbisja. Përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndjeja veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë.”[4]
Do të ishin Hafiz Qazim Rakipi që këndoi versetet Kuranore, si dhe hoxha i nderuar Imam Vehbi Dani që këndoi ezanin, pas 23 vitesh heshtje. I burgosur për 22 vjet nga regjimi komunist, Haxhi Hafiz Sabri Koçi vuri në dukje në fjalën e hapjes, nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri dhe në çdo kohë. Ai pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, në fjalinë e parë gjatë ligjëratës para xhamisë, i hipur në një tribunë të improvizuar tha: “Të dashur vllazën myslimanë, katolikë e ortodoksë, e mbi të gjitha vllazën shqiptarë”, pastaj vlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj funksionale. Nga xhamia e Plumbit u dëgjuan pas shumë vitesh ajetet e Kur’anit dhe Hadithet e Muhamedit (a.s.), të cilat me besnikërinë më të madhe i kishte ruajtur në kujtesën e tij Hafiz Sabriu.
Duke përkujtuar këtë ngjarje, këtë ndodhi të madhe, Ismail Muçej, ish kryeredaktor i gazetës “Drita islame”, shprehet: “Deshi s’deshi qeveria e asaj kohe, feja u legalizua praktikisht, duke dhënë shkëndijën e parë për qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, të cilat filluan të hapin njëra pas tjetrës faltoret.”[5]
Rihapjet e xhamive anembanë vendit pasuan me hapa të shpejta. Mund të përmendim xhaminë Mbret në Berat, e cila u rihap më 14.12.1990, xhaminë e Plumbit në Vlorë, e cila u rihap më 11.01.1991, xhaminë e Kokonozit (pazari i ri) në Tiranë, e cila u rihap më 18.02.1991, xhaminë Fatih në Durrës, e cila u rihap më 07.03.1991, xhaminë e madhe në Durrës, e cila u rihap më 24.03.1991, xhaminë në qytetin e Fierit, e cila u hap më 12.04.1991, xhaminë në Koplik, e cila u hap më 21.04.1991, xhaminë në Patos, e cila u hap më 07.12.1991, etj.
Kështu, dalëngadalë, me një punë të kujdesshme e plot sakrifica, filluan të hapen xhamitë e para, të meremetohen ato që kishin mbetur kur dorëzoheshin nga organet e pushtetit, u hapën salla për të kryer faljet e predikimet e rastit në ato vende ku nuk kishte xhami, si dhe u ndërtuan xhami të reja.
Ngjarja e 16 nëntorit nuk ishte thjesht një ceremoni fetare. Ajo krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, ishte një dritë shprese për të ardhmen e Islamit në Shqipëri. Po atë ditë u vendos rithemelimi i institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili, me ndihmën e Zotit, me shumë mund dhe sakrifica, arriti të ngrihet së bashku me myftinitë dhe medresetë, një institucion që i shërben mbarë popullit shqiptar në të gjitha drejtimet.
___________
[1]. Isra’, 17:81
[2]. Faik Hoxha, Duke kujtuar një përvjetor, gazeta “Drita Islame”, nr. 21 (82), viti IV i botimit, dhjetor 1995.
[3]. Pjesë nga intervista e H. Sabri Koçit, Shqipëria i kthehet fesë, revista “El-Hilal”, botim special, qershor 1991, f. 13-14; 16 nëntor 1990, gazeta “Drita Islame”, nr. 11 (334), viti i XIX i botimit, nëntor 2010.
[4]. Faik Luli – Islam Dizdari, Një jetë në shërbim të fesë, Tiranë 1996, f. 56.
[5]. Ismail H. Muçej, Tri vjet pas rihapjes së institucioneve fetare në Shqipëri, gazeta “Drita Islame”, nr. 18 (43), viti II i botimit, dhjetor 1993.
Dorian Demetja
dritaislame.al