Në mungesë të vetëdijësimit njerëzor në aspektin qytetërues-fetar, me largimin e njeriut nga parimet themelore qytetëruese, me rebelimin e tij nga hyjnorja dhe largimin e shmangia e tij nga ajo, jo rrallë ka ndodhur që të pasojnë sanksionet për ta disiplinuar dhe për ta rikthyer njeriun, këtë krijesë madhore, inteligjente, në qytetërim të mirëfilltë.
Historia na tregon se, për fat të keq, në të gjitha periudhat e zhvillimit njerëzor ka pasur grindje në shoqëri në forma të ndryshme. Forca shkatërruese rritet në vazhdimësi dhe gjinia njerëzore do ta kishte shkatërruar vetveten sikur Krijuesi i Gjithëfuqishëm të mos kishte dërguar pejgamberë, të cilët i kanë thirrur njerëzit në rrugë të drejtë. Kurani thekson se para rënies - shkatërrimit të çfarëdo qytetërimi a populli, Allahu atyre u dërgonte shpallje për t’i udhëzuar apo për t’i shpëtuar nga kataklizma, ngase logjika që na është dhuruar, nuk është e mjaftshme për t’iu shmangur shkatërrimit, pa udhëzime hyjnore.
Nga librat hyjnorë-Shpalljet e Zotit, mësojmë se të gjitha Shpalljet hyjnore përmbanin parime të njëjta etike: dashurinë ndërnjerëzore, bamirësinë, sinqeritetin, mirëkuptimin dhe mbështetje për ata që gjenden në ngushtësi e etj.. Ata popuj të cilët adhuronin idhuj në vend të Allahut ose largoheshin nga disa pjesë thelbësore të etikës, janë shkatërruar dhe, siç thotë perandori meksikan në perandorinë e tij, toka nuk është gjë tjetër përveçse varr i qytetërimeve të tilla të dështuara.
Ndodhitë më të frikshme që ka përjetuar njeriu në jetë, për shkak të rebelimit të tij, të cilat janë edhe kërcënim hyjnor, janë tufanet, ciklonet, tërmetet, uritë, zjarret, pushtimet ushtarake, sëmundjet ngjitëse dhe epidemitë. Këto lloj ndodhish, të cilat duken si dukuri natyrore, nuk ndodhin rastësisht apo spontanisht, po janë të lidhura me shkaqe dhe urtësi të ndryshme. Këto lloj ndodhish të hidhura, shkaktohen prej kundërshtimeve dhe mëkateve të njerëzve dhe ndëshkimet e rregullsisë hyjnore hyjnë në etapën e zbatimit të tyre. Ka raste kur Allahu ka shpallur në Librat e shenjtë, edhe epilogun e ndonjë ngjarjeje të shënuar, si argument dhe si mësim për njerëzit, që janë rebeluar.
Është realitet i dokumentuar se, kur konsumohen fuqitë njerëzore dhe të pejgamberëve, kur zotëron e liga dhe devijimi nga qytetërimi, ia arrin ndëshkimi dhe shpagimi hyjnor. Nuhu a.s. që jetoi mbi 1.000 vjet në rrethinat e Kufes-Irak, 950 vjet thirri popullin e tij për të besuar Zotin e Vërtetë. Tre djemtë e tij: Sami, Hami dhe Jafethi, i besuan, kurse një tjetër-Kenani(2) nuk i besoi. Pas durimit për 950 vjet, Nuhu a.s. erdhi në pikën e mbarimit të fuqisë së vet: “E, iu lut Zotit të tij duke thënë: Unë u munda, prandaj me ndihmo!”(3) Për shkak të devijimit nga rruga e Allahut, populli i Nuhut, të cilët u bënë idhujtarë, si rrjedhojë e teprimeve të tyre, u dënuan me përmbytje-tufanin. Në atë situatë katastrofe ujore dhe tmerri të vërtetë, vetëm Nuhu a.s., me besimtarët dhe gjallesat që ndodheshin bashkë më të në anije, ishin nën mbrojtjen e Allahut.
Sipas zbulimeve arkeologjike, përmbytja e Nuhut (Tufani) ka ndodhur në ultësirën e Mesopotamisë, në mes të lumenjve Tigër dhe Eufrat, në drejtim të Gjirit Arab (Persik), i cili atëherë kishte një formë tjetër nga kjo e sotmja. Vlerësimi i provave të gjetura nga studimet e ndryshme, jep të kuptohet se përmbytja shtrihet përafërsisht 160 km. nga lindja në perëndim dhe 600 km. nga veriu në jug. Nga Kurani mësojmë: “Kështu Ne hapëm portat e qiellit me ujë që derdhej me furi. Dhe bëmë që burimet të shpërthejnë nga toka. Kështu (ujërat e qiellit dhe të Tokës) u takuan për një çështje të përcaktuar”.(4)
Ka mendime se shtrati i lumit Eufrat, nga këto ujëra të shumta, u ngrit shumë dhe vërshoi vendbanimet përreth qyteteve: Urit, Erekut, Shurupakut dhe Kishit. Përmbytjen në kohën e Nuhut, në mënyrën e vet e kanë theksuar edhe Dhiata e Vjetër (Tevrati) si edhe Dhiata e Re (Inxhili), por të gjitha tekstet e tjera që kanë përshkruar përmbytjen, me përjashtim të Kuranit, janë ndryshuar dhe janë të përmbushura me elemente mitologjike. Këtë përmbytje e gjejmë edhe në mitologjinë greke.
Nga tre djemtë e Nuhut a.s., Sami, Hami dhe Jafethi, të cilët shpëtuan nga përmbytja, u shtua mbarë njerëzia.(5)
Emërtimi si popull semit (Samit) nuk është i rastësishëm. Sami ishte njëri prej djemve të Nuhut, i cili mbijetoi nga përmbytja-tufani. Prej Samit u shtuan shumë popuj, të cilët, sipas përkatësisë racore, janë të ndryshëm, por gjuhët që përdorin, i kanë të përafërta dhe të ngjashme. Semitët janë trashëgimtarë të Sumerëve që patën jetuar në Mesopotami, në pellgun në mes Tigrit dhe Eufratit. Semitët kanë jetuar dhe jetojnë edhe në Azi, Afrikën Lindore dhe Afrikën Veriore. Popuj të zhdukur semitë ishin: asirianët, babilonasit, fenikasit; ndërsa të gjallë nga semitët janë: arabët, hebrenjtë dhe etiopianët.
Nga Hami dolën gjuhët hamite ose populli (indo-evropian). Në familjen e gjuhëve indoevropianë bëjnë pjesë 12 grupe kryesore gjuhësh:
Indishtja, Persishtja (Iranishtja), Armenishtja, Greqishtja, Shqipja, Italishtja, Keltishtja, Gjermanishtja, Sllavishtja, Baltishtja, Tokarishtja dhe Hetitishtja.
Nga Jafethi u shtuan aziatikët dhe lëkurëkuqtë, që mendohet të kenë kaluar në Amerikë nëpërmjet Ng shticës së Beringut.(6)
Ndëshkimet e zbatuara mbi popujt e harbuar e të egërsuar, të dalë prej qytetërimit dhe rrugës së drejtë, rrugës së besimit dhe moralit, janë të përmbushura plot me zemërim hyjnor.
Ibrahimi a.s. kishte lindur në Mesopotami, sipas disa të dhënave në qytetin e vjetër Ur. Edhe pse si Pejgamber ishte i dërguar në Babiloninë e lashtë (në Irakun e sotëm), për ta nxjerrë dhe larguar popullin e tij nga idhujtaria, atij, me tërë forcën do t’i kundërvihej Nemrudi-Perandor shumë i fuqishëm i Babilonisë, po më në fund, pas shumë vuajtjesh e mundimesh, do të ngadhënjen e drejta mbi të ligën.
Thënia e Nemrudit, pasi pa se zjarri nuk e dogji Ibrahimin a.s. të hedhur në të: “Unë nuk heq dorë prej hyjnisë sime, por për Zotin tënd do të pres katër mijë qe!”(7) nuk kishte asnjë dobi. Nemrudin e vuri poshtë një insekt. Mbijetoi Ibrahimi a.s., e u shkatërruan pushteti i Nemrudit dhe lojalistët e tij.
Populli i Lutit (nipi i Ibrahimit a.s.) jetonte në fqinjësi me popullin e Ibrahimit. Studimet arkeologjike tregojnë se qyteti qe i vendosur në zonën e Detit të Vdekur, ku ishin të vendosur qytetet Sodoma dhe Gomorra, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Jordanisë me territoret e pushtuara të Palestinës. Populli i Lutit bënte një veprim të ulët, deri atëherë të panjohur, që quhej sodomizëm e sot i thuhet homoseksualizëm. Nga Kurani mësojmë se Luti a.s. kishte qortuar popullin e tij duke i thënë: “Si vallë kryeni marrëdhënie me burrat dhe i lini mënjanë ato të cilat Allahu i ka krijuar për të qenë bashkëshortet tuaja? Vërtet ju jeni një popull që ka kaluar çdo kufi”.(8)
Ajeti 82 sures “Hud” tregon qartë mënyrën e shkatërrimit të popullit të Lutit. Zona ku ndodhej ky popull, u shkatërrua totalisht nga një tërmet i fuqishëm apo një shpërthim vullkanik që pastaj ajo zonë të shndërrohej në liqen (Deti i Vdekur), i cili ndodhet 400 m nën nivelin e detit. Aspekti mekanik i fatkeqësisë që i ndodhi popullit të Lutit, është zbuluar nga kërkimet e gjeologëve.
Praktikisht, për asnjë ngjarje që ka ndodhur dhe që ka ndikuar në fatet e popujve dhe të njerëzimit, studimet nuk mund të krijojnë një tablo të plotë për shkakun e fatalitetit të tyre, por mosbesimi, imoraliteti dhe padrejtësitë - janë shkaqet kryesore të shkatërrimit dhe asgjësimit të popujve dhe “qytetërimeve” të mbrapshta të tyre. Disa prej tyre janë zhdukur pikërisht në kulmin e fuqisë së tyre. Mjafton të kujtojmë këtu popujt Ad, Themud, Inkët dhe Pompei.
Pra popullatë tjetër dhe qytetërim i shkatërruar pas popullatës së Nuhut a.s. është ai i Adit, që është përmendur në Kuran, në periudhën e Hudit a.s., afro tetëqind vjet pas Nuhut a.s. Ky popull arrogant, që kishte bërë përparim të madh në infrastrukturë, u shkatërrua nga një ciklon-furtunë, i cili përmbysi çdo gjë. Dhe, tërë kjo, mendohet të ishte si rrjedhojë e idhujtarisë dhe mosbesimit në Zotin e Vërtetë. Qyteti-shtet i popullit të Adit, që u shkatërrua, mendohet të ketë qenë Ubari, që ndodhej në juglindje të Gadishullit Arabik, në principatën e sotme të Omanit. Në Kuran decidivisht thuhet:
“Edhe tek Adi (ka gjithashtu tregues ndëshkimi), kur Ne dërguam tek ata erën shkretëruese. Ajo nuk kurseu asgjë nga kaloi, veçse çdo gjë e bëri pluhur e hi”.(9)
Era shkatërruese zgjati për shtatë net e tetë ditë, e cila e shkatërroi Adin krejtësisht.
Shkaqet e shkatërrimit të popullit Ad, ishin se ata u bënë heretikë, u bënë mendjemëdhenj, përdhunues dhe mendimet e idetë e tyre i mbanin mbi qëndrimet hyjnore-fetare.
Një popull tjetër i quajtur Themud, me prejardhje nga Sami-biri i Nuhut (brezi i nëntëmbëdhjetë nga Ademi a.s.(10), që ka jetuar në El-Hixher (në
mes Damaskut dhe Hixhazit),(11) është bërë legjendar për mënyrën e shkatërrimit të tij. Meqë populli i Themudit, s’pati nxjerrë mësim nga shkatërrimi që pësoi populli i Adit, për shkak të largimit nga udha e drejtë dhe kthimi i tyre në idhujtari, atyre Pejgamber u ishte dërguar Salihu a.s.. Me gjithë mrekullitë mbinatyrore që i kërkuan dhe me ndihmën e Allahut, Që u solli Salihu a.s., vetëm pak njerëz i besuan një Zoti të Vetëm. Mendimet dhe qëndrimet e tyre i mbanin mbi principet e fesë. Nuk u vinin vesh fjalëve të Pejgamberit, andaj u shkatërruan nga tërmeti dhe ushtima për fajin e tyre:
“Atëherë ata i rrëmbeu ajo lëkundja me ulërimë (tërmeti me ushtimë) dhe gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira.”(12)
Ato pallatet nga gurë të gdhendur të Adit dhe të Themudit, që i patën ndërtuar dhe dikur ishin krenari e një qytetërimi, më të drejtë, për shkak të devijimit dhe idhujtarisë së tyre, sot s’janë veçse gërmadha zymtësie.
Mbretëria e Faraonit, që e quante vetin zot në Egjiptin e lashtë, që për ndërtimin e një varri-piramide mahnitëse të tij, sakrifikoi dhe shoi me mijëra jetë të të varfërve, u përmbys pas daljes në skenë të “Tevratit” (Tores), me anë të shkopit të Musait.(13) Faraoni përfundoi në Detin e Kuq, dhe supozohet që, në kërkimet e viteve të fundit në bregun e Detit të Kuq, është gjetur trupi i Faraonit, i cili ruhet në British Museum.(14)
Edhe Pompei, që ishte simbol i degjenerimit të Perandorisë Romake, ishte në shthurje e degjenerim të plotë moral.(15) Fundi i tij ishte i ngjashëm me atë të popullit të Nuhut a.s.. Vullkani Vezuv, që ndodhet në Italinë e sotme. Në të djathtë të Vezuvit ndodhej Napoli, ndërsa në lindje ndodhej Pompei, që u mbulua nga lava e Vezuvit brenda një çasti të vetëm, 2000 vjet më parë - (shtatëdhjetë vjet pas lindjes së Isait). Kjo gjë nuk ishte e rastësishme, ngase imoraliteti kishte kaluar çdo masë. Numri i shtëpive publike nuk numërohej dhe, sipas besimit Mitharik, organet dhe marrëdhëniet seksuale nuk duhej të mbuloheshin. Bënin seks në mes tyre edhe çiftet e një gjinie. Gjatë gërmimeve arkeologjike, të ngurtësuara u gjetën çifte të shumta gjatë aktit seksual, bile edhe çifte të së njëjtës gjini.
Si pasojë e anarkisë etike, është rrënuar Perandoria Romake, ndërsa ngjashëm ka përfunduar edhe e famshmja Perandoria Greke.(16)
Herakliu-perandor bizantin, nga një fitimtar i madh, jetën e tij përfundoi me një fobi (frikë e tmerrshme nga uji) dhe çrregullime psikike.
Ushtrinë e Ebrehesë të krishterë me origjinë nga Abisinia, të shoqëruar me elefantë, që ishte nisur nga Jemeni, që ishte nisur për ta shembur Qabenë, për ta kthyer namin e saj në një kishë të madhe, që e kishte ndërtuar ai në Jemen, - Zoti e thërrmoi Ebrehenë me anë të ushtrisë së zogjve, si një gjeth të bluar, duke kthyer në varrezë mjedisin përreth Mekës.
Po ashtu, ushtrinë e kurejshitëve idhujtarë, të armatosur me armatimin më modern të kohës, e të udhëhequr nga elita mekase, që synonin ta shuanin Islamin, Allahu e shkatërroi në Bedër, duke ndihmuar Muhammedin a.s. me një ushtri të padukshme si engjëj, frikë erë, etj., dhe i hapi atij horizonte fitoresh të reja.
Dhe, gjithë këto kataklizma, shkatërrime, shpërbërje dhe sprova të ndryshme njerëzore, duhej të ishin mësim për njerëzimin, që të ndërgjegjësohej, të vetëdijesohej dhe të kapej fort për qytetërimin e mirëfilltë.
Kjo do të thotë se vargani i ngjarjeve në skenën e qytetërimeve dhe të fateve të protagonistëve të njerëzve në përgjithësi, ndodh sipas vullnetit, caktimit të Krijuesit të Botëve dhe veprave të njerëzve, fillim e mbarim. Nga Kurani mësojmë se:
Përshkrimet e Kuranit dhe referencat e tij për sa u përket rrethanave dhe ngjarjeve historike, si në kohën e të Dërguarit a.s., ashtu edhe më herët, duhet të cilësohen si shpjegime të gjendjes njerëzore. Ndodhia historike për të cilën qe shpallur një ajet i veçantë dhe një përshkrim historik i kohëve të mëhershme, duhet të shfrytëzohet për të nxjerrë në të urtësisë themelore të atij ajeti dhe rëndësisë së brendshme të tij, për mësime etike, të cilat Kurani, marrë në tërësi, i parashtron.
Vetëm brenda kuptimit të kësaj aksiome, mund të kuptohen drejt krijimi, ngritja dhe rrënimi i perandorive dhe qytetërimeve të mëdha, të cilat shpesh, pikërisht në kohën kur arrinin një epërsi të jashtëzakonshme ekonomike, ushtarake dhe politike ndaj rivalëve, do të fillonin të rrënoheshin dhe, për një kohë të shpërbëheshin, sikur të mos kishin qenë kurrë.
_________________
Fusnotat:
1. Kur’ani, sureja El-Israë, ajeti 15.
2. Abdu El-Vehab En-Nexhxharë, “Kisasu El- Enbijai” fq. 41, Botimi i dytë, Bejrut-Liban, 1934.
3. Kur’ani, sureja El-Kamer, ajeti 10.
4. Kur’ani, El-Kamer, ajetet 11-12.
5. Dr. Sufhi Salih, “Derasetu fi fikh el-luga” botimi i parë, fq. 48, Darul-ilm lilmelajin, Bejrut 1968.
6. Osman Nuri Topbash, Vargu i Profetëve nën dritën e Kur’anit , libri-1-, fq. 106-107, Stamboll, 2001. Shih, Abdulvehab en-Nexhar, Kasaul-enbi- ja, fq. 53, “Daru ihja’ et-turath el-arabij”, Bejrut-Liban, 1934.
7. Osman Nuri Topbash, Vargu i Profetëve nën dritën e Kur’anit , libri-1-, fq. 185, Stamboll, 2001.
8. Kur’ani, Esh-Shuara, ajetet 165-166.
9. Kur’ani, sureja, Edh-Dharijatë, ajetet 41-42.
10. Osman Nuri Topbash, Vargu i Profetëve
nën dritën e Kur’anit , libri-1-, fq. 150, Stam- boll, 2001.
11. Abdulvehab en-Nexhar, Kasaul-enbija, fq. 58, “Daru ihja’ et-turath el-arabij”, Bejrut- Liban, 1934.
12. Kur’ani, sureja Aërafë, ajeti 78.
13. Dr. Amr Sulejm Abdullah Esh-shukr, “Na- hve thekafe islamije aslije”, fq. 30, “Darul- fais”, Aman - Jordan, 1423 h/2002.
14. Osman Nuri Topbash, Vargu i Profetëve nën dritën e Kur’anit, libri-II-, fq. 173, Stamboll, 2001.
15. Pompei ndodhet në Itali, e cila është simbol i degjenerimit të Perandorisë Romake. Edhe qyteti Pompeit është i shkatërruar për shkak të perversiteteve seksuale (homose- ksualizmit). Shpërthimi i befasishëm i vullkanit Vezuv, shtatëdhjetë vjet pas Isait a.s. llava e tij ka përfshirë qytetin, duke mos i dhënë mundësi askujt nga imoralët të shpëtojë. Mbeturinat e tyre të paprishura fare, duke ardhur gjer në ditët tona, shpalosin një mësim të madh për qytetërimet e degjeneruara.
16. Sejjid Muxhteba Musavi Llari, “Islami dhe civilizimi perëndimor”, fq. 83, “Drita e jetës”, Gjilan, 2004.
Dituria Islame 212