Kjo është vepër e krijimit të Allahut


“Ai i krijoi qiejt pa shtylla, sikurse po i shihni, e në Tokë vendosi kodra të rënda, që të mos luajë vendi bashkë me ju, e nëpër të shpërndau nga të gjitha gjallesat, dhe nga qielli Ne kemi lëshuar shi e kemi bërë të mbijnë në të nga të gjitha llojet më të dobishme. Kjo është vepër e krijimit të Allahut, e më tregoni, pra, mua se ç’krijuan ata të tjerët përveç Tij. Jo, asgjë, pra, idhujtarët janë në një humbje të pafund. (Kaptina “Llukman”, 10-11)

Në kuadër të argumenteve të gjithësisë, të paraqitura nga ana e Krijuesit Fuqiplotë, janë edhe këto që u theksuan në këto ajete kuranore, të cilat pa dyshim paraqesin dëshmi të Fuqisë absolute të Allahut të Madhërishëm, Urtësinë e madhe të Tij dhe argumentimin bindës e të mjaftueshëm për njerëzit në përgjithësi. Këto janë disa nga argumentet për të cilat askush nga njerëzit s’mund të pretendojë se është krijues i tyre, përveç Allahut të Madhërishëm. Kjo gjithësi, me këto përmasa kaq të mëdha dhe me një sistem të mrekullueshëm, të përpiktë e të koordinuar maksimalisht, tërheq vëmendjen e njerëzve, qetëson zemrën dhe çdo njeriu e bën të mendojë për të, kurse besimtarin - të qetësohet shpirtërisht dhe me plot bindje të shprehet se këtë gjithësi e ka krijuar dikush, e ka rregulluar, sistemuar dhe shpikur dikush, dhe ai e mbikëqyr vazhdimisht, dhe Ai është Allahu xh.sh..
Këta qiej që i shohim edhe pa ndonjë vështrim shkencor, vetëm me një shikim të jashtëm, tërheqin vëmendjen e njeriut për shkak të madhështisë dhe gjerësisë së tyre. Kjo është gjithësia e përbërë nga qiejt, Toka dhe çfarë ka në mes tyre, madhësinë, gjatësinë, gjerësinë dhe fshehësinë e të cilave nuk i di askush përveç Allahut xh.sh. Këtë gjithësi kaq të madhe dhe pa shtylla, njeriu me sytë e tij e sheh për çdo ditë, e sheh këtë sistem të përkryer e të koordinuar në mënyrën më të mahnitshme të mundshme, dhe këto e bëjnë që me mendjen dhe ndjenjën e tij të përsiatë pothuaj gjithnjë.
Në kuadër të kësaj gjithësie kaq të madhe, Krijuesi Fuqiplotë ka krijuar qiejt pa shtylla, duke shtyrë kështu mendjen dhe zemrën e njeriut që të përqendrohet shumë e të mendojë rreth krijimit dhe madhësisë së Tokës, e cila në krahasim me këta qiej, mbetet shumë e vogël, ndoshta edhe sa një grimë atomi apo si një pikë shumë e vogël brenda kësaj gjithësie.1
Allahu xh.sh. ka theksuar dëshmi për gjithësinë, për të cilën askush nga pabesimtarët nuk pretendoi për vete asnjëherë se e ka krijuar, ngase ky është një argument ekzistues dhe, meqë Allahu xh.sh. konfirmoi në shumë ajete në Kuran, se Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën, nuk e ka kundërshtuar asnjëherë askush duke pretenduar dhe ia atribuar vetes krijimin e tyre, sepse nuk ka argumente, prandaj as që mund të diskutohet kjo. Sa kohë që Allahu xh.sh. është Krijues i gjithësisë, kjo do të thotë se kjo është çështje absolute dhe e vërtetë, ngase, nëse dikush tjetër pretendon që ta ketë krijuar, atëherë ku është ai? Dhe cili meriton të quhet Zot e të adhurohet, përveç Allahut Fuqiplotë? Nëse dikush nga pabesimtarët pohon se ai vetë i ka krijuar qiejt e Tokën, përse atëherë nuk del haptazi për ta mbrojtur atë pretendim tij? Kjo nuk mund të ndodhë asnjëherë, dhe për këtë arsye Allahu xh.sh. ka thënë: “Allahu vërtetoi se nuk ka Zot tjetër përveç Tij”2. Për ta vërtetuar edhe më shumë këtë të vërtetë, Zoti xh.sh. në një ajet tjetër dëshmoi e tha: ”thuaj: ”sikur të kishte zota të tjerë përveç Atij, sikur thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj të Madhëruarit (për t’ia marrë pushtetin)”3.
“Ai i krijoi qiejt pa shtylla, sikurse po i shihni”. Njeriu sheh sipër tij qiellin, le të gjendet në çfarëdo pjese të rruzullit tokësor, dhe vërteton një gjë të tillë, po, pavarësisht nga madhësia e tyre, nuk sheh askund shtylla. Në të vërtetë shprehja kuranore: “sikurse po i shihni”, mund të përmbajë dy kuptime: qiejt ose janë me të vërtetë pa shtylla, ose kanë shtylla po ne nuk i shohim ato. Kjo nënkupton se ne nuk i shohim ato shtylla të cilat në realitet ekzistojnë, mirëpo ne nuk i shohim për shkak të shqisave dhe mundësive tona njerëzore të kufizuara. Disa thonë, se bëhet fjalë për gravitacionin, dhe ky mendim mund të jetë i vërtetë, po Allahu xh.sh vetëm na bën me dije për një hulumtim në këtë çështje, kur thotë: ”Ai e mban qiellin të mos bjerë në tokë përveç nëse dëshiron Ai”4. Atëherë,
për ne nuk mbetet përveçqë të themi se kjo çështje është nën fuqinë dhe mbikëqyrjen absolute të Allahut xh.sh., duke mos u përpjekur për ta ditur se si ndodh ajo. Allahu i Madhërishëm ka ofruar për ne një shembull se si i mban në ajër shpendët që fluturojnë, për se thotë: ”A nuk i shohin ata shpendët fluturues në ajrin e qiellit, të cilët nuk i mban kush, përveç Allahut“5. Në një rast tjetër,
Allahu xh.sh. dëshmon e thotë: “Allahu i mban qiejt e Tokën që të mos zhduken ”6
Në këtë mënyrë Allahu i Madhërishëm ka paraqitur dëshmi të Fuqisë së Tij absolute, madhështore e të pakrahasueshme në krijimin që ka bërë, të qiejve e Tokës dhe ç’ka në to e në mes tyre.
Qiejt i ka krijuar pa shtylla të dukshme për ne; Allahu i Madhërishëm ka vënë shtylla por janë të padukshme për mundësitë tona shqisore, shtylla që argumentojnë fuqinë absolute, një mendim që transmetohet nga Muxhahidi.7 Një mendim të tillë e përkrahin edhe Ibni Abasi dhe Ikreme.8
“...e në tokë vendosi kodra të rënda që të mos luajë vendi bashkë me ju”, një dëshmi se ekzistenca e këtyre kodrave pa dyshim ruan ekuilibrin e Tokës që të mos lëkundet, dridhet apo të shkapërderdhet. Këto kodra – male i ka krijuar të ngjitura fort për toke me një lidhje shumë të fortë, ngase Toka doemos ka nevojë për këtë përforcim që ruan stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e saj. Toka është e lëvizshme, prandaj edhe kodrat janë krijuar që ta sistemojnë lëvizjen e saj, dhe ky ajet vërteton teorinë e rrotullimit të Tokës, po gjithashtu një fakt i tillë konfirmohet edhe në ajetin tjetër: “E, i sheh kodrat e mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin si retë”9. Pra, lëvizja e kodrave është e lidhur me lëvizjen e Tokës, por ne nuk e shohim dhe nuk e vërejmë fare. Ne, ku do që të qëndrojmë në tokë, nuk vërejmë një lëvizje tillë, ngase ne nuk lëvizim, mirëpo këtë lëvizje mund ta vërejmë vetëm atëherë kur ta krahasojmë lëvizjen tonë konkrete me një send të palëvizshëm afër nesh. Lëvizja e kodrave, në esencë, nuk është nga vetvetja e tyre, por ndjek doemos atë të Tokës. Allahu i Madhërishëm gjithashtu ka krahasuar lëvizjen e kodrave me lëvizjen e reve, ngase lëvizja e reve nuk vjen nga vetvetja e tyre, por ndjek dhe është e lidhur ngushtë me lëvizjen e erërave.
Ndërsa, në vijim të ajetit, Allahu xh.sh. përmend një shkak tjetër të krijimit të kodrave. Thotë: “e nëpër të shpërndau nga të gjitha gjallesat”, dëshmi kjo pa dyshim, që konsiderohet nga mrekullitë dhe çuditë e shumta të kësaj ekzistence, ndaj ekzistimi i jetës së tillë në këtë tokë paraqet fshehtësi të cilën deri më sot askush nuk ka pretenduar se e njeh dhe e kupton, jetën në fillim të formimit të saj, nga një grimcë shumë e vogël, dhe më pas ndërtimi e formimi i saj deri në këtë formë kaq të bukur dhe të çuditshme. Kjo jetë është e llojllojshme, në sa e sa lloje, e ndarë dhe e përbërë në shumë grupe të gjallesave të panumërta, dhe, megjithëkëtë, shumica e njerëzve kalojnë për çdo ditë pranë tyre pa u tërhequr ato fare vëmendjen dhe sytë e tyre, sikur të ishin diçka të zakonshme. Shprehja “gjallesat” përfshin të gjitha gjallesat që ekzistojnë në Tokë, të vogla e të mëdha, pa dallim. Prej këtyre gjallesave disa janë të lejuara nga Krijuesi për t’i ngrënë njerëzit, kurse disa të tjera janë të ndaluara, dhe mbështetur në këtë, dikush mund të thotë: Derisa Allahu i ka ndaluar disa gjallesa, atëherë përse i ka krijuar dhe çdo gjë e krijuar, a është e lejuar për t’u përdorur si ushqim?
Pa dyshim që përgjigjja është jo, sepse të gjitha gjallesat nuk janë të lejuara, ngase ato kryejnë një mision tjetër. Nëse ndalesh dhe mendon për atë që është e ndaluar, do të kuptosh se ajo kryen një shërbim tjetër për ty, si p.sh., nëse shohim gjarprin, në shikim të parë na duket i dëmshëm, por në anën tjetër, prej tij kemi dobi të tjera shëruese, e shfrytëzojmë lëkurën e tij, etj. Kështu qëndron çështja edhe me derrin, për të cilin dikush thotë: Përse e ka krijuar Allahu xh.sh. derisa e ka bërë të ndaluar? Allahu xh.sh. çdo gjë që ka krijuar, nuk e ka krijuar për t’u ushqyer me të njerëzit, ngase njeriu assesi nuk ushqehet me çdo gjë, sepse Allahu, për t’u ushqyer njeriu, ka krijuar ushqimin e veçantë për të. Njeriu p.sh. nuk ushqehet me naftë dhe derivate të saj, edhe pse ajo është e krijuar nga Allahu xh.sh., dhe ne për çudi shohim p.sh. vetura, trena, avionë etj., dhe secili prej tyre harxhon derivate përkatëse e të përshtatshme për të. Prandaj Allahu xh.sh. i ka dhënë njeriut atë çfarë i duhet, dhe krijesave tjera - atë çfarë u duhet.
Tek të gjitha gjallesat, nëse i shikojmë me vëmendje, do të gjejmë një sistemim të madh dhe të saktë të jetës së tyre dhe pa ndonjë mangësi, ngase ato, me anë të instinktit të krijuar nga ana hyjnore, zhvillojnë normalisht jetën e tyre. Kështu i hasim ato, derisa të mos ndërhyjë njeriu në një mënyrë apo në një tjetër dhe të shkakton ç’rrgullim sistemi tek ato. Njeriu është cilësuar për këtë efekt deformues që mund të bëjë, ngase ai i trajton ato në shumë raste në kundërshtim me ligjin hyjnor, prandaj edhe ndodh çrregullimi. Me të vërtetë njeriu s’ka fuqi për asnjë nga krijesat e tjera për ndonjë çështje, përveç nëse atë gjallesë e ka nënshtruar Allahu për të dhe e ka vënë në shërbim tij. P.sh. një fëmijë i vogël hipën mbi elefant, tërheq devenë etj., kurse, në anën tjetër, askush nga ne në gjendje normale nuk guxon të merret me një gjarpër, sado i vogël qoftë ai, për shkak të rrezikut dhe frikës prej tij.
”....dhe nga qielli Ne kemi lëshuar shi e kemi bërë të mbijnë në të nga të gjitha llojet më të dobishme”, gjithashtu një dëshmi hyjnore se ky ujë, i cili zbret prej qiellit, pa dyshim paraqet një nga çuditë dhe argumentet e gjithësisë, që i shohin vazhdimisht mohuesit përgënjështrues. I gjithë ky ujë me të cilin mbushen lumenjtë, liqenet etj., dhe shpërthejnë burime të ndryshme, i tëri zbret nga qielli në përputhje me një sistem të përpiktë në mes qiejve dhe Tokës. Dalja e bimëve pas shiut, pa dyshim është një çudi mahnitëse dhe argument tjetër hyjnor, janë mahnitëse jetësimi dhe gjallërimi i tyre, llojllojshmëria, dhe shumëzimi i tyre. Pa dyshim që studimi i mirëfilltë i ngjyrave të vetëm një luleje, e bën njeriun të besojë Krijuesin dhe Shpikësin i kësaj jete. Të mbijë çdo lloj bime e mirë, pa dyshim që kjo paraqet dhe shpreh një të vërtetë hyjnore tjetër. Çdo bimë ka elementet e gjinisë mashkullore dhe femërore, dhe me bashkimin e tyre, rezulton fryti i ri, dhe kjo, ashtu siç ndodh tek njeriu, ndodh edhe tek gjallesat e tjera.10
Fjala “nga qielli” ka të bëjë me pjesën e lartë mbi ne, në drejtim të qiellit, ndërsa shiu zbret nga retë, e jo nga qielli. Me të gjitha llojet bimore që mbijnë në tokë, Krijuesi argumenton Fuqinë e Tij absolute, Urtësinë e Tij dhe Diturinë e në këtë mënyrë përgatit bazën e adhurimit ndaj Tij, çfarë konfirmon në vijim11, kur thotë: “Kjo është vepër e krijimit të Allahut, e më tregoni pra mua se ç’krijuan ata të tjerët përveç Tij”.
Kjo është vepër e krijimit të Allahut, për t’iu kundërvënë dhe për të sfiduar pabesimtarët dhe thirrjet e pohimet e tyre kundërthënëse. Ata janë pa dyshim në humbje, në errësirë për këtë mosbesim të tyre, përballë kësaj ekspozite kaq të madhe të gjithësisë, të mbushur me argumente të shumta dhe të qarta. Ky ajet u është drejtuar atyre që mohojnë argumentet e Allahut në përgjithësi, dhe ajetet e përmendura në ajetin paraprak, si: krijimi i qiejve pa shtylla, krijimi i kodrave si shtylla të Tokës, krijimi i gjallesave, zbritja e shiut, ngjallja e bimëve etj. Pyetja e Allahut xh.sh. drejtuar mohuesve kurrë nuk do të ketë përgjigje pozitive: “e më tregoni, pra, mua se ç’krijuan ata të tjerët përveç Tij”, - më tregoni se ç’krijuan ata të cilët po i adhuroni përveç Allahut? Pabesimtarët nuk kanë përgjigje dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar të thonë që zotat e tyre kanë krijuar Diellin, Hënën apo kodrat. Allahu xh.sh., duke iu përgjigjur, atyre u sqaron se çështja nuk ka të bëjë vetëm me faktin e pamundësisë së krijimit të ndonjë sendi prej tyre, por ata as nuk dinë si janë krijuar ata vetë, prandaj thotë i Madhëruari: “Unë nuk ua prezantova krijimin e qiejve e të Tokës atyre që po i adhuroni, e as krijimin e vetë atyre, dhe as nuk i mora ndihmëtarë të humburit”12, një argument që dëshmon vërtetësinë e Kuranit dhe paraqet mrekullinë e tij, duke na informuar se do të ketë njerëz të humbur, të cilët do të largojnë dhe devijojnë njerëzit e tjerë nga e vërteta. Dhe me të vërtetë ndodhi kështu dhe u vërtetua ajeti kuranor, ngase për çdo ditë dëgjojmë njerëz tek thonë: ‘njeriu e ka prejardhjen prej majmunit’ dhe shumë teori të tjera të pabaza. Këtë e hasim edhe kur dikush nga njerëzit mohon Synetin - traditën e Pejgamberit a.s duke thënë: Para nesh është Libri i Allahut, dhe ne i përmbahemi vetëm ç’është e lejuar në të dhe ç’është e ndaluar vetëm në të – asaj i largohemi, duke anashkaluar kështu traditën e tij. Një e vërtetë kjo, të cilën e hasim edhe nëpër shumë hadithe, ku Pejgamberi a.s. paralajmëron njerëzit e tillë.13
Me thirrjen drejtuar pabesimtarëve “e më tregoni pra mua se ç’krijuan ata të tjerët përveç Tij” - Allahu xh.sh. nuk kërkon prej tyre të krijojnë qiell, tokë, kodra e as ta zbresin shiun apo ta ngjallin tokën me bimë, por prej tyre kërkon që të krijojnë një gjë më të voglën që ekziston dhe që e shohin, siç është rasti miza, si krijesë shumë e vogël, të cilën asnjëherë s’mund ta krijojnë, sikur e dëshmoi Krijuesi: ”vërtet ata që po i adhuroni në vend të Allahut, ata nuk mund të krijojnë as një mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë prej saj”.14
Ndërsa në vijim përmbyllet ajeti i Kuranit me fjalët “pra, idhujtarët janë në një humbje të pafund”, në një humbje në të gjitha aspektet, sepse nuk ka shpresa ndoshta as për udhëzim, - sikur i sinjalizohet Muhamedit a.s. se të tillët nuk do të udhëzohen dhe se atij nuk i mbetet përveçse lutja e tij drejtuar Allahut xh.sh., që Ai t’i zëvendësojë ata me një popull të mirë, që besojnë dhe ndihmojnë thirrjen islame.
Kështu Allahu Fuqiplotë dëshmon dhe argumenton se gjithë këtë që po e shihni - qiejt, Tokën dhe ç’ka në to, - është e krijuar vetëm nga Allahu xh.sh. pa pasur asnjë shok, për të vazhduar më pas me qortimin e pabesimtarëve dhe adhurimit të kotë të tyre që bëjnë, me pyetjen se çfarë kanë krijuar idhujt që ata adhurojnë? Më pastaj vazhdon qortimin e tyre për shkak të humbjes dhe devijimit të tyre të plotë dhe mosqasjes me vëmendje ndaj Shpalljes hyjnore, çfarë e bën të pamundur që ata të kuptojnë atë dhe të udhëzohen, prandaj tha: ”pra, idhujtarët janë në një humbje të pafund”, në injorancë dhe verbim të plotë, e pra, si mund të udhëzohen ata në të vërtetën?!.15


____________________

Fusnotat:

1. Fi Dhilalil Kuran, Sejd Kutb, vëllimi pestë, faqe 2786, viti i bot. 1996, Kajro.
2. Ali- Imran, 18.
3. El- Isra’ë, 42.
4. El- Haxhxh, 65.
5. En- Nahl, 79.
6. Tefsiri i Muhamed Muteveli Sharavit, vëll. i 18, faqe 11598-11599, pa vit botimi, Kajro. Ndërsa ajeti nga kaptina Fatir 41.
7. Ruhul Meani fi tefsir el Kuran El-adhim ve Seb’ul Methani, El-Elusi El- Bagdadi, vëll. i 21, faqe 81, pa vit botimi, Bejrut.
8. Tefsiri i Ibni Kethirit, faqe 458.
9. En-Neml, 88.
10. Tefsiri i Sejid Kutbit, faqe 2787
11. Tefsir El- Bejdavi, Envaru Et -Tenzil ve Esraru Et-Te’vil, vëll. i dytë, faqe 228, viti i bot. 1999, Bejrut.
12. En Nahl, 51.
13. Një hadith të tillë e transmeton Imam Ahmedi 4/122, Tirmidhiu 2664, Ibni Maxhe 12, dhe Daru Kutni 4/287. Tefsiri i Muteveli Sharavit, faqe 11607.
14. El Haxhxh 73.
15. Tefsir El- Meragi, Ahmed Mustafa El-Meragi, faqe 78. bot. i parë, 1946.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?