Sjellja e Muhamedit a.s. me kundërshtarët e tij


Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: “Se ti je me virtyte madhore”. (El Kalem, 4); “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm ...”. (El Ahzab, 21).
Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., ishte një qenie njerëzore e krijuar dhe edukuar në mënyrë të veçantë nga “dora” hyjnore. Me edukimin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë u mor Allahu xh.sh.. Ai te Pejgamberi a.s. vendosi cilësi dhe veçori të lavdërueshme, të cilat e dallojnë atë nga të gjithë njerëzit e tjerë.
Allahu xh.sh. e dërgoi Muhamedin a.s. mëshirë për botët, jo si mëshirë për një racë apo popull të veçantë, ose për një lloj të caktuar të krijesave, por e bëri atë mëshirë të përgjithshme për të gjitha krijesat. Allahu xh. sh. në Kuran thotë: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” (El Enfal, 33). Prandaj është veprim jo mirënjohës nga ana e njerëzimit që ky Pejgamber dhe kjo dhuratë e çmuar nga ana e Allahut xh.sh., të kritikohet, përçmohet dhe satirizohet!
Në vazhdim të këtyre rreshtave do të jetojmë me një aspekt të madhështisë së tij për të parë nëse një Pejgamber i tillë meriton të kritikohet apo të fyhet ose përçmohet.
Fokusi i kësaj teme do të jetë shtjellimi dhe potencimi i raporteve të Pejgamberit a.s. me armiqtë e tij, të cilët në vazhdimësi u munduan që ta dëmtojnë atë. Sepse sikur të fokusoheshim në tolerancën e tij me besimtarët ose me myslimanët, do të thuhej: Kjo është një gjë e natyrshme, që ai të jetë tolerant me ata që besojnë në të, por kemi të bëjmë me një aspekt për të cilin mund të themi se është gati e pamundur të gjesh një njeri i cili gëzon të njëjtat virtyte siç i gëzonte i Dërguari i Zoti xh.sh., Muhamedi a.s., edhe pse kishte lindur jetim, prapë se prapë ai nuk ishte ziliqar dhe zemërngushtë, sepse ai jetën e filloi duke iu hapur gjoksi atij për t’u pastruar ajo hiseja njerëzore që shejtani e cytë njeriun nëpërmes saj. Pra, zemra e tij mbeti pa hisen e djallit, dhe si rezultat i kësaj ai nuk e njohu urrejtjen, inatin dhe xhelozinë.
Nëse i japin një vështrim biografisë së tij, do të vërejmë se ai ishte abuzuar dhe dëbuar nga banorët e Mekës. Më pas ai shkoi në Taif, ku edhe atje u abuzua, dhe mbi të vërsulën mendjelehtit dhe fëmijët, duke e gjuajtur me gurë derisa nga këmbët e tij rrodhi gjaku. Në këtë gjendje ai u ul nën hijen e një muri (kopshti) dhe ngriti duart drejt Zotit të botëve, jo për të kërkuar shkatërrimin e atij popullit, as për t’u hakmarrë ndaj zullumqarëve, përkundrazi, ai ngriti duart për t’u ankuar dhe për të kërkuar falje prej Zotit xh.sh., duke thënë: “O Zot, unë të ankohem për dobësinë e forcës sime, mungesën e shkathtësisë dhe përulësinë time ndaj njerëzve, Ti je më i Mëshirshmi i atyre që tregojnë mëshirë, Ti je Zoti i të shtypurve dhe Ti je Zoti im, në dorën e kujt e lë çështjen time? Në dorën e një të largëti i cili sillet ndaj meje me vrazhdësi apo në dorën e të afërmit i cili më ka nën kontroll? Nëse Ti nuk je zemëruar ndaj meje, atëherë mua nuk më intereson asgjë!”. Në këtë moment, zbriti melaqja e kodrave së bashku me Xhibrilin a.s. e cila i tha Muhamedit a.s.: “O Muhamed, Zoti më ka dërguar te ti, prandaj më urdhëro të bëj çfarë të duash, nëse dëshiron, mund t’i përplas dy kodrat (ku si rezultat të gjithë do të vdesin në shenj hakmarrje për ty)”. Këtu shohim se fati i armiqve të tij përcaktohet me një fjalë e cila del nga goja e tij, në një kohë kur zemra e tij ankohej për dobësi dhe poshtërim nga ana e tyre, mirëpo ai tha: “Jo, përkundrazi e lus Zotin që të nxjerrë nga bijtë e tyre ata që do ta adhurojnë Zotin dhe nuk do t›i bëjnë shok Atij”.
Edhe pas shpërnguljes në Medine, ai iu ekspozua llojeve të panumërta të keqtrajtimeve dhe abuzimeve. Hebrenjtë, disa herë kanë tentuar që ta vrasin, por përkundër kësaj, zemra e tij nuk ndryshoi. Edhe gjatë betejës së Uhudit, mushrikët e goditën atë derisa ia qan fytyrën dhe ia thyen dhëmbët, më pastaj i hapën një gropë dhe ai ra në të, dhe përkundër gjithë këtyre llojeve të maltretimeve, ai fshiu gjakun nga fytyra dhe tha: “O Zot, udhëzoje popullin tim, se ata nuk e dinë””.
Në Medine, kreu i hipokritëve, Abdullah ibën Ubej ibën Seluli, vepronte kundër Pejgamberit a.s.. Një ditë Pejgamberi a.s. hyri në një tubim të medinasve, aty ishte edhe Abdullah ibën Ubej ibën Seluli, para se të pranonte Islamin. Ai iu drejtua Pejgamberit a.s., duke i thënë që të largohej, sepse era e gomarit të tij i ka lodhur! Ai gjithashtu kishte shpifur kundër bashkëshortes së Pejgamberit a.s., Aishes r.a. për tradhti bashkëshortore. Gjithashtu një herë duke u kthyer nga një betejë, ai shokëve të tij hipokritë ju kishte thënë: “Nëse kthehemi në Medine, më i nderuari do ta dëbojë prej saj më të përulurin, dhe ai pretendon se do ta dëbojë të Dërguarin e Zotit a.s.!” Me këtë rast u njoftua biri i tij Abdullahu, i cili ishte mysliman i vërtetë. Ai shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Zotit! Nëse do ta urdhëroje dikë që ta vrasë babanë tim, atëherë më urdhëro ta vras unë.” Ai tha: “Jo o Abdullah, përkundrazi, do të përkujdesemi deri sa të jetë mes nesh.” Me këtë rast Abdullahu shkon te babai dhe i tha: “Pasha Allahun! Nuk do të hyn në Medine derisa të thuash: Unë jam më i përuluri dhe i Dërguari i Zotit është më i nderuari.”
Abdullah ibën Seluli gjatë gjithë jetës së tij vazhdoi të komplotonte kundër të Dërguarit të Zotit, derisa i erdhi vdekja. Kur i erdhi vdekja, ai i tha djalit të tij Abdullahut: “O biri im! Nëse unë vdes, lute të Dërguarin e Zotit të më mbë shtjellë me rrobat e tij dhe lute që të ma fal namazin e xhenazes.” Pasi vdiq, biri i tij Ab d u l l a hu , shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Zotit! Babai im më ka porositur (lënë amanet) që kur të vdes të mbështjellët (qefinoset) me rrobat e tua dhe t’ia falesh namazin e xhenazes!”
Ky është ai që udhëhoqi fushatën e gënjeshtrës dhe thashethemeve kundër të Dërguarit të Allahut a.s., ky është ai për të cilin në Kuran është thënë se do të ketë një ndëshkim të madh. Tani ai kërkon që të mbështillet me rrobat e të Dërguarit të Zotit a.s.. Me këtë rast Pejgamberi a.s. hoqi rrobat e tij dhe i thotë Abdullahut: “Mbështilleni atë me to, nëse ato i sjellin ndonjë dobi.” Pastaj doli për t’ia falur namazin e xhenazes, ndërsa Omeri r.a. e kapi për rroba të Dërguarin e Zotit dhe tha: “O i Dërguari i Zotit, a edhe këtij hipokrit do t’ia falësh namazin e xhenazes, kur të gjithë e dimë se ai ka bërë lloj-lloj veprimesh kundër teje dhe kundër nesh.” Me këtë rast, Pejgamberi a.s. tha: “Më lër o Omer, sepse Zoti i Madhëruar më ka dhënë zgjedhje duke thënë: “U lute për ta apo nuk u lute (o Muhamed), Allahu nuk do t’i falë, edhe sikur ti të kërkosh falje për ta shtatëdhjetë herë! Kjo sepse ata e mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu nuk udhëzon në rrugë të mbarë njerëzit e pabindur.” (Et Tevbe, 80). Pasha Zotin, sikur ta dija se po t’i kisha kaluar të shtatëdhjetat do të ishin falur, unë do të kisha kërkuar falje për ta! A nuk është ky një qëndrim i mahnitshim i Pejgamberit a.s.? Edhe pse ai nuk kishte lënë mënyrë dhe metodë pa e përdorur vetëm e vetëm që ta dëmtonte dhe ta pengonte Pejgamberin a.s. në misionin e tij, ai Pejgamberi a.s., megjithëkëtë prapë shpreh gatishmërinë dhe dëshirën e tij që të lutej për të. Me të vërtetë qëndrime të tilla nuk dalin nga njerëz të thjeshtë.
Ky i dërguar, derisa ishte në kulmin e fuqisë së tij, një ditë një beduin iu afrua dhe i tha: “O Muhamed, më kthe borxhin tim, sepse ju, familja e Abdul Mutalibit, jeni prej atyre që zvarritni njerëzit (d.m.th. nuk e lani borxhin dhe nuk e ktheni atë me kohë)!” Ai këto fjalë ia tha të Dërguarit të Zotit derisa ai ishte në mesin e shokëve të tij më të afërt dhe më të dashur! Me këtë rast, ata ju vërsulën dhe në mesin e tyre ishte edhe Omeri r.a., i cili ju vërsul atij. Kurse Pejgamberi a.s. tha: “Jo, o Omer, unë dhe ai kishim nevojë që të vepronit ndryshe nga ajo që vepruat. Unë kisha nevojë që të këshillohesha dhe të jem më i përpiktë në kthimin e borxhit, ndërsa ai që të jetë më i kujdesshëm dhe më i sjellshëm kur kërkon.” Pastaj tha: “Jepjani devenë e tij dhe jepjani një deve tjetër për atë që e keni frikësuar” - d.m.th. atë që meriton dhe jepi të njëjtën shumë, sepse e kishit frikësuar.
Kur Zoti i Madhëruar ia mundësoi çlirimin e Mekës, mund ta imagjinoni njëzet e një vjet luftë, nga dita që Zoti e dërgoi atë (trembëdhjetë vjet në Mekë dhe tetë vjet në Medine) ndërsa ata mbanin armë kundër tij, ata ia morën shtëpinë që ishte në Mekë, i persekutuan shokët e tij, e përzunë nga vendi që e do, e dëbuan, mblodhën turmat kundër tij, i kthyen arabët kundër tij dhe përkundër kësaj, kur Zoti i Madhëruar i dha fitoren dhe triumfoi kundër tyre, dhe fati i tyre varej nga fjalët që dilnin nga goja e tij, dhe nëse ai urdhëronte t’i ekzekutonin ata, askush nuk do ta fajësonte e as nuk do ta qortonte, mirëpo ai me zemër të madhe ju drejtohet duke ju thënë: “Çka mendon se do të bëj me ju”?, ata thanë: “Ti je vëlla bujar dhe djali i vëllait bujar, atëherë Pejgamberi a.s. ju tha: “Shkoni, sepse që të gjithë jeni të lirë”! Këtë qëndrim dhe këtë vendim ka mundur ta bënte vetëm Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., sepse ardhja e tij ishte mëshirë për të gjithë e jo ndëshkim dhe dënim. E kjo mëshirë sigurisht që përfshinë edhe ata të cilët janë armiqësuar me të dhe e kanë luftuar me të gjitha metodat.
Kemi rastin e Safvan ibën Umejjes r.a., babai i të cilit ishte vrarë në betejën e Bedrit dhe për këtë arsye zemra e tij (derisa ai ende ishte jobesimtar) ishte mbushur me urrejtje kundër të Dërguarit të Zotit. Një ditë ai bisedoi me njërin prej politeistëve i cili quhej Umejr ibën Vehbi dhe i cili e kishte djalin të zënë rob te myslimanët. Sufvani u pajtua me Umejrin që ai të shkonte te Pejgamberi a.s., duke pretenduar se ai donte të lironte djalin e tij dhe të qëndronte vetëm me të Dërguarin e Zotit a.s. dhe më pas ta vriste atë, dhe vërtet, Umejri e mori shtizën e tij dhe e helmoi majën e saj që të mos kishte mundësi shpëtimi dhe shkoi tek i Dërguari i Zotit a.s. i cili i tha: “Çfarë të solli o Umejr?” Ai tha: “Erdha për ta liruar këtë të burgosur që e keni në duart tuaja”. Pejgamberi a.s. i tha: “Më thuaj të vërtetën”! Ai tha: “Është ajo që them unë o Muhamed.” Ai tha: “O Umejr, a nuk u ulët ti dhe Safvani te guri i Qabesë, e ai të tha filanin, e ti i the atij filanin?” Ai tha: “Pasha Zotin, askush nuk ishte me ne!” Dhe nuk ta ka treguar këtë dikush tjetër përveç Zotit, prandaj dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Zotit.
Qëllimi i përmendjes së kësaj ngjarje është se Safvan ibën Umeje vazhdoi me urrejtjen dhe zemërimin e tij, duke mbledhur turma dhe duke luftuar kundër Pejgamberit a.s., derisa Zoti ia mundësoi Pejgamberit a.s. çlirimin e Mekës, ndërsa paria e Mekës erdhën para të Dërguarit të Zotit a.s., për t’i kërkuar falje. Urrejtja e cila ishte në zemrën e Safvanit nuk e lejonte që t’i kërkonte falje të Dërguarit të Zotit a.s., kështu që ai u largua nga Meka duke mos dashur të takohet me të Dërguarin e Zotit a.s., pra deri në këtë masë iu mbush zemra me urrejtje kundër të Dërguarit a.s.. Gruaja e Safvanit erdhi tek i Dërguari i Zotit dhe e pranoi fenë islame dhe me këtë rast i tha Pejgamberit a.s.: “O i Dërguari i Allahut, të kërkoj besë për Safvanin.” Ai tha: “Ai është i sigurt.” Më pastaj Safvani u kthye në Mekë përkundër mosbesimit të tij.
Pejgamberi a.s. një ditë doli në betejën e Hunejnit dhe atij i duheshin armë (shpata, mburoja dhe shigjetat). Safvani kishte shumë prej tyre, kështu që Pejgamberi a.s. i tha: “O Safvan, më jep hua disa nga armët e tua.” Ai tha: “A do t’i kthesh ato hua apo dëshiron t’i uzurposh?” Pejgamberi a.s. tha: “Përkundrazi, është huazim dhe ato do të kthehen.” - Kjo për shkak se i Dërguari i Allahut a.s. i dha siguri.
Pas betejës, Pejgamberi a.s. u kthye fitimtar dhe ia ktheu armët Safvanit. Safvani shikoi dhe pa delet në mes dy maleve, pra një luginë plot me dele. Pejgamberi a.s. e shkoi Safvanin dhe vërejti në sytë e tij se ai donte ta kishte këtë pasuri, kështu që ai tha: “O Safvan, a dëshiron që kjo të jetë e jotja?” Ai tha: “Po”, Pejgamberi a.s. i tha: “Ajo është e jotja”, pastaj filloi t’i jepte e t’i jepte, derisa ajo zemër, e cila ishte ngulfatur nga urrejtja, ndryshoi dhe u mbush dashuri për të Dërguarin e Zotit a.s.. Safvani ka thënë: “Ai vazhdoi të më jepte deri në atë pikë sa u bë më i dashur për mua se sa vetja ime.
Nëse do të vazhdonim në zbulim të rasteve të tilla të qëndrimit të Pejgamberit a.s. ndaj armiqve të tij, me siguri rastet nuk do të ndaleshin, por qëllimi ishte që të zbulonim dhe t’i përmendnim disa sekuenca për lexuesin shqipfolës për qëndrimet korrekte të Pejgamberit a.s. edhe ndaj armiqve të tij, të cilat nuk do të përsëriten më në histori.
Përkundër kësaj që u tha, Pejgamberi a.s. ndonjëherë do të inatosej siç është natyra njerëzore, ndonjëherë kur kishte momente të vështira për të, ai zemërohej, e ndoshta ndonjëherë disa njerëz e provokojnë atë deri në atë pikë ku duhet të zemërohet, por ia megjithatë e menaxhonte zemërimin e tij! Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të dhe familjen e tij!


___________________________
Literatura e shfrytëzuar:
Kurani me përkthim, Hasan Nahi.
Fet’hul Bari, Sherh Sahih wl-Buhari.
Sher Sahihu Muslim.
Siretu Ibën Hisham.
Nektari i vulosur i Xhenetit.
Fik’hu Sire, dr. Ramadan wl-Buti.
Es-Sire wn-Nebevije, dr. Ali Sallabi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?