Gradualiteti në thirrjen islame (1)

Dimë faktin se avancimi në mënyrë graduale është një nga thesaret e kulturës dhe traditës fetare e natyrore, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me natyrën dhe esencën e krijimit të njeriut në këtë tokë.

Bazuar në specifikat e zhvillimit të natyrës njerëzore, njeriu nuk e ka kapacitetin njerëzor që t’i pranojë të gjitha rregullat apo dispozitat në një herë të vetme, apo edhe të shmanget dhe të largohet nga ndalesat (haramet) menjëherë.
Njeriu duke jetuar në një ambient ku rrethohet nga adetet, zakonet e traditat, has në vështirësi që të bëjë një ndryshim rrënjësor në personalitetin e vet duke shmangur qejfet e epshet në mënyrë të menjëhershme. Nisur nga kjo, sigurisht që edhe mësimet fetare teorinë dhe aplikimin e fesë e shikojnë që duhet të ecë hap pas hapi, kështu ka një logjikë nga njëra anë dhe gjen përputhshmëri të plotë edhe me ligjet e Allahut xh.sh. Në këtë sferë Allahu xh.sh., në Kuran urdhëron e thotë: "Thuaj: “Atë e shpall Ai, që e di të fshehtën në qiej e në tokë, Ai është që fal shumë, është mëshirues”. (El Furkan, 6)
Po ashtu ajete të shumta në vënë në dijeni se predikimi i mësimeve hyjnore dhe dispozitave fetare duhet të zhvillohet shkallë shkallë, duhet përshtatur dhe aklimatizuar. Edhe Kurani ka zbritur gradualisht pjesë pjesë e jo i tëri përnjëherë: "Dhe (ta shpallëm) Kuranin që Ne e ndam pjesë pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalë ngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.” (El Isra,106)
Imam Kurtubiu në lidhje me këtë thotë se Kurani është zbritur pjesë pjesë, dhe sikur të obligoheshin përnjëherë me tërë urdhëresat (farzet) njerëzit do të largoheshin.
Kurse në lidhje me zbritjen e përnjëhershme të ajeteve kuranore, Imam Rraziu mendon se edhe legjislatura po të zbritej në mënyrë të menjëhershme, për njerëzimin do të krijonte vështirësi. Por kështu siç është zbritur, pra jo në mënyrë të menjëhershme, atëherë edhe urdhëresat janë më të lehta dhe më të pranueshme dhe si rezultat edhe më lehtë përballohen.
Buhariu transmeton se Jusuf ibn Malik ka thënë: “Ndodhesha tek Aishja -nëna e besimtarëve r.a., kur tek ajo erdhi një irakian dhe i tha: “O nënë e besimtarëve, më trego kopjen tënde të mushafit (Kuranit)”. Ajo e pyeti: “Përse?” Ai tha: “Dua ta rendis Kuranin prej tij, sepse ai lexohet pa ndonjë renditje”. Ajo tha: “Çfarë pune të prish se cilën sure lexon më parë? Në të vërtetë, ajo që ka zbritur në fillim nga Kurani, janë suret e shkurtra, ku përmendej Xheneti dhe Zjarri, derisa kur njerëzit përqafuan mirë Islamin, u shpall hallalli dhe harami, dhe nëse e para që do të zbriste do të ishte: Mos e pini alkoolin; ata do të thoshin: “Nuk do ta lëmë alkoolin kurrë!” Dhe nëse atyre do t’u shpallej: “Mos bëni imoralitet, ata do të thoshin: ‘Nuk do ta lëmë kurrë imoralitetin.”
Po në këtë frymë të zhvillimeve, Ibn Haxheri ka thënë: “Aishja r.a. tregoi urtësinë në zbritjen e përshkallëzuar të shpalljes dhe se gjëja e parë që u shpall nga Kurani ishte thirrja në njësimin e Zotit Një dhe i Vetëm, si dhe përgëzimi i besimtarit dhe të bindurit se ata do të shkojnë në Xhenet, si dhe njoftimi i mohuesit dhe kryeneçit se ata do të shkojnë në Zjarr (Xhehenem). Pasi zemrat gjetën qetësinë në besim erdhën dispozitat ligjore. Mu për këtë, ajo ka thënë: Sikur të zbrisnin të gjitha rregullat në një herë të vetme, apo që të largoheshin nga të gjitha haramet (alkooli) nuk do të largoheshin, ngase ata ishin ambientuar me zakonet në të cilat jetonin.“

Të thirrurit janë kategori të ndryshme sociale

Pra, në kategorinë e të ftuarve kemi shtresa të ndryshme sociale, kemi idhujtarë dhe për ta duhen shpenzuar shumë kohë dhe mund, duhet metodologji dhe mjete të përshtatshme deri sa të arrihet deri te pika të cilën dëshirojmë, bindja në Islam. Në anën tjetër, kemi shtresën e shoqërisë të cilët janë besimtarë, por besimin e kanë të dobët dhe nuk i kryejnë obligimet me përpikëri. Në mesin e të thirrurve kemi edhe udhë- heqësit, liderët, me të cilët po ashtu kërkohet një gjuhë më specifike me butësi dhe mençuri ashtu siç ka vepruar edhe i Dërguari i Zotit xh.sh. Musai a.s.: "Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet”. (Taha, 44)
“Që në periudhat e hershme dijetarët e Islamit e kanë perceptuar sekretin e përshkallëzimit në fushën e legjislacionit islam, duke vërejtur se kjo është metoda më e përshtatshme që masa të arrijë të pranojë mësimet fetare dhe dispozitat fetare, gjë që, po të bëhej e tëra menjëherë dhe sikur e tëra të zbritej përnjëherë, sigurisht se nuk do të gjente pritshmëri dhe do të ishte rëndesë për njeriun.
Duke shfletuar faqet e historisë së Muhamedit a.s. hasim se thirrja e tij e parë e drejtuar popullit të vet ishte thirrja në besim të pastër dhe adhurim Zotin Një, të pashoq të pafillim e të pambarim. Ata thirrjen e tyre e hapën me fjalën e Allahut xh.sh.: “Adhurojeni vetëm Allahun, nuk keni zot tjetër pos Tij.” (El Arafë, 59)
Për këtë u krijuan krijesat, u zbritën librat dhe u dërguan pejgamberë.
“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që Allahu i udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni sesi ishte fundi i gënjeshtarëve.” (En-Nahl, 36).
Muhamedi a.s. gjysmën e jetës pas shpalljes e kaloi duke thirrur pikërisht në besimin në Zotin Një, pasi pa bindjen dhe besimin e fortë të tyre në Zotin xh.sh., atëherë kaloi në obligimin e tyre me faljen e namazit duke ditur vlerën dhe rëndësinë e tij në jetën e njeriut.
Allahu i lartmadhëruar Muhamedin a.s. dhe myslimanët nga ky moment i obligoi me pesëdhjetë kohë namaz brenda ditës dhe natës dhe këtë kështu e pranoi Muhamedi a.s..
Në të kthyer, Muhamedi a.s. takohet me pejgamberin Musa a.s. dhe ai e pyeti: O Muhamed, me çka të obligoi Zoti? Me pesëdhjetë kohë namaz ia ktheu Muhamedi a.s.. Musai a.s. i tha: Ymeti yt nuk mund t’i përballojë këto, kthehu te Zoti dhe kërkoji zvogëlim në numër të namazeve. Muhamedi a.s. e shikoi Xhibrilin në formë konsultimi e Xhibrili i tha që po.
Muhamedi a.s. u kthye te Zoti dhe i kërkoi lehtësim e Allahu ia hoqi dhjetë. Duke u kthyer, përsëri e takoi Musanë a.s. e ai i tha që të kërkojë përsëri lehtësim. Muhamedi a.s. kështu u kthye disa herë të Zoti duke kërkuar lehtësim për numrin e namazeve për ymetin e tij, derisa Allahu i lartëmadhëruar ia përcaktoi 5 kohë namaz brenda ditës dhe natës, por që kanë vlerën e pesëdh jetë namazeve.”
Por edhe në anën tjetër, jeta pejgamberike është përplot me shembuj të përshkallëzimit gjatë kumtimit të fesë te njerëzit. Edhe hadithi që flet për dërgimin e Muadhit r.a., në Je men ka këtë peshë, fillohet me detyra të cilat janë më të rëndësishme drejt atyre me më pak rëndësi dhe vlerë.

Lehtësimi e jo vështirësimi

Transmeton Abdullah ibën Abasi se Resulullahu i ka thënë Muadh ibn Xhe belit kur e dërgoi në Jemen (për t’ua mësuar Islamin): “Vërtet, ti do të shkosh te një popull që janë ithtarë të librit (të krishterë), kur të arrish atje, më së pari thirri të dëshmojnë se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i tij. Nëse ata të pasojnë në këtë, atëherë tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse të pasojnë në këtë, atëherë tregoju se Allahu ua ka bërë obligim të japin zekatin, që u merret të pasurve dhe u shpërndahet të varfërve. Nëse të pasojnë në këtë, atëherë ki kujdes në pasurinë e tyre që e konsiderojnë më me vlerë dhe e duan më shumë (gjatë marrjes së zekatit). Ruaju lutjes së atij të cilit i bëhet zullum (e padrejtë), për shkak se ndërmjet tij dhe Allahut nuk ka pengesë.”
Pra, në këtë hadith vërejmë përshkallëzimin në kërkimin e obligimeve duke filluar nga ajo që është më e rëndësishme drejt atyre që janë të rëndësishme, pra filloi me namazin para zekatit, duke pasur parasysh gjithnjë thirrjen shkallë shkallë dhe renditjen e prioriteteve.
Ndërmjet kuptimit të përparësive dhe përshkallëzimit ka një lidhje të rëndësishme, sepse të kuptuarit e përparësive do të thotë përshkallëzim nga më e rëndësishmja tek ajo më pak e rëndësishme. Njësimi i Zotit, për shembull, është adhurimi më i madh, ndaj duhet t’i paraprijë çdo gjëje, sepse adhurimi nuk mund të jetë i saktë nëse nuk e përmban njësimin e Zotit në të. Ky është përshkallëzimi dhe marrja në konsideratë e përparësive, i cili i ngjan abdesit për faljen. Duke qenë se shirku është gjynahu më i madh, duhet të trajtohet para çdo gjynahu dhe ndalese tjetër. Ky është përshkallëzimi dhe marrja në konsideratë e përparësive, kështu janë të lidhura dhe ndërfuten këto rregulla te njëra-tjetra. Për shembull, nëse një njeri hyn në Islam ose thirrësi shkon në një popull që i kanë lënë obligimet dhe kanë rënë në harame, ai nuk duhet të kërkojë prej këtij njeriu apo atyre njerëzve që të kryejnë menjëherë të gjitha detyrimet dhe po kështu të lënë edhe të gjitha haramet menjëherë. Në radhë të parë duhet të kërkojë prej tij apo prej atyre njësimin e Zotit, më pas faljen e namazit, dhënien e zekatit e kështu edhe largimin nga gjynahet nga më e madhja e me radhë. (vazhdon)


__________________
1. Muhamed bin Ahmed El ensari El Kurtubi, El Xhamië li ahkam el Kuran (tefsir el Kurtubi), Muese setu errisle,2006 f.340.
2. Ebu Abdullah Muhamed bin El Hasen bin Elhusejn Ettemim Errazi, (Fahruddin Errazi).
3. Sahihul Buhari, Kapitulli Dobitë e Kuranit, k.69,h.4707, vll.4,f.1910.
4. Ibn Haxher, Fet’hul bari, 10/48.
5. Subhi Essalih, Mealimesh-sheriati el islamije, Dar el ilmlil melaiin, Bejrut,1982,f.136.
6. Sahih el Buhari, Kapitullimbi namazin,h.342,v1. f.135-136.
7. Sahih el Buhari, Kapitullimbibesimin, h.100,6937, v.6/2685.
8. Adnan Al Araur,Menhexhueddaveti fi dav’tilkitabveessune, f.156