Mësoni nga fëmijët para se t’i mësoni ata!


Prej fëmijëve mësoni këmbënguljen, shpejtësinë në vendimmarrje, zemërbardhësinë, injorimin e të keqes dhe tradhtisë, kureshtjen për dije dhe argëtimin pa hile…!
Ata janë të lumtur në ritmin e tyre, të natyrshëm në sjelljet e tyre. Ai që luan me ta kënaqet skajshmërish, ata edhe në rast të grindjes, prapë bashkohen dhe ndahen miqësisht.
Shokun që mungon në lojë, e arsyetojnë, ndërsa të pranishmin asnjëherë nuk e paragjykojnë.
Sekreti i buzëqeshjes së tyre është të kënaqurit me atë që atyre ju ofrojmë.
Ata mblidhen pa interes, luajnë për qejf. Nuk i ndan zemërimi. Flenë lehtë kur lodhja i kaplon, dhe gëzohen me më të voglën lojë.
Ata nuk ndihen pesimistë për gjënë e humbur, dhe nuk preokupohen për atë që mund ta humbin. Nuk i dëshpëron e kaluara dhe nuk i preokupon e ardhmja. Qeshin me sinqeritet, kurse qajnë kur padrejtësia i godet. Ata lëndohen lehtë, por kurrë nuk mbajnë inat. Ata harrojnë shpejt kur ju bëhet padrejtësi, dhe falin me shumë lehtësi. Në rikthimin e marrëdhënieve dhe rregullimin e raporteve, nuk gjejnë pengesë dhe vështirësi, përmirësojnë raportet siç kanë qenë, dhe edhe më të mira se ç’kanë qenë.
Mësoni nga ta çiltërsinë e zemrës dhe thjeshtësinë e sjelljes. Merrni nga ta pastërtinë e qëllimeve dhe ruajtjen e fshehtësive!
Ata duan me seriozitet dhe harrojnë me sinqeritet. Vrapojnë për te ju sa herë që buzëqeshni, dhe largohen nëse me ashpërsi i qortoni. I bashkon vendi dhe loja, dhe nuk brengosën nëse kalon koha. Gëzohen me dhurata, nuk ju intereson çmimi dhe as marka.
E njohin mirë vetveten dhe injorojnë ata që duan vetëm vetveten. Përjetojnë çastin me hollësitë e tij, duke mos u thelluar se ç’ka përtej tij. Nuk njohin gjuhën e dredhisë, dhe nuk ju bëjnë përshtypje komplimentet rreth mirësisë. Zemrat i gëzojnë, shpirtrat i qetësojnë, kur mrekullueshëm buzëqeshin dhe qetë komunikojnë. Engjëj njerëzorë i cilësojmë, atë që duan e pranojnë nga të gjithë, edhe atë të cilën të tjerët e injorojnë dhe nuk e pranojnë.
Ata shpresojnë pa ngurrim, japin pa hezitim, pyesin pa ngurrim dhe nuk duan turpërim, mësojnë pa nxitim, reformojnë pa lodhje, hulumtojnë me durim, nuk vrapojnë pas luksit, nuk duan armiqësitë, dhurojnë nga shpirti dhe xhepi, nuk i preokupon ç‘shkoi dhe ç‘mbeti… Kështu ishe edhe ti dikur, mund të jesh përherë, dhe nuk është e vështirë të kthehesh si atëherë…
Nëse do...!



Dr. Naif Isa Sheda
Përshtati: Ramize Zeqiri - Mehani
Marrë nga revista elektronike “El Jevm”, të datës 05.11.2021


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?